NGA: KICO BLUSHI
Tanimë askush nuk ka të drejtë të dyshojë që “me meritë” ne kemi humbur trenin e jemi më të fundit në procesin evropianizues,
duke përjashtuar. Bosnjën dhe Kosovën, që jo vetëm që nuk po festojnë 100-vjetorin, por nuk e kanë sendërtuar ende pavarësinë si shtet, për arsye objektive të njohura, më së shumti jashtë vullnetit të tyre... Ndërsa ne ishim ndër të parët në Ballkan që aspiruam integrimin (“E duam, e duam Shqipërinë si Evropa!”), tash jemi katandisur “delja e zezë”. Kjo “ne” përfshin më së pari parinë politike, por edhe ne si qytetarë që i votojmë e nuk e kuptojmë se statusi nuk dhurohet, por fitohet. Nuk lypet, por meritohet. Nuk bëhesh evropian ngaqë e dëshiron, por nëse je e si je. Statusi meritohet vetëm nëse Shqipëria do t’i ketë në nivel të mjaftueshëm standardet demokratike bashkë me rritjen e mirëqenies. Por si mund të flitet për mirëqenie kur 30% e popullsisë jeton me borxhe, me lista, në fukarallëk të pashembullt? Si mund të flitet për standarde, kur as për festën kombëtare të Flamurit e as për ditën e çlirimit të kryeqytetit nga nazistët nuk arrijmë të merremi vesh?
ثshtë krijuar përshtypja se dhënia e statusit nuk varet nga fakti se sa është evropianizuar shoqëria shqiptare me reforma, ligje, standard demokratik e mirëqenie të njëjtësuar a të përafruar me Evropën, por nga miratimi ose jo i tri ligjeve në Kuvend… Topalli shpërtheu në Kuvend kur tha se akti i mosvotimit të tyre nga opozita është më i rëndi në 100 vjet shtet! E pas kësaj, në zyrat e ish-Byrosë Politike, të cilën e ka kthyer në një qendër zëri të emulacionit demokratik, me një ngazëllim prej spikereje katundi, del e u dhuron ca kapakë kartoni të kuq atyre që ajo i përzgjedh si më të shquarit e 100 vjetëve… Kush ia ka dhënë asaj peshoren e vlerave kombëtare? ا’përfaqëson kjo spikere që paradite e bën zhele Kuvendin dhe imazhin e Shqipërisë me gjuhën e saj drumepre, ndërsa pasdite bën spektakle, bën show, si me ken zonjë e randë, a thua se punët po na shkojnë vaj?… Mirë pa drita, po tani Shqipëria po mbetet edhe pa ujë të pijshëm, jo nga thatësira, por ngaqë qeveria i paska borxh CEZ-it 165 milionë euro, ndërsa CEZ-i ka ndaj KESH-it 208 milionë euro… Në Kukës, vetëm 1,6% e popullsisë e paguan energjinë elektrike! Gati gjysma e popullsisë nuk i paguan faturat, për shkak të varfërisë! Ky vërtet është një krim shtetëror jo vetëm për nga shifrat alarmante të borxheve-piramidë, por sepse policia, d.m.th. pushteti i sotëm, si në asnjë vend normal, mbron hajdutin dhe kërcënon hapur atë/ata që janë vjedhur! Ku po shkojmë kështu?
Vaj vatani, mjer’ mileti!
***
Por, do ta marrim apo jo statusin, është çështja më madhore sot për sot! Le të priten dritat e uji, le të jemi pa punë e në sherr të pandërprerë, le të digjen pyjet, le të djerrëzohen tokat e bukës, pronat publike, lumenjtë e detet, le të mbetet pa vlerë krahu i punës dhe truri, le të përdhosen varret e monumentet e dëshmorëve e patriotëve, mjaft që të na e japin këtë të bekuar status! Por statusi u varka nga Berisha, nëse ky “do ta lëshojë apo jo qarkun e Fierit”, d.m.th. nga vullneti i dy krerëve, i Ramës dhe i Berishës për t’u marrë vesh, për të dialoguar, për t’u ulur në një tryezë “për të mirën e kombit” dhe më pas për të urdhëruar deputetët përkatës të votojnë tri ligjet e bekuara. Sa e thjeshtë qenka! Dy njerëz paskan në dorë fatin tonë: të bëhemi apo të mos bëhemi evropianë!
Duket sikur, po të ndodhë kjo mrekulli, pra po të bien në ujdi dy krerët, gjasat janë që të na jepet si shpërblim statusi i lakmuar dhe shoqëria shqiptare të kapërcejë (më në fund!) pragun e iluminuar të BE-së e në dhjetor të gjendemi në paradhomën e Evropës së Bashkuar. Si është e mundur? ا’është ky lloj pluralizmi e kjo biçim demokracie deledash që e paskan në dorë dy krerë dhe tri ligje?! اfarë shoqërie jemi ne që e hamë atë që na thuhet, se këto tri ligje vlerësohen më të rëndësishëm për Brukselin, - pasi kushtin e tyre e kemi vënë në kandar!, - se sa për shoqërinë tonë?… Ja përse opinioni publik po bombardohet përditë duke i thënë: Tri ligjet kërkohen urgjent nga Brukseli, në këtë orë e në këtë datë, përndryshe u dogjëm, do të na e mbyllim derën! Gati-gati duket sikur edhe recesioni i Evropës varet prej miratimit ose jo të tyre, por asnjëherë nuk thuhet se i lipsen shoqërisë për këto e ato arsye… Kurrkund nuk mund të ndodhë ky absurd! Ligjet janë për ne, nuk janë as për Brukselin dhe as për Uashingtonin! Mjerisht vazhdojnë të na trajtojnë jo si popull, por si kope, pa e bërë qejfin qeder!
Dyshoj se po të pyesësh në rrugë qytetarët e këtushëm, ata nuk e dinë për se bëjnë fjalë këto tri ligje, aq më pak nëse miratimi i tyre do të sjellë ndryshime rrënjësore e do t’i japë fund tranzicionit. A nuk u miratua me të njëjtën trysni mediatiko-politike edhe ligji për heqjen e imunitetit muaj më parë, pa efektivizuar aspak luftën antikorrupsion në nivelet e larta, meqë ky ligj, si thuhej, e paskësh penguar zbulimin, hetimin e ndëshkimin e tyre?… Mos edhe ligji i ri për Gjykatën e Lartë, rregullorja e përmirësuar e Kuvendit apo ligji për administratën civile do ta ndryshojnë klimën politike dhe sociale, duke sjellë ndryshime të qenësishme? Vërtet besojnë krerët dhe aleatët tanë se këto tri ligje janë aq reformuese, të rëndësishme e jetike, sa brenda natës së 20 nëntorit (afatit më të fundit për votimin e tyre!) do të shndërrohemi nga sherrxhinjtë e fundit ballkanikë në kandidat-tolerantët e fundit evropianë?!
***
Nuk e besojnë as vetë krerët këtë. Madje rrezik as nuk e dëshirojnë përnjëmend statusin. Nuk u intereson. Nuk janë aq kokëgdhe e trushkulur sa i kujtojmë. I kemi parë si e ulin bishtin para një ‘krokodili’… E dinë që statusi do t’ua fusë këmbët në një këpucë. E dinë që refuzimi i drejtpërdrejtë do të ishte akt i rrezikshëm, ndaj ia lënë kopilin njëri-tjetrit në derë. Kjo do të jetë karta e bixhozit në zgjedhjet e ardhshme. U dogjëm për faj të këtij… Jo, jo, e kishte fajin “armiku” i kombit!... Ky do të jetë qerthulli i zgjedhjeve ku do të tentohen të hidhen zgjedhësit. Që të harrohen për ca kohë hallet e përditshme… Që sherrnaja tradicionale të mos ketë të sosur në vendin e shqiponjave, të cilat nuk hanë më barin e diktaturës, por përtypin fjalime, premtime, akuza, internet, shpifje, gënjeshtra dhe sidomos iluzione, të cilat ikin përherë, si kriminelët, në drejtim të paditur… Këto 22 vjet kanë qenë vitet e terratisjes së iluzioneve, krahas shtimit dramatik të mosbesimit te krerët, te politika e te vendi; e, për fat të keq, edhe te njëri-tjetri. Këtë e ka realizuar me sukses Berisha.
Ja ç’thonë krerët tanë, (në gjuhën popullore: përçorët tanë), për këtë ngërç të ri. Berisha: “Nuk dal mbi gjykatat!... Nëse Rama bllokon integrimin, do të humbasë zgjedhjet!...” Rama: “Ke frikë të ballafaqohesh… Berisha gënjen!”... Sekui: “Nuk ka kohë… mos bëni si ushtria e operas ‘Aida’, që ushtria bënte sikur ecte dhe mbetej në vend!...” Arvizu: “Dialogu është çelësi… jeni në udhëkryq!” Meta: “Rama, je duke punuar kundër Shqipërisë”… ‘RD’: Sipas PS, “Rroftë Rama, poshtë BE-ja!” ‘ZP’: “Qeveria, - përgjegjëse!”… Presidenti Nishani: “Në këto momente historike dhe vendimtare për vendin tonë, momente të cilat historia na sprovon pikërisht gjatë festimeve të 100-vjetorit të shtetit shqiptar, këto tri projektligje, përtej qëllimeve rregullative që përmbajnë në vetvete, marrin një rëndësi monumentale për të kurorëzuar përpjekjet shekullore të popullit shqiptar. Klasa politike shqiptare ka fatin e madh që të kurorëzojë atë çka nisën 100 vjet më parë një grup patriotësh, pavarësisht krahinës, fesë apo bindjeve që ata përfaqësonin”. E pra, këto tri ligje fatale do të “kurorëzojnë atë çka nisën 100 vjet më parë një grup patriotësh”. Me një fjalë, jo vetëm Brukseli, po miratimin e kërkokan, që nga humbella e varreve të tyre të rrënuara, edhe patriotët tanë!
Vaj vatani, lum pushteti!
E në këtë mishmash me personazh qendror statusin lihet mënjanë kaosi i frikshëm që po krijohet prej muajsh mes CEZ-it, qytetarëve debitorë dhe së fundi edhe me Ujësjellësin. Ajo që ka ndodhur në Kukës, ku banorët që nuk paguajnë faturat prej vitesh, kur u pritet energjia nuk mënojnë të mësyjnë me hunj e gurë stacionet, kabinat elektrike, zyrat e CEZ-it, duke bllokuar madje edhe Rrugën e Kombit, pa i penguar policia, tash kjo talebanëri “demokratike” po ndodh në shkallë kombëtare, sepse ndërmarrjet shtetërore të Ujësjellësit qenkan, gjithandej, borxhlinj, nj’ashtu si kuksianët dhe mirditorët... Sipas kësaj logjike nuk paskan faj qytetarët debitorë që nuk paguajnë, teksa mospagesën e bëka edhe qeveria!… Derisa kuksianët “e kanë fituar këtë të drejtë” me forcë, me dhunë, përse të mos veprojnë kështu edhe elbasanasit, durrsakët, fierakët, vlonjatët, të gjithë qytetarët? Tekefundit, përse duhet t’i paguajmë faturat edhe ne “budallenjtë e ndershëm”, derisa qeveria i mbron debitorët dhe nuk ndjen asnjë faj e asnjë përgjegjësi për borxhet e veta? Ata që ushqehen me lista e janë pa punë, përse të mos sulmojnë marketet e dyqanet? ا’kuptim tjetër do të kishte fjala “kaos”?
E pra, ky shtet-pushtet kërkon ta fitojë statusin si kapital politik për vete, edhe pse vendi është zhytur në një krizë zinxhir ku konsumatori jo vetëm që nuk ka mundësi të paguajë, por bëhet edhe agresiv, pasi ka me vete pushtet-policinë që e ysht…. Duke qenë vetë pushteti debitor (për të mos thënë hajdut), bëhet edhe më tepër agresiv se individët, se ka polici, se ka ministrira, drejtorë e nëpunës mercenarë, të cilët, edhe kur është fjala për kompani të huaja si CEZ, nuk dinë të maten, por të mësyjnë. Ja përse Berisha kërkon të miratohen ato tri ligje: Shpreson se kësisoj mund të hidhet lumi, duke u hedhur hi syve jo vetëm qytetarëve, po edhe Brukselit! E pra, pa ujë, pa drita, pa punë, pa rend, pa standarde, të ngujuar në konflikt e anarki të vlerave, si mund të na e japin statusin? Edhe nëse do të na e japin si dhuratë, a do të bëhemi të nesërmen popull, apo do të mbetemi kope që ndjek pas Berishën, i cili nuk di të bëjë gjë tjetër, veç të na çojë nga konflikti në konflikt, nga sherri në sherr, nga piramida në piramidë?
Të lumët ne! //Balkanweb.com