Unë dhe familja ime

Kresha

A pretty face can never trick me
Ndërhyrja psikosociale pranë fëmijëve dhe adoleshentëve është thelbësore dhe vë në dukje rolin parësor që zë familja



Nga: Enda KEPI

Mënyra, me të cilën familja kryen funksionin e saj si celulë kryesore e jetës, përcakton një pjesë të madhe të shanseve të të rinjve për t'ia dalë mbanë në rrugën e tyre drejt autonomisë sociale. Si pasojë, para se të kenë një problem personal, të rinjtë në vështirësi kanë shpesh një problem familjar; para se të ndihen keq vetë, të rinjtë në vështirësi ndihen keq në familje.

"Për mirë apo për keq secili prej nesh është produkt i familjes së tij të origjinës, si në formim fizik, ashtu edhe në atë psikologjik, social dhe moral." Prindërit tanë kanë ushtruar te ne një ndikim fizik, psikologjik dhe social. Trupi ynë, si për nga funksionimi, ashtu edhe nga pamja e jashtme, varet shumë nga trashëgimia që na kanë transmetuar prindërit tanë. Besimi që kemi në vetvete, mënyra jonë për të hyrë në kontakt me të tjerët, për të fituar apo humbur, për të dashur apo urryer, për të dominuar apo për të qenë i dominuar, varet shumë nga modelet e marrëdhënieve që kemi mësuar nga kontaktet me prindërit tanë.

Gjërat që ne i konsiderojmë të rëndësishme në jetë (vlerat), qëllimet që ne ndjekim, arsyet që ne mbrojmë, miqtë që ne kemi, mënyra jonë për të zënë një vend në shoqëri, janë në funksion të vlerave të mësuara në mjedisin familjar. Fëmija varet nga prindërit në trupin e tij, në kokën e tij, në grupin e tij shoqëror. Ja pse marrëdhënia prind-fëmijë është një përbërës kryesor në zhvillimin e të rinjve. Megjithatë familjet s'janë të gjitha të njëjta. Portretet e familjeve janë të shumëllojshme këto vitet e fundit. Ka mundësi që portreti i familjes së origjinës suaj të ndryshojë nga ai i familjes suaj aktuale, si për nga numri i pjesëtarëve, ashtu dhe nga lidhjet dhe rolet e këtyre pjesëtarëve.

A mund të konsiderohet familje një çift pa fëmijë? A është një familje e vërtetë ajo familje që ka vetëm një prind? A është një familje e vërtetë ajo ku ndeshim tre apo katër mbiemra të ndryshëm?

Në psikologjinë e zhvillimit, familja është përkufizuar si një celulë sociale që ka të paktën një marrëdhënie prind-fëmijë. Ky përkufizim tregon që një çift pa fëmijë është ndoshta një familje potenciale, por që në të vërtetë nuk është e tillë. Në të kundërt, sipas këtij përkufizimi, një adoleshente 17-vjeçare dhe fëmija e saj katër muajsh përbëjnë një familje të vërtetë, në të njëjtën mënyrë si familja e riformuar duke mbledhur fëmijë që nuk kanë të njëjtët prindër biologjikë përfaqëson një familje të vërtetë.

Në këtë këndvështrim, marrëdhënia prind-fëmijë është themeli i nocionit të familjes, duke pasur ose jo një marrëdhënie bashkëshortore aktive. Kjo nuk do të thotë që marrëdhënia mes prindërve të fëmijës nuk ka rëndësi në familje, por më shumë se në pikëpamjen e zhvillimit të fëmijës është lidhja me prindin që përkufizon familjen, që strukturon rolin që luan familja në jetën e fëmijës, që i jep të riut oksigjenin psikologjik për të cilin ai ka nevojë që të rritet. Pa dyshim, cilësia e lidhjeve dhe roleve familjare do të ndikojnë në përparimin e fëmijëve përgjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Një familje e vërtetë është ajo ku lidhjet dhe rolet familjare formojnë zhvillimin e tij. Karakteristikat e lidhjeve dhe roleve familjare lënë gjurmë mbi fëmijën, që do ta dallojë atë në jetë. Për shembull, mënyra me të cilën fëmija hyn në marrëdhënie me mamanë e tij përkufizon marrëdhënien që kanë të gjithë fëmijët e tjerë me prindin; mund të flasim për një arkitekturë marrëdhëniesh, me hapësirat e saj, mbylljet e saj, me zonat e saj të ndriçuara, me zonat e saj të errëta, etj. Nëse procesi i shoqërizimit korrespondon me mënyrën për të mësuar, për të jetuar, prindërit luajnë një rol të rëndësishëm si modele, si udhërrëfyes, si mbikëqyrës të kësaj mënyre të të mësuarit. Mënyra sesi ata e kryejnë këtë rol prej lideri të zhvillimit të fëmijës, mënyra me të cilën ata vendosin autoritetin që u jep roli i tyre, ndikon shumë mbi mjedisin e jetesës që i ofron fëmijës. Prania e prindërve të aftë luan një rol të rëndësishëm në suksesin e këtij procesi shoqërizimi. Ndërmjet kompetencave prindërore më të rëndësishme, ne konstatojmë ndjeshmërinë ndaj fëmijës. Me ndjeshmëri kuptojmë aftësinë për t'iu përgjigjur nevojave të fëmijës, të jesh i kujdesshëm ndaj pyetjeve dhe kërkesave të tij, të jesh i hapur ndaj projekteve të tij. Fëmija që zhvillohet në një botë që për të është e ndjeshme zhvillon një ndjenjë besimi bazë, që do të thotë një ndjenjë besimi për të ndikuar në atë do t'i ndodhë.

Një fëmijë që flet, por që nuk merr përgjigje, mëson se nuk ia vlen të flasësh në këtë rast. Një fëmijë që qan dhe të cilit askush nuk i përgjigjet, mëson të mos qajë më sepse e kupton se e qara s'të jep asgjë.

Përkujdesja aktive pranë fëmijës apo adoleshentit është një tjetër aftësi prindërore shumë e rëndësishme. Në të vërtetë, roli i modelit, i mbikëqyrësit, i pilotit të zhvillimit nuk përputhet me pasivitetin apo me mungesën e përkujdesjes. Për të ushtruar këtë ndikim, për të aktualizuar rolet dhe lidhjet afektive, prindi duhet të qëndrojë pranë fëmijës, të përfshihet në mënyrë aktive në botën e tij.

Një pjesë e mirë e të rinjve që kanë probleme psikosociale, kanë një mungesë përkujdesjeje apo pranie të prindërve pranë tyre. Për të luajtur mirë rolin e prindit duhet t'i qëndrosh pranë fëmijës, të përjetosh gjërat me të; ndryshimet bëhen aq shpejt në jetën e fëmijës sa është shumë e vështirë për prindin të ruhet realiteti i fëmijës pa qëndruar pranë tij. Mbështetje, vazhdimësi dhe respekt, ja tre kategoritë e mëdha të nevojave që shfaqin të rinjtë në lidhje me familjet e tyre dhe për më tepër në lidhje me shoqërinë e zgjeruar.

Nevoja e mbështetjes së të rinjve

Në disa momente në historinë bashkëkohore kemi besuar në idenë se mbështetja që familja i jep fëmijës mund të zëvendësohet me forma të tjera të mbështetjes sociale. Për shembull, për sa u përket largimit të fëmijëve nga familja në një moshë paksa madhore, pothuajse kemi arritur të mësojmë që do ishte e mundur t'u shtonim lidhjeve dhe roleve familjare rrugën që do të ndjekin këta fëmijë të larguar. E dimë tashmë se familja është shumë e vështirë që të zëvendësohet dhe që rolet dhe lidhjet familjare janë shumë të çmueshme për fëmijën, edhe kur qeliza familjare has disa vështirësi. Ne e dimë se mbështetja për të cilën kanë nevojë fëmijët dhe adoleshentët nënkupton kënaqësinë e nevojave bazë si: ushqimi, strehimi, mbrojtja, arsimimi, por dimë gjithashtu se kontekstet ku këto nevoja bazë gjejnë përgjigjet e tyre ndikojnë zhvillimin e të rinjve. Mbështetja nuk ka të njëjtin kuptim nëse është dhënë në një kontekst institucional apo nëse jepet me anë të personave më të duhur për të rinjtë që janë prindërit e tyre.

Zhvillimi njerëzor ka paradoksal faktin që kërkon vazhdimësi në ndryshim. Fëmijëria dhe adoleshenca kalojnë shumë shpejt dhe prindërit ndonjëherë nuk mund të ndjekin të rinjtë në zhvillimin e tyre. Megjithatë, njëri nga elementet e parë për t'ia dalë mbanë kësaj udhe të shpejtë drejt moshës së rritur është vazhdimësia. Për të integruar risinë, duhet të ndërthurësh atë që di e atë që mëson. Në çfarëdo moshe të jetës, që mund të bëhet fjalë për fëmijërinë apo moshën e thyer, ndryshimi që merr përsipër personi për atë që është, që e çrrënjos në lidhje me identitetin e tij shkakton një ndalim të të zhvilluarit, sepse ai e eliminon atë, e s'kualifikon përballë detyrave të tij. Zhvillimi nuk ecën pa ndryshim, por nuk ecën aspak pa vazhdimësi, pa lidhje ndërmjet periudhës para dhe prapa, pa mbajtjen e një pandryshueshmërie që ruan identitetin e organizmit.

Në kontekstin e ndryshimeve që përjeton familja, jo vetëm ato që janë regjistruar në ciklin tipik të jetës familjare (familje me foshnje, familje me fëmijë në moshë shkollore, familje me adoleshentë, familje që përjeton largimin e një pjesëtari në moshë madhore etj.), por gjithashtu edhe ato që çojnë në ngjarje si ndarja e prindërve apo largimi i një fëmije, vazhdimësia e lidhjeve dhe roleve familjare është shpesh e kërcënuar. Mirëpo arritja e përshtatjes së pjesëtarëve me këto ndryshime bie mbi kënaqësinë e nevojës për vazhdimësi. Mbrojtja e lidhjeve dhe roleve familjare bëhet një objektiv kryesor në dhënien e ndihmës pranë të rinjve dhe familjeve të tyre.

Ritet familjare janë "roje" të dobishëm të kësaj afërsie të nevojshme, të kësaj lidhjeje mes pjesëtarëve. Në të vërtetë, në botën tonë ku shprehja "secili për vete" është shumë dominuese, ndjenja për t'i përkitur një familjeje është thelbësore dhe siguruese për të rinjtë. Me "rite familjare" kuptojmë thjesht gjëra që bëjmë në familje, rregullisht dhe në mënyrë paravendosur. Fëmijët kanë shumë nevojë që t'ua thuash më përpara se çfarë do t'u ndodhë, të kenë ndjenjën për të kontrolluar, çfarë do t'u ndodhë, sepse bëhet fjalë për gjëra të njohura. Shumë shpejt të rinjtë fillojnë të kujtohen, të thonë "kur isha i ri..."; ngjarjet familjare janë dalluese të rëndësishme të një vazhdimësie, janë pika orientimi në historinë e tyre, copëza jete që ushqejnë ndjenjat e përkatësisë së familjes. Si nevojë, respekti merr një karakter thelbësor, sepse ai ka të bëjë me të drejtat e personit, që në këtë rast është fëmija. Të jesh i respektuar në mjedisin e parë të jetës është të jesh i konsideruar si pjesëtar i nevojshëm, ku nevojat e zhvillimit njihen si të rëndësishme.

Kemi shpeshherë përshtypjen se të rriturit besojnë se respekti është një punë e njerëzve të mëdhenj dhe që nuk u përket direkt të rinjve meqenëse "ata janë vetëm fëmijë". Në fakt, shumë shpejt në jetë ndjenja për të qenë apo jo i respektuar kontribuon në përpunimin e pamjes së tij: mënyra si të tjerët na trajtojnë, respekti që ata tregojnë kundrejt nesh, vlera që ata na japin përbëjnë bazat e opinionit që ne krijojmë për veten tonë, mbi të gjitha gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës. Të respektosh të rinjtë është t'u tregosh se kanë një vend, t'u lësh të kuptojnë se projektet e tyre, opsionet e tyre kanë të drejtë të thuhen. Të respektosh fëmijën është t'i japësh atij të drejtën e fjalës për projektet e jetës, t'i japësh të drejtën të marrë pjesë në ngjarjet që i përkasin.

Si përfundim mund të themi se në ditët e sotme, të rinjtë kanë shumë nevojë të kuptojnë se kanë një vend të vërtetë social.

Revista Familja
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top