Uithers: Kritikat e mia, qëndrim zyrtar i SHBA

Hostel

Anëtar i Nderuar
Ambasadori ia thotë në sy Berishës: Shqetësimet e mia dhe të qeverisë sime nuk bazohen mbi keqkuptime



Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përforcuar akuzat ndaj qeverisë shqiptare për shkelje të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, si dhe tronditje të nivelit të demokracisë në vend. Ka qenë pikërisht përfaqësuesi më i lartë i Uashingtonit zyrtar në Tiranë, ambasadori Xhon Uidhers, i cili gjithashtu ka replikuar ashpër me disa nga drejtuesit e mazhorancës, që kanë injoruar deklaratat e tij, të mbajtura një ditë më parë në një takim me Kryeprokuroren Ina Rama. Kryediplomati amerikan në Shqipëri, ka shfrytëzuar një takim për nisjen e dytë e Programit Prag të Sfidës së Mijëvjeçarit, për të mbajtur një fjalim të fortë, i cili përbënte një mesazh politik dhe paralajmërim ndaj autoriteteve të Tiranës zyrtare. Ambasadori Uidhers ka theksuar dje se deklaratat e tij në mbrojtje të prokurorisë nuk janë mbështetur nga keqkuptimet, por janë realiste. Ndërkaq, duke ngritur tonin e zërit, Uidhers deklaroi prerë se nuk lejonte komentet e politikës shqiptare që sa herë që flet ai theksojnë se janë qëndrime personale. "Unë përfaqësoj qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë", deklaroi ambasadori amerikan në Tiranë. Fjalimin e tij, një nga më të ashprit që kur ka marrë detyrën, ambasadori Uidhers e nisi me një pyetje: "Cili është interesi i SHBA në Shqipëri? Pse luftoni të sillni jo vetëm një program të fazës së parë të KSM, por edhe një program të dytë të KSM këtu? Përtej arsyeve dhe më me peshë se arsyet e përvijuara sot këtu, përgjigjja është shumë e thjeshtë, përgjigjja është: demokracia". Më pas, duke u bërë gjithnjë e më shumë serioz, kryediplomati i Uashingtonit në Shqipëri, u ka bërë të ditur politikanëve shqiptarë se demokracia ka standarde të përcaktuara dhe se amerikanët nuk mund të gënjehen lehtë. "Pa demokracinë, asnjë prej synimeve tona të përbashkëta, as ato që kemi përvijuar sot, as synimet më të gjera të një tregu të lirë, apo të stabilitetit rajonal, apo të të drejtave të njeriut, nuk do të ishin të mundura. Demokracia, jo me fjalë, por me vepra, është themeli thelbësor i asaj që duam të arrijmë këtu. Për amerikanët, demokracia është diçka shumë serioze. Nuk është një parullë, nuk është një klishe, nuk është as një moto. Nuk është diçka sipas oreksit. Nuk është me kohë të pjesshme. Nuk është diçka që mund të lëvdohet sipas tekave të zyrtarëve, kur është e volitshme për ta që ta bëjnë këtë". Amerikanët janë shumë seriozë për demokracinë, deklaroi ambasadori Uidhers.

Akuzat

Duke lidhur mbështetjen e SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Uidhers deklaroi se ky integrim kërkon standarde të larta, ndaj "edhe kam shprehur shqetësime në lidhje me zhvillimet e fundit këtu në Shqipëri. Disa herë më kanë thënë, deri edhe dje në mbrëmje, që shqetësimet e mia bazohen mbi keqkuptime të asaj çka ndodh këtu. Do të doja t‘u bëj të qartë atyre personave që ne amerikanët e dimë se si funksionon një sistem demokratik. Shqetësimet e mia, dhe shqetësimet e qeverisë sime, nuk bazohen mbi keqkuptime. Ato bazohen mbi realitete. Veprimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme, fundjavën e kaluar, janë shqetësuese, sepse janë reale. Ligji për administratën gjyqësore që ndërhyn në autoritetet dhe të drejtat e gjykatës, dhe që aktualisht ndodhet para Parlamentit, është shqetësues sepse është real. Lëvizjet në Parlament, edhe sot, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese, sepse janë reale. Këto janë ngjarje që qeveria ime dhe unë do t‘i ndjekim nga afër dhe do të jemi seriozë në lidhje me to".

Mbrojtja


"Askush të mos e sulmojë Ina Ramën"


Dy ditë më parë, ambasadori Xhon Uidhers ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë për ndërhyrjet e fundit në punën dhe pavarësinë e prokurorisë. Në një seminar për luftën ndaj pastrimit të parave të pista, i zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës, diplomati amerikan e konsideroi një çoroditje dhe njëkohësisht shqetësues vendimin e Kryeministrit Berisha për një hetim ndërkombëtar për çështjen "Fazliç". Uidhers mbështeti punën e Kryeprokurores Ina Rama në mbrojtje të pavarësisë së organit të akuzës dhe e inkurajoi atë të vijojë hetimet e çështjeve të rëndësishme. Duke kujtuar faktin se Ina Rama u konsiderua në fillim të mandatit të saj si Silvia Konti, ambasadori amerikan tha se Prokurorja e Përgjithshme është shumë më tepër se aq, pasi ajo përballet me realitetin e vërtetë. Uidhers i bëri thirrje prokurorisë të mos bjerë pre e presioneve të politikës dhe të zbatojë ligjin, pasi kjo është mënyra e vetme për t‘u integruar në NATO dhe BE. Ambasadori amerikan, gjatë fjalës, ka shprehur urime dhe admirime për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Ai tha se Rama është krahasuar me personazhin artistik Silvia Konti. "Siç e dini, znj. Konti ishte e përkushtuar dhe e vendosur të luftonte krimin, pavarësisht çfarë pengesash i krijonin, pavarësisht nga vështirësia e rrethanave, apo kundërshtitë ndaj saj. Ky krahasim është me vend, por nuk arrin lart sa duhet. Sepse personazhi i Silvia Kontit ishte artistik, ndërsa detyrat që znj. Rama ka marrë përsipër janë shumë reale", tha Uidhers.



Berisha:

Drejtësia të jetë e

pavarur nga korrupsioni


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se "qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi". Para nënshkrimit të Marrëveshjes së II Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (KSM), mes qeverisë shqiptare dhe USAID-it, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan në Shqipëri, kreu i qeverisë shprehu bindjen e plotë se "rrënues kryesor i pavarësisë së institucioneve është korrupsioni". Lufta kundër korrupsionit në këto institucione, për Kryeministrin Berisha, është kusht vendimtar që ato të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik. "Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke kaluar nga mos dënimi në dënim. Kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie dhe ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë", tha Kryeministri Berisha.


Gazeta Shqip​
 
Back
Top