"Turizmi i rrëmbyer”



turizmi.jpg



Qartësisht industria e turizmit në vend zhvillohet mbi një mekanizëm ingranazhesh shtetërore që janë të ndërtuara keq dhe në ngërç, që në vend të mbështesin zhvillimin afatgjatë dhe modern të saj, prodhojnë në çdo rast ineficienca, të cilat shndërrohen në kosto të rënda për operatorët turistikë, e fatkeqësisht me raste edhe me kosto njerëzore…

EDITORIAL/ Nja dy vite të shkuara shtetarët tanë të turizmit servirën një reklamë për turizmin në Shqipëri, që u pagëzua popullorçe si reklama “Hej Liam!”. Fabula e reklamës frymëzohej nga filmi “Taken” (2008), ku protagonisti kryesor, aktori i njohur Liam Neeson, haset me kriminelin shqiptar, Markon nga Tropoja. Një film, që përtej intrigës artistike, kontribuoi edhe më tej në imazhin negativ për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe mbi këtë “gërmadhë imazhi”, reklama përpiqej të ngrinte një tjetër imazh për Shqipërinë e shqiptarët, duke i bërë thirrjen simbolike aktorit Liam të rrëmbehej nga bukuritë dhe virtytet e këtij vendi e të këtyre njerëzve.
Por, Ministri i Turizmit, i atëhershëm dhe i sotëm, tek thoshte fjalët “Hej Liam, eja dhe rrëmbehu nga bregdeti ynë i mrekullueshëm dhe buzëqeshja jonë miqësore”, ndoshta nuk e kishte menduar që turizmi shqiptar do të identifikohej me episode të denja për filmin “Taken”, tashmë jo si intrigë artistike, por në realitet.
Një seri ngjarjesh të shëmtuara u shfaqën në sektorin e turizmit shqiptar. Seriali nisi me ngjarjen e denjë për filma me kaubojsë të ndodhur me turistët spanjollë në gushtin e vitit 2019 në Jug të vendit. Për të arritur tek ngjarja më e fundit në Velipojë, ku sherri ndërmjet pronarëve të dy hoteleve, në dukje për shezlongët, fatkeqësisht përfundoi me 4 viktima, ndër të cilët një i ri krejtësisht i pafajshëm dhe fatkeq, i dëshiruar për të punuar dhe mbështetur familjen e tij me punë të ndershme. E pas kësaj sikur u vu në veprim një reaksion zinxhir konfliktesh me objekt shezlongët e plazhit, që ndoshta do të hyjë në historinë e turizmit shqiptar me emërtimin “beteja e shezlongëve”.

E gjithë kjo situatë tensioni dhe vetëgjyqësie ndërmjet operatorëve turistikë me dhe pa leje, ndërmjet tyre dhe pushuesve, apo ndërmjet vetë pushuesve tregon qartazi mangësi të theksuara në krijimin e një mjedisi që mbështet zhvillimin e turizmit si një industri të mirëfilltë me përfitime jo vetëm për operatorët turistikë, por për të gjithë ekonominë shqiptare.

-Së pari, sikurse filloi të kuptohej nga dëshmitë apo ankesat e operatorëve të tjerë, një pjesë e konflikteve dhe pakënaqësive shkaktohen nga administrimi i procesit të lejeve dhe autorizimeve nga institucionet e qeverive vendore dhe qendrore. Lejohen operatorë informalë, duke rritur kostot e operatorëve formalë. Vonohen miratimet e lejeve dhe autorizimeve, duke lënë në situatë pasigurie operatorët aplikues dhe duke i detyruar disa prej tyre të veprojnë në informalitet. Mbivendosen hapësirat e lejuara për shfrytëzim, duke krijuar përsëri paqartësi për operatorët në terren. Duket se krijimi i një agjencie shtetërore për administrimin e territorit të bregdetit (zona kryesore turistike në stinën e verës) dhe përqendrimi i kompetencave duke ua marrë ato bashkive, që mbulojnë zonat bregdetare, nuk e ka kufizuar këtë fenomen. Përkundrazi, ka nxjerrë në pah kostot tipike që i ngarkohen një biznesi nga sjelljet burokratike e deri korruptive të administratave të paafta dhe të veshura me shumë pushtet. E gjithë kjo situatë ka krijuar terrenin e favorshëm për krijim problemesh dhe shpërthime konfliktesh.

-Së dyti, dukshëm çdo problem apo konflikt që krijohet tentohet të zgjidhet në rrugën joformale apo me mënyrën që ne e kemi emërtuar “vetëgjyqësi”. Ky fenomen nxjerr një pah një tjetër ineficiencë të theksuar, që rëndon drejtpërdrejtë si kosto mbi bizneset shqiptare e në këtë rast operatorët turistikë: Mungesa e besimit tek autoritetet shtetërore apo institucionet e drejtësisë si rregullatorë e arbitër të paanshëm dhe efektivë për biznesin. E siç dihet, çdo biznesi, që të zhvillohet i shëndetshëm, i nevojitet të mbështetet me rregulla të qarta e të paanshme loje dhe me mekanizma të drejtë e efektivë të zgjidhjes së konflikteve. Por, operatorët ekonomikë në vend nuk besojnë se mund të gjejnë zgjidhje të drejtë për konfliktet, madje edhe se mund të gjejnë ndonjëherë zgjidhje për to. Pa përmendur shpeshherë kostot financiare që ngarkohen në formën e ryshfetit apo pagesat e tjera të korrupsionit që u kërkohen për të trajtuar konfliktin, e deri zvarritjen me vite në dyer gjykatash.

-Së treti, fenomeni i vetëgjyqësisë, që jo rrallë merr përmasa tragjike, nxjerr në pah pasiguri që lidhen deri me koston e jetëve njerëzore, të cilat tregojnë ineficiencë në administrimin e sigurisë dhe të rendit në Shqipëri, e veçanërisht në zonat turistike. Prania e armëve të shumëllojshme, kryesisht pa leje, dhe përdorimi i tyre pa hezitim, madje edhe në mjedise publike e të populluara, tregon përdorim jo efikas të taksave të biznesit dhe popullatës në financimin e një force rendi dhe sigurie që vetëm rend e siguri nuk prodhon. Pra, kemi një shpërdorim të këtij burimi paraje publike. Nga ana tjetër, cenimi i rendit dhe sigurisë shton kosto të tjera mbi operatorët turistikë me afat veprimi më të gjatë, siç janë cenimi i imazhit, zvogëlimi i klientelës potenciale, rritja e kostove të sigurisë e deri me kostot e jetëve njerëzore, sidomos në rastet kur këta janë edhe mbështetës të ekonomive familjare. Pa përmendur që bizneset pas ngjarjesh të tilla edhe mund të falimentojnë, duke shkaktuar një tjetër reaksion kostosh për të punësuarit e tyre, për marrëdhëniet me kreditorët, furnitorët etj.

Qartësisht industria e turizmit në vend zhvillohet mbi një mekanizëm ingranazhesh shtetërore që janë të ndërtuara keq dhe në ngërç, që në vend të mbështesin zhvillimin afatgjatë dhe modern të saj, prodhojnë në çdo rast ineficienca, të cilat shndërrohen në kosto të rënda për operatorët turistikë, e fatkeqësisht me raste edhe me kosto njerëzore. Kjo industri në fakt i përngjan më shumë një “industrie turizmi të rrëmbyer”. Prandaj na mbetet të themi: Hej Liam! Eja të luash një film prej vërteti!

/Monitor
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top