Tronditja e tretë

WxP

Staf në FV.AL
Tronditja e tretë

Ardian Klosi

Brenda një gjashtëdhjetëvjeçari, për herë të tretë, çështja e tokës po bëhet problemi më i madh dhe më i rëndë i Shqipërisë. ثshtë një periudhë tepër e shkurtër në historinë e një shteti që të ndodhin tronditje ose konvulsione të tilla, por ja që ky është realiteti dhe ky realitet duhet dëftyer në të gjithë ashpërsinë dhe rrezikshmërinë e tij.
Konvulsionin e parë të madh toka e Shqipërisë e pësoi mbas Luftës së Dytë Botërore, me shtetëzimin masiv dhe të ashtuquajturën reformë agrare. Kjo rindarje tërësore dhe ndryshim i marrëdhënies së pronësisë bëri që të shkatërrohej më njërën anë tërësisht sistemi gros-çifligar mbi ultësirën e Shqipërisë dhe tokat pjellore të Jugut, më anën tjetër hapi rrugën për ndryshime radikale në vetë gjeofizikën dhe ekuilibret e trashëguara ekologjike të viseve të tëra. Mjaft të përmendim këtu edhe vetëm bonifikimin e kënetave të mëdha si ato të Tërbufit, Durrësit, Maliqit etj. dhe kthimin e tyre në ferma shtetërore socialiste, ose tarracimin e kodrave të shumta anë e mbanë vendit, ose kthimin e kullotave shekullore në „toka buke“ etj.
Nuk mund të ndalemi gjatë në efektet negative ose pozitive të këtij shndërrimi radikal përgjatë të gjitha viteve 50-70, sepse pasqyra është tepër e ndërlikuar dhe nuk mund të pikturohet me ngjyra bardhezi, gabim që e bëjnë shumica e forcave të sotme politike, nga republikanët te socialistët. Mjafton ndoshta të cekim, se nuk ka dyshim që tharja e kënetave si ajo e Maliqit ose si ato të Myzeqesë solli jo vetëm toka të punueshme, por zhduku përgjithmonë nga vendi një plagë të vjetër: malarien (edhe çështja që këto bonifikime gjigante u bënë vetëm sajë punës së skllevërve është një çështje tjetër).
Nuk ka dyshim më anë tjetër se tarracimi i kodrave, ku sot nuk ngjitet dot asnjë pikë uji, ishte sërish një projekt gjysmë absurd, që dukej sikur mbahej gjallë vetëm për të zënë me punë të dënuarit politikë, rininë, ushtrinë etj. Po kaq katastrofale nga ana ekologjike ishin projekte të tilla si kthimi i shumë kullotave malore në toka buke, devijimi i derdhjes së lumit Mat (që ka sjellë sot rrënimin e plazheve të tilla si Patoku), përdorimi i ujit të Prespës së vogël për vaditje (!), ndërtimi i veprave kimike pranë plazhesh të virgjëra, shfrytëzimi primitiv i vendburimeve të naftës etj.
Më anë tjetër është e padiskutueshme që në saje të disiplinës së atij shteti, Shqipërisë iu ruajtën vise të tëra me vlera të rralla ekologjike, zona si ato të lagunave, nga Lezha në Nartë, masive të tëra pyjore, visare si pyjet dhe liqenet e Lurës, të cilat sot janë ose në gjendje krejt, ose gjysmë të shkatërruar. Edhe një park i tillë si i Shën Prokopit, me liqenin artificial dhe kurorën e gjelbëruar të Tiranës, në atë sistem u konceptua dhe në „sistemin“ tonë po degradon.
Konvulsionin e dytë toka shqiptare do ta pësonte pas vitit 1992, më njërën anë nëpërmjet lëvizjes së pakontrolluar të popullsisë, më anën tjetër nëpërmjet një ligji famëkeq me numrin 7 051, i cili bëri një reformë agrare në stilin proletar ose fshatar të vogël, duke zgjidhur vetëm një pjesë të padrejtësive historike dhe duke mos nxitur dot as ndonjë bujqësi moderne në ferma të mëdha. Megjithatë, tronditja më e madhe e tokës sonë nuk do të vinte nga parcelat e vogla që shpërndau ky ligj, por, nga pjesa tjetër, e stërmadhe që u la në mëshirën e varfërisë së masave, të shtytjes për zaptim, të lakmisë për fitim, gjë që solli valë-valë prerjen e pyjeve shekullore, prishjen e masiveve më të reja sikurse bregdeti i Golemit, ndërtimet e pakontrolluara dhe përgjithësisht antiestetike në periferi të qyteteve më të mëdha shqiptare, grabitjen e shtrateve të lumenjve, deri në grabitjen ose shuarjen e faunës së Shqipërisë nga gjuetia e pakontrolluar barbare e formave si me prozhektorë, me dinamit etj., etj..
Ndërkaq, një tronditje e tretë po i vjen rrotull tokës shqiptare, që në thelb është vazhdim i konvulsionit të dytë, pasi shkaktohet pak a shumë po nga ajo shtresë njerëzish, politikanësh dhe ligjvënësish që ishin shkaktarë ose më saktë sehirbërës në vitet 90. Konkretisht janë dy ligje, i pari i krijuar „premierë“, i dyti përmes amendamentesh, që duan të vulosin dhe zyrtarizojnë, pa asnjë vizion drejt së ardhmes, abuzimin me tokën të ndodhur në 15 vjet.
Fjala është në fillim për “Ligjin për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”; ky ligj parashikon faljen e tokave individëve dhe familjeve që i zunë ato, në mënyrë sempliste dhe dritëshkurtër. Pa i bërë atij këtu një analizë po i referohem vetëm një letre që lëvizja „Mjaft“ i ka dërguar presidentit të Republikës për të mos e dekretuar ligjin në fjalë. Në të, ndër të tjera thuhet: „Ligji është hartuar në mungesë të një politike të mirëfilltë dhe si rrjedhojë nuk përllogarit kostot reale të këtij procesi, nuk cakton se kush do ta paguajë këtë ... Qeveria nxitoi drejt një zgjidhjeje afat-shkurtër përkundrejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për çështjen e legalizimit duke mos lejuar kohën e nevojshme për të zbatuar hapat e duhura për hartimin e një politike të mirëfilltë për legalizimet. Ky ligj do të pajisë me letra pronësie banorët informalë në një periudhë kohore të papërcaktuar, por nuk do t’u japë atyre as jetën normale, as të ardhmen e sigurt, as një ambient të përshtatshëm për rritjen e fëmijëve të tyre. Plani nuk parashtron as afat kohor për urbanizimin e këtyre zonave as një projektim të qartë të integrimit të këtyre qytetareve në jetën e gjere të qytetit. ا’është më e keqja në këtë moment askush nuk ka asnjë ide, qoftë edhe të përafërt të kostos së urbanizimit...“
Me pak fjalë, kjo do të thotë se këta qytetarë të rinj bëhen pronarë (pa ditur ç’ndodh me pronarët e dikurshëm, por le ta harrojmë këtë temë), por vazhdojnë të jetojnë në anarkinë ku ranë dhe të cilën e zhvilluan më tej. Në vend që të shfrytëzohej ky rast, për të krijuar lagje të tëra të një jete dinjitoze, me infrastrukturën, gjelbërimin dhe gjithë të tjerat që përbëjnë cilësinë e jetës qytetare, krijohet një gjysmëgjë e ngjashme me privatizimin e apartamenteve, ku secili u ndje i përligjur t’i bëjë xhunga pronës së tij të re, të ngushtojë dhe shëmtojë më tej jetesën e përbashkët (sipas parimit: pallati ka një tufë pronarësh të vegjël, oborri i tij nuk ka asnjë pronar).
I dyti është një projekt-ligj që quhet “Për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave“, i cili gjendet aktualisht ne diskutim në komisionet parlamentare; ky parashikon heqjen apo ngushtimin drastik të pengesave në kthimin tek ish-pronarët të pronave që gjenden në zona që shërbejnë për ruajtjen e mjedisit (parqe kombëtare, zona të mbrojtura) dhe në zona që janë pasuri e veçantë kulturore dhe historike për vendin tonë.
Kjo gjë do të thotë që parqe aq të rëndësishme kombëtare si Parku i Butrintit, Llogoraja, zona të mbrojtura si Kune-Vaini, Divjaka, Karavastaja, Narta etj., jepen ligjërisht për konsum. Kjo do të sjellë në mënyrë të pashmangshme copëzimin dhe më tej shkatërrimin përfundimtar të këtyre zonave: Në fund të këtij procesi Shqipëria do të përfundonte i vetmi vend në botë pa zona të mbrojtura dhe parqe kombëtare.
E pra, konvulsioni i tretë në historinë e shkurtër të tokës shqiptare me krijimin e shtetit që ka këtë emër, vjen thjesht përmes ligjërimit të disa proceseve instiktive-kaotike që zunë fill me fillimin e tranzicionit e që po hapin plagë të vazhdueshme në këtë tokë prej 15 vjetësh e këtej.
Por këtu duhet të shënojmë se diçka ka ndryshuar. Një javë më parë përfaqësues të shoqërisë civile, të Lëvizjes „Mjaft“, të disa shoqatave ekologjike, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore etj. u mblodhën për t’i thënë ndal më së pari ligjit që rrezikon flijimin e parqeve kombëtare dhe zonave të mbrojtura. Më habiti shpejtësia se si u gjet në atë takim gjuha e përbashkët, kur dimë se sa të vështirë e kemi të luftojmë në emër të një çështjeje duke lënë mënjanë përfitimet ose egon private. Ndoshta shkaku është pse gjendja e Shqipërisë ka ardhur në një pikë, ku e keqja nuk durohet më dhe duhet vepruar. Ndoshta ishte edhe prania e „Mjaftit“ ajo që u jep forcë edhe shoqatave tona ekologjike, tradicionalisht të dobëta, tradicionalisht të varura prej fondacionesh të huaja, shumë pak guximtare ose vetëvepruese.
U bë e qartë në këtë takim si dhe në këmbimet që vazhduan dhe do të vazhdojnë më tej, se vetëm këmbëngulja dhe përkushtimi do mund të sjellë prapësimin e ligjvënësve dhe qeveritarëve për një çështje tepër të madhe për të mbetur në dorën e tyre. U soll shembulli i prapësimit në rastin e ligjit për medien, pas presionit që ushtruan pronarët e këtyre mediave dhe gazetarë të ndryshëm. Edhe pse, në dukje, motivi i përfitimit privat në rastin e mbrojtjes së parqeve kombëtare mungon, kjo s’ka pse të zbehë aspak forcën e lëvizjes. اështja është shumë më e rëndësishme, sepse ka të bëjë me vetë indin dhe imazhin e Shqipërisë, me ekzistencën e njerëzve mbi të. Dhe tokën, në fund të fundit, ua kemi marrë borxh fëmijëve tanë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top