Tri pamje të çështjes shqiptare

eGo0sTyle

System Engineer
Ardian-Vehbiu.jpg


Nga Ardian Vehbiu

Kur përmendet “çështja shqiptare”, rrallë na shkon mendja se kjo shprehje mund të marrë së paku tre kuptime të ndryshme. E para, vjen në vështrim çështja e shqiptarëve që jetojnë të ndarë në disa shtete; e shtruar si çështje e bashkimit kombëtar, ose e Shqipërisë etnike. Ajo paraqitet ndonjëherë si shqetësim kapilar i masës ose me burim nga poshtë, por në të vërtetë si çështje e ka burimin në vizionet romantike të elitave – të cilat besojnë se, po të bashkohen shqiptarët e Ballkanit në një shtet të vetëm, problemet e tyre do të marrin udhën e zgjidhjes. Sa për masat, të cilave u duhet të luftojnë me sfidat e përditshmërisë, vështirë të thuash se këtyre u bëhet dhe aq vonë për bashkimin e kombit; i cili për to ka vlerë më tepër simbolike ose sentimentale, ose sa kohë që nuk është realizuar.

Kemi pastaj çështjen shqiptare të parë nga këndvështrimi i Europës së Bashkuar – ose si çështje e një kombi europian që nuk po arrin të ndërtojë institucionet dhe të sillet në mënyrë të qytetëruar ose së paku në bashkëtingëllim me prirjet kontinentale. Që shqiptarët vetë, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre më të lartë, u drejtohen vazhdimisht europianëve për ndihmë dhe sidomos për arbitrim, kjo ua përforcon këtyre të fundit bindjen se shoqëria shqiptare është e papjekur, paralogjike, nuk arrin dot të artikulohet, konfliktuale, e dhunshme brenda vetes dhe e përçarë, pa respekt për ligjin dhe për të ardhmen e vet.

Për Europën, çështja shqiptare është një kokëçarje e zgjatur – meqë edhe Shqipëria edhe Kosova, kjo e fundit që prej çlirimit prej serbëve e këtej, vazhdojnë të prodhojnë probleme ekonomike dhe demografike, ilegalitet dhe kriminalitet, të cilat vijnë duke i larguar prej institucioneve dhe qytetërimit europian, ku megjithatë duan kaq shumë të bëjnë pjesë.

Shumë europianë e kanë kuptuar tashmë se elitat politike në Tiranë dhe në Prishtinë e synojnë integrimin në Europë dhe, në përgjithësi, europianizimin për të legjitimuar më tej pozicionin e tyre; ndërsa masat e përfytyrojnë integrimin europian si një formë të “detit kos”, ku të gjithë do të përfitojnë nga bollëku dhe bujaria e “frëngut”. Nga ana tjetër, po këta europianë e kanë kuptuar edhe se, po ta pengojnë shumë integrimin europian të shqiptarëve, ka rrezik që elitat e tyre të shiten (sërish) dhe të lejojnë që trojet shqiptare të kthehen në kryeura të anti-Europës, brenda në Europë.

Më në fund, është edhe çështja shqiptare e perceptuar prej meje, individit nga Shqipëria, të cilit i vjen turp për çfarë po ndodh në vendin e vet të origjinës. Edhe pse ia kam kushtuar pjesën më të madhe të veprimtarisë sime intelektuale, shpesh ingrate, Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, unë nuk arrij dot t’i bëj ballë përçmimit që ndiej sa herë hap faqet e lajmeve nga atdheu në mëngjes. اfarë më pushton, është skizofrenia e përkatësisë shpirtërore në një botë ku nuk e gjej dot veten, përveçse si të përjashtuar.

Nuk besoj se jam i vetmi i kapur në këtë dilemë; shumë miq dhe të njohur dhe të afërm të mi mendojnë dhe përjetojnë njëlloj. Në tërësinë e tyre, shqiptarët realizohen kështu si diçka me vlerë ku e ku më të ulët se shuma e vlerave dhe aspiratave individuale që përfshijnë.

Në formën e vet të parë, çështja e bashkimit kombëtar e ruan një prani serioze në tryezat alternative të diskursit politik – edhe pse bie ndesh, ndonjëherë haptazi, me objektivat e integrimit europian.

Në përqasje me çështjen shqiptare si kokëçarje madhore të Europës, perspektiva e bashkimit kombëtar vetvetiu reduktohet në pyetjen – legjitime – nëse problemet dhe plagët e sotme të shoqërisë shqiptare, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë qoftë në Maqedoni do të zgjidheshin apo do të lehtësoheshin vërtet ndjeshëm, nëse shqiptarët do të jetonin një ditë të gjithë së bashku. Ka njerëz që ndoshta e besojnë këtë, por unë nuk arrij dot t’i kuptoj. Me logjikën time, një Shqipëri me problemet e veta dhe një Kosovë me problemet e veta, po të bashkoheshin politikisht, do të përftonin një entitet që do të trashëgonte problemet edhe të njërës palë, edhe të tjetrës, por pa e dyfishuar gjë aftësinë ose virtytin për t’u bërë ballë.

Bashkimi kombëtar është gjë e mirë dhe për t’u dëshiruar, veçanërisht nga të gjithë ata shqiptarë që e përjetojnë të përditshmen në ballafaqim me dhunën ndër-etnike të Tjetrit. Megjithatë, si platformë politike, ai mund të merret seriozisht vetëm në qoftë se Shqipëria, bie fjala, arrin një shkallë suksesi ekonomik, kulturor dhe institucional të tillë, që të shërbejë si fulcrum i lëvizjes gjithë-kombëtare.

Natyrisht, edhe nga pikëpamja e Bashkimit Europian, çështja shqiptare si burim kokëçarjesh të vazhdueshme, nuk është se do të mund të zgjidhej me “bashkimin” e trojeve shqiptare; aq më tepër kur edhe Kosova shtet i ri dhe nën mbikëqyrjen perëndimore, megjithatë nuk arrin dot t’i shmangë probleme tashmë të njohura për realitetin e Shqipërisë, si korrupsioni, kapja e shtetit nga krimi i organizuar dhe aferat e këqija, bixhozi abuziv me asetet publike dhe degradimi i procesit politik në politikë të përzgjedhjes së kuadrit. Unë jam shqiptar dhe nuk më vjen mirë ta them këtë, por me arsye jam i bindur se për shumë europianë zgjidhja ideale e çështjes shqiptare do të vinte sikur shqiptarët njëfarësoj të mos e kishin shtetin e tyre në Europë. Sa më përket mua, dhe çështjes shqiptare si dilemë timen personale, do të shtoja vetëm se, nga pikëpamja ime, çështja shqiptare nuk është çështje etnike, por sociale; dhe si çështje sociale nuk do të zgjidhet dot kurrë me instrumente etnike.

Burimi : Shekulli
 
Back
Top