Nga Miron اako
Tatuazhi ose “tatoo” si term vjen nga gjuha polineziane nga fjala tatou, që do të thotë të dekorosh trupin, me anë të inçizimit në lëkurë nëpërmjet shpimit me gjilpërë. Ai quhet sot edhe “body art” (arti i trupit). Njerëzimi që në lashtësi duke qenë një qenie supersticioze ka besuar në fuqi të mbinatyrshme të “zotave“, këto sipas tij, të mishëruara në fuqitë e natyrës si te zjarri, gurët, drurët, kafshët. Njeriu që t’i bënte të tijat këto fuqi, ose të mbrohej prej tyre, me anën e aftësisë së tij artistike i stilizoi në imazhe simbolike, duke i vendosur në trupin e tij me teknika të ndryshme,si inçizimi me shpim, prerje, stampim, zakonisht me bojë të zezë por edhe me ngjyra. Pothuajse të gjithë popujt paganë ranë në këto praktika që kishin karakter okult, d.m.th. lidhje me “perënditë“. Simbolika kishte të bënte me objekte të ndryshme si p.sh. me diellin, hënën, yjet (shenjat zodiake), me dragoj, kafshë dhe këto lloje tatuazhe quhen “toteme”.
Tatuazhi kishte dhe karakter njohës për t’u dalluar një fis nga fisi tjetër, dhe këto lloj tatuazhesh quhen tribale. Por edhe kur tatuazhi është përdorur me karakter estetik gjithmonë ka qenë i pandarë nga okultizmi. Shtrirja gjeografike e praktikimit të tatuazhit ishte pothuajse në të gjithë ato vende ku jetonin grupe njerëzish si fise, tribu dhe më vonë në qendrat e qytetërimit të lashtë, si në Egjiptin e Vjetër, Indi, Azi, Kinë, Japoni etj.Tatuazhi është praktikuar edhe në Iliri, në fise të ndryshme. Tek ilirët siç dëshmojnë historianë të lashtësisë si Herodoti (484-425 prK), përdoreshin tatuazhe okultike me origjinë totemike si p.sh. gjarpëri me krahë ose kafshë si kaprolli.Këto tatuazhe dallonin një fis nga një fis tjetër dhe tregonin kultin që çdo njeri dhe fis besonte.
Ndalimi i bërjes së tatuazhit.
I vetmi popull në lashtësi që nuk e aplikoi më tatuazhin ka qenë populli i Izraelit, i cili 1500 vjet pr. Kr. u ndalua me anë të një urdhërese nga vetë Zoti Perëndi,nëpërmjet profetit Moisi.Kjo urdhëresë gjendet në Bibël tek Libri i Levitikut. “Nuk do të bëni prerje të mishit tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj” (Lev. 19:28).Pra çdo lloj gërvishje apo shenje në trup ishte e ndaluar për hebrenjtë, sepse kjo praktikë e gabuar i lidhte hebrenjtë me kultet pagane, që kishin të bënin me botën e të vdekurve, të nëndheshme, praktika okulte shumë të përhapura në Egjiptin e Lashtë që në Bibël cilësohet si shtëpia e magjisë. Sipas Biblës perënditë e kombeve janë idhuj dhe demonë: “Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.” (Ps. 96:5)
Edhe me ardhjen e Krishtit si Zot-Njeri te populli I Izraelit i cili tha për veten e tij: “Mos kujtoni se erdha të prish ligjin apo profetët por të përmbush“ (Math. 5:17), kjo urdhëresë e ligjit që ndalon të bërit e tatuazhit, vazhdon të jetë në fuqi edhe për të krishterët, populli i ri i Zotit i përbërë nga Izraelitët dhe kombet. Në krishtërim kjo urdhëresë ndaluese mori një kuptim më të plotë, jo vetëm që tatuazhi nuk duhet të bëhet sepse ishte një veprim okultik ndaj idhujve në trupin e njeriut, por kur një njeri bashkohet me Krishtin me anë të besimit dhe pagëzimit: “Sa u pagëzuat më Krishtin më Krishtin u veshët, Aliluia“(Gal. 3:27), trupi i të krishterit tashmë nuk i përket më atij por është gjymtyrë e Krishtit, tempull i Perëndisë ku banon Shpirti i Shenjtë. Këtë gjë e ka sqaruar shumë qartë apostulli i kombeve Pavli, duke thënë: “Trupi është për Zotin” ( I Kor. 6:13) “Trupi juaj është tempull i Shpirtit të Shenjtë” (I Kor. 6:19) “A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit“ (I Kor. 6:15).
Prandaj ata që besojnë tek Krishti si Zot dhe e quajnë veten të krishterë, nuk u lejohet asnjë tatuazh në trupin e tyre edhe kur kjo kërkohet të bëhet me simbole të krishtera si kryqi, pëllumbi, fytyra e Zotit, e Shën Marisë etj. Bërja e këtyre simboleve të krishtera në trupin e njerëzve përveçse është e gabuar dhe e ndaluar, kalon shpesh në kufirin e blasfemisë, sepse shenjat dhe simbolet e krishtera bëhen në vende të papërshtashme të trupit që njeriu me dije ose pa dije mund t’i përdhosë.
P.sh. bërja e kryqit në këmbë është e ndaluar dhe blasfemi. Ose një rast tjetër bërja e kryqit në një parakrah në pamje të parë duket korrekte, por kur parakrahu ngrihet sipër, kryqi shkon me kokë poshtë dhe kjo është një shenjë satanike dhe blasfemi e dënueshme. Por jo vetëm tatuazhet simbolike nuk lejohen, por as edhe ato estetike në pjesë të trupit,si floreale,emra etj, sepse bërja e një tatuazhi edhe me karakter estetik, është një fyerje për vet mjeshtrin e madh Zotin Krijues, sepse është si t’i thuash Zotit se krijesa që t’i ke bërë ka nevojë për një lloj retushi estetik nga ana njerëzore.
Mendoni se si do të ndihej Leonardo Da Vinçi kur dikush do ta quante veten më të aftë se ai dhe do të guxonte të retushonte figurën e Mona Lizës. Mendoj se jo vetëm Leonardo si autor do të reagonte negativisht, por çdo njeri i arsyeshëm nuk do ta lejonte këtë ndërhyrje , në këtë kryevepër arti të bërë nga dora e njeriut. Por sa më shumë e gabuar do të tingëllonte kjo gjë kur ndërhyhet tek njeriu, kjo kryevepër e Perëndisë. Prandaj çdo ndërhyrje me karakter estetik të panevojshëm, përveç rasteve kur janë në ndihmë të shëndetit, është një arrogancë dhe fyerje për Zotin, krenari egoiste, që është shkaku i parë i mëkatit dhe i çdo rënieje njerëzore, siç shkruhet:“Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare” (Fj. Ur. 16:18)
Prandaj të krishterët janë thirrur të përlëvdojnë Perëndinë në trupat e tyre (1 Kor. 6: 19-20) dhe të gjitha t’i bëjnë për lavdinë e Perëndisë (1 Kor. 10:31) dhe “të mos konformohen me botën“ (Rom. 12:2)“Se miqësia me botën( e mëkatit) është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që do të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.”( Jak 4:4)