Tre shqiptarët e Fort Dix-it - terroristë apo llafazanë!

Cyber_Spartacus

Homo Homini Lupus
Në Camden të New Jersey-t filloi gjyqi i vitit – ndiqet nga media në gjithë botën

Prokurori: “Pesë të rinjtë janë terroristë të frymëzuar nga Bin Laden-i” - Avokatët mbrojtës: “Djemtë janë të pafajshëm. I kanë dhënë shumë gojës dhe FBI i ka futur në grackë”

Gjyqi për pesë të rinjtë e akuzuar se planifikuan një sulm terrorist kundër një baze ushtarake amerikane filloi dje zyrtarisht në Camden të New Jersey-t. Tre nga të akuzuarit janë shqiptaro-amerikanë me origjinë nga Dibra, tre vëllezërit: Eljvir, Shahin dhe Dritan Duka. Sipas akuzës, objektivi i sulmit të tyre ka qenë qendra stërvitore e Fort Dix-it, e cila ndodhet jo shumë larg shtëpive të të akuzuarve të cilët jetonin në Cherry Hill, NJ dhe në Philadelphia. Dy të akuzuarit e tjerë janë turku Serdar Tartar dhe arabi Mohammed Ibrahim Schwener.

Një pjesëtar i gjashtë i këtij grupi, Agron Abdullahu, nga Kosova, u dënua vetëm me 20 muaj burgim për shkak se pjesëmarrja e tij në komplot ishte vetëm anësore. Procesi gjyqësor ishte në qendër të vëmendjes së medias amerikane i parë si një nga rastet më flagrante të rreziqeve terroriste pas 11 shtatorit.

Për komunitetin shqiptaro-amerikan kjo ngjarje ka rëndësi, sepse shënon fillimin e mbylljes së një çështjeje që shkaktoi shqetësim dhe reagime të forta. Shqiptarët që janë lavdëruar në shekuj për harmoninë e tyre ndërfetare kanë nxituar ta paraqesin rastin e tre vëllezërve Duka si një rast të veçuar dhe të dënueshëm që nuk duhet të keqpërdoret për të hedhur baltë mbi imazhin e shqiptarëve në SHBA e kudo në botë.

Të frymëzuar nga Al-Qaeda

Sipas deklaratës së parë të prokurorit në gjyqin që u hap dje, pesë komplotistët janë frymëzuar nga al-Qaeda dhe Osama bin Laden-i. Sipas autoriteteve amerikane, të pandehurit, për dy vjet me radhë ishin angazhuar në thurjen e ngadaltë të një komplotiu vrasës. Ajo që dukej në pamje të jashtme si një lojë luftash me topa boje ishte kthyer në fakt në sesion përgatitor terrorist, gjatë të cilit të rinjtë diskutonin se si mund të sulmonin Fort Dix-in, bazën ku përgatiten ushtarë që dërgohen në Afganistan dhe Irak. “Synimi i tyre ishte që të mbronin Islamin. Frymëzimi i tyre ishte Al-Qaeda dhe Osama bin Laden-i.

Qëllimi i tyre ishte që të vrisnin anëtarët e shërbimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i tha jurisë, zëvendës prokurori i SHBA-së, William Fitzpatrick, i cituar nga agjensia e lajmeve Associated Press. Në ditët që vijojnë, qeveria do t’i paraqesë jurisë mbi 90 pjesë incizimesh, në të cilat të pandehurit kanë shprehur qëllimet e tyre dhe dëshmojnë për përfshirjen e tyre në akte terroriste që në fund të fundit, nuk u kryen për shkak të arrestimit të tyre në kohë nga FBI.

Sipas akuzës, të pandehurit shikonin në internet video të xhihadistëve për të mësuar se si duhej organizuar një sulm terrorist dhe pastaj vërtiteshin pranë bazës në Fort Dix për të mbledhur të dhëna. Mes të tjerash ata kishin siguruar edhe dy harta sekrete të Fort Dix-it dhe ishin stërvitur në Malet Pocono në Pennsylvania. Këto dhe të tjera i bëjnë prokurorët që të jenë të sigurtë se ky ka qenë një nga zbulimet më të rëndësishme anti-terroriste në tokën amerikane pas 11 shtatorit. Të pandehurit rrezikojnë 20 vjet deri në burgim të përjetshëm.


Shumë shqiptarë në listën e dëshmitarëve

Lista e njerëzve që janë ftuar si dëshmitarë dhe do të dëgjohen në ditët e ardhshme është dhënë në një faqe të posaçme në Internet nga Gjykata e Rrethit të New Jersey-t. Mes dëshmitarëve renditen edhe një numër shqiptarësh. Ndër ta janë edhe Agron Abdullahu (i gjashti i grupit), Besnik Bakalli (njeriu që u fut nga FBI dhe inçizoi bisedat e vëllezërve Duka), familjarët e familjes Duka: Burim Duka (vëllai i katërt), Ferik Duka (i ati i të pandehurve) Jennifer Duka (bashkëshortja e njërit prej vëllezërve), Lavdërim Duka (kushëri i tyre), Zurata Duka (nëna e tyre), Adnan, Irfan, Ismet, Muharrem dhe Mumin Ismajli, (të gjithë nga një familje, të cilët njiheshin mirë dhe kishin miqësi me të pandehurit), Bujar Taraku (punonjës në seksionin e linguistikës së FBI-t) dhe Ilmi Tullari (ndoshta i njohur i tyre).

Të tjerët janë shumica agjentë dhe specialistë të FBI-së, (ndër ta edhe informuesi tjetër që kishte depërtuar grupin, arabo-amerikani Mahmoud Omar), të afërm dhe të njohur të të pandehurve të tjerë etj.

Në kohën kur u shkrua ky artikull, 688 burime të medias nëpër botë kishin përcjellë lajmet e agjensive si Associated Press ose kishin shkruar artikujt e tyre apo reportazhet e tyre televizive e radiofonike mbi këtë gjyq. ثshtë vetëm një shenjë e vogël e mbulimit masiv që do t’i bëjë media procesit që sapo nisi.


Avokatët: Këta djem janë të pafajshëm

Duket sikur fati i tyre tashmë është i vendosur, mirëpo avokatët që i përfaqësojnë janë optimistë. Ata kanë premtuar se do të tregojnë duke përdorur vetë regjistrimet e FBI-së se të pandehurit nuk kishin ndërmend të sulmonin bazën. Hapi i avokatëve ka qenë besueshmëria e dy informatorëve të cilët sipas tyre kanë nxitur e radikalizuar bisedat e të pandehurve duke shpresuar që të marrin me çdo kusht deklarata inkriminuese.

Sipas avokatëve, këta dy informatorë kanë kryer krime në të kaluarën dhe kishin interes personal që të dilte diçka nga ky hetim. Ata thanë se arabi Mahmoud Omar është paguar me 238,000 dollarë për ndihmën që ka dhënë ndërsa Besnik Bakalli shpresonte që me këtë të siguronte dokumentat për të banuar ligjërisht në SHBA. Michael Huff, avokati i Dritan Dukës (Tony) tha se qeveria po përpiqet në mënyrë qesharake që lojëra të pafajshme si lufta me topa boje t’i konsiderojë si përgatitje për terrorizëm.

“Do fillojmë të druhemi nga loja e pingpongut se do na thonë që po e bëjmë që të stërvisim koordinimin e dorës me syrin për qëllime kriminale”, tha ai duke folur me qesëndi për agjensinë Associated Press. “Ata po marrin gjëra të pafajshme e po i paraqesin si diçka që nuk kanë qenë kurrë”.


Informatorët më entuziastë se të pandehurit

Gazeta e njohur “Los Angeles Times” u bën një portret të kujdesshëm dy informatorëve që siguruan regjistrimet dhe provat e akuzës duke shkruar se tani kurioziteti dhe dyshimi do të jetë mbi ta. Sipas gazetës, Besnik Bakalli, një 35 vjeçar nga Shqipëria, u mburrej të akuzuarve se kishte vrarë dikë në Shqipëri dhe nuk kishte frikë të vdiste për Islamin dhe i nxiste ata që të mos kishin frikë.

Duke folur për gazetën, Burim Duka, vëllai i vogël 17 vjeçar, i cili është kursyer nga akuza, thotë se vëllezërit e tij janë të pafajshëm. “Besniku ishte i vetmi që thoshte se donte të vriste njerëz, se donte të hidhte veten në erë ndërsa ne i thonim vazhdimisht: E pse do ta bësh këtë? Kjo është e ndaluar në fenë tonë”, tregoi ai. “Kurse Besniku na akuzonte se ishim frikacakë”. Sipas avokatëve, dy informatorët dhe FBI shfrytëzuan natyrën mburravece dhe fjalët e ashpra të të pandehurve kundër politikës amerikane për t’i bërë ata të dukeshin si komplotistë.


“Në fakt gjithshka precipiton në fjalë boshe dhe testosterone”, tha një prej avokatëve duke folur për gazetën.

FBI: Mos shihni kush mban mikrofonin, por çfarë kanë thënë të pandehurit

Nga ana teknike dhe ligjore, ky proces gjyqësor ka edhe një rëndësi tjetër. Depërtimi i agjentëve në grupet terroriste është parë që nga 11 shtatori 2001 si një nga mënyrat e pakta efikase për parandalimin e akteve terroriste. Të organizuar në celula të vogla shpesh me lidhje gjaku është e vështirë të zbulosh terroristët sot dhe përdorimi i atyre që flasin gjuhën e tyre dhe kanë të njëjtën fe shihet si një mjet i rëndësishëm.

Mirëpo, nëse vendimi i gjyqit do të rrëzojë akuzën si interpretim të ekzagjeruar të fakteve të mbledhura atëherë, disa analistë druhen se praktika e infiltrimeve do të dekurajohet. Gazeta “LA Times” ka intervistuar edhe zyrtarë të FBI-së të cilët pasi kanë thënë se nuk mund të flasin me detaje përpara gjyqit, e kanë siguruar gazetën se akuza është ngritur mbi baza të forta. Ata kanë pranuar se informatorët nuk janë shumë të pastër, por të tillë janë pothuajse gjithmonë informatorët.

Nga ana tjetër, kanë thënë se akuza bazohej te regjistrime konkrete që nuk kanë të bëjnë me karakterin e informatorit. Në fund të fundit, nuk ka rëndësi se kush e mban mikrofonin në dorë, por çfarë po flitet nga të pandehurit. Nëse të akuzuarit janë të pafajshëm dhe nuk kishin ndërmend të sulmonin bazën, atëherë pse blenë aq shumë armë e municione në mënyrë të paligjshme? Pse kërkuan dhe gjetën hartën e Fort Dix-it? Pse e vizituan nga larg bazën?

Pse diskutuan mundësinë e sulmit mbi aeroportin e Philadelphia-s?Këto e shumë të tjera, sipas akuzës, nuk mund të hidhen poshtë duke u marrë me biografinë e informatorëve dhe se përpjekjet e avokatëve për të justifikuar këta terroristë të dështuar nuk kanë shans që të fitojnë.Procesi gjyqësor që filloi dje do të tregojë se cili version do të bindë 12 anëtarët e jurisë që u përzgjodhën me shumë kujdes nga 500 konkurrues. Beteja ligjore është tashmë zyrtarisht e hapur.

Gazeta Shekulli
 
Back
Top