Transplantimi i organeve, 3 pikat që do të ndryshohen në ligj

eGo0sTyle

System Engineer
komisioni-i-shendetesise.jpg

Tri janë pikat ku do të ndërhyhet në projektligjin për transplantimet. Do të ketë ndryshime dhe saktësime në nenet ku bëhet fjalë për paaftësinë e personit dhurues, përkufizimin se kur një person quhet i vdekur dhe përcaktimin e trungut familjar për dhuruesit.Projektligji u miratua dje në parim në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë. Ai do të vijojë sërish me diskutimin nen për nen ditën e hënë. Nga sa u ra dakord, pritet që në të të pasqyrohen ndryshimet e propozuara nga deputetët dhe të qartësohen disa përkufizime. “Duhet të saktësojmë nenin që ka të bëjë me njerëzit e paaftë, por edhe për të afrimit për trungun familjar. Ky është një ligj i vështirë dhe ka debat kudo në botë. Grupet e eksperteve të Komisionit të Shëndetësisë dhe Ministrisë po punojnë bashkë për të bërë ato ndryshime që vlerësohen të domosdoshme”, tha kreu i Komisionit të Shëndetësisë, Tritan Shehu. Ndërkohë, deputeti Flamur Noka kërkoi shpjegim si do të veprohet me personat që kanë probleme mendore. “Si do të përcaktohet vullneti për këtë kategori personash. Kush do të veprojë në emër të tyre”, tha Noka. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në mbledhjen e Komisionit, dha të gjithë argumentet për përmbushjen e standardeve të ligjit të ri. “Eshtë një ligj i formuluar nga e para pas një ligji që datonte vite më parë, që kishte probleme të mëdha, qoftë nga pikëpamja konceptuale, qoftë nga ajo e vendosjes së kësaj praktike mjekësore në sfondin europian. Ndaj ligji është i ribërë qoftë në konceptin e pikëpamjeve të tij, pra është mjaft mirë i përputhur dhe me direktivat europiane që rregullojnë veprimtarinë e fushës”, tha Vasili. Ai shtoi se ligji ka një karakter të qartë, krijon mekanizmat bazë në të cilat do të ecë veprimtaria, duke filluar që nga qendra e kordimit dhe ajo e kryerjes së transplantimeve, por dhe një komitet transplantimesh si komitet konsultativ. “Pra, tre pjesë të rëndësishme ku reduktohet kjo veprimtari. Në këtë mënyrë, i gjithë mekanizimi i veprimtarisë, qoftë i ndërtimit të tij, qoftë i gjurmimit, qoftë i elementëve etikë që duhet të zbatohen në raste delikate, pasi ligji ka konceptin e dhënies së organeve qoftë nga njerëz që jetojnë, qoftë nga ata që nuk jetojnë, pra ndërthurja e elementëve dhe të ndërlikuar, por edhe interesantë të një situate mjaft të veçantë, bëhet fjalë për organe dhe inde që merren nga njeriu dhe që gjithnjë ka një qëndrim delikat në dhënien e përgjigjeve”, tha Vasili.

“Mbështetje të plotë Kosovës për anëtarësim në OBSH”

Mbështetje të plotë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Këtë premtim ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë takimit të zhvilluar me homologun e tij Ferid Agani, i cili po zhvillon një vizitë në vendin tonë. “Premtimi publik dhe solemn është që mbështetja e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në OBSH do të jetë e plotë, duke përdorur të gjitha instrumentet në kuptimin pozitiv të fjalës, që kjo punë të realizohet sa më shpejt. Do të bashkërendojmë të gjitha përpjekjet tona për realizimin e këtij objektivi në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Vasili. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Ferid Agani, në fjalën e tij falënderoi ndihmën që po i jepet Kosovës nga Shqipëria për anëtarësimin në OBSH. Në këtë mënyrë do ta kemi më të lehtë që Kosova të zërë vendin e merituar mes shteteve anëtare në OBSH. Po kështu, diskutuam edhe problemet e përditshme që kanë të bëjnë me qytetarët për sa u takon shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore. Në radhë të parë, problemin e furnizimit me barna, me materiale të tjera harxhuese të spitaleve dhe qendrave tona shëndetësore”, tha Agani.

Burimi : Panorama.
 
Back
Top