Transhumanizmi dhe religjioni

Lauri

Anunnak
Duke përkrahur demokracinë dhe mendimin racional ne mund të krijojmë një ambient të sigurt për kërkime shkencore dhe për ndërtimin e teknologjive që do të jenë në dobi të gjithë njerëzimit, në dobi të një të ardhmeje kur vuajtja dhe vdekja do të mund të jenë vetëm kujtime nga e shkuara jonë primitive. Religjioni ofron parajsën pas vdekjes, ndërsa transhumanistët besojnë se parajsa duhet te ndërtohet nëpërmjet shkencës dhe teknologjive te rregulluara demokratisht.

Edhe pse transhumanizmi është një lëvizje relativisht e re kulturore dhe filozofike, ai është në thelb vetëm riformulim modern më radikal i humanizmit racional. Një ringjallje e besimit se përmirësimi i njeriut dhe botës së tij është i mundshëm nëpërmjet zbatimit të arsyes, teknologjisë dhe etikës humaniste. Sipas Paul Kurtz, nga Akademia Ndërkombëtare e Humanizmit, ShBA, humanizmi është botëkuptim etik, shkencor dhe filozofik që i ka rrënjët thellë te filozofët dhe poetët e Greqisë dhe Romës së lashtë, Kina konfuçiane dhe lëvizja Cervaka në Indinë klasike. Artistët, shkrimtarët, shkencëtarët dhe mendimtarët humanistë i kanë dhënë trajtë epokës moderne për më shumë se pesëqind vjet.

Dy parime themelore të humanizmit, të formuluara në Deklaratën e Amsterdamit të vitit 2002, përveç të tjerave, janë:

Humanizmi është racional. Ai synon të përdorë shkencën në mënyrë kreative, jo në mënyrë shkatërrimtare. Humanistët besojnë se zgjidhjet për problemet e botës duhet t’i kërkojmë në mendimin dhe veprimin njerëzor, jo në ndërhyrjen hyjnore. Humanizmi përkrah zbatimin e metodave të shkencës dhe kërkimit të lirë për problemet e mirëqenies së njeriut. Por humanistët besojnë gjithashtu se zbatimi i shkencës dhe teknologjisë duhet të trajtësohet nga vlerat njerëzore. Shkenca na jep mjetet, por vlerat njerëzore duhet të vendosin për qëllimet.

Humanizmi mbështet demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Humanizmi ka si qëllim zhvillimin e plotë të çdo njeriu. Ai mbron qëndrimin se demokracia dhe zhvillimi njerëzor janë çështje e së drejtës. Parimet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut mund të zbatohen në shumë marrëdhënie njerëzore dhe ato nuk janë të kufizuara vetëm për mënyrat e qeverisjes.

Këto parime janë edhe parime transhumaniste, mirëpo transhumanistët mendojnë se aspiratat e lashta të njeriut për pavdekësi dhe lumturi të qëndrueshme nuk mund të adresohen thjesht duke dhënë shpjegime antropologjike dhe psikologjike për burimin e religjioneve dhe duke ofruar si alternativë vetëm një jetë të shkurtër demokratike që përfundon me vdekje të përjetshme. Këtu qëndron edhe dallimi ndërmjet transhumanizmit dhe humanizmit tradicional. Derisa humanistët pjesën më të madhe të energjisë së tyre e përqendrojnë në luftimin e religjionit, transhumanistët ofrojnë një alternativë për religjionin. Për transhumanistët religjionet janë refleksion i aspiratave më të thella të njeriut për pavdekësi dhe lumturi të qëndrueshme, edhe pse të veshura me mite dhe besëtytni dhe ndoshta shumë prej tyre të krijuara nga njerëz me qëllime te dyshimta (ose me çrregullime mendore te përcjella me halucinacione). Në fakt, figurat e dyshimta pas religjioneve mund të kenë qenë të suksesshëm në manipulimin e masave pikërisht falë njohjes së mirë të këtyre dëshirave tona të thella për pavdekësi dhe lumturi fizike e intelektuale. Ndonëse demaskimi dhe demistifikimi i këtyre njerëzve është i rëndësishëm, transhumanistët nuk shohin asgjë irracionale në dëshirën tonë të lashtë për transhendencë, për një gjendje me te lartësuar ekzistenciale ku do te ishim zot i fatit tone. Ajo që është irracionale te religjionet është ideja se këto mund të arrihen vetëm me lutje, rituale dhe disa sakrifica morale. Transhumanistët ofrojnë një alternativë reale për sendërtimin e këtyre dëshirave: shkencën dhe teknologjinë. Edhe parajsa, për transhumanistët është vetëm çështje inxhinierie.

Transhumanistët besojnë se nëpërmjet zbatimit radikal të shkencës dhe teknologjisë për zgjidhjen e problemeve njerëzore mund të eliminojmë vuajtjen njerëzore përgjithmonë. Varfëria, uria, sëmundjet, plakja, inteligjenca e limituar, mund të bëhen pjesë e historisë sonë primitive nëse njerëzimi do t’i fokusonte energjitë fizike dhe intelektuale në kërkimet shkencore për krijimin e teknologjive të reja. Nacionalizmi dhe religjioni janë kontribuuesit kryesorë për ngadalësimin e përpjekjeve për ndërtimin e një bote të tillë. Ata që mendojnë se një e ardhme e tillë është fantastike dhe utopike, vetëm duhet të kujtojnë si do të tingëllonin për njeriun e shekullit të 19-të teknologjitë tona si interneti, bioinxhinieria dhe nanoteknologjia. Utopia nuk është diçka e paarritshme, por diçka që nuk ekziston sot.

Ndonëse transhumanistët janë teknoutopistë, historia ka treguar se teknologjia mund të keqpërdoret. ا’është e vërteta, në vend se t’i bënin dobi njerëzimit, teknologjitë tona do të mund të shkaktonin asgjësimin e jetës në tokë. Prandaj transhumanistët janë fuqimisht për një mbikëqyrje dhe rregullim demokratik të teknologjive të reja. Duke përkrahur demokracinë dhe mendimin racional ne mund të krijojmë një ambient të sigurt për kërkime shkencore dhe për ndërtimin e teknologjive që do të jenë në dobi të gjithë njerëzimit, në dobi të një të ardhmeje kur vuajtja dhe vdekja do të mund të jenë vetëm kujtime nga e shkuara jonë primitive.

Arlind Boshnjaku
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top