Agjencia e lajmeve “Associated Press” i ka dedikuar një artikull një problematike të evidentuar mes Shqipërisë dhe Greqisë sa i përket bimëve aromatike e mjekësore. Artikulli i publikuar ka tërhequr vëmendjen e medias ndërkombëtare duke gjetur hapësirë ripublikimi në media të tjera si ثashington Post, Fox Neës, ABC Neës etj.
Artikulli citon autoritetet greke që thonë se “bandat e shqiptarëve të varfër po kalojnë vazhdimisht kufirin për të korrur ilegalisht në mal bimët medicinale, e kryesisht çajin e malit. Plaçkitësit më pas i shesin bimët për eksport te kompanitë farmaceutike ose kozmetike; një biznes që i siuguron vendit dhjetëra milionë në vit”. E në këtë proces, shqetësimi është se po shkatërrohen edhe bimë të rralla e të rrezikuara.
“Në Greqi është e ndaluar me ligj që të marrësh më shumë sesa një sasi të vogël për përdorim vetjak të bimëve të egra. Por ky ndalim nuk ekziston në Shqipëri, që është një nga shtetet më të varfëra të Europës. Por më e rëndësishme është se bimët zakonisht shkulen e kjo ndalon rigjenerimin natyror, kërcënon ekosistemin dhe i lë malet të zbehura. Shqiptarët pretendojnë se bimët janë aty dhe grekët nuk i marrin ato, ndaj pse të mos përfitojë dikush?” vijon artikulli.
Në artikull citohet ambientalisti grek Christos Toskos i cili shprehet se gjatë 5 viteve të fundit kjo problematikë është thelluar e kalimet e kufirit për këtë qëllim janë bërë të përditshme.
Muajt e fundit, në operacionet e realizuara për këtë qëllim, policia greke ka arrestuar të paktën 10 shqiptarë që kishin marrë dhjetëra kilogramë bimë. Në fund të qershorit tre persona u kapën me 136 kilogramë që ishin ngarkuar në dy kuaj dhe në një gomar, vijon artikulli.
Gazetari ka intervistuar edhe Filip Gjokën, kreun e shoqatës së bimëve aromatike e mjekësore i cili shprehet se shumë shqiptarë të varfër po kalojnë malet në Greqi për shkak se këtë vit ka pasur mangësi në bimët mjekësore e aromatike për shkak të temperaturave të dimrit të kaluar.
Në fund, artikulli evidenton nevojën e zgjidhjes së kësaj problematike mes autoriteteve të të dy vendeve. /SCAN.