eGo0sTyle
System Engineer
![kuvendi-shqiperise-300x200.jpg kuvendi-shqiperise-300x200.jpg](https://fv.al/data/attachments/61/61026-f3a66dc58f1ee85059fb5f4e31a65e77.jpg?hash=86ZtxY8e6F)
Zyra “Transparency International” në Tiranë publikoi dje raportin e saj në lidhje me zbatimin e ligjeve nga shteti shqiptar, duke përfshirë administratën publike, atë të Kuvendit dhe të Gjyqësorit. Sipas gjetjeve të këtij raporti, zbatimi i ligjit nuk është në nivele të kënaqshme dhe rekomandohen ndryshime të tjera të ligjit. Të dhënat e këtij studimi katërmujor tregojnë se vetëm 66% e ligjeve janë zbatuar. Në raport theksohet se punësimi në administratën publike bëhet në bazë të bindjeve politike, ndërsa Gjyqësori mbetet një nga sektorët më kritike në Shqipëri, ku shpesh zhvillimi i gjyqeve nuk është transparent. Një tjetër pikë e raportit lidhet me mungesën e kontrollit që duhet të ushtrojë Parlamenti ndaj Ekzekutivit. Raporti kërkon të miratohet një ligj për organizimin e Kuvendit, ku të ndahet qartë stafi politik nga ai profesional. Gjyqësori ka siguruar vlerësimin minimal ndër 3 sektorët e monitoruar. “Fatkeqësisht në disa aspekte të jetës institucionale në vend ka pasur regres më shumë sesa progres. Përsa i takon pushtetit gjyqësor, Shqipëria është e vonuar në zhvillimin e një infrastrukture të posaçme për këtë pushtet. Në vendin tonë, proceset gjyqësore ende realizohen në zyrat e gjyqtarëve dhe jo në salla të posaçme. Sa i takon administratës publike vlen të theksohet se meritokracia vazhdon të mos jetë kriteri bazë për emërimet dhe promovimet në administratë”-tha Tidita Fshazi, koordinatore e projektit.
Panorama.