ثshtë koha për veprime konkrete

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
ثshtë koha për veprime konkrete



Marr shkas nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Pejë. Qytetarët presin as më pak e as më shumë se veprime konkrete, të matura dhe vendime të zbatueshme një orë e më parë. Në mbledhjen e përbashkët, të pestën me radhë të dy qeverive Shqipëri- Kosovë, përtej retorikës së bukur politike dhe patriotike, ka ardhur koha të dëshmohet një pragmatizëm politik dhe vetëdije e lartë qytetare nga ana e përfaqësuesve të popullit, që të fillojmë të ndjejmë efekte pozitive të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.

Pas tarifës 100 për qind të Qeverisës së Kosovës ndaj mallrave serbe që nuk është asgjë më tepër se masë reciprociteti dhe një reagim politik i vonuar, por i duhur ndaj sjelljeve dhe agresionit të vazhdueshëm të shtetit Serb (që po ndërmerr në të gjitha aspektet me synim zhbërjen e shtetësisë së Kosovës dhe defunksionalizimin e saj ekonomik), duhet shfrytëzuar momentumi i krijuar që bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë realisht të bëhet funksional në të gjitha segmentet e jetës. Përpos rëndësisë vitale kombëtare edhe në aspektin ekonomik, të gjitha studimet paraprak nga institute të ndryshme hulumtuese dhe akademike kanë nënvizuar komplementaritetin e dy tregjeve (Shqipëri/Kosovë) ndaj njëra tjetrës. Kjo veti plotësuese e dy tregjeve tona për njëra-tjetrën vetëm sa konsolidon aftësitë dhe përparësitë ekonomike duke krijuar ekonomi të qëndrueshme afatgjate dhe si rrjedhojë stabilitet social dhe politik në vendet tona që janë më shumë se kurrë të domosdoshme për t’i bërë ballë trysnisë së madhe që bëhet nga globalizmi dhe tregjet e zhvilluara.


Marrëveshjet që pritet të bëhen efektive nëse nuk mbesin vetëm në aspektin deklarativ, do të kenë efekte pozitive të menjëhershme në shoqëri.

– Krijimi i një ombrelle të përbashkët të dhomave të tregtisë (odave ekonomike) do të intensifikojë bashkëpunimin mes sektorit privat në të dy anët e kufirit dhe do të rrisë nivelin e shkëmbimeve tregtare për të plotësuar nevojat e konsumatorëve tanë.

– Promovimi “Blej Shqip” në të dy anët e kufirit do të shtonte besimin tek investitorët tanë për investime të vazhdueshme në kapacitete prodhuese dhe përmirësim të cilësisë me efekt të ngritjes së avantazheve konkurruese edhe në tregun ndërkombëtar.

– Lobimi i sinkronizuar tek institucionet evropiane për zhbllokimin e linjës së transmisionit të energjisë Shqipëri-Kosovë është i domosdoshëm, pasi që kjo do të ndihmonte në zhvillimin e tregut të përbashkët, rritjen e kapaciteteve të shkëmbimeve të energjisë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke shfrytëzuar disponueshmërinë e kapacitetit të pikut të prodhimit sezonal të energjisë të njërit vend me brez jashtë pikut të vendit tjetër. Kjo përforcon më tutje natyrën komplementare të të dy ekonomive tona.

– Heqja e deklaruar e tarifës së romingut do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në shkrirjen e barrierave në komunikim dhe në rritjen e lidhjes mes nesh në baza ditore. Kjo do të sjellë edhe efekte të theksuara në lirimin e shportës së konsumatorit.

– Të fillojmë menjëherë me zbatimin e marrëveshjes për lehtësira doganore dhe heqjen e barrierave, sidomos atyre jotarifore mes dy vendeve, duke e bërë kufirin simbolik dhe jetësuar bashkimin doganor. Bashkimi doganor më pastaj me një plan veprimi konkret për reforma, përafrim dhe harmonizim legjislativ me afat të përcaktuar qartë, do të na mundësonte krijimin e kushteve të formësimit të një tregu të përbashkët (Single market).


Vlen të ceket se gjatë 25 viteve të fundit, Tregu Unik (i përbashkët) i BE-së ka ngritur mirëqenien e qytetarëve evropianë, duke bërë Evropën një nga vendet më tërheqëse për të jetuar dhe për të bërë biznes. Katër liritë e saj të pandashme – lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, kanë ndihmuar në përmirësimin e prosperitetit të qytetarëve të Bashkimit Evropian dhe ka forcuar aftësitë konkurruese të BE-së. Andaj ne nuk duam as më pak e as më shumë se këtë që vazhdojnë të bëjnë vendet e BE-së mes tyre, duke ndërmarr veprime strategjike dhe praktike në të mirë të kombit tonë dhe qytetarëve të kësaj pjese të Evropës përmes unifikimit të tregut, gjë që mund të shfrytëzohet si një gurë themeltar edhe në procesin e zbatimit të prioriteteve të reformës evropiane.


ثshtë koha për të vepruar!




Autor: Butrint Batalli
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top