Tenton të vrasë gjyshen 93 vjeçe, për t‘i marrë paratë

Cyber_Spartacus

Homo Homini Lupus
Një 37-vjeçar tenton të vrasë gjyshen për t‘i vjedhur paratë. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës kanë bërë të ditur se është arrestuar një 37-vjeçar nga Leskoviku nën akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të së dielës, në qytetin e Leskovikut. Spiro Kote, sipas policisë ka shkuar në banesën e gjyshes së tij 93-vjeçare dhe e ka goditur atë duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore. E moshuara, e cila ndodhet në gjendje kritike për jetën në ambientet e spitalit, është gjetur e plagosur nga të afërm të tjerë, të cilët e kanë transportuar menjëherë për t‘i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Pas hetimeve mbi rrethanat në të cilat gruaja 93-vjeçare është gjetur e plagosur në ambientet e shtëpisë së saj, policia ka identifikuar si autor nipin Spiro Kote. Ky i fundit, për shkak të një konflikti me të moshuarën për çështje pronash dhe parash, nuk ka nguruar ta godasë disa herë në trup me mjete të forta. Pasi është identifikuar si autor i kësaj ngjarjeje, 37-vjeçari është arrestuar në orën 11:30 të ditës së djeshme nga ana e policisë. Ndaj tij rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje. Ndërkohë, gruaja e moshuar nuk ka dalë ende nga gjendja e rëndë.

Gazeta Shqip
 
Back
Top