Të veprosh apo të shpëtosh?

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues

Të veprosh apo të shpëtosh?​


Të veprosh apo të shpëtosh? Është një pyetje e vështirë ngaqë ajo ngërthen konsekuenca të tjera në përgjigje. Unë them që njeriu nuk duhet provuar shpëtimin pa e provuar veprimin. Të shmangësh realitetin në emër të shpëtimit është mendjelehtësi dhe presupozim i beftë i një bote “të keqe” gjë që në të vërtetë nuk e ekziston. Nëse është e keqe, kush e bëri të tillë?

Nga Latif MUSTAFA
Bota përjetonte konfuzion. Aleksandri i Madh dhe Aristoteli kishin vdekur brenda një viti. Njëri njihej si mësuesi i parë, sistematizuesi i dijeve të mëdha, kurse tjetri apostulli kryesor i Helenizmit, si lideri më i madh që kish parë bota. Që të dy me prejardhje nga gjeografia jonë. Kur vdiq Aleksandri i Madh bijtë e tij ishin të vegjël. Njëri madje akoma nuk kish lindur. Gjeneralët u përkujdesën për ndarjen e perandorisë së tij, gjegjësisht, Ptolemeu dhe Seleuku. Ptolemidët që sundonin Egjiptin, shpallën për kryeqytet Aleksandrinë, qytet ky që u bë vatër e shkencës dhe dijes. Dijet dhe bindjet superticioze të lindjes dominuan botën e civilizur greke. Shumica e njerëzve të ditur ishin dhënë pas supersticionit dhe astrologjisë me ç’rast përpiqeshin të parashikonin të ardhmen. Po pse? Sepse bota po përjetonte një krizë të lartë morale dhe vlerore. Atë e kish mbuluar një pasiguri të lartë politike.
Advertisements
Dyshimet se kjo botë (s’)mund të bëhej më e virtytshme dhe më e mirë kishin filluar qysh duke qenë gjallë Aleksandri i Madh. Shpërfaqja e tij në histori ishte fundi i qytet-shteteve greke dhe lirisë së mendimit. Mendimi në thelb është politik dhe veç rrethanat jo konstante politike e shtyjnë mendimin drejt origjinës apo arkeologjisë së dijeve duke shtruar pyetjen se si të jetojmë më mirë. Fuqia e Aleksandrit dhe shtrirja e pushtetit të tij ishte kaq masive sa që të jesh dijetar në kohën e tij do të thoshte ose të bëhesh lajkatar pushteti e të bëhesh këshilltar perandori duke i lajkatuar të diturin atij; ose të ndjekësh një rrugë mëvetësie duke shpallur skepticizmin si dogmën përfundimtare dhe mënyrë jetese të aplikosh shpërfilljen dhe apatinë. Kështu ndodhi me Diogjen Laertin, nxënësit të Antistenit. Diogjeni ishte bashkëkohës i Aristotelit por ai nuk jetonte në pallate. Ai jetonte në një govatë të madhe prej druri dhe bënte jetë qençe. Jeta qençe quhet Kynikos etimologji prej të cilit buron edhe nocioni cinik – qençe. Të bësh jetë qeni. Diogjeni ishte cinik. Cinizmi i tij do të thotë të kesh respektin nga të mençurit edhe pse mund të të konsiderojnë injorant. Bota është e keqe ne duhet të mësojmë të jemi të pavarur nga ajo. Virtyti më i lartë ishte të heqësh dorë nga kënaqësia dhe këtë e kuptonin veç të mençurit. “Ji indiferent ndaj të mirave që të jep fati dhe do të jesh i lirë nga frika” – predikonte Diogjeni. E vërteta edhe po të ekzistonte ajo nuk mund të dihej. Prandaj sipas tij as astrologët nuk ishin tërheqës. Reputacioni i tij arriti deri te veshët e Aleksandrit. Një ditë prej ditësh Aleksandri e gjeti govatën e tij dhe i doli përpara duke e pyetur nëse donte ndonjë favor. Ai iu përgjigj me thënien e tij, që tashmë është epike: “Vetëm të mos ma nxësh dritën”- iu përgjigj ai.
Modus operandii botës helene ishin nënshtrimi dhe konfuzioni. Tradita filozofike e Aristotelit shtronte pyetjen, “si mund të krijohet një shtet i mirë”, kurse Diogjeni dhe përfaqësuesit e shkollës së tij shtronin pyetjen se si njeriu mund të mbetet i mirë dhe i virtytshëm në një botë të keqe? Që të dyja kanë përgjigjet e veta por me vdekjen e Aleksandrit dhe fillimin e periudhës së trazirave dhe pasigurisë qenësore, cinizmi u popullarizua shumë, kryesisht në kryeqytetin e dinastisë Ptolemide. Shmangja dhe ikja mbase mund të duken më të lehta dhe dembelizmi intelektual mund të interpretohet si përpjekje cinike për të shpëtuar njeriun e virtytshëm në një botë të keqe, por megjithatë, nuk mund të shpjegohet si përpjekje e kënaqshme. Kjo periudhë historike pak a shumë i përngjan periudhës sonë në të cilën jetojmë. Pasiguri e lartë ekonomike, lëvizje të mëdha demografike dhe unifikim global i kulturës janë disa karakteristika të ngjashme me ato të periudhës së Aleksandrit. Një karakteristikë tjetër, tepër e ngjashme me atë të periudhës së Aleksandrit, është universalizmi si totalitet dhe pamundësia për të menduar jashtë këtij totaliteti. Në kulturën e sotshme politike të shteteve Ballkanikeje para dilemës të veprosh apo të shpëtosh.
Maksima “të veprosh” nënkupton paradigmën e Aristotelit se, edhe pse ishte i bindur për kokëfortësinë e Aleksandrit dhe pamundësinë për të ndikuar tek ai, megjithatë ai i qëndroi pranë pushtetit të tij, në mos më shumë, për të shfrytëzuar mundësitë e pushtetit në prodhimin e dijeve të reja dhe krijimin e një tradite filozofike përmes sistematizimit dhe artikulimit të saj që mbeti traditë deri në ditët e sotme. Në anën tjetër, maksima “të shpëtosh” është pikërisht paradigma e shtyrë nga shkolla e Diogjenit, i cili shpërfilljen dhe neglizhencës e kish shpallur për metodologji mendimi dhe aq më pak, pushteti nuk përbënte asnjë lloj të vërtete për të. Përgjegjësia e maksimës “të veprosh” është përgjegjësi edhe për tjetrin, kurse përgjegjësia e maksimës “të shpëtosh” është për veten. E dyta duket qasje egoistike por megjithatë, pa e shpëtuar veten nuk mund ta shpëtosh tjetrin. Të veprosh, në krijimin e diçkaje të re, bjerrja e brendshme ontologjike rreth legjitimitetit të një dijeje të mundshme, është vrasëse dhe nuk e garanton as shpëtimin e vetes dhe as të tjetrit. Të veprosh, do të thotë të kyçesh aktivisht në jetë publike, të reflektosh dhe të angazhohesh pranë ose karshi pushtetit politik. Të shpëtosh, sot do të thotë, të tregohesh nihilist ndaj çdo të arriture shoqërore e politike, duke refuzuar çdo interpretim pozitiv të realitetit dhe duke e shpall dembelinë si përgjegjësi të lartë etike dhe arritje intelektuale të “pakapshme” nga publiku i gjerë. Veprimi ka shtrirje publike të ndikimit, kurse shpëtimi ka shtrirje private të ndikimit.
Bota po përjeton një konfuzion të madh. Perspektiva apo pika e vështrimit të botës dhe krijimit të një pikëpamje për jetën, janë çirrjet e pashpresa për një gjetje të bindshme. Nëse sot i bindesh një botëkuptimi politik, nesër me gjasë do e harrosh dhe të vihesh në kërkim të një tjetri. Botë e opsionaleve. Në periudhë të tillë krizash botëkuptimore, ontologjike dhe politike njeriu priret t’i lexojë e t’i rikthehet klasikëve për të shqyrtuar pozicionet e tyre. Gjersa shqyrton ato, një gjë është mjaft e qartë. Bota s’ka ndryshuar fare. Ajo, përmes zhvillimit teknologjik dhe shkencor vetëm ka përshpejtuar përjetimin e viteve që kalojnë sa hap e mbyll sytë, ka sforcuar relativitetin kohor, por në thelb ka mbetur në pyetjen se çfarë mund të quajmë jetë të mirë.
Të veprosh apo të shpëtosh? Është një pyetje e vështirë ngaqë ajo ngërthen konsekuenca të tjera në përgjigje. Unë them që njeriu nuk duhet provuar shpëtimin pa e provuar veprimin. Të shmangësh realitetin në emër të shpëtimit është mendjelehtësi dhe presupozim i beftë i një bote “të keqe” gjë që në të vërtetë nuk e ekziston. Nëse është e keqe, kush e bëri të tillë? Nëse themi se ajo është në thelb e keqe, kjo na fut në kurthin determinist të presupozimit të esencës së gjërave apriori. Esenca është diçka që ndërtohet me kohën. Bota është e keqe ngaqë ne e kemi bërë të tillë. Bota është produkt i vendimeve tona, ashtu siç jemi edhe ne. Ajo mund të bëhet më e mirë ngaqë ne do veprojmë ta bëjmë atë më të mirë. Përpjekja është njerëzore. Ajo është thelbi i ekzistencës. Nëse mbyllen të gjitha dyert e veprimit për shpëtimin e botës mbarë atëherë do të vihemi në kërkim të shpëtimit, si formë e thellë e ngushëllimit, të vetes dhe botës sonë.

koha.mk
 
Te veprosh eshte filozofikisht me e drejte, te shpetosh eshte humane por driteshkurter, te veprosh eshte parimore dhe largpamese
Une s'e kam lexuar akoma cfare thote por meqe e kish postuar Latifi nfb thash hajd po e sjell dhe ketu 🤣
 
Une e lexova dhe faleminderit qe e ke sjelle😁
Latifin se njoh por kete teme e paska shtjelluar mrekullisht.
e njoh une. ndaj e solla pa lexu hic😁
 
Redaktimi i fundit:
Të veprosh do të thotë të guxosh.
Të tregosh fakte për një thënie apo për një temë të caktuar,edhe pse shumica nuk do të të besojnë.
Të ngresh krye ndryshe nga të tjerët.
Të shpëtosh është të mos flasësh.
Të bëhesh një me turmën.
Të jesh dinak e të bësh rolin e të paditurit.
Ktë të fundit e bëjnë shumica në ditët e sotshme.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top