Të mbërthyera me kunja dhe zinxhirë

*deliza*

VIP
V.I.P
Të mbërthyera me kunja dhe zinxhirë​

Shpeshherë e gjejmë veten të mbytura nga dëshpërimi, nga pamundësia për të dalë nga sipërfaqja, nga pafuqia për të hedhur tutje shkëmbinjtë që padrejtësisht na janë vënë mbi shpinë. Në këtë gjendje thuajse të pashpresë zvarritet një vajzë adoleshente që kërkon të ndërtojë një të ardhme të ndryshme nga prindërit e saj në fshat. Po kështu e pafuqishme ndihet një vajzë që po shkollohet në kryeqytet, ndërsa lufton kundër prindërve të saj që duan ta martojnë me mblesëri atje në rrethin e largët. Po kaq e mjeruar ndihet në paaftësinë e saj një femër në qytet, kundër thashethmenajës së rrethit social, ndërsa ajo rrit e vetme dy fëmijë. Edhe më e pafuqishme për të reaguar ndihet një femër e martuar, e cila dhunohet nga i shoqi dhe familjarët e tij, duke mos e lënë të shohë pragun e derës pa u shoqëruar nga ata. E humbur dhe e trembur ndihet një studente, në përballjen e saj me ndonjë pedagog të paaftë e të padenjë për titullin që mban, i cili kërkon të përfitojë nga pushteti i notës. E pafuqishme ndihet një nëpunëse e aftë, ndërsa shefi i saj me post partiak i lëshon mbi kurriz gjithë paaftësinë e tij.

‘Të gjitha këto vajza dhe gra, janë më shumë se të dhunuara, në mos jo fizikisht, por mendërisht dhe shpirtërisht. Prej kohësh ato nënshtrohen dhe jetojnë duke vuajtur nën një sundim që u bëhet pa të drejtë, pa guxuar të ngrenë asnjëherë zërin, pa bërë asnjë hap për të dalë nga rrethimi ku kanë hyrë me dëshirë, apo nga burgu ku i ka përplasur prapambetja shoqërore, apo nga pusi i errët ku i ka vendosur kryeneçësia dhe injoranca mashkullore. Prej kohësh ato mbysin lotët duke u ankuar: Burri më rreh; prindërit nuk më kuptojnë; komshinjtë më përflasin; pedagogu më sheh me sytë e ëmbël dhe më ul një notë; shefi më kërkon detyra jashtë funksioneve të mia….

Shqetësimi më i madh që vjen nga këto ankime të vazhdueshme, është përsëritja e tyre e njëtrajtshme, e pandryshueshme, në kohë e në vende të ndryshme, duke bërë që këto të mbeten vetëm ankime. Kjo pandryshueshmëri e këtyre ankesave, bën që njerëzit të mësohen me to, t’i dëgjojnë vetëm si të tilla, e të mos reagojnë, duke kaluar nga faza e interesimit apo e shqetësimit fillestar për një dukuri sociale, në fazën e indiferencës, duke thënë e duke menduar: “Hë mo, se këtë punë kanë femrat. Ankohen kot”.

Dhe, për sa kohë që femrat do të pranojnë të vegjetojnë në detin e vdekur të mosreagimeve, asgjë nuk ka për të ndryshuar nga ky realitet shqetësues tanimë vetëm për jetën e tyre e të askujt tjetër. Askush nuk mund të presë me duart nga qielli, që të zbresë Perëndia, apo kushdo hyj tjetër, e të zgjidhë problemet tona. Femrat duhet të kuptojnë se gjithçka është në duart e tyre, dhe në fuqinë e tyre të brendshme, edhe pse tashmë ato janë bindur se janë të paafta për të lëvizur, e për ta lëkundur nga themelet këtë realitet që u duket si mal i patundshëm.

Ky mosreagim, të kujton historinë elefantit të cirkut, të cilin pas shfaqjes e lidhin për këmbe me një zinxhir të hollë në një kunj të vogël të ngulur në tokë. Vogëlsia e kunjit është qesharake përballë trupit të elefantit gjigant. E megjithatë, ai përsëri nuk e merr mundimin ta shkulë atë kunj e të shijojë lirinë. Kjo për arsyen e thjeshtë se që në vogëli, elefanti është lidhur me një kunj të tillë. Atëherë i vogël, ai u mundua, e stërmundua ta shkulë atë kunj dhe përherë dështonte, derisa një ditë u dorëzua. Tani në kujtesën e tij është ngulitur vetëm ai çast i pafuqisë së tij për të fituar lirinë.

Duket se kështu ndodh edhe me qenien njerëzore, e në veçanti me femrat shqiptare, të cilat që në vogëli janë lidhur me qindra zinxhirë e kunja të tillë, tepër të forta për trupat e mendjet e brishta. Kjo ka bërë që ende tani, të rritura, të forta, të fuqishme, femrat të kenë frikë, madje ato, as nuk mendojnë se janë të afta t’i shkëpusin ato zinxhirë, e të ndërtojnë e krijojnë hapësirat e dëshiruara. Femrat nuk e kuptojnë se tanimë fuqia e tyre e brendshme, është aq pakufishme, sa mund ta shkulë nga rrënjët çfarëdolloj mali apo pengese të patundshme. Femrat shqiptare nuk e dinë se ato janë të afta të përballojnë, edhe të vetme, jetesën në çfarëdolloj vështirësie. Ato janë të afta ta bëjnë këtë, edhe pa mbështetjen egoiste, dhunuese, nëpërkëmbëse, e manipuluese mashkullore. Femrat janë të afta të jetojnë edhe pa mbështetjen e atyre prindërve, të cilët në emër të dashurisë, e të mbrojtjes, por të verbuar e të pa sy për të njohur jetën e vërtetë, nxitojnë t’i burgosin bijat në bodrume të errëta ku mund të “shpëtojnë” nga të këqijat e jetës.

Ka ardhur koha që femrat shqiptare, të kuptojnë se mënyra e vetme për të shpëtuar nga këta vargonj që u kanë shtrënguar këmbë e duar, është reagimi, është veprimi, është ngritja në këmbë me forcë e me vetëbesim. Vetëm kështu ato mund të përballen me jetesën e vërtetë, me gjithë bukuritë dhe vështirësitë që ajo mbart.

G.Shqip


Shume femra shqiptare qe mund te ne lexojne fatkeqsisht e gjejne veten ne kete artikull. :(

Mendojeni qe keni nje nga keto vajza perballe. Do kishit ndonje gje per t'ju thene?

Do i nxitnit me ndonje veprim qe te dilnin nga kjo gjendje?
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top