Titulli: Të gjitha dobitë nga ulliri
Ulliri, mbrojtës nga temperatura dhe hipertensioni
Ulliri njihet si një pemë e bekuar, e shenjtë tek të gjithë popujt që popullojnë brigjet e detit Mesdhe, që prej kohëve të lashta. Tek këta popuj, ulliri ishte simbol i pjellorisë dhe i lavdisë. Thuhet se pas ndaljes së anijes, Noe e dërgoi pëllumbin, i cili u kthye me një degë ulliri, i cili i tregoi tokën ku duhej të zbriste. Besimi i popujve për ullirin si pemë e bekuar, ka si argument vetitë mahnitëse që ka kjo pemë, vlerat ushqimore dhe utilitare.
Disa nga dobitë
Ulliri është substancë e mirë ushqimore, që përmban një përqindje të lartë yndyrnash, proteinash dhe kripërash minerale siç janë: kalciumi, hekuri, fosfori dhe një përqindje të lartë vitaminash A dhe D. Një prej vlerave ushqimore të fruteve të ullirit është se ato përmbajnë 16,7 % lëndë karbohidrate, 1,5% proteina dhe përqindje të lartë yndyrnash që arrin 13.5%. Gjithashtu, përmban përqindje të lartë sode deri në 2400
mlg. Potasium, kalcium, magnezium, bakër, fosfor...
Gjethet
Përdorimi nuk është vetëm në ullirin si frut dhe si vaj, por nga kjo pemë e bekuar përdoren edhe gjethet kundër shumë sëmundjeve si p.sh. kundër temperaturës së lartë dhe tensionit të lartë. Të përtypurit e
gjetheve të ullirit ndihmon në rastet e inflamacionit të mukozës së gojës, herpesit, dermatitit buloz etj. Lëvoret e degëve
Përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur, kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Ullinjtë e gjelbër janë më të mirë sidomos për të sëmurët me diabet, të cilat shuajnë etjen që shkakton diabeti. Druri i
ullirit është shumë i fortë dhe jeton deri më 2000 vjet.
Vaji i ullirit
Në librat e shenjtë të çdo feje përmendet se vaji i ullirit largon shpirtrat e këqij. Vaji i ullirit është mbrojtësi më i mirë i zemrës, organeve të tretjes, mplakjes, bukurisë etj. Vaji i ullirit është njëri ndër vajrat e vetme bimore, i cili përftohet nga frutet e ullirit drejtpërdrejt pa u rafinuar, d.m.th. pa përpunime kimike. Duke ruajtur përbërësit e vet, ai paraqet një ndër mbrojtësit më të mirë të shumë sëmundjeve. Janë bërë shumë studime nga të cilat është arritur në përfundimin, se roli i vajit të ullirit është mjaft i madh. Këtë më së miri e ka treguar edhe Agjencia Amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA), e cila vitin e kaluar u lejoi prodhuesve që në etiketat e vajit të ullirit të vendosin edhe mbishkrimin “Shëndeti i qëndrueshëm”, për arsye se yndyrnat e pangopura të vajit të ullirit zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjeve të zemrës dhe të gjakut. Ligjvënësit mjekësorë të Amerikës kanë lejuar, që në etiketa të shkruhet edhe mbishkrimi me përmbajtje se vaji i ullirit, i cili përdoret për çdo ditë nga dy lugë (23gr), mund të zvogëlojë rrezikun mga sëmundjet koronare për shkak të veprimit të yndyrnave të pangopura që përmban ky vaj. Në këtë mënyrë vaji i ullirit bëhet përbërësi i tretë ushqimor (pas sojës dhe Omega-3 acideve organike) të cilat mund të kenë këtë përmbajtje me leje zyrtare. Me hulumtimet e bëra nga Dr. Wilsoni nga Britania e madhe është vërtetuar se acidi oleinik, të cilin e përmban vaji i ullirit, i mbron qelizat nga oksidimi dhe paraqet faktor që ngadalson mplakjen e njerëzve.
Vaji i ullirit rregullon metabolizmin e yndyrnave në mëlçi
Përmban acide yndyrore dhe një numër të madh të vitaminave të tretshme në yndyrna
Vaji me ngjyrë të gjelbërt të mbyllur, me aromë dhe erë specifike, në të cilën janë të ruajtur vitaminat me rëndësi, acidet yndyrore esenciale dhe antioksidantët, ka një rol të madh. Për çdo pikë vaj ulliri marrim mbi 30 përbërës, të cilët na mbrojnë nga sëmundjet e zemrës, mplakja e hershme dhe shumë sëmundje tjera. Fshehtësia më e madhe e veprimit të vajit të ullirit qëndron në përmbajtjen e acideve yndyrore të pangopura, më shpesh acidit oleinik, i cili përmban 55-83% të acideve yndyrore të përgjithshme. Gjithashtu, përmban edhe shumë acide yndyrore të pangopura të cilat në mënyrë pozitive veprojnë në metabolizmin e yndyrnave në mëlçi (rregullojnë kolesterolin), e mbrojnë zemrën gjë që pakëson mundësinë e prekjes nga sëmundjet e ngurtësimit të enëve të gjakut, angina pectoris, infarkti kardial, tromboza dhe rregullojnë tensioni e gjakut.
Vaji i ullirit përpos acideve yndyrore përmban edhe një numër të madh të vitaminave të tretshme në yndyrna si: A,D,E,K. Afër 90% e vitaminës E në vajin e ullirit ndodhet në formë të alfa-tokoferolit. 100 gr. vaji i ulllirit përmban 884 kalori. Nga kjo nuk duhet pasur frikë për shëndoshje, përkundrazi ky vaj ndihmon në zbritjen e mbipeshës trupore, sepse falë aromës intensive, vaji i ullirit e rrit shijen në sasinë e duhur. Acidi oleinik zvogëlon vlerat e kolesterolit të dëmshmëm (LDL), duke zvogëluar numrin e receptorëve për të. Polifenolet e ndryshme me vitaminën E veprojnë si antioksidansë dhe pamundësojnë krijimin e radikalëve të lirë, si dhe oksidimin e kolesterolit LDL, të cilët janë shkaktarët e parë në krijimin e pllakëzave arteriosklerotike të dëmshme. Vaji i ullirit vepron mirë edhe në traktin gastrointestinal, duke zvogëluar rrezikun nga i thati në lukth, lehtëson gastritisin, vepron si laksativ i lehtë dhe në këtë mënyrë ndihmon tek problemet në jashtëqitje.
Ka një ndikim të mirë mbi disa çrregullime të aparatit tretës si: kapsllëku dhe disa raste të kolitit të zorrëve dhe të veshkave. Eliminon gurët në veshka dhe tëmth, për këtë ka edhe përshkrime të sakta në përdorimin kundër këtyre sëmundjeve në doza të caktuara. Në të ka edhe përbërës tjerë që janë kundër sëmundjeve kancerogjene të shumta për të cilat ka shumë libra të shkruara. Gjithashtu, vaji përdoret në shumë medikamente mjekësore nga goja apo në formë gjilpërash.
Një ushqim-ilaç për fëmijët dhe të moshuarit
Duke pasur parasysh se lehtëson mineralizimin e eshtrave është shumë i shfrytëzueshëm tek fëmijët që janë në rritje e sipër si dhe te personat e moshuar të cilët kanë probleme me osteoporozën. Shumica nuk e dinë se vaji i ullirit nga përmbajtja yndyrore është i ngjajshëm me qumshtin e nënës. Për këtë arsye ai ka rol të madh në zhvillimin e sistemit nervor të mesëm te fëmijët. Nga kohërat e lashta vaji i ullirit është i njohur si ndihmues i bukurisë. Ai ndihmon tek lëkura e thatë dhe asaj i jep shkëlqim. Flokëve dhe thonjëve i jep fortësi dhe i ruan flokët nga të thinjurit e parakohshëm. Këtë më së miri e vërteton edhe industria kozmetike, e cila në përbërjen e shumë preparateve kozmetike ka edhe vajin e ullirit, siç janë: sapunët, shampot, kremrat, locionet e ndryshme etj. Për ti arritur të gjitha këto efekte pozitive në vajin e ullirit duhet që ta shfrytëzojmë në ushqimin e përgatitur, të ftohtë ose pak të ngrohur si dhe ta ruajmë në temperaturë deri 15 shkallë celcius, në një hapësirë (vend) të errët dhe gjithnjë në shishe qelqi.
Vaji i ullirit mbron nga kanceri i gjirit
Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara kanë zbuluar se dieta mesdhetare ku përdoret shumë vaji i ullirit mbron nga kanceri i gjirit. Studiuesit që i botuan rezultatet e punës së tyre në revistën “Analet e Onkologjisë” thonë se acidi oleik që gjendet në vajin e ullirit mund të ndihmojë në kurimin e sëmundjes
Studimet e mëparshme kanë treguar se për gratë që jetojnë në vendet ku përdoret një dietë e pasur në proteina, rreziku nga kanceri i gjirit është pesë herë më i lartë, se në ato vende ku kultura e të ushqyerit është për një dietë me më pak kalori. Megjithatë, gratë që ushqehen me vaj ulliri duket se janë të mbrojtura nga ky lloj kanceri. Studiuesit në Spanjë dhe në SHBA gjetën se një prej përbërësve të vajit të ullirit ul me gjysmën e tyre nivelin e substancave që shkaktojnë kancerin e gjirit. Testet laboratorike mbi qelizat kanceroze të gjirit treguan se acidi oleik e bënte më të efektshëm medikamentin që përdoret kundër kancerit dhe rriste prodhimin e proteinave që lufton tumoret. Tani shkencëtarët do të shohin nëse teoria e tyre provohet gjatë eksperimenteve me kaviet. / gazeta ballkan