Të dhjerë, por milionerë

eGo0sTyle

System Engineer
rozhani214.jpg



Nga Arben Rrozhani

Fituan dy palë zgjedhje dhe u bënë humbës, i lanë pozitës fshatin pasi fituan qytetet e mëdha dhe ndjehen humbës, ua morën bashkinë e Tiranës me procedurë dhe pas një proteste “kala dibrançe” te KQZ-ja, sot kanë frikë të bëzajnë. Ndërsa PD marshoi përpara, duke nënshtruar kë kishte përballë me individë dhe institucione, PS-ja u zbyth pas dhe sot ka humbur pa nam dhe pa nishan, duke e shpallur veten të falimentuar, edhe pse ishte fituesja reale dhe morale. Kjo është opozita që duhet të jetë sot dhe për të cilën ka nevojë Shqipëria dhe populli opozitar?

Se çfarë opozite është kjo e tregojnë veprimet dhe mendësitë e përfaqësueve të saj. Pak ditë më parë një përfaqësuese e saj në Kuvendin e Shqipërisë bëri një veprim “pabukësi”, jo vetëm anti-opozitar, por edhe kundër vullnetit dhe interesave të elektoratit që ajo duhej të përfaqësonte si e zgjedhur në 28 qershor 2009. Deputetja në fjalë, me një të shtypur të butonit elektronik, në minutat e fundit të mungesës gjashtë mujore në punimet e seancave plenare të Kuvendit, shpëtoi mandatin e saj të të zgjedhurës, të fituar në emër të opozitës në qarkun e Durrësit. Kush nuk e ka parasysh se kush është kjo deputetë le të kujtojë një grua të re, që vinte nga jeta dhe puna në Amerikë dhe që në 28 qershor 2009, denonconte pranë një qendre votimi në Krujë, me një hematomë në ballë, dhunën ditën e votimeve. Sot pas dy vjetëve kjo grua, Rudina Seseri, vazhdon të ndajë jetën dhe punën mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, dhe me një minutë shpëton mandatin e deputetit dhe pagën milionere.

A është ky prototipi i deputetit të opozitës që përfaqëson popullin opozitar? Dikush mund të thotë se veprimi i zonjës Seseri ishte i nevojshëm, sepse shpëtoi një mandat të vlefshëm për pakicën e majtë në Kuvend përballë shumicës së djathtë dhe me aleatë të majtë dhe se ajo duhet të jetë në sallën e Kuvendit për të mbrojtur interesat e elektoratit që e ka mandatuar. Pastaj shpëtoi edhe ato lekë, të cilat Topalli më pas do tua kish dhënë të vetëve të PD-së, siç ka bërë edhe më parë.

Seseri theu një vendim politik për të bojkotuar seancat plenare të Kuvendit, vendim që ishte marrë nga PS-ja kohë më parë dhe që nuk e kanë zbatuar vetëm disa eksponentë që janë spikatur si kundërshtarë të deklaruar të Edi Ramës dhe mbështetësve të tij, që në këtë rast janë më dinjitozë se kolegia e tyre. Si prania, apo mungesa e saj në Kuvend, ashtu si e pjesës tjetër të pakicës, në punimet e Kuvendit, përveç interesave personale, nuk paraqet asnjë interes për popullin opozitar. Si në legjislaturën e kaluar, si në aktualen, deputetët e opozitës më shumë kanë munguar se kanë marrë pjesë në punimet e Kuvendit. Edhe kur kanë marrë pjesë kanë bërë adetin e radhës, ndonjë kacafytje gjelash, ndonjë mocion fjalëshumë kundër Jozefina Topallit, ndonjë grushtim të fortësh dhe asgjë më shumë. Duke qenë një pakicë vendosëse dhe numerikisht më e fortë se asnjëherë më parë, grupi parlamentar i PS-së ka bojkotuar dhjetëra votimet që duan një shumicë cilësuese, duke lënë në letër shumë prej projektligjeve të domosdoshme. Ashtu si Seseri pak ditë më parë, anëtarët e grupit të deputetëve opozitarë, shkuan në Kuvend vetëm për të shpëtuar rrogat dhe dietat dhe më shumë denoncime ndaj shumicës së djathtë në Kuvend, ka patur për mosdhënien e rrogave dhe dietave, sesa për ligjet antipopullore dhe antishqiptare që kaloheshin në Kuvend.

Sa e përfaqësojnë deputetët e PS-së, popullin opozitar në Kuvendin e Shqipërisë? Si shumë nga kolegët e saj të PS-së, Seseri është një grua e pasur. Në deklarimin e pasurisë për vitin e shkuar, bie fjala, ajo thotë se i është shtuar pasuria dhe ka mbi 80 mijë dollarë aksione, rreth 74 mijë dollarë investime te menaxhuara, mbi 100 mijë dollarë në një bankë amerikane, ka patur të ardhura mbi 15 milionë lekë nga paga si deputete, pa përmenduar rreth 300 mijë dollarë të ardhura nga paga e bashkeshortit. Duke parë ranglistën e pasunarëve në PS, ajo mund të jetë e varfër, sepse kolegët e saj kanë shumë e më shumë, duke konkuruar denjësisht homologët e PD-së. Ata duhet të përfaqësojnë elektoratin e majtë, që në shumicë është ai që edhe bukën apo ilaçet i merr me listë, që ngushëllohet me një pension, i cili shkon për të paguar ushqimin bazë, energjinë, telefonin, ujin dhe shërbimet e shtrenjtuara disa herë. Parë nga ky këndvështrim ky nuk është i zgjedhuri që duhet të përfaqësojë zgjedhësin opozitar, sepse “I nginjuri nuk ia di barkboshit”. Ai kurrë nuk ka qenë kaq mjerueshëm i papërfaqësuar në Kuvend, dhe për më tepër i përfaqësuar nga individë që nuk kanë asnjë lidhje me hallet dhe problemet e tij, që janë ato të mbijetesës së përditshme.

Edhe në ditët më të zeza të opozitës këtu e 15 vite më parë, opozita edhe pse kishte bojkotuar Kuvendin, pas masakrës zgjedhore të 26 majit 1996, ishte dinjitoze dhe përçonte zërin e qytetarëve. Edhe pse ajo e kishte kryetarin në burg, dhe udhëheqësit e tjerë ishin të kërcënuar dhe nën presion prej vitesh nga rregjimi autoritar i ish-presidentit Berisha. Ajo ishte opozita që në 28 maj 1996 nxirrte zbuluar rregjimin e dhunës, duke mos patur frikë të protestonte në shesh për vjedhjen e votës, ishin ata përfaqësues të saj, që nuk kishin frikë të përgjakeshin duke demaskuar fytyrën fashiste të një rregjimi që kishte ardhur në emër të demokracisë.

Opozitarët e sotëm, nuk janë ata të mindereve të 15 viteve më parë mes të cilëve kishte edhe shumë idealistë. Sot ata janë bërë materialiste dhe pragmatistë. Ideali i tyre janë milionat e marrë prej pushtetit. Ata janë rehatuar në poltronat luksozë dhe ja ka futur gjumit letargjik, edhe pse duhet të jenë në këmbë për popullin opozitar halleshumë. Dhe për shumicën që ka marrë pushtetet e paligjshme nuk ka më mirë se sot: të ketë nën këmbë opozitarë milionerë, por të dhjerë dhe pas tij popullin e mjerë opozitar.



Burimi : Shekulli
 
Back
Top