Titulli: tani edhe Kosova ka dalje ne det
Ja se per cfare behet fjale ....
Një nga opsionet për shfrytëzimin e Portit të Shëngjinit është edhe mundësia që Kosova atje të ketë doganat e veta. Për funksionalizimin e këtij porti, ministri Ahmet Shala thotë se nuk është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të shpenzojë mjetet e buxhetit
Nga Zekirja Shabani më 20.02.2009
Buxheti i Kosovës nuk do të mbushet vetëm me taksat e doganave brenda kufijve administrativë. Nëse punët shkojnë mbarë, pas pesë vitesh, doganierët e Kosovës ka gjasa që të vjelin taksa edhe në Shqipëri, përkatësisht në Portin e Shëngjinit.
Ky është një nga opsionet që ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, e ka përmendur të enjten si mundësi për shfrytëzimin e këtij porti, të cilin Shqipëria ka shfaqur disponimin që t’ia falë Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i është drejtuar kryeministrit të Republikës së Shqipërisë në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, me kërkesë për të zhvilluar portin e Shëngjinit si port universal për nevojat e Kosovës.
Shala është optimist se shumë shpejt grupet e ekspertëve do të ulen dhe të gjejnë format për të zhvilluar këtë port, të cilin “vëllezërit” nga Shqipëria kanë shprehur vullnetin t’ia dhurojnë Kosovës.
“Kosova më nuk mund të quhet si vend i mbyllur në kontinent, por do të ketë portin e vet dhe me një autostradë prej 270 kilometrash ne do të jemi të barabartë me të gjitha shtetet në regjion”, ka thënë Shala.
Në këtë mënyrë, ekonomia e Kosovës do të përfitojë për shkak të kostos më të ulët të transportit të mallrave dhe do të jetë më atraktive për investitorë, të cilët janë të interesuar të investojnë në port, në Kosovë apo në rajon.
Për funksionalizimin e këtij porti, numri një i MEF-it thotë se nuk është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës të angazhojë mjete nga buxheti i Kosovës.
“Natyrisht, ne jemi të gatshëm të planifikojmë edhe investimin e këtyre mjeteve, por grupi i angazhuar i ekspertëve duhet t’i gjejë modalitetet që përmes partneritetit publiko – privat apo në formë tjetër të joshim investime për të zhvilluar portin”, është shprehur Shala.
Ai ka thënë se ka kompani të fuqishme ndërkombëtare që do të jenë të interesuara për të ofruar kapitalin në bashkëpunim me investitorët e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ministri është i bindur se versioni i një territori brenda Shqipërisë, në të cilin do të zhdoganoheshin mallrat nga dogana e Kosovës, do të ishte zgjidhje ideale.
“Dogana e Kosovës do të ketë qasje në mallrat që zbarkohen në port dhe që vazhdojnë pastaj në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas një analize që Shala ka përmendur, vetëm 8 për qind e produkteve portale aktualisht vijnë në Kosovë përmes porteve të Shqipërisë, ndërsa nëpërmjet porteve të Ballkanit në Kosovë arrijnë 92 për qind e mallrave. Nëse arrihet që për një periudhë të shpejtë të zhvillohet Shëngjini, në dhjetë vitet e ardhshme ky proporcion do të ndryshojë në të mirë të tij.
Këtij investimi do t’ia shihte hairin edhe Shqipëria, pasi që aty do të hapen vende të reja punë për banorët vendorë, por edhe do të vjelë taksa, të cilat institucionet e Kosovës do t’i paguajnë për mallrat që kalojnë transit.
Gjatë javës së ardhshme, një delegacion prej 4 ministrave nga Kosova do të qëndrojë në Shqipëri për biseduar për këtë çështje dhe për fillimin e punimeve në pjesën e Kosovës për autostradës Durrës-Kukës-Morinë.
e hënë , 23 shkurt 2009
Katër ministra kosovarë kanë udhëtuar drejt Shqipërisë, për të diskutuar me autoritetet e Tiranës rreth mundësisë së daljes në det të Kosovës. Sipas planit, atje do të jetë një pikë e re doganore e Kosovës, e njëherësh një arsye më shumë për të vënë masa reciprociteti ndaj Serbisë për bllokimin e mallrave. Ministri i Transportit..., Fatmir Limaj, duke e konsideruar si interes kombëtar Portin e Shëngjinit, ka premtuar se edhe punimet për autostradën do të përfundojnë brenda disa muajsh.