Takimi në burg, Prokuroria refuzon babain e Dritan Dajtit

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P


Prokuroria për Krimet e Rënda refuzon kërkesën e Hasan Dajtit, babait të Dritan Dajtit, për të takuar djalin e tij në Spitalin e Burgjeve, ku ai ndodhet aktualisht. Bëhet e ditur, se shkak si shkak i refuzimit ka qenë mungesa e një konfirmimi nga ana e bluzave të bardha për mundësinë praktike të të plagosurit Dajti për të takuar familjarët. 67-vjeçari Hasan Dajti, babai i Dritan Dajtit, është paraqitur dje në orët e paradites në Prokurorinë për Krimet e Rënda, ku ka kërkuar mundësinë e një takimi me djalin e tij të plagosur. Mësohet se ai e ka argumentuar vizitën në Spitalin e Burgjeve me gjendjen jo të mirë shëndetësore të djalit të tij. Sipas kërkesës së paraqitur në Prokurori, babai i Dajtit ka kërkuar të takonte të birin, jo vetëm prej plagëve të plumbave, por edhe për shkak të sëmundjes së diabetit, prej së cilës Dritan Dajti vuan prej disa vitesh. Ndërsa ka kërkuar takim, babai i Dritan Dajtit ka hasur në refuzimin e përfaqësuesve të organit të Prokurorisë. Po kështu, familjarët kanë kërkuar që të lejoheshin për t’i dërguar 38-vjeçarit të arrestuar ushqime dhe veshmbathje.
Refuzimi
Sipas Prokurorisë, një takim me Dritan Dajtin nga ana e pjesëtarëve të tij të familjes nuk ishte i mundur deri në momentin që nuk kishte një konfirmim nga ana e personelit mjekësor të spitalit të burgut. Mësohet se konfirmimi i bluzave të bardha nënkupton vlerësimin nga ana e personelit mjekësor, nëse Dajti mund të lëvizë dhe të takohet me pjesëtarë të familjes së tij, në ambientin e caktuar për takime me familjarë në Spitalin e Burgut. Qelia ku mbahet Dajti ndodhet në një distancë prej disa metrash nga dhoma e takimeve në institucionin e Spitalit të Burgjeve, çka i plagosuri e ka të pamundur lëvizjen për shkak të tre plumbave që ka marrë gjatë operacionit për arrestimin e tij. Mjekët ende nuk janë shprehur nëse Dajtit i lejohet që të lëvizë apo jo nga shtrati në të cilin qëndron prej një jave. Të paktën momentalisht ai po trajtohet me ndihmë mjekësore intensive, ndërsa është ekzaminuar nga një staf mjekësor në lidhje me dëmtimet që ka marrë.
Mjekimi
Dritan Dajti u dërgua në Spitalin e Burgjeve në Tiranë pasditen e së premtes, pak orë pasi u prangos në zonën pranë pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit. I plagosur nga punonjësit e policisë, në përballjen me armë me ta, që përfundoi me pesë të vdekur, katër prej të cilëve oficerë policie të repartit special GOS, ai mori ndihmën e shpejtë në spitalin e Durrësit. Ndërsa pas ndihmës së parë, ai u dërgua në Spitalin e Burgut, në kryeqytet, ku qëndron aktualisht nën masa të rrepta sigurie. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me punonjësit e Grupit të Operacioneve Speciale, të cilët do të mundësonin arrestimin e tij, Dajti mori tre plagë plumbash, dy në trup dhe një në këmbë. Prania e Dritan Dajtit në mjediset e Spitalit të Burgjeve, ku po kurohet, ka bërë që në këtë institucion të përforcohen masat e sigurisë, ku në ndihmë të policisë së burgjeve qëndrojnë edhe efektivë specialë.

Vata: Dajti drejt përmirësimit, s’kemi vendosur kur do i heqim dy plumbat
TIRANE – “Lejet për të takuar të paraburgosurit janë ekskluzivitet i Prokurorisë. Dritan Dajti është një i paraburgosur si gjithë të tjerët dhe nuk përjashtohet në asnjë mënyrë rasti i tij”. Ylber Vata, Drejtori i Spitalit të Burgjeve pohoi dje se institucioni i tij nuk ka penguar familjarët e Dritan Dajtit për ta takuar atë në spitalin ku po kurohet. Sipas drejtorit Vata, nëse familjarët do të kenë një leje të rregullt të dhënë nga Prokuroria, atëherë ata mund ta takojnë 38-vjeçarin, duke ndjekur të njëjtat procedura si me të burgosurit e tjerë që ndodhen në këtë institucion. Deklarata e Vatës erdhi dje pasi Prokuroria refuzoi kërkesën e Hasan Dajtit, të atit të Dritanit, për të takuar të birin në burg. Refuzimi i organit të akuzës u mbështet në pretendimin se mjekët ende nuk kishin dhënë një përgjigje nëse Dajti ishte në gjendje fizike, që mund të lëvizte nga qelia e vet për te qelia e takimeve në Spitalin e Burgjeve. I pyetur mbi gjendjen shëndetësore të Dritan Dajtit, drejtori Vata pohoi se shëndeti i tij po shkon drejt përmirësimit të vazhdueshëm. “Dy ditë më parë, Dajti i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale ekzaminuese për sa i përket plagëve, gjurmëve të plumbave, dhe lëvizja e plumbave nëpër trup”, - sqaroi kreu i Spitalit të Burgjeve. Sipas drejtorit Vata, në trupin e 38-vjeçarit Dritan Dajti aktualisht ndodhen dy plumba, një që i ka hyrë në ije dhe tjetri, që është më problematik, në shpatull dhe që i ka prekur mushkërinë. Ndërkohë, Dajti ka marrë edhe një plumb të tretë në këmbë, i cili ka qenë tejshkues dhe që plaga e shkaktuar nga ky plumb është mjekuar dhe po shkon drejt përmirësimit. Po kështu, sipas kreut të Spitalit të Burgjeve, Dajtit i janë kryer nga stafi mjekësor dhe sanitar të gjitha shërbimet në qeli, si dhe është dhënë ndihma e duhur mjekësore. Duke vazhduar, drejtori Vata tha se Dajti ka marrë të gjitha mjekimet që i kanë dhënë mjekët, të cilët e ekzaminuan. Vata pohoi më tej se ende nuk është vendosur nëse Dajti do i nënshtrohet një operacioni kirurgjikal për heqjen e dy plumbave dhe kur do të kryhet ky operacion. Duke folur në lidhje me rrezikun për jetën e Dajtit, drejtori Vata pohoi se jeta e tij është e sigurt, edhe pse ka dy plumba në trup. Drejtori pohoi se tashmë plumbat janë përcaktuar ku ndodhen dhe se janë neutralizuar. Fakt ky, që u jep mjekëve mundësinë për të ndërhyrë në një kohë të mëvonshme, duke mos i sjellë pasoja të plagosurit. fa.ma.


Berisha në familjet e policëve: Ranë si heronj
Kryeministri, Sali Berisha, vizitoi dje familjet e katër policëve të rënë në Durrës gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit. Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve ngushëllimet më të thella të tij dhe të Qeverisë që ai drejton për humbjen e jetës së njerëzve të dashur të tyre, duke vlerësuar se kjo humbje është një dhimbje e madhe për të gjithë, por heroizmi i tyre është frymëzues për çdo shqiptar. “Kjo është një dhimbje që, po aq sa familjarët, e kanë ndjerë të gjithë shqiptarët, sepse ata dhanë jetën për atë që është më e shtrenjtë për gjithë shqiptarët, për sigurinë, qetësinë, rendin dhe ligjin. Ata ishin më të mirët e më të mirëve, kishin një karrierë të shkëlqyer dhe ranë vetëm sepse donin të zbatonin ligjin. Ata nuk donin të qëllonin, por të zbatonin ligjin. Mes të qenit gjallë dhe zbatimit të ligjit, tha Kryeministri, ata zgjodhën ligjin, sepse ata janë heronj dhe faktuan se ky është morali dhe shpirti i policisë”, theksoi kreu i Qeverisë. Kryeministri Berisha siguroi se lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar është dhe do jetë në qendër të përpjekjeve të qeverisë dhe të së gjitha strukturave të rendit në vend.


Dajti i shpëtoi Interpolit në Spanjë

Armand Bajrami

Dritan Dajti, i shumëkërkuari i arrestuar pak ditë më parë, ka sfiduar me arratinë e tij për 6 vite me radhë jo vetëm strukturat e policisë shqiptare, por edhe vetë Interpolin. Fakti që njeriu që ekzekutoi 4 oficerë policie në aksionin për arrestimin e tij, qëndronte “një hap përpara” lëvizjeve të njerëzve të ligjit, ka bërë që “t’i shpëtojë nga thonjtë” oficerëve të Interpolit pak muaj më parë. Lajmi konfirmohet për “Panorama”-n nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. “Dritan Dajti ishte lokalizuar nga forcat e Interpolit në Spanjë rreth dy muaj e gjysmë më parë, por nuk u mundësua prangosja e tij”, tha dje një zyrtar i Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, oficerët e Interpolit kishin të dhëna që i shumëkërkuari Dajti kishte lëvizur në drejtim të shtetit të Gadishullit Iberik. Ndërsa është komunikuar në njësinë homologe të Interpolit në Spanjë është bërë e mundur lokalizimi i vendndodhjes së personit që qëlloi të premten e kaluar mbi trupat e katër policëve të GOS-it.
Identifikimi
Referuar burimeve pranë Policisë së Shtetit, bëhet e ditur se pasi është gjendur vendndodhja e tij dhe është identifikuar si Dajti, ai është mbajtur disa kohë nën vëzhgim. Më pas është vepruar për ndalimin dhe arrestimin e tij. Por përsëri, Dajti ka “triumfuar” duke mundur të mos bjerë në prangat e policisë. Ndërsa burime jozyrtare sqaruan se mes Dajtit dhe oficerëve të Interpolit në Spanjë ka pasur edhe përballje me armë. Bëhet e ditur se, veç Spanjës ka pasur të dhëna që Dritan Dajti ka shkelur edhe shtete të tjera të Evropës, si Gjermania dhe Belgjika, dhe se “dështimi” i Interpol në Spanjë nuk ka qenë i vetmi rast. Vetëm pak ditë më parë, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit pranuan faktin që gjatë gjashtë viteve të arratisë, Dritan Dajti i ka “shpëtuar” me dhjetëra herë aksioneve policore për arrestimin e tij, përfshi edhe operacione të përgatitura nga reparti special RENEA.
Hetimi
Burime pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda bënë të ditur dje se janë zbardhur një pjesë e tabulateve të telefonatave të kryera nga aparatet celularë në pronësi të Dritan Dajtit. Mes thirrjeve të kryera nga 10 celularët, që iu sekuestruan Dajtit pas arrestimit të tij të premten, janë edhe ato mes numrave të punonjësve të policisë. Bëhet e ditur se emrat e punonjësve të uniformave blu, që kanë komunikuar me Dajtin do të thirren në prokurori në ditët në vazhdim. Ata do të merren në pyetje nga prokurorët e çështjes ku do të japin edhe shpjegimet përpara përfaqësuesve të akuzës për bisedat e tyre telefonike me të shumëkërkuarin. Tre ditë më parë, organi i akuzës, i kërkoi zyrtarisht kompanive telefonike në vend zbardhjen e tablateve të telefonatave hyrëse dhe dalëse të kryera në numrat telefonikë, që janë përdorur nga Dritan Dajti gjatë kohës që ndodhej në kërkim. Kjo, pasi pas sekuestrimit të telefonave, rezultoi se Dajti fshinte çdo thirrje hyrëse apo dalëse nga aparati i tij celular, menjëherë pas kryerjes së saj. Në listat e kontakteve në aparatet celularë të Dritan Dajtit, ekzistonin emra të personave të rëndësishëm, të sferës zyrtare dhe të biznesit, si edhe emra të inspektorëve të policisë së Durrësit dhe të Tiranës.


“Dajti i shpëtoi dhjetëra aksioneve”
TIRANE - “Jo vetëm dy rastet e bëra publike, por janë dhjetëra rastet kur Dritan Dajti u ka shpëtuar prangave policore për gjashtë vite me radhë, përfshi edhe RENEA-n”. Deklarata u bë nga kryepolici shqiptar Ahmet Prençi, pak ditë më parë gjatë një prononcimi për “Panorama”. Sipas Prençit, Dajti kishte mundur shumë herë t’iu shpëtonte prangave, ndoshta për shkak të njohjeve dhe lidhjeve që kishte në polici. Prençi pohoi gjithashtu se përveçse policia kishte vënë në dispozicion të hetimit të ngjarjes së rëndë të vrasjes së katër oficerëve të policisë, të gjitha kapacitetet hetimore, paralelisht me këtë SHKB ka nisur hetim përsa i përket njohjeve të Dajtit në radhët e uniformave blu. Prençi pohoi se menjëherë sapo të zbardhen implikime të policëve në operacionet e dështuara do të merren masa ndaj tyre, ku më e pakta do të jetë largimi i tyre nga detyra. Po kështu Prençi pohoi se operacioni për kapjen e Dajtit ishte dokumentuar në institucionin e Policisë së Shtetit. f.m.


Sindikata: Policët pa kontrata sigurimi jete

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta doli dje në një konferencë për shtyp ku pasi shprehu ngushëllimet për familjet e katër policëve të rënë në krye të detyrës deklaroi se Policia e Shtetit nuk posedon kontrata sigurimi të jetesës së policëve. “Gjithë punonjësit e policisë përkulen me respekt para veprës sublime të tyre duke u angazhuar solemnisht se do të luftojnë pareshtur krimin dhe rritur performancën e tyre profesionale duke reformuar çdo strukturë policore për të qenë të afta në këtë përballje me sa më pak humbje jete”, deklaroi Fishta. Gjithashtu ai shtoi se është e pafalshme që punonjësit e Policisë së Shtetit ende punojnë dhe rriskojnë jetën e tyre pa kontrata sigurimi të jetës së tyre dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri. Askush nuk është marrë deri tani me këtë problem në një kohë që numri i të rënëve në krye të detyrës arrin në 238 punonjës policie, ku vetëm për këtë vit u regjistruan 6 dëshmorë. Fishta ka kërkuar gjithashtu që qeveria të ktheje në shqyrtim ligjin për pensione suplementare.


“Do sqarojnë përplasjen me armë”
Prokuroria: Do pyesim dy oficerët e mbijetuar

TIRANE - Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që të thërrasë për të marrë në pyetje dy oficerët e mbijetuar të masakrës së 7 gushtit, ku mbetën të vrarë 4 kolegët e tyre. Sipas burimeve nga organi i akuzës, dëshmitë e dy oficerëve, emrat e të cilëve nuk mund të bëhen të ditur për arsye hetimi, janë mjaft të rëndësishme dhe mund të hedhin dritë rreth ngjarjes. Ata mund të zbardhin mjaft detaje për policinë dhe prokurorinë, të cilat edhe pse kanë kaluar 6 ditë nga ngjarja, ende mbeten të paqarta. Njëri prej tyre ka qenë ai që ka “rrëzuar” Dritan Dajtin, pasi ai kishte lënë të vdekur katër policë dhe mikun e tij. E ndërsa tjetri merrej me arrestimin e Elvis Xhoxhit, i cili ishte i paarmatosur, kolegu që plagosi Dajtin, arriti që t’i mbërthejë edhe prangat në duar. Burime nga organi i akuzës sqaruan se përfundimisht është hedhur poshtë dyshimi se operacioni ishte filmuar nga ndonjë oficer tjetër, që mund të ishte i pranishëm në momentin e ngjarjes. Por, sipas burimeve, është dokumentuar se numri i oficerëve të policisë që kanë marrë pjesë në aksion ka qenë gjashtë dhe koha në dispozicion nuk ka qenë e mjaftueshme, po ashtu as rrethanat nuk kanë qenë të favorshme për t’u filmuar operacioni. Fillimisht u hodhën dyshime nga Prokuroria se po refuzohej të jepej si provë kaseta filmike e operacionit, duke pretenduar se policia e fshihte, por gjithçka u vërtetua dhe u arrit në përfundimin se gjatë aksionit nuk ishte filmuar asgjë
*panorama*
 
Back
Top