PRISHTINE – Zv/kryeministrja kosovare Edita Tahiri bëri të ditur se raundi i radhës i dialogut teknik me Beogradin pritet të zhvillohet më 21 nëntor.
Kryenegociatorja Tahiri deklaroi për gazetën “Epokën e re” se në takimin e radhës do të diskutohet për çështjen e bashkëpunimit rajonal, telekomin, energjinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Tahiri bëri të ditur se ka komunikuar nëpërmjet një videokonference me ndërmjetësin e BE-së, Robert Cooper.
“Me z. Cooper kemi biseduar edhe për përgatitjet për mbajtjen e raundit të radhës, por ende nuk është konfirmuar nëse mund të mbahet të hënën e ardhshme. Mirëpo, mund të them se kjo është një datë preliminare, por këtyre ditëve mund të saktësohet”, -deklaroi Tahiri.
“Të gjitha përpjekjet janë që më 20 nëntor të arrihet pajtimi në mes të palëve për implementim, ku do të përfshihet dinamika dhe datat e implementimit që janë në kuadër të kërkesës së Qeverisë së Kosovës dhe timen si kryenegociatore, që më 20 nëntor duhet të fillojë zbatimi i katër marrëveshjeve: lëvizja e lirë, njohja reciproke e diplomave universitare, kthimi i dokumentacionit kadastral dhe regjistrave civilë”, -shpjegoi më tej Tahiri.
Sipas Tahirit, qeveria e Kosovës është e gatshme në parim për një marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e kufijve.
“Dua të theksoj edhe atë që kryeministri Thaçi e nënvizoi në mbledhjen e Qeverisë, se çështja e menaxhimit të integruar të kufijve nuk ka të bëjë me çështjen e kufijve, prandaj duhet të kuptohet drejt se çështja e menaxhimit të kufijve nënkupton pajtimin e dy shteteve për t’i menaxhuar në mënyrë të integruar kufijtë dhe doganat. Ky është një proces kryekëput teknik”, -deklaroi Tahiri.
(er.nu/BalkanWeb)