Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës e kanë dënuar ashpër sulmin që ka ndodhur të mërkurën në Klinikën Interne të QKUK-së, ku internisti dr. Ibrahim Rrudhani, është sulmuar në orar të punës nga dy individë civilë, të cilët dyshohet se janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Rasti ka ndodhur të mërkurën në mëngjes dhe në kohën kur mjeku i sulmuar ka qenë në orar të punës, ndërsa QKUK i ka njoftuar për këtë sulm organet e rendit, të cilave u është kaluar rasti.
“Për Ministrinë e Shëndetësisë, janë të papranueshme rastet e kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj personelit të QKUK-së dhe institucioneve të tjera shëndetësore në vend”, thuhet në reagim.
Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin këtë rast dhe rastet e tjera, të sulmeve ndaj mantelbardhëve, duke sjellë para drejtësisë sulmuesit, ndërkohë që nga qytetarët kërkohet që të kenë mirëkuptim dhe respekt për punën dhe dinjitetin e punëtorëve shëndetësor, të cilët brenda kushteve dhe mundësive që kanë po ofrojnë shërbime shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim.
*Telegrafi*