Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajt seanca ndaj të pandehurit Fazli Sejdiu, i ngarkuar për tentim vrasjeje ndaj familjes së kryeministrit, Hashim Thaçi në qershor të vitit 2008. Së bashku me të gjatë kësaj seance janë paraqitur edhe të pandehurit Alban e Kushtrim Geci dhe Orgest Prelvukaj.
Prokuroria Publike e Qarkut ka grumbulluar të gjitha provat në lidhje me Fazli Sejdiun. Avokatët mbrojtës ndërkaq kanë shprehur besimin se seanca konfirmuese nuk do të mbahet, pasi sipas tyre, nuk ka prova bazë për atë çka akuzohen të pandehurit.
Gjatë seancës për konfirmim të aktakuzës, prokurori publik i Qarkut Osman Mehmeti ka ngarkuar Fazli Sejdiun me veprat penale vrasje e rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Shefqet Bytyqi, avokat mbrojtës i të pandehurit Fazli Sejdiu, pas përfundimit të seancës tha që shpreson se aktakuza e prokurorisë nuk do të konfirmohet nga gjyqtari i procedurës paraprake, pasi që, sipas tij, nuk ekzistojnë faktet dhe provat se klienti i tij ka kryer veprat penale, që i janë vënë në barrë.
Ndaj tre të pandehurve të tjerë Alban e Kushtrim Geci dhe Orgest Prelvukaj, prokurori ka propozuar që akuza të ndërtohet mbi veprat penale moslajmërim i kryerjes së veprës penale neni 304 dhe dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale neni 305.
Aktakuza ndaj Fazli Sejdiut dhe tre të pandehurve të tjerë, Alban e Kushtrim Geci dhe Orgest Prelvukaj pritet të konfirmohet ose të hidhet poshtë gjatë kësaj jave nga gjyqtari i procedurës paraprake.
*RTV21*