Love
βeℓℓe â๓e
Pas gjashtë vitesh abuzim, Allah Rakhi po bëhej gati t’i jepte fund martesës saj, kur i shoqi goditi sërish. Me një thikë në dorë, ai i preu asaj hundën. “Nuk je më e bukur,” i ulëriti.
“Një grua është grua vetëm në shtëpi, jashtë saj është vetëm një Rrugaçe,” tha ai, ndërkohë që e shoqja ishte shtrirë në mes të rrugës e gjakosur.
Kjo ndodhi 32 vite më parë.
Në atë kohë Rakhi e fshihte fytyrën e saj me një vello. Por në mars të këtij viti, një kirurg mori mish nga brinjët e saj dhe i rregulloi asaj një hundë, duke i transformuar jetën.
Ndërkohë që detajet e çdo rasti të dhunës ndaj grave në Pakistan ndryshojnë nga njëra- tjetra, përgjithësisht ato bazohen tek koncepti i ‘nderit të familjes’.
Gratë sulmohen pas dyshimeve për një aferë, sepse duan divorcin ose sepse vishen në mënyrë të papërshtatshme.
Qindra gra vriten çdo vit për shkak të këtyre dyshimeve të pabazuara.
Hunda konsiderohet si simbol i nderit familjar në Pakistan, çka shpjegon se pse burrat kanë si shënjestër hundën. Një lutje që bëjnë prindërit për fëmijët e tyre është ‘kujdesu për hundën tonë’, që do të thotë mos na dëmto reputacionin e familjes.
Gjykatat në Pakistan japin vetëm dënime të lehta për këto raste. Dhe ta mendosh se shumë pak raste shkojnë në gjykatë.
Për shembull burri i Rakhi bëri dhjetë muaj burg përpara se të lirohej me kusht që të paguante faturat shëndetësore të ish-të shoqes. Nuk e bëri kurrë këtë.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Pakistan thotë se vetëm vitin që shkoi të paktën 943 gra u vranë, 9 grave iu pre hunda, 98 u torturuan, 47 grave iu vu flaka dhe 38 u sulmuan me acid. Përpjekjet për të paraqitur një ligj të fortë për ndëshkimet ndaj atyre që dhunojnë gratë janë penguar nga një parti islamike, që mbështet publikisht talibanët. Partia është në koalicion qeverisës. Një senator i kësaj partie tha se nëse do e bëjnë këtë gjë, do shkatërrohen vlerat e familjes.
Burimi: Tema