Po të mos ishte Gjon Sinishta, nuk do të dinte asgjë për shqiptarët. Por, po të mos ishin shqiptarët, ai sot do të ishte një gazetar i lajmeve triviale, me një boshllëk të madh në shpirt. Stephen Suleyman Schwartz, gazetari dhe autori i shumë librave të njohur, në këtë intervistë për Telegrafin, flet për jetën e tij dhe për shqiptarët. Ai madje planifikon që shumë shpejtë të shpërngulet nga Kalifornia e bukur, për të jetuar në Kosovë.
Intervistoi: Daut Dauti
Fillesat e një miqësie të përjetshme
Telegrafi: Z. Schwartz, njiheni si mik i shqiptarëve. Si lindi marrëdhënia juaj me shqiptarët?
Schwartz: Fillimisht, më lejoni t'ju falënderoj për komplimentin e madh që ma dhatë duke thënë se njihem si mik i shqiptarëve. Kjo ka vlerë të madhe për mua.
Raportet e mia me shqiptarët filluan në vitin 1990, atëherë kur e takova Gjon Sinishtën - botuesin në mërgim të Buletinit Katolik Shqiptar - në San Francisko, aty ku të dy ne jetonim. Unë sapo kisha vizituar Kroacinë, shtet ky që kishte mbajtur zgjedhjet e para post-komuniste. Gjoni kuptoi nga shkrimet e mia në The San Francisco Chronicle - ku punoja si gazetar i lajmeve ditore - se isha kritik ndaj Slobodan Milosevicit, prandaj isha një mik dhe një kontribuues potencial në punën e tij.
Unë nuk isha katolik, por një besimtar në Zot në një kuptim abstrakt. Atëherë nuk kisha ndonjë fe formale. Në vitin 1997 u bëra mysliman, që është feja ime e parë dhe insha’allah feja ime e fundit. Sidoqoftë, isha dhe kam mbetur mik i katolikëve, sepse në shtete të shumta ata ishin kundërshtarët më aktivë të komunizmit.
Gjoni kërkoi nga unë që të punoja me të në botimin e tij, të cilin gjë e bëra për gjashtë vite, derisa ai vdiq në vitin 1995. Gjatë vitit të parë më ka paguar, por pas kësaj i thash se nuk ka nevojë më, duke i kërkuar atij që të më mësojë gjithçka që një prift katolik di për kulturën dhe për historinë shqiptare. Gjoni ishte shkolluar për t’u bërë prift, por kurrë nuk u konfirmua si i tillë, meqë u largua nga Shqipëria. Ai u bë "babai im i dytë", duke më ndihmuar në krizat e mia personale dhe duke sjellë stabilitet dhe frymëzim në jetën time, për çka i jam thellësisht mirënjohës.
Transformimi ideologjik
Telegrafi: Ju - dhe shumica e atyre që ishit majtistë gjatë viteve te ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar - keni kaluar në taborin e neokonservatorëve. اka ndodhi me ju dhe të tjerët? Si dhe pse kaluat në këtë “tabor” dhe si u konvertuat në mysliman?
Schwartz: Jam ndarë nga e majta dhe jam bërë neokonservator kryesisht për shkak të asaj që kam parë në Nikaragua në vitin 1984. Edhe më thellë kalova në neokonservatorizëm - nga trockizmi - për arsye se e kam urryer gjendjen në të cilën kishte degjeneruar komunizmi tek i cili kam besuar.
Në këtë aspekt duhet pasur parasysh tiraninë në Kubë dhe eksportin komunist në Grenadë, Nikaragua dhe El Salvador; imperializmin rus dhe kuban në Afrikë; okupimin e Afganistanit; pafuqinë kulturore të shteteve socialiste - pos disa shkëndijave në Poloni, اekosllovaki dhe ish-Jugosllavi. Dëshiroja përfundimin e regjimit sovjetik dhe isha në gjendje të lidhesha me këdo që ka këtë qëllim - pos fashistëve.
Bëra aleancë politike me neokonservatorët në politikën e jashtme, me qëllim që të kundërshtoja diktatorët dhe të përkrahja intervenimin inteligjent, për çka reagimi i SHBA-ve në Kosovë ishte një shembull.
Konservatorët amerikanë dhe britanikë kanë qenë avokatët e linjës së parë për Bosnjën dhe Kosovën, por edhe për Kuvajtin, për çeçenët dhe myslimanët tjerë të shtypur.
Sot vetëm neokonservatorët i përkrahin çeçenët, ujgurët e sulmuar nga kinezët dhe myslimanët e Rohingias që shtypen nga Birmania.
Kjo nuk do të thotë se unë pajtohem me të gjitha ato që neokonservatorët besojnë apo që kanë bërë. Aleanca politike megjithatë i ka limitet e saja.
Lëvizja nga majtizmi radikal në neokonservatorizëm ka qenë më e zakonshme në Evropë sesa në SHBA. Përkundër evropianëve që nuk merakosen, amerikanët janë primitivë në këto çështje dhe kanë dyshime në ndërrimet politike.
Gazetari i njohur spanjoll, Pablo Pardo, e ka komentuar këtë çështje si në vijim: “Shkrimtari dhe gazetari amerikan Stephen Schwartz... është një ekzemplar i evolucionit ideologjik të botës në dekadat e fundit... Programi intelektual i Schwartzit në një mënyrë të veçantë reprodukon evolucionin e Perëndimit” (Pablo Pardo, El Mundo [Madrid], 8 Nëntor, 2007).
Nga viti 1984 kanë kaluar 30 vite nga e cila kohë kam raportuar si gazetar dhe kam studiuar rënien e ish-Jugosllavisë. Jam bërë mysliman në Bosnjë në vitin 1997, kur vrojtova betimin e boshnjakëve myslimanë të cilët betoheshin se kurrë nuk do t’ua bënin serbëve atë që ata ua kishin bërë myslimanëve. Duke e lexuar Kuranin në mënyrën përkatëse, në rrethana islamike, thash: “Ky është religjioni im”.
Unë nuk jam “konvertuar” për arsye se konvertimi do të thotë ndërrim i religjionit. Unë më parë nuk kam pasur religjion, pos nëse llogaritet “religjioni i Satanës” - komunizmi.
Nobeli i pamundshëm
Telegrafi: Keni dëshmuar njohuri dhe dashuri të madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. اka ju shtyri të keni respekt dhe të përfshiheni në këtë lëmi?
Schwartz: Në një mënyrë jam përgjigjur në këtë pyetje, duke e përshkruar takimin tim me Gjon Sinishtën. Pasi punoja me të, kam mësuar për shkrimtarët katolikë të Shkodrës, për historinë e shkrim-leximit shqip, për rolin e mbledhësve të mëdhenj të baladave, për ngjarjet frymëzuese të Rilindjes, për tentimin e mbrojtjes së lirisë nga fashizmi dhe komunizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore nga grupet si Balli Kombëtare, për rolin e bektashinjve në çlirimin dhe iluminizmin shqiptar, për luftën e Kosovës kundër imperializmit serb... Me pak fjalë: për çdo gjë të rëndësishme për shqiptarët.
Siç e kam thënë shpesh, e di se shqiptarët janë mirënjohës ndaj amerikanëve për mbështetjen e tyre kundër uzurpatorëve të huaj, sidomos për Woodrow Wilsonin që ka ndaluar ndarjen e Shqipërisë së sotme nga Greqia, nga Serbia dhe nga Italia, e deri te Bill Clintoni që e mbrojti Kosovën dhe George W. Bushi që njohu pavarësinë e saj. Ndërsa, unë u jam mirënjohës shqiptarëve që më shpëtuan nga mërzia, nga cinizmi, dhe nga pavlefshmëria e jetës si gazetar i lajmeve.
Po të mos ishin shqiptarët, do ta kaloja jetën si gazetar i lajmeve triviale të cilat njerëzit do t’i lexonin dhe do t’i harronin. Kam mundur të vdes si dështak. E, tash nuk paraqes dështim.
Kurrë në tërë jetën time nuk kam menduar se do ta kem shansin të punoj për tolerancën, për drejtësinë, për mirëkuptimin njerëzor. Shqiptarët më dhanë diçka për të menduar, që të ndjej dhe të shkruaj për atë tejkalim të mosqenies ekzistenciale të jetës së përditshme.
Telegrafi: Jeni i njohur edhe si kritik i ashpër kundër Ismail Kadaresë dhe si dikush që shkruan artikuj të pafavorshëm në shtypin botëror, sa herë që Kadare propozohet për اmimin Nobel për Letërsi. Ku e bazoni këtë refuzim dhe pse e mbani këtë qëndrim?
Schwartz: Fillimisht, është i pasaktë pohimi se unë shkruaj artikuj të pafavorshëm në lidhje me Kadarenë në shtypin botëror, sa herë që ai propozohet për çmimin Nobel. Ai është nominuar për çmimin Nobel për çdo vit, për fat të keq nga admiruesit e tij dhe nga njerëzit tjerë injorantë të cilët nuk e kuptojnë se lobimi për اmimin Nobel është një përpjekje e kotë dhe se kurrë çmimet Nobel nuk u janë dhënë marrësve të mundshëm nga "listat e shumta basteve". Ato janë gjithmonë befasi. Dhe, nëse ka ndonjë gjë në botën e letërsisë që nuk është novelë apo befasi, atëherë është tentimi i Ismail Kadaresë dhe i bandës së tij për ta marrë çmimin Nobel për të.
Unë nuk kam shkruar për të për disa vite, sepse e kam kuptuar se ai kurrë nuk do ta marrë اmimin Nobel. Puna e tij është shumë e dobët. Megjithatë, unë e kuptoj se shumë shqiptarë e konsiderojnë atë si figurën e tyre të vetme të rëndësishme në skenën botërore, dhe se janë të poshtëruar nga kritikat e mia ndaj tij. Kjo është një prej arsyeve se pse kam pushuar të shkruaj për të.
Si Enver Hoxha, si Ismail Kadare
Sidoqoftë, e konsideroj si një formë të fyerjes, për shqiptarët, që të besojnë se اmimi Nobel dhurohet si një medalje kolonialiste për shkrimtarët e panjohur nga vendet e varfra, dhe se Kadareja do ta marrë atë në mënyrë të pashmangshme sepse gjuha dhe letërsia shqipe janë të panjohura dhe se shqiptarët janë të varfër! Teoria se اmimet Nobel për letërsi u jepen autorëve për të cilët “shumë njerëz nuk kanë dëgjuar”, reflekton analfabetizmin e përgjithshëm të opinionit botëror. Por, ajo gjithashtu shpreh një pikëpamje raciste që sugjeron se një shkrimtar afrikan, apo të tjerët jashtë rrjedhave euro-amerikane, meritojnë një çmim të tillë duke qenë të çuditshëm: majmunë që mësojnë të shtypin në makinë shkrimi! Por, ne e dimë nga Timbuktu (qytet në Mali - v.j.) se afrikanët kanë qenë shkrimtarë që një kohë të gjatë dhe, siç kam mësuar unë, gjuha shqipe ka prodhuar personalitete të shquara - për shekuj me radhë.
Shumë çmime Nobel kanë qenë të denja për kritikë, mbi të gjitha ato të dhëna *****grafes hiper-moderniste Elfriede Jelinej më 2004 dhe shumë antiamerikanë të pavlerë si Harold Pinteri më 2005. Por, pothuaj të gjithë fituesit e Nobelit, e kanë merituar vërtet atë, siç është rasti i mikut dhe mentorit tim Octavio Paz në vitin 1990, që ka një volum serioz të veprave.
Për dallim nga këta, Kadare ka shkarravitur kryesisht noveleçka që vlejnë vetëm për lexime pushimi. I pajisur me një thesar të peizazhit shqiptar, të kulturës dhe historisë, ai është i paaftë të zhvillojë karaktere apo të ndërtojë narracione imponuese.
Ai ishte dhe është një therrë e ngritur në pozitë të lartë nga ana e Enver Hoxhës. Hoxha ka vepruar sikur të thoshte se “Shqipëria fillon me mua”, dhe Kadare ngjashëm e paraqet veten sikur thotë se “letërsia shqiptare fillon me mua”. Shqipëria nuk nisi me Enver Hoxhën dhe letërsia shqiptare nuk nisi me Kadarenë. Unë di njëjtë për Skënderbeun dhe Pjetër Bogdanin, aq sa di edhe për Hoxhën dhe Kadarenë.
Jam mësuar nga Gjon Sinishta që ta përbuzi Kadarenë, jo vetëm për gënjeshtrat që ai i tha për veten e tij - duke e paraqitur veten si një "disident" nën regjimin komunist, derisa ai ishte një prej funksionarëve të saj - por, edhe për sulmet e tij të shumta dhe të çmendura ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare . Ai i dënoi autorët katolikë si Gjergj Fishta, poetët shqiptarë myslimanë të cilët i hedhë poshtë si "homo****ualë", ndërsa kishte arrogancë të pabesueshme për të sulmuar Faik Konicën për shoqërinë e tij me Guillaume Apollinairen. Edhe pse Apollinaire ishte një nga poetët më të mëdhenj të shekullit XX, Kadare lehte si qen nga zinxhiri që tërhiqte Hoxha, duke e etiketuar Apollinairen si një modernist dekadent.
Kadareja është një njeri i cili pasi është i vdekur dhe i paaftë për të çuar më shumë pluhur, do të harrohet shpejtë dhe me meritë. Unë kam zgjedhur kohët e fundit që ta trajtoj sikur të ishte i vdekur, dhe ta harroj. Ai është bërë personi që një herë e kishte përshkruar: një gjeneral i ushtrisë së vdekur, të adhuruesve të pavlefshëm. Ata janë të mirëpritur për të.
Kosova sot dhe rreziqet nga radikalizmi
Telegrafi: Ju keni kaluar një kohë të konsiderueshme duke punuar në Kosovën e pasluftës dhe vazhdoni ta vizitoni Kosovën. Cilat janë ndryshimet që i shihni se janë bërë në Kosovë?
Schwartz: Me shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës, që janë sipërmarrës të mirë, Kosova ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin e bizneseve të vogla. Përveç kësaj, ka një ngritje të mrekullueshme kulturore dhe intelektuale në Kosovë. Por, Kosova frenohet nga mafia ndërkombëtare imperialiste humanitare, përfshirë OSBE-në dhe EULEX-in, të cilat e trajtojnë atë si një koloni dhe bëjnë pak ose asgjë për të zbutur shkallën e lartë të papunësisë apo për të përmirësuar shkollat e saj. Megjithatë, Kosova sot është një shoqëri me zhvillim të shpejt dhe interesant - në një mjedis të bukur.
Telegrafi: Jeni gjithashtu drejtor i Qendrës për Pluralizëm Islamik. Këtu ju tërhiqni vërejtjen kundër vahabizmit në trojet shqiptare. Shumë thonë se nuk ka asnjë rrezik për këtë dhe se nuk ekziston vehabizmi këndej. Pse qëndrimi juaj është ndryshe?
Schwartz: Si një mysliman, pajtohem se nuk ka vahabizëm të një rëndësie të madhe në mesin e shumicës së besimtarëve shqiptarë. Por, është e qartë për secilin se mbështetësit e vahabizmit dhe të Vëllazërisë Myslimane kanë depërtuar në shtresat më të larta të aktivitetit islam në Kosovë. Ndryshe, figurat satanike si Shefqet Krasniqi dhe palaçot si Fuad Ramiqi nuk do të kishin audiencë.
Por, situata në Kosovë është shumë më e mirë se në Maqedoni, ku radikalët kanë kontroll të plotë të Bashkësisë Islame, apo në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë ku ata janë me ndikim - por, dështojnë të krijojnë dominim.
Unë besoj se politikanët sllavë në Serbi dhe në Maqedoni inkurajojnë hyrjen e radikalëve në mesin e besimtarëve myslimanë, për të përçarë myslimanët, për të dëmtuar trashëgiminë e moderuar, tradicionale, konvencionale dhe shpirtërore të islamit në rajon, dhe për të projektuar imazhin e urryer të myslimanëve si ekstremistë. Me këtë metodë, politikanët serbë dhe maqedonas shpresojnë të grimcojnë shqiptarët dhe të mobilizojnë sllavët për të mbështetur politikën e mafisë. Kjo është strategjia klasike e provokimit dhe diversionit, e krijuar nga rusët kohë më parë dhe që ende aplikohet nga ana e tyre në Kaukaz.
Situata në Bosnje-Hercegovinë, e cila është shumë më e keqe se në Kosovë, nuk është e nxitur nga synimet sllave, por nga joshja e parave të huaja islamike, nga Arabia Saudite në rastin vehabist - që është zvogëluar - si dhe nga Katari e Turqia ku është përhapur ideologjia e Vëllazërisë Myslimane.
Telegrafi: Meqë thoni se paraqesin rrezik, cili është ai?
Schwartz: Rreziku kryesor në infiltrimin e radikalëve islamikë në komunitetet e Ballkanit, është ai i natyrës shpirtërore. Miratimi i radikalizmit në fe, madje edhe si një trill rinor, mund të ndryshojë islamin kosovar nga të qenit, siç është sot, një ndër shembujt më të mirë të islamit në botë, në një imitim të talibanizmit - më të keqin në botë. Rreziku i dytë është tek përmbysja e lëvizjes kombëtare për vetëvendosje.
Hebrenjtë ua kthyen shqiptarëve të mirat
Telegrafi: Ka shumë diskutime për faktin e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ekziston përshtypja se Izraeli nuk e vlerëson këtë dhe se nuk e ka ndërmend ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Schwartz: Dihet se shqiptarët nuk i kanë shpëtuar hebrenjtë - gjatë Luftës së Dytë Botërore - për ndonjë shpërblim. Dikush po ashtu mund të thotë se Izraeli nuk ndjek politikat e saj të njohjes dhe të mbështetjes duke bazuar në kalkulimet ditore. Për fat të keq, Izraeli mbetet një nga vendet e pakta në botë që ende strehon një lob serb, si në mesin e hebrenjve ashtu edhe në mesin e palestinezëve, e ku këta të fundit konsiderohen miq të mëdhenj nga Beogradi.
Përveç kësaj, ashtu si Spanja, Izraeli i frikësohet precedentit për njohjen e shteteve të reja nga subjektet e tyre të mëparshme. Në këtë drejtim, Kosova është ndoshta më shumë si Katalonia se si Palestina.
Por, Izraeli ka shprehur mirënjohjen për shpëtimin e hebrenjve, dhe ka zhvilluar marrëdhënie të mira me Shqipërinë. Nëse Kosova kërkon njohje nga Izraeli, ajo pa dyshim se do të vijë. Durimi është një virtyt shqiptar, islamik dhe hebre.
Së fundi, megjithatë duhet thënë se në qoftë se hebrenjtë kishin një borxh ndaj shqiptarëve për shpëtimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai është shpaguar në vitin 1998, kur politikanët amerikanë hebrenj, si Tom Lantos - mbijetues i holokaustit - Benjamin Gilman, Eliot Engel dhe të tjerët (Madeleine Albright, James Rubin, Richard Holbrooke...) - së bashku me Robert Dolen - ishin në rreshtin e parë të atyre që kërkuan intervenim për të ndalur gjenocidin ndaj shqiptarëve. Udhëheqësit fetarë dhe liderët e komuniteteve izraelito-amerikanë po ashtu kanë avokuar për ndihmë për kosovarët. Zëri i tyre u dëgjua.
Nuk ka asnjë arsye të kërkohet më shumë nga hebrenjtë se ajo që ua dhanë shqiptarëve, për të cilët ata dinin shumë pak më parë. Opinioni hebre ka mësuar tash vonë për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa unë pres një përmirësim të marrëdhënieve të Kosovës - me të gjitha shtetet racionale.
Nga Kalifornia në Kosovë
Telegrafi: Në shumë raste keni thënë se planifikoni të shpërnguleni e të jetoni në Kosovë. Pse doni të vini në një vend nga i cili shumica e popullit do të donte të ikte e të jetonte diku tjetër?
Schwartz: Aktualisht jetoj në Kaliforni, dhe gjithkush dëshiron të jetojë në Kaliforni. Shumë njerëz mund të mendojnë se jam i çmendur që dua ta braktisi këtë vend. Por, unë i kam shteruar mundësitë e mia këtu. Kosova mbetet e re për mua, dhe është një vend ku unë mund të bëjë një ndryshim shumë të madh dhe pozitiv, duke ndihmuar myslimanët kundër radikalëve, duke mbështetur shqiptarët kundër uzurpatorëve të huaj dhe intrigave serbe, dhe duke ndihmuar në procesin mahnitshëm nga i cili librat nga e tërë bota përkthehen dhe lexohen në gjuhën shqipe - me të vërtetë, një eksperiencë unike sot, e panjohur kudo tjetër.
Të dyja, edhe Kalifornia e edhe Kosova, kanë realitete "sekrete". Kalifornia është joshëse, por "fshehurazi" është provinciale dhe pa inspirim. Unë njoh shumë njerëz këtu, por kam shumë pak miq të vërtetë. Njerëzit në Kosovë cilësohen nga të huajt si të largët, të dyshimtë dhe të pabesë, por përvoja ime me shqiptarët është më e mirë për bashkëpunim dhe më bujare sesa me kalifornianët, të cilët janë patologjikisht konkurrues në çështjet personale.
Në Kaliforni, suksesi pëlqehet si një autor. Kosova është larg nga kryeqytetet e botës, por njerëzit e saj "fshehurazi" janë të përfshirë në çështjet më të rëndësishme - kudo në botë. Si do të dukej një shoqëri post-komuniste në qoftë se njerëzit e saj janë sipërmarrës dhe mbështeten nga një diasporë e fortë, ndërsa duhet të luftojnë ndërhyrjen e trazovaçëve të huaj? Në këtë çështje kosovarëve janë përgjigjur më mirë dhe më qartë se kushdo tjetër në botë.
Pos kësaj, Kalifornia është shumë e shtrenjtë, siç janë vendet tjera ku amerikanët duan të jetojnë. Ndërsa, jeta e mirë është më pak e shtrenjtë në Kosovë. Po ashtu, e dua ushqimin dhe muzikën lokale. Një tas me tarator të freskët dhe një performancë e këngëve tradicionale janë të mjaftueshme për të më mbajtur mua të lumtur, së bashku me miqësinë e shqiptarëve të Kosovës që unë e njoh e për të cilën kam respekt të thellë. Unë preferoj shoqërinë e heronjve, të cilët janë të shumtë në Kosovë, e jo të qyqarëve që sundojnë sot botën.
Për fund, islami kosovar, sidomos pjesa e saj sufi, është ilaçi më i mirë për sëmundjet e zemrës sime. اeçenët e kanë një thënie: "Gjithçka që kemi është Allahu subhanawata'la dhe malet, por kjo mjafton”. E ndjej të njëjtën për Kosovën. Në Kosovë gjithçka që kam është sufizmi dhe Gryka e Rugovës, por kjo është e mjaftueshme për mua.
Telegrafi: Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve... gjatë tri dekadave të ardhshme?
Schwartz: Duke e pasur parasysh ndjenjën e lartë të shqiptarëve për solidaritet kombëtar, nivelin e lartë të aftësisë afariste dhe rolin pozitiv të diasporës në jetën publike, jam optimist për ardhmëninë e shqiptarëve.
Gjatë 30 viteve të ardhshme parashoh një rol shumë të zgjeruar të shqiptarëve në jetën e Maqedonisë. Institucionet shtetërore të Kosovës do të forcohen dhe kjo gjë do të përmirësojë profilin e investimeve në vend. Shqipëria do të bëhet qendër kryesore turistike dhe e biznesit në rajon - do të jetë Spanja e Adriatikut lindor, por gjithnjë duke shpresuar se nuk do t’i bëjë gabimet që i ka bërë Spanja. /Telegrafi/
___________________
Stephen Schwartz është drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington, autor i librit të njohur të botuar më 2008: “The Other Islam: Sufism and the Road to Global Harmony” (Islami tjetër: Sufizmi dhe rrëfimi për respektin)”.
Në vitin 2002 ka botuar bestsellerin “The Two Faces of Islam: Saudi Fundamentalism and Its Role In Terrorism” (Dy fytyrat e Islamit: Fundamentalizmi i Arabisë Saudite dhe roli i saj në terrorizëm”. Ai është po ashtu autor i librit “Sarajevo Rose: A Balkan Jewish Notebook” (Trëndafili i Sarajevës: Fletorja e një hebreu të Ballkanit”. Këto vepra, dhe disa të tjera, janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.
Stephen Schwartz ka lindur në vitin 1948 dhe ka një karrierë të gjatë e të suksesshme letrare e
gazetareske. Ishte për 10 vite anëtar i redaksisë së ditores The San Francisco Chronicle, si dhe sekretar i sindikatës së gazetave të Kalifornisë veriore. Në vitet 2004-06 ishte historian agjencisë federale amerikane, të njohur si Ndihma Nacionale për Art.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, shkrimet e tij për religjionin, sidomos vahabizmin, e bën të cilësohet si ekspert i njohur botëror i islamit, i ndarjeve të tij dhe raporteve me fetë tjera.
Raportimet e tij hulumtuese kanë nxitur të tjerët që ai të jetë mysafir në debatet e televizioneve kryesore amerikane.
Artikujt e tij janë botuar në gazetat më të mëdha të botës, përfshirë The New York Times, The Wall Street Journal, The Los Angeles Times, The Toronto Globe and Mail etj. Po ashtu, është kontribuues i rregullt për The Weekly Standard dhe The Huffington Post, si dhe për Reforma të Mexico Cityt.
Schwartz nisi studimin e islamit më 1990, kur për herë të parë vizitoi ish Jugosllavinë. Teksa hulumtonte historinë e hebrenjve të Ballkanit - për shkrimet që janë botuar tek ditorja The Jewish Daily Forward dhe disa revista tjera - krijoi raporte të afërta me intelektualët myslimanë të Ballkanit, si dhe me liderët politikë dhe fetarë të rajonit.
Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, i vazhdoi studimet intensive të religjionit krahasimtar në Ballkan, teksa punonte edhe për Institutin Katolik Shqiptar në San Francisko. Po ashtu, ishte në misione të ndryshme në Bosnje dhe Hercegovinë, si përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, pastaj për Këshillin e Evropës, si dhe për programin e USAID-it.
Në vitin 1999, gjatë kohës së intervenimit ndërkombëtar në Kosovë, Schwartz pushoi së punuari në The San Francisco Chronicle. Pasi u shpërngul në Sarajevë, vazhdoi hulumtimin e sinagogave dhe varrezave hebraike në Ballkan, ndërsa të njëjtën kohë punonte edhe për OJQ të ndryshme, përfshirë SOROS-in dhe Institutin gjerman Friedrich Ebert Stiftung.
Në vitin 2000 botoi një libër në gjuhën boshnjake dhe anglishte mbi identitetin mysliman dhe çështjet e mediave në Ballkan, "A Dishonest 20th Century Comedy" (Komedia e pandershme e shekullit XX”).
Ai ka botuar edhe dy libra në gjuhën shqipe: “Prejardhja e nji lufte” e cila më 2000 ishte botuar në gjuhën angleze si “Kosovo: Background to a War”, si dhe botimin në dy gjuhë: “ثndërrimi në shqip/Dreaming in Albanian” (2003).