Ka qenë padyshim suksesi i shfaqjes së Triptikut të Puçinit me dirigjent Antonio Papano në Operan Mbretërore të Londrës ajo cka detyroi gjigandin mediatik BBC të regjistrojë dhe transmetojë mbrëmë dhe sot sërish këtë vepër të Puçinit, ku në operan “Sister Angelica”, rolin e kryesor e luan sopranoja shqiptare me famë botërore tashmë, Ermonela Jaho.
Kjo opera, më e preferuara e kompozitorit italian, nuk ishte luajtur në Operan e Londrës për pothuajse 50 vjet. Në rolin dramatik të murgeshës, sopranoja shqiptare pati një sukses të jashtëzakonshëm në Londër, ku kritika e artit dhe shtypi vendas bën vleresime maksimale për klasin dhe interpretimin e saj.
"Jaho ishte sublime, qiellore. Duhet të lypesh, lutesh ose vjedhësh vetëm për të gjetur bileta për ta parë interpretimin e saj”, shkruante një nga kritikët britanik pas shfaqjes.
Sopranoja shqiptare tashmë ka një kontrate deri në 2017 me Operan Mbretërore britanike, 300-vjecare. Pas shfaqjeve në HD në ثorld Vision në shumë kinema botërore, kjo opera e transmetuar nga BBC, tashmë ka dalë në treg prej fillimit të qershorit edhe në DVD dhe Blue-ray.
Transmetimi në BBC në orët me shikueshmëri të lartë për publikun britanik është një mundësi për të parë një produksion shumë të vështirë për të gjetur bileta në Operan Mbretërore të Londrës, bileta të cilat kushtojnë nga 90 deri në 800 stërlina.
S’ka ndodhur asnjëherë më parë që një produksion artistik i ndonjë institucioni britanik, për më tepër i prestigjozes Royal Opera House të Londrës, ku protagoniste kryesore është një artiste shqiptare, në këtë rast sopranoja Ermonela Jaho, të transmetohet e plotë në televizionet britanike.
topchanel