Ismail Mulleti ishte i pari, por jo i vetmi shqiptar, i përfshirë në skandalin e letrave të Panamasë. Dje pasdite, faqja zyrtare, që disponon afro 11.5 milionë dokumente, ka zbuluar të tjerë emra dhe adresa shqiptare, por edhe individë të Lindjes së Mesme që kishin zgjedhur shtetin shqiptar, si adresim për të mbuluar pasuritë e tyre, si kompani, aksionarë dhe përfitues. Afro 215 mijë dokumentet e radhës janë hapur dje pasdite në faqen online offshoreleaks.icij.org. dhe gazeta sjell listën me shqiptarët dhe kompanitë që dalin nga rrjedhja e informacionit të skandalit “Panama Papers”. Ndërkohë, përpos emrave, baza e të dhënave nxjerr dhe disa adresa postare në qytete të ndryshme të Shqipërisë, si rruga “Ali Demi”, pranë xhamisë së Tiranës, rruga “Rexhep Talaj”, Korçë, rruga “Murat Toptani” dhe një adresë në Shëngjin. Në hartën e publikuar me zbulimin e madh të parajsave fiskale, Shqipëria përfaqësohet me 2 kompani, 3 përfitues dhe 22 pronarë aksionesh. Investigimi për këtë rrjedhje të madhe informacioni që tronditi ekonominë dhe politikën botërore, është kryer nga 370 gazetarë, në 76 vende të botës, të cilët i kanë treguar opinionit ndërkombëtar se si njerëz të pasur apo njerëz të veshur me pushtet kanë përdorur parajsat fiskale për të fshehur paratë e tyre.
Si u zbuluan
Të dhënat nga firma u morën nga një burim anonim prej të përditshmes gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe më pas iu shpërndanë më shumë se 100 grupeve mediatike nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë, ICIJ, me bazë në Uashington. Të dhënat e rrjedhura të “Mossack Fonseca” mbulojnë një periudhë gati 40-vjeçare, nga viti 1977 deri në fund të vitit 2015. Ato hapin si kurrë më parë një dritare në botën e parajsave fiskale, duke treguar ecurinë ditë pas dite të rrjedhjes së parasë së errët nëpër sistemin botëror financiar, i cili ushqen krimin dhe vjedh buxhetet e vendeve nga të ardhurat fiskale. Shumica e shërbimeve të industrisë së parajsave fiskale është i ligjshëm nëse përdoret nga ata që respektojnë ligjin. Ashtu si dhe në vende të tjera edhe në Shqipëri, lajmi mbi të dhënat e rrjedhura nga “Panama Papers” ka shkaktuar reagime nga krerët e politikës dhe organet ligjzbatuese. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka kërkuar një ligj që i detyron kompanitë e regjistruara në parajsa fiskale, që investojnë në Shqipëri, të zbardhin aksionerët e tyre.“Transparencë në një mjedis biznesi do të thotë ekspozim i të gjithë listës së aksionerëve,” tha Manjani.
G/Sh.