Skandal në jetimoren e Shkodrës. Fëmijët janë abuzuar seksualisht, janë keqtrajtuar dhe detyruar për të punuar. Këto fakte zbulohen nga Prokuroria e Shkodrës, që sot ka urdhëruar ndalimin e punonjësve të Qendrës së Fëmijëve, të dyshuar për “Keqtrajtim të të miturve” dhe “Shpërdorim detyre”
Prokuroria ka urdhëruar ndalimin e disa punonjësve të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, nën varësinë e Bashkisë përfshirë ish-drejtoreshën, në vijim të hetimit për disa ngjarje të tronditëse që dyshohet se kanë ndodhur me fëmijët në këtë institucion.
Prokuroria e Shkodrës pak ditë më parë ka marrë sinjalizim nga institucioni i Avokati i Popullit, në bazë të të cilit kishte të dhëna se mbi fëmijët që jetonin në këtë Qendër kishte abuzime nga personeli.
Prokuroria e Shkodrës ndërmori menjëherë veprimet hetimore, në bazë të të cilave janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjës të personelit të Qendrës kanë abuzuar fizikisht, kanë keqtrajtuar dhe i kanë vënë në punë të detyruar fëmijët e Qendrës Rezidenciale.
Nga hetimi i deritanishëm është zbuluar edhe një fakt tejet i rëndë. Në bazë të aktit të ekspertimit përkatës, rezulton se tre fëmijë të mitur, femra janë abuzuar seksualisht dhe defloruar. Prokuroria e Shkodrës ka krijuar dyshime të arsyeshme se dhuna seksuale ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e shtetasve:
A. Llazani, ish-drejtoreshë e Qendrës Rezidenciale për Fëmijë, Shkodër
B. R. Camaj, punonjëse e Qendrës
Sh. Nishani, punonjëse e Qendrës
N. Rramolli, punonjëse e Qendrës
V. Marku, punonjëse e Qendrës
Këto punonjëse dyshohen për konsumimin e elementëve të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqtrajtimit të të miturve”. Urdhrat e ndalimit të Prokurorisë së Shkodrës janë ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.
(m.k/BalkanWeb)