Stafi i emisionit “Fiksi Fare” udhëtoi në fshatin Dragostunjë të Librazhdit, në familjen e Hekuran Kacas. Kjo familje ka pesë fëmijë të vegjël nga mosha 16 deri ne 6 vjeç më i vogli. Skamja ka pushtuar këtë familje.
Të zotin e shtëpisë gazetarët e “Fiksit” nuk e gjetën në shtëpi, kishte marrë rrugët në kërkim të punës, për t’u siguruar bukën e gojës fëmijëve.
Bashkëshortja e tij, Zybejtja, nuk punon dhe tregon se kryefamiljari ka gjetur një punë në Maqedoni si çoban. Pasuria e tyre e vetme është një dhi dhe një mushkë që e përdorin për të marrë dru në mal.
Dhoma ku jeton kjo familje është krejtësisht e zezë nga tymi që ndezin për t'u ngrohur dhe gatuar. Nga shteti marrin ndihmë ekonomike 7.500 leke të reja në muaj. Drita elektrike është luks për ta. Kanë vetëm një llampë në tavan dhe vetëm një dhomë në gjithë shtëpinë ku banojnë.
Në një cep të shtëpisë janë një grumbull librash të fëmijëve që shkojnë në shkollë. Edhe pse në kushte mjaft të vështira, me mësime shkojnë mirë - shprehet nëna e tyre.
Në banesë nuk kanë ujë, atë e mbushin diku larg dhe për t’u larë lahen në kushte primitive. Nuk janë të paktat rastet që në gjumë bien me barkun bosh - pohon e ëma.
Pyetje së gazetarit të “Fiks Fare” nesë kishin provuar ndonjëherë picë, vetëm vajza e madhe që vazhdon gjimnazin në Librazhd iu përgjigj pozitivisht. Për fëmijët e tjerë gjellët më të mira janë fasulet dhe gjella me patate.
Të vetmen kërkesë që kanë këta fëmijë dhe nëna ë tyre është që t’u rregullohet shtëpia dhe disa ushqime për të shtyrë përpara sadopak.
Tirana përtej shkëlqimit
Pallate të larta, ndërtesa moderne, vitrina shumëngjyrshe të mbushura me markat më të njohura botërore. Pub-e e lokale pa fund. Këtë përshtypje të jep Tirana në pamje të parë, një metropol në zhvillim. Por gjithmonë medalja ka dhe anën e saj të errët.
Pak kilometra në periferi ngjyrat e metropolit zbehen. Pallatet shëmben duke u zëvëndësuar nga kasolle ku si mbulesë të tyre kanë llamarina apo plastmas. Gazetarët e “Fiks Fare” morën rrugën për në Krrabë, aty ku metropoli, edhe pse pak kilometra distancë, zbehet në vite dritë largësi.
Dikur Krraba ka qënë një qytezë që gjallëronte nga banorë të ardhur nga të katër anët e vendit për të punuar në minierën e vlerësuar për qymyrin cilësor. Ndërsa sot, banorët ndihen të harruar.
Stafi i “Fiksit” shkoi të prekte nga afër jetesën e këtyre banorëve, të cilët para kamerave shprehen: “Jetojmë kot, nuk kemi mundësi t’u plotësojmë nevojat fëmijëve. Mbahemi duke qepur këpucë në të zezë. Në kohën e Berishës ishim pak më mirë, të paktën nuk paguanim dritat”.
Një tjetër banor tregon se dikur ishte i punësuar si minator, kurse tani është i papunë. E vetmja e ardhur që mund të kenë është pensioni i ndonjë të moshuari që kanë në shtëpi. Të rinjtë as që kanë mundësi punësimi dhe rrinë si parazit - pohon ai.
Banorë të tjerë shprehen se ende ka shumë familje që marrin bukë me listë. Ndërkohë, nuk mungonjë as familjet që edhe pse veti i shtatë jetojnë në një dhomë plot lagështirë dhe nuk arrijnë që fëmijët e tyre t’i ngopin as me bukë thatë.
/ Top Channel