Sionizmi politik dhe fetar

Kresha

A pretty face can never trick me
Shkruan: Ajni SINANI



Sionizmi e ka marrë emrin nga mali Sion, që gjendet në jug të Kudsit (Jerusalemit) , të cilin Davidi e pushtoi dhe i sundoi jebusenjtë që e popullonin atë dhe kështjellën e Sionit:

"Por Davidi e pushtoi kështjellën Sion d.m.th. qytetin e Davidit... Davidi banoi në kështjellë dhe e quajti qyteti i Davidit". (Libri i dytë i Samuelit/ 5: 7-9.)

Sipas Dhiatës së Vjetër, Davidi është vendosur në kështjellë dhe e quajti atë "qyteti i Davidit". Prandaj, Sioni u bë vend i shenjtë për shkak të bindjes së izraelitëve se Zoti jeton në të: "Këndoni Zotit që banon në Sion, kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij." (Psalmet / 9: 12.)

Sipas këtij të kuptuari, sionizmi, në definicionin e tij më të thjeshtë, nënkupton vendosjen e bijve të Israilit në Palestinë, gjegjësisht në kodrën e Sionit dhe rrethinën e saj, si dhe mbështetjen e një veprimi të tillë. Sionist është ai izraelit që preferon të jetojë në Palestinë, ai që i ndihmon ata materialisht dhe që i nxit të vendosen në Palestinë.

Për shumë izraelitë Moisiu ka qenë prijësi i parë i sionizmit që ka ndërtuar kështjellën e lëvizjes sioniste dhe i ka përforcuar shtyllat e saj, sepse ai u priu bijve të Israilit që të hynte me ta në Palestinë pas daljes së tyre prej Egjiptit. Moisiu nuk arriti të hyjë në tokën e premtuar, por, pas tij, në Palestinë hyri Jushua Ibn Nun. Më pas filluan stuhitë kundër izraelitëve derisa ata u nxorën prej atij vendi.[1]

Sionistët pretendojnë se Palestina, për të cilën përdorin termin "Eretz Izrael" (dheu i Izraelit) ose "toka e kthimit", apo terma të tjerë fetarë të ngjashëm me këta, është qendra e hebrenjve dhe se është pika në drejtim të së cilës hebrenjtë drejtohen gjatë lutjeve të tyre. Palestina është toka në të cilën ata kthehen me vullnetin e tyre të lirë kur atyre u hapen rrugët për një gjë të tillë. Sionistët përpiqen të gjejnë justifikime fetare apo racore në mbështetje të bindjeve të tyre. Ata e interpretojnë historinë sipas vizionit të tyre për të mbështetur pretendimet e tyre. [2]

Enciklopedia Britanike për qëllimin e sionistëve shkruan: "اifutët aspirojnë për rikthimin e Izraelit, tubimin e popullit të tyre në Palestinë, ngritjen e shtetit çifut, rindërtimin e Tempullit të Solomonit (Sulejmanit) dhe vendosjen e fronit të Davidit (Davudit) në Jerusalem, mbi të cilin do të qëndrojë një mbret nga gjaku i Davidit."[3]

Enciklopedia çifute thotë: "اifutët duan që të bashkohen për t'u shpërngulur në Jerusalem, duke mposhtur fuqinë e armiqëve, për të rikthyer adhurimin në Tempull në vendin e Xhamisë El Aksa dhe për të krijuar atje pronat e tyre".
[4]

Sionizmi është kristalizuar si lëvizje politike në shek. e XIX-të. Themeluesi, babai dhe lideri i parë i sionizmit politik është Theodor Herzl.[5]

Shkencëtari i njohur francez Rozhe Garodi bën dallim mes sionizmit fetar dhe atij politik. Sionizmin fetar, thotë ai, shpesh e kanë predikuar mistikët. Disa prej hebrenjve patën ardhur në Palestinë jo për qëllime politike, por nga mallëngjimi religjoz për vendin e shenjtë dhe për shkak të asociacioneve biblike të tij.[6]

Edhe studiuesi i shquar palestinez, Ismail El Faruki bën dallimin ndërmjet sionizmit politik dhe atij fetar. Sipas tij, sionizmi politik synonte tubimin dhe grumbullimin e izraelitëve dhe emigrimin e tyre në Palestinë për të themeluar shtetin hebre. Ky shtet hebre do të qeverisej sipas fesë hebraike dhe do të dallohej me elementin izraelit, me kulturën hebraike dhe me vullnetin e ngjalljes së mbretërisë së Davidit. Ndërkaq, sionizmi si lëvizje fetare ka për qëllim që elementi hebraik të konstituohet si bashkësi shpirtërore për t'i mundësuar të kryejë misionin e tij, që nënkupton përqëndrimin e pushtetit shpirtëror, qytetërues dhe mendor në Sion.[7]

Sipas sionizmit fetar shpresa e madhe mesiane e hebraizmit do të sendërtohet me ardhjen e Mesihut, përmes të cilit do të realizohet Mbretëria e Zotit në tokë: "Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës." (Zanafilla, XII, 3). Sipas tij, këtu bëhet fjalë për vendet në të cilat Bibla i vendos rrëfimet për Abrahamin dhe Moisiun. Sionizmi fetar ka stimuluar organizimin e vizitave tradicionale të hebrenjve në "tokën e shenjtë". Në shek. e XIX-të, adhuruesit e Sionit (Choveve Zion) tentuan që të formonin në tokën e Sionit një qendër shpirtërore, prej së cilës do të përhapnin besimin dhe kulturën hebraike. Mirëpo, sionizmi fetar e ka konsideruar të papranueshëm çdo program politik për krijimin e shtetit izraelit, apo të çfarëdo sundimi mbi Palestinën.[8]

Prandaj, shumë hebraikë ortodoksë nuk e kanë miratuar idenë e sionizmit politik sepse besojnë se kthimi i popullit izraelit dhe themelimi i shtetit të tij në vendin e premtuar duhet të presë ardhjen e Mesihut.

Karen Armstrong, studiuese e njohur angleze, thotë se sionizmi ka filluar si kryengritje kundër judaizmit religjioz, madje në fillim rabinët ortodoksë e patën shpallur sionizmin si shekullarizëm blasfemues të Tokës së Izraelit, një nga simbolet më të shenjta të Judaizmit.[9]

Rexhina Esh Sherif, duke bërë dallimin mes sionizmit dhe hebraizmit, thotë: "Sionizmi përbëhet prej një grup bindjesh që synojnë realizimin e programit të Bazelit, të vendosur në vitin 1897, në planin praktik. Komunitetin çifut e konsiderojnë një popull (nacionalitet) të pavarur në Palestinë, qëllimi i të cilëve është formimi i një shteti nacional të veçantë për çifutët në Palestinë."[10]

Si rrjedhim, sionizmi politik, sipas sionizmit fetar, është shtrembërim i hebraizmit shpirtëror. Duke aluduar në këtë, Martin Buber, një nga mendimtarët më të mëdhenj të shek. të 20-të dhe njeri i flaktë i tokës së Sionit, ka thënë se "Ne nuk dëshirojmë t'ia marrim pushtetin arabëve, por të jetojmë me ta." Gjithashtu ai ka thënë "Kemi shpresuar se nacionalizmi hebraik nuk do të bëjë gabim duke e ngritur popullin në piedestalin e idhullit. Shpresa jonë ka qenë e kotë." Prandaj sipas Buberit, do të ishte gabim i madh sikur Izraeli të konsiderohej "një enklavë perëndimore" dhe për këtë ai kishte propozuar që të formohej një Federatë e Lindjes së Afërt, ku do të merrte pjesë edhe vetë Izraeli.[11]

Edhe përkundër kësaj, sionistët janë munduar vazhdimisht që lëvizjen e tyre ta lidhin, madje edhe ta identifikojnë , me hebraizmin. Në vitin 1897, në kongresin sionist në Bazel, Herzl ka deklaruar se kthimi në Sion duhet të pasohet me kthimin në fenë hebraike. Lidhshmërinë e sionizmit dhe të hebraizmit e pranon edhe Veizman (Chaim Weizmann, 1949-1952), kryetari i parë izraelit, kur thotë: "Hebraizmi dhe sionizmi ynë janë të lidhur dhe të pandashëm dhe nuk mund të shkatërrohet sionizmi pa u shkatërruar hebraizmi."[12]

Ben Gurion, kryeministër i parë i Izraelit, thotë: "Ekzistencën dhe gjallërinë e vet sionizmi e nxjerr nga dy burime. Nga burimi që është i thellë, emocional dhe i amshueshëm, që është Premtim Hyjnor i ndarë nga koha dhe hapësira, i vjetër sa është i vjetër edhe vetë populli çifut. Dhe nga burimi që është shpresa për kthim. Premtimi e ka burimin nga rrëfimi mbi hebreun e parë,[13] të cilit i është thënë në qiell:

"Këtë tokë do t'ia jap farës sate prej lumit të Egjiptit deri në Lumin e madh-Eufrat". (Zanafilla/ 15:18).

Izraelitët harrojnë me dashje se nga pasardhësit e Ibrahimit është edhe një komb tjetër, bijtë e Ismailit, të cilëve u është premtuar se do të kenë pushtet dhe do të jenë të shumtë[14] : "Megjithatë edhe birin e shërbëtores (Agaras) do ta bëj popull të madh, sepse është fara jote." (Zanafilla / 21:13)

Zyrtarisht lëvizja sioniste filloi më 1897, në Konferencën Botërore të Sionizmit në Bazel, nga Theodor Herzl-i (1860-1904). Që nga ajo kohë ka pasur përpjekje të organizuara për t'i bindur hebrenjtë të emigrojnë në "Dheun e Izraelit", në Palestinë. Sionizmi e arriti qëllimin e vet kryesor më 1948 me krijimin e shtetit të Izraelit që u njihte, sipas "Ligjit të Kthimit", të gjithë hebrenjve të drejtën të rronin brenda kufijve të tij. Që nga ajo kohë, sionizmi ka marrë kuptimin e mbështetjes të shtetit të Izraelit.[15]

Sipas Golda Meir i ashtuquajturi problemi i hebrenjve, që në fakt ishte problem i të krishterëve, ishte pasojë e humbjes së atdheut nga hebrenjtë. Prandaj ai nuk mund të zgjidhej, derisa ata të mos fitonin sërishmi atdheun e tyre. Ai vend sipas saj mund të ishte vetëm Sioni, vend nga i cili qenë dëbuar hebrenjtë gati para 2 mijë vjetësh.[16]

Sionizmi si një lëvizje hebreje që pati për qëllim themelimin e shtetit kombëtar izraelit në Palestinë, pas themelimit të Izraelit, nuk u ndal asnjëherë në zgjerimin e kufijve të tij.[17]

Sionistët, që nga fillimi, kanë bërë thirrje për ngritjen e një shoqërie çifute të pavarur në Palestinë. Golda Meir, më 25 qershor të vitit 1969, në Kneset, ka deklaruar: "Dëshiroj që në shtetin hebraik të vendos shumicën e hebrenjve, gjë që nuk mund të bëhet brenda natës. Gjithmonë kam besuar se ky është thelbi i sionizmit."[18]

Nga e gjithë kjo rrjedh se sionizmi politik është një organizatë qëllimi i së cilës është zbatimi i planeve të dizajnuara për kthimin e famës së Izraelit Biblik, për ndërtimin e Tempullit të Solomonit dhe, më pas, për ngritjen e mbretërisë së Izraelit të madh.[19]

Prandaj, shpejt pas themelimit të lëvizjes sioniste politike, një pjesë e hebrenjve vërejtën qartë se ajo kishte synime nacionaliste dhe se nuk do t'i respektonte të drejtat e popujve të tjerë, që mund t'iu shkaktonte dëm të madh edhe vetë hebrenjve. Pikërisht për këtë, shumë hebrenj themeluan organizata dhe shoqata të ndryshme që veprojnë kundër sionizmit politik. [20]

Me hapjen e byrosë palestineze në Jafa, në vitin 1908 dhe, më pas, me formimin e kibucëve të parë në tokën e blerë nga fondi nacional hebraik, çifutët rusë kanë ndikuar në mbizotërimin e krahut rus ndaj atij perëndimor në trupin suprem të lëvizjes sioniste.



--------------------------------------------------------------------------------
[1] Shelebi, dr. Ahmed, Mukarenetu El Edjan, El Jehudijeh, Mektebetu en Nehdetu El Masrijeh, Kajro, 1986, f. 118-119.
[2] El Mesiri, Abdulvehab Muhammed, Mevsua El Jehud ve El Jehudietu ve as Sahjunijeh, Dar Esh-Shuruk, Bejrut, 1999, vëllimi II, f. 112.
[3] Mustafa, Abdulaziz, Xhamia Al Aksa pëprara se të shkatërrohet, SIRA, Prishtinë, 2006, f. 59.
[4] Ibid, f. 59.
[5] Theodor Herzl-i në vitin 1896 shkroi librin: Der Judenstaat (Shteti i hebrenjve), ku bënte thirrje për krijimin e një vatre të hebrenjve në Palestinë. Herzl-i thotë se për këtë ishte frymëzuar nga afera Dreyfus, ku Alfred Dreyfus-i, një oficer hebre i ushtrisë franceze, në vitin 1894 u dënua pa të drejtë si spiun i Gjermanisë dhe u internua në Ishullin e Djallit. Shih: McLean, Iain, Fjalor Politik, Oxford, Shtëpia e librit & dhe komunikimit, Qendra ndërkombëtare e kulturës, Tiranë, 2001, f. 217.
[6] Garaudy, Roger, Rasti Izrael, studim i sionizmit politik, Tetovë, (pa botues), 2002, f. 11.
[7] Sakar, Muhamed Ibrahim Esh Sherbini, El Hareketu El Mesihijetu El Usulijetu El Emerikijeh El Muasireh ve alakatuha bis Sahjunijeh, Daru Tevzi ven Nesher El Islamijeh, Kajro, 2003, f. 43.
[8] Garaudy, Roger, Rasti Izrael... op. cit., f. 11.
[9] Armstrong, Karen, Feja nuk është shkak i përçarjeve në botë. Shih:
http://www.zeriisla m.com/2008/ Feja-nuk- eshte-shkak- i-percarjeve- ne-bote.html (me datë 25. 06. 2008.)
[10] Sakar, Muhamed Ibrahim Esh Sherbini... op. cit., f. 42.
[11] Sipas Buber-it, Hebraizmi nuk është vetëm komb. Hebraizmi në të vërtetë e ka edhe atë kuptim, por për shkak të vetive specifike, të lindura me të, që nënkupton edhe bashkësinë fetare, Hebraizmi është diç më tepër se ajo". Shih: Garaudy, Roger, Rasti Izrael... op.cit., f. 29.
[12] Et Tevbe ,Gazi, El Kadijetu El Filistinietu El Vaki Ve El Afak, El Mekteb El Islami, Bejrut, 2005, f. 37.
[13] Sipas Dhiatës së Vjetër Abrahami është hebreu i parë. Prandaj termi "hebre" rrjedh nga Abrahami për të cilin në Dhiatën e Vjetër thuhet: "Dhe, ja, një i ikur, e njoftoi Abrahamin Hebre ." (Zanafilla, 14: 13).
Ndërkaq, Kur'ani i shenjtë deklaron se Ibrahimi nuk ishte hebre: "Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve". (Ali Imran: 67). Shih: Al-Havali, dr. Sefer, Kuds izmedu istinitog i la‍nog obečanja, (pa vend dhe vit botimi) str. 16 & http://en.wikipedia .org/wiki/ Hebrew_language (me datë 30. 06. 2008.)
[14] Mustafa, Abdulaziz, op.cit ., f. 59.
[15] McLean, Iain, op .cit., f. 524-525.
[16] Meir, Golda, Izraeli im (fejtoni 1), Zëri, e shtunë, 7 Shtator, 2002, Prishtinë, f. 18.
[17] Rifai, Muhamed Fethi, Mendimi Islam, Furkan ISM, Shkup, 2003, f. 114-115.
[18] Garaudy, Roger, Rasti Izrael... op. cit., f. 63.
[19] Helsell, Grace, Përshpejtimi i dënimit të Zotit, Furkan ISM, Shkup, 2006, f. 83.
[20] Hebrenjtë dhe sionizmi, (revista) Novi Horizonti, nr. 6/09. 2004, marrë nga: http://www.zeriisla m.com/2008/ Hebrenjte- dhe-sionizmi. html (me datë 28. 06. 2008.)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top