Sikur Falkone të ishte nga Vlora?

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
46381_6.jpg

Në Shqipëri ka gjykatës, prokurorë dhe policë mjaft të përkushtuar. Ka nga ata hetues që gdhijnë në zyrë edhe me ditë të tëra deri sa të zbërthejnë një vrasje të rëndë. Shumë prej tyre jetojnë në apartamente modeste dhe pa ndonjë përfitim të veçantë financiar. Në fund të muajit edhe ata duhet të shtrëngojnë paksa kartëmonedhat e mbetura në xhep sepse kushdo në këtë botë i thotë bukës bukë, e duhet të kujdeset edhe për gjëra të tjera veç punës. Aq më tepër kur pikërisht nëse nuk kujdeset sa duhet mund të humbasë edhe punën.
Ndoshta, pikërisht për këto dy arsyet e fundit, ndodh që i gjithë ky profesionalizëm e përkushtim është mjaft efikas ndaj atyre krimeve të përditshme ordinere që na ndjekin nga mëngjesi në darkë në kronikat e lajmeve. Krejt e kundërta ndodh kur krimi i ngjit shkallët e karrierës gjithnjë e më lart deri sa arrin në majat e politikës, diku nëpërmjet një mbështetje financiare për fushatën, diku nëpërmjet ndonjë biznesi të përbashkët me ndonjë qeveritar, e diku edhe nëpërmjet mandatit të deputetit. Kur vjen fjala për këto sfera të larta të krimit të lidhur me pushtetarët, sigurisht që rritet jo vetëm rreziku i ndonjë kërcënimi për jetën, por funksionojnë edhe format e tjera të presionit për largime nga puna të bashkëshortes, kthimin e vajzës nga detyra në ambasadë, kontrolle të tatimorëve në biznesin e vëllait apo shumë e shumë fije të tjera lidhëse që në fund të fundit ndikojnë që profesionalizmi i këtyre gjykatësve e prokurorëve të zbehet keqazi.
Në këto momente, kur vendosesh përballë situatave të tilla, nuk vlejnë më as leksionet e masterave prestigjiozë e as eksperienca e fituar gjatë viteve. ثshtë e nevojshme që t’i thirret së brendshmi atyre që njihen si vlera morale. Ashtu siç shkruan edhe publicisti amerikan Dov Seidman «Ligjet dhe rregullat të tregojnë se çfarë mund të bësh, ndërsa vlerat të tregojnë se çfarë duhet të bësh». Dhe këto vlera janë ato të cilat bëjnë dallimin e një heroi nga një zyrtar normal i drejtësisë, i cili mjaftohet të jetë në rregull me ligjin pa i shkelur në kallo askujt; përbën dallimin nga ata anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, që respektojnë ligjin te kalimi i afateve të ankesave, por kësisoj kanë certifikuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve; por bën gjithashtu dallimin nga ata prokurorë që mbyllin hetimet ndaj zyrtarëve të lartë nën justifikimin e vonesave të afateve apo për parregullsi në mbledhjen e provave. Ligjërisht ata janë në të drejtën e tyre, por moralisht krejt larg drejtimit të duhur.
Për fat të keq, ata që u përgjigjen vlerave të duhura në Shqipërinë tonë mbeten të paktë në numër përballë shumicës që preferon të mbyllë sytë apo të evitojë përplasjen me telashet. Si rrjedhojë, ata që rezistojnë fitojnë veç urrejtjes së krimit edhe luftën e atyre që duhet t’i mbrojnë e pse jo vendosen në ndonjë rast edhe përballë kurtheve vdekjeprurës me telekomandë. I tillë është misioni i tyre. Ndonjëherë një zyrtar i ndershëm i ekzekutuar sjell më shumë dëme ndaj krimit sesa njëqind gjyqtarë e prokurorë të gjallë, por të frikësuar e korruptuar.
Pikërisht në këto momente të vështira për të gjetur heronjtë e drejtësisë shqiptare, shpërthimi i komanduar ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, u cilësua si krimi i parë serioz ndaj togave të zeza në këto 20 vite tranzicion. A është ky rasti për të folur për një viktimë të profesionalizmit dhe vlerave morale? اdo minutë që kalon pa emrat e vrasësve, i shton gjithnjë e më tepër përmasat e kërcënimit që transmetoi ai ekzekutim makabër. Dy gjykatëse të tjerë iu kujtua dje tymi që dilte nga makina e shkatërruar në bulevardin kryesor të Vlorës dhe ka të ngjarë që ai imazh do t’iu rishfaqet shumë njerëzve të tjerë të drejtësisë përpara se të hedhin firmën mbi një urdhër gjyqësor në të ardhmen. Ndoshta ky ishte edhe qëllimi i atij atentati mafioz në zemër të qytetit, për të cilin vetë krerët e shtetit hoqën paralele me skenarët e Palermos së përgjakur të viteve ‘90-të. Deri në momentin që nuk do të kemi një emër të vrasësit është ende herët për të folur me siguri nëse gjyqtari i ndjerë ishte viktimë e vendimeve të dhëna nën togën e zezë apo ai u eliminua për konfliktet e pronave të Gjirit të Lalzit. Në të dyja rastet, pas këtij krimi qëndron një motiv sa i dënueshëm aq edhe i rrezikshëm për të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Dhe pikërisht për këtë qëllim presioni ndaj hetuesve që po hetojnë këtë vrasje nuk duhet të ndalet deri sa të zbardhet e gjithë e vërteta. E rëndë mund të duket të thuhet, por për të mirën e drejtësisë shqiptare ndoshta duhet të shpresojmë që ky krim të ketë si motiv gjyqtarin, atë heroin që na mungon, dhe jo vetëm qytetarin e ndjerë që u vra në bulevardin e Vlorës. Kjo sepse drejtësia, por edhe në përgjithësi shoqëria shqiptare ka nevojë për një shkundje nga themelet, e cila të nxisë kthesën e fortë drejt vlerave të duhura.
E tillë ishte kthesa që mori historia e mafias siçiliane dhe lidhjeve të saj politike pas ekzekutimeve të dy prokurorëve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino në vitin 1992. Pamjet e kratereve të krijuara nga shpërthimet, shërbyen si një shembull se deri ku mund të arrijë një shoqëri e kalbur. Që nga ai moment, gjykatësit, prokurorët, por edhe vetë politikanët e korruptuar, e kuptuan se mafia kishte shkuar shumë larg dhe rrezikonte të shkatërronte shumë ekuilibra. Ishin këto dy atentate, që shënuan nisjen e një sërë procesesh heroike gjyqësore që jo vetëm goditën mbretërinë e mafias në Sicili, por arritën që të zbulojnë edhe lidhjet korruptive të krimit dhe biznesit në majat më të larta të politikës italiane. Prokurorë si Antonio di Pietro, arritën që të ngrenë akuza korrupsioni mbi dy partitë kryesore politike dhe detyruan reformimin apo krijimin nga e para të krejt spektrit politik të vendit të tyre.
Shqipëria ka nevojë sot për prokurorë e gjyqtarë si Falkone dhe Borselino, të cilët t’i ngjallin frikën krimit të sferave të larta. Duhen gjykatës që nuk tundohen përballë valixheve me miliona, por as ndërhyrjeve të politikës. Deri pak ditë më parë, asnjë gjykatës nuk ishte sulmuar apo kërcënuar besueshëm me jetë, falë zotit, por kjo jo vetëm për meritë të dikujt sesa më tepër për shkak të mundësisë për të gjetur çmimin e duhur të çdo funksionari. Shqipëria ka nevojë tashmë për prokurorë si Antonio di Pietro, të cilët të përballen pa frikë dhe servilizëm me korrupsionin edhe në majat e shtetit. Nëse gjyqtarët dhe prokurorët do të vazhdojnë të mbyllin hetimet ndaj ministrave për shkak të procedurave, sigurisht që askush nuk ka për t’i kërcënuar ndonjëherë me jetën e tyre.
Mbërrin një moment që drejtësia, por edhe e gjithë shoqëria e një vendi, duhet ta kuptojë se nuk mund të vazhdojë të mbyllë sytë përpara krimit dhe korrupsionit të “jakave të bardha”. Sepse një ditë, ajo e keqe që ndahet në mënyrë të përbashkët me keqqeverisje, varfëri dhe mungesë të shërbimeve publike, mund të trokasë edhe në derën e një gjykatësi dhe prokurori në formën e një bombe me telekomandë. Por mund të godasë edhe në shpinën e çdo qytetari kur i rrëmbehet prona me forcë apo me dokumente të falsifikuara nga dikush me lidhje të fuqishme.
Atëherë, është koha që ekuilibrat të rivendosen. Drejtësia dhe bashkë me të edhe reagimi i qytetarëve duhet të ushtrojnë presionin e duhur që t’i vihet kufi krimit dhe lidhjeve korruptive që ushqejnë politikën.
Ja pra, pse ndryshimi i pritur mund të vijë edhe nga një ngjarje e rëndë, si ajo e vrasjes së një gjykatësi të ndershëm. A do të shërbejë vrasja e gjyqtarit Skerdilad Konomi si një shkëndijë e tillë pozitive? Sot është lajmëruar një protestë qytetare në Vlorën e tronditur nga krimi (edhe pse kjo protestë duhet të zhvillohet edhe në Tiranë e në çdo qytet të vendit), ndërkohë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet jashtë radhe për të diskutuar mbi këtë ngjarje. Të shpresojmë se tymi i zi i makinës së shpërthyer në Vlorë të jetë ngjitur deri në ajrin e shtresave të larta, për t’u kujtuar se nëse heshtin sërish përpara këtij krimi, shtojnë më tepër shanset që nesër të jetë radha e tyre të vihen nën shënjestër të krimit.///GSH/balkanweb
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top