Mbushen sot 21 vjet nga mbërritja në Bari e anijes “Vlora”, me 20 mijë shqiptarë në bord, pjesa më e madhe e të cilëve u riatdhesuan.
Ndihma dhe solidariteti, i dhënë pa kursim vetëm pak muaj më parë gjatë eksodit të marsit, për mijëra pasagjerët e anijes “Vlora” qe vetëm një iluzion, siç qe një iluzion dhe shpresa e tyre për të qëndruar në Itali.
Kjo faqe e errët e historisë italiane së shpejti do të bëhet e njohur për publikun e gjerë nëpërmjet dokumentarit “La Nave Dolce”, e kineastit Daniele Vicari, i cili përveç pamjeve të arkivave ka intervistuar shqiptarë dhe italianë që kanë të bëjnë me anijen “Vlora”.
Në festivalin e Venecias ai do të paraqesë jashtë konkursit filmin e tij, një prodhim italo-shqiptar që do të mbërrijë edhe në kinematë e Shqipërisë. Në një intervistë për Top Channel, Vicari na dha një interpretim të tij për këtë ngjarje.
“Dëbimi i personave që kishin mbërritur me anijen “Vlora” është dëbimi i parë masiv i kryer nga Italia. E u krye me metoda që si dje, ashtu edhe sot, bëjnë të turpërohesh. Janë metoda prej regjimi ushtarak. Prandaj, unë mendoj se kjo ngjarje ka ndikuar në marrëdhëniet mes dy popujve, si nga ana praktike, ashtu edhe metaforike. Sepse mbërritja e anijes “Vlora” u paraqit si një pushtim jashtëtokësorësh që mbërritën për të uzurpuar tokën italiane dhe dëbimi qe fitorja kundër këtij armiku. Kjo simbologji është e llahtarshme”, tregon Vicari.
Ndërsa kryebashkiaku i atëhershëm i Barit kishte përgatitur një plan strehimi të ngjashëm me ata të mbrojtjes civile, me ngritjen e çadrave dhe ndihmën kapilare të njerëzve të rraskapitur nga lundrimi dhe nga vapa, qeveria mori një vendim të habitshëm, absurd dhe gati çnjerëzor.
Në mes të vapës së gushtit, mijëra njerëz u mbyllën në stadiumin “San Nicola” të Barit. Ushqimet dhe uji u hidheshin nga helikopterë e grupe grupe refugjatët u riatdhesuan me të gjitha mënyrat, edhe me forcë.
“Edhe sot e kësaj dite ka njerëz që e ruajnë kujtesën e dhimbshme të atyre ditëve, si mes shqiptarëve ashtu edhe mes italianëve që ndoqën nga afër atë ngjarje. Për shembull policët që ishin në Bari. Unë kam intervistuar njërin prej tyre, e pra ata ndjejnë turp për atë episod sepse e kanë kuptuar se ç’ngjarje ishte”, rrëfen më tej regjisori Daniele Vicari.TOPCH