Si dikur, me shalqi buzë lumit të kryeqytetit

eGo0sTyle

System Engineer
61-300x214.jpg


Rreth Tiranës ka disa destinacione vërtet shumë të mira ku mund të kaloni disa orë ndryshe nga monotonia e javës, e mbi të gjitha larg vapës së qytetit! Ne shkuam buzë lumit të Tiranës duke ndjekur rrjedhën e tij, vetëm 6 kilometra larg kryeqytetit. Pak pasi kalon fshatin e fundit në ato anë, fshatin Brrar, uji, mali dhe natyra shndërrohen në një atraksion, sidomos për të eturit pas aventurës dhe për të gjithë ata që duan të kalojnë ndryshe këto ditë të nxehta.



Një mit i gabuar për Lumin e Tiranës apo “Bregun e Lumit”
Lumi i Tiranës, në pjesën e sipërme të tij atje dhe nga nis rrugëtimin, është akoma aq i pastër sa banorët përreth, por edhe qytetarë të Tiranës mund të lahen e të bëjnë plazh. Atje ku ky lumë quhet “Bregu i lumit”, është me të vërtetë i ndotur aq sa i kanë mbetur vetëm disa alga apo tek tuk edhe ndonjë mi kanalesh, por poshtë shkëmbinjve të malit të Dajtit është akoma një oaz i natyrës. Madje sa më lart të ngjitesh e sa më thellë të ndjekësh shtratin e tij të fshehur mes shpellave e shkëmbinjve të mbuluar nga bimësia, aq më i pastër bëhet uji. Ai ndotet kur zbret poshtë në qytet e kur kalon mespërmes disa prej lagjeve periferike më informale që ka Tirana sot.



Si mbërrihet atje?

Vazhdoni rrugën drejt deri në Tufinë e në stacionin e fundit të linjës “Tufinë-Qendër”, kthehuni majtas. Kur në fasadat e ndërtesave do të lexoni grafite të shkruara në ngjyrën blu: “Erdhi Besim Kuka” (kandidati demokrat për Komunën e Dajtit), atëherë duhet të përgatiteni të hyni në një rrugë të paasfaltuar dhe tërë pluhur. Eshtë rruga e fshatit Brrar. Pasi ke udhëtuar 10 apo 15 minuta
në atë rrugë fshati që mbulohet nga pluhuri i bardhë i impianteve të inerteve buzë lumit, ndaloni diku dhe zbrisni në luginë për të gjetur një vend që ju pëlqen më shumë. Lumi herë është i cekët dhe i rrëmbyer, herë bëhet më i qetë, më i thellë dhe më i përshtatshëm për plazh. Bimësia rreth tij është e dendur dhe ju lejon të gjeni në çdo cep një vend me hije.



Cfarë mund të bëhet atje?
Sigurisht, kjo varet edhe nga fantazia juaj… Por buzë lumit nëse keni frikë të laheni, apo nëse e keni fobi ujin e lumit, mund të shplodheni në hije dhe të freskoheni nga era e lehtë që fryn nga Dajti e që vjen bashkë me ujin e lumit. Një ide e mirë do të ishte të piqnit mish, qofte apo paidhaqe në një zgarë pikniku (barbeque) që mund ta gjeni lehtësisht në të gjitha supermarketet e Tiranës. Mishin apo produktet e tij nëse doni vërtet të provoni diçka të freskët, t’i blini ose në fshatin e Brrarit, ose rrugës sapo nis Komuna e
Dajtit. Ka disa kasapë shumë më të besueshëm atje, se shumë të tjerë brenda unazës së Tiranës! “Unë kam 20 vjet që plazhin e bëj këtu”, thotë Behari, 41 vjeç, baba i dy fëmijëve. “Pasditeve, marr gruan dhe fëmijët dhe vijmë të gjithë këtu, ose pjekim diçka
në zgarë, ose kapim peshq, ose thjesht freskohemi”, thotë ai. Për ata që janë të apasionuar pas peshkimit, mund të ndjekin rrjedhën e lumit derisa të zbulojnë disa pengesa që krijohen nga gurët e mëdhenj. Atje s’ka nevojë për grep apo kallam peshkimi: fusni duart dhe kapini peshqit e ngecur nëpër gurë me dorë! Peshqit e lumit dhe peshqit e ujërave të ëmbël kanë shumë hala por nëse nuk doni t’i piqni në zgarë, mund t’i gatuani, pasi t’i pastroni, në shtëpi. Halat mund të bëhen të parrezikshme nëse i gatuan gjatë në një tenxhere
me presion e nëse pastaj i shuan me pak verë. Marrin shije sardeleje dhe serviren mirë me limon dhe me erëza pikante. Në fund, kujdes me planifikimin e kohës! Nëse keni përdorur zgarën dhe befas duhet të ktheheni sepse kuptoni që koha ka kaluar si me magji, kujdes! Prisni derisa zgara të ftohet plotësisht nëse nuk doni të dëmtoni makinën! Do të paktën 1 orë derisa të ftohet mjaftueshëm.


Burimi : Shekulli.
 
Back
Top