eGo0sTyle
System Engineer
Ish-SHIK-asi Ilir Kumbaro duhet t’i përgjigjet 60 pyetjeve të përpiluara nga prokuroria
Procesi gjyqësor për zbardhjen e fatit të Remzi Hoxhës, i zhdukur nga një bazë e SHIK-ut në tetor të vitit 1995, është shtyrë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Trupi gjyqësor tha se nuk ka marrë ende konfirmimin për ekzekutimin e letër-porosisë që është nisur drejt Londrës, Angli, për pyetjen e të pandehurit Ilir Kumbaro. Mbi 60 pyetje të përpiluara nga Prokuroria dhe avokatët mbrojtjes kërkojnë përgjigje nga ish-SHIK-asi, i cili prej vitesh jeton në Mbretërinë e Bashkuar. Kërkesa fillimisht është kërkuar nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana dhe pas miratimit nga ana e gjykatës, Ministria e Drejtësisë i ka dhënë “OK” procedurave për dërgimin e pyetjeve në Angli. Kumbaro pritet të pyetet në gjykatën londineze, nëse ai pranon të jetë i gatshëm të përballet me pyetjet e organit të akuzës dhe avokatëve mbrojtës.
Dhjetëra seanca janë shtyrë në Gjykatën për Krimet e Rënda duke mos hedhur ende dritë mbi zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ky i fundit u rrëmbye pranë punishtes së tij të prodhimit të duraluminit në rrugën “Siri Kodra”, pranë frigoriferit, u zhduk dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për fatin e tij, edhe pse familjarët kanë kërkuar me forcë zbardhjen e ngjarjes. Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe rrëmbimin e dëshmitarit dhe të dëmtuarit Avdyl Loshaj, si dhe të Ziso Kristopullit, Prokuroria e Krimeve të Rënda, akuzon ish- drejtuesit e SHIK,-ut të asaj periudhe, Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Avni Koldashin. Ky i fundit është në rolin e të penduarit, dhe ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë.
“Pas 6 ditësh ne u urdhëruam të shoqëronim Remzi Hoxhën. Ai është marrë në rrugën e Frigoriferit me një fiat ngjyrë ulliri dhe pasi është futur në makinë, i kanë lidhur sytë dhe janë drejtuar drejt Lezhës. Në kthesën e Kamzës, Remzi Hoxha i është dorëzuar Ilir Kumbaros”, shkruhet në dëshminë e Avni Koldashit, lexuar nga prokurori në seancat e kaluara.
I vetmi nga të akuzuarit që vazhdon të paraqitet në proces është Arben Sefgjini. Ai gjatë kohës që është hetuar tashmë që po zhvillohet procesi gjyqësor, ka qenë në funksione publike, si drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe tashmë në funksionin e drejtorit të Shërbimit të Provës, për të dënuarit. I akuzuari tjetër, Ilir Kumbaro, ndodhet në Angli, ku qëndronte i fshehur me emrin Shaqa Shatri, që prej kohës së arratisë së tij nga Shqipëria.