Shteti i Epirit

fcbesia

Anëtar i Respektuar
SHTETI I EPIRIT


1. LINDJA E SHTETIT TEK EPIROTثT

Territori dhe popullsia
Në periudhën antike treva që nga malet e Llogarasë dhe të Kudhësit me rrjedhjen e mesme të Vjosës në veri dhe deri në gjirin e Ambrakisë dhe në kufijtë e Etolisë në jug, që nga malet e Pindit në lindje e deri tek brigjet e detit Jon në perëndim, përbënte një njësi gjeografike-politike më vete të formuar historikisht dhe të njohur me emrin Epir, nga greqishtja e vjetër Apeiros që do të thotë stere, tokë.
Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin në fillim çdo vend kontinental përballë ishujve. Po me këtë kuptim, p.sh., Homeri e quan Akarnaninë Epir, gjithashtu më vonë edhe Tukididi. Kështu i quanin edhe brigjet përkundrejt tyre banorët e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore.
Ky emër i përdorur në fillim si një emër i përgjithshëm për të caktuar pozitën kontinentale të krahinës etnikisht ilire, që ndodhej përballë tyre, u shndërrua më vonë në një nocion të përveçëm gjeografik, që i atribuohej një krahine të veçantë me kufijtë pak a shumë të përcaktuar historikisht.
Në këtë kuptim emri Epir ndeshet për të parën herë tek shkrimtari grek i fundit të shek. VI p.e.sonë, Hekateu, kur thotë se Oriku është liman i Epirit, dhe pak më vonë tek Pindari, i cili e quan Epirin “të famshëm me hapësira kodrash të shkëlqyeshme ... që fillojnë nga Dodona e deri në brigjet e Jonit”.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, me transformimin e bashkësisë molose në një shtet të ri federativ, të quajtur epirot, që përfshinte pjesën më të madhe të popullsisë së këtij territori duke pasur një nënshtetësi të vetme, epirote, emri Epir merr tani një kuptim të përcaktuar qartë politik.
Shkrimtari grek i shek. IV p.e.sonë numëron në këtë kohë në Epir vetëm 14 fise, por nga burimet e tjera historike-epigrafike rezulton që ky numër të ketë qenë shumë më i madh. Nga fiset më kryesore ilire, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë politike të kësaj krahine, përmenden sidomos thesprotët, kaonët, molosët etj. Ndërmjet këtyre fiseve ndodhnin luftëra të vazhdueshme për epërsi territoriale dhe politike dhe kishte një prirje për separatizëm midis sundimtarëve të veçantë të tyre. Kjo gjendje vazhdoi të paktën deri në fillim të shek. IV p.e.sonë, kur mbretërit molosë arritën t’u imponohen shumë prej fiseve fqinje epirote dhe të krijonin një mbretëri të fuqishme, me bazë federative, që autorët grekë e quanin Koinon të molosëve.

Premisat për krijimin e shtetit në Epir
Si rezultat i zhvillimit të mëparshëm ekonomiko-shoqëror, në shek.V p.e.sonë në Epir ishin krijuar të gjitha premisat për lindjen e formacioneve të hershme shtetërore.
Diferencimi social, sidomos tek fiset ekonomikisht më të përparuara të kësaj krahine, siç ishin molosët, kaonët, thesprotët etj., pasqyrohet qartë në burimet historike që në shek. VIII-VII p.e.sonë, por tani ai merr përpjesëtime më të gjera. Aristokracia epirote e tokës dhe e bagëtive, kishte arritur t’u impononte pushtetin e vet prodhuesve të vegjël fshatarë dhe të shfrytëzonte për interesat e saja ekonomike punën e shtresave të tjera e të skllevërve.
Në duart e kësaj aristokracie ishin grumbulluar tashmë pasuri të mëdha që i mundësonin asaj të hynte në marrëdhënie të ngushta me shoqërinë antike të Greqisë.
Në gjysmën e dytë të shek.V p.e.sonë, në Epir ekzistonin edhe shtresa të tjera; përveç aristokracisë së tokës, ishte fuqizuar edhe shtresa e zejtarëve e tregtarëve. Shumë kuptimplotë në këtë drejtim paraqitet një mbishkrim i vitit 427/426 zbuluar në sanktuarin e Poseidonit në Tenarë, sipas të cilit një farë Eskrioni, epirotas, liron skllavin e tij, Herakleid, duke ia kushtuar këtë akt hyut të detrave. Sipas përmbajtjes dhe vendgjetjes së mbishkrimit Eskrioni duhej të kishte qenë pikërisht njëri nga përfaqësuesit e tregtarëve skllavopronarë epirotas të lidhur me tregtinë detare. Kjo është prova më e hershme epigrafike, që dëshmon për ekzistencën e institucionit të skllavërisë në Epir të paktën që nga gjysma e dytë e shek. V p.e.sonë.
Mbi bazën e këtij diferencimi të brendshëm dhe të luftës së vazhdueshme që bënin sundimtarët e fiseve të veçanta për nënshtrimin e fqinjëve të tyre, në Epir lindën një tok federatash, sistemi politik i të cilave mbështetej në bashkimin e një grupi fisesh të federuara të quajtura koine.
Më herët këto bashkësi u krijuan rreth fiseve ekonomikisht dhe politikisht më të fuqishme të Epirit, si tek thesprotët, kaonët dhe molosët. Ashtu siç paraqiten në mesin e shek.V, ato ndryshonin midis tyre jo vetëm nga madhësia dhe rëndësia politike, por edhe nga struktura e tyre organizative. Sipas një lajmi të Tukididit, i cili u referohet viteve të para të luftës së Peloponezit, Koinonet e kaonëve dhe të thesprotëve nuk e njihnin pushtetin e mbretit. Në krye të tyre qëndronin dy magjistratë më të lartë ekzekutivë të quajtur në traditën historike, prostatë, të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethet aristokratike të fisit që kryesonte Koinonin.
Molosët, ndryshe nga dy koinonet e para, sundoheshin nga mbretër, pushteti i të cilëve tanimë ishte bërë i trashëgueshëm. Tukididi përmend që në vitin 470 p.e.sonë një mbret molos Admetin, që i dha strehim politik gjeneralit grek Themistokliut të dëbuar me ostrakizëm nga Greqia. Sipas përshkrimit të kësaj ngjarjeje, Admeti paraqitet si një sundimtar me origjinë fisnike, i fuqishëm dhe me influencë deri në rrethet qeveritare të Athinës.
Për veprimtarinë politike të federatave të Epirit burimet historike heshtin pothuajse fare. Ato i shohim të dalin në skenën e historisë vetëm në kohën e luftës së Peloponezit, kur ushtritë e kaonëve, të thesprotëve, të molosëve etj., me sundimtarët e tyre në krye, marrin pjesë në anën e Spartës në ekspeditën luftarake kundër qytetit Strato të Akarnanisë.
Midis këtyre bashkësive të veçanta rolin më të rëndësishëm dhe aktiv në historinë politike të vendit filloi ta luajë Mbretëria e Molosëve. Në qoftë se deri në fundin e shek. V p.e.sonë këto bashkësi vepronin të veçuara dhe në konflikte të brendshme me njëra-tjetrën, tani është Mbretëria Molose ajo që do të marrë iniciativën për të zgjeruar pushtetin e saj dhe për ta vënë Epirin në rrugën e bashkimit të tij politiko-ushtarak.


2. KOINONI (LIDHJA) E MOLOSثVE

Gjendja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore e Epirit në fundin e shek. V dhe gjatë shek. IV p.e.sonë
Nga fundi i shek.V dhe sidomos gjatë shek. IV p.e.sonë, në Epir vihet re një zhvillim i mëtejshëm i ekonomisë në të gjitha degët e saj: në bujqësi, blegtori, e sidomos në zejtari; zhvillohet prodhimi i mallrave, zgjerohen lidhjet tregtare etj.
Në Epir shfaqet tani një faktor shumë i rëndësishëm që luan një rol të ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm, ky është qyteti epirot. Kështu në fundin e shek. V dhe në gjysmën e parë të shek. IV, sipas të dhënave burimore historike dhe arkeologjike, lindin qytetet Kasope, në krahinën e Kasopisë në skajin jugperëndimor të Epirit dhe Elea afër Velianit në krahinën Eleatis të Thesprotisë. Në Epirin Qendror lindin qytetet Passaron (Gardhiqi), kryeqendra tradicionale e shtetit të molosëve dhe qyteti i Kastrisë që identifikohet me Euremenin ose Tekmonin antik.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë urbanizimi në Epir mori përpjesëtime më të mëdha dhe rritet akoma më shumë pesha e tij në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Lindin qytete të reja, midis të cilave në Thesproti, Elina (Dymokastro), Kutçi dhe Gitana (Gumani) që sipas Tit-Livit, duhet të ishte qendra kryesore e Koinonit të thesprotëve; në Kaoni, Teqeja e Melanit, Himara, Foinike (Finiqi), që ishte qyteti më i madh dhe më i fortë i Kaonisë dhe kryeqendra e saj.
Qytetet e Epirit, ashtu sikurse dhe ato të Ilirisë, ishin të fortifikuara me mure të fuqishme prej blloqesh shumëkëndëshe ose të ndërthurura me teknikë muraturash trapezoidale apo kuadratike sipas kushteve të veçanta të terrenit ose të guroreve. Për përforcimin e mureve ngriheshin kulla në vendet më të atakueshme nga armiku. Në sistemet më të hershme fortifikuese këto kulla mungonin ose ishin dukuri të rralla. Vetëm nga gjysma e dytë e shek. IV, ato hynë në përdorim të gjerë si një komponent i nevojshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të teknikës luftarake.
Mënyra antike e prodhimit i dha një hov të menjëhershëm prodhimit zejtar dhe sidomos atyre degëve që lidheshin me ndërtimet. Brenda mureve mbrojtëse të këtyre qyteteve kishte muratorë, gurskalitës, farkëtarë, poçarë, tjegullabërës, arkitektë etj. Zhvillimi i degëve të ndryshme të zejtarisë dhe shtimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nxitën dhe më tej zgjerimin e tregtisë brendapërbrenda, me kolonitë helene të bregut të Jonit dhe sidomos me krahinat fqinje mesdhetare. Kjo e fundit zhvillohej më tepër përmes trafikut detar, të përcaktuar nga vetë pozicioni i favorshëm bregdetar i krahinave, megjithëse funksiononin në këtë drejtim dhe rrugët tokësore.
Në qoftë se deri në shek. V p.e.sonë Epiri lidhjet ekonomike i mbante kryesisht me Korinthin dhe kolonitë e tij në brigjet e Jonit, nga fundi i këtij shekulli ai filloi të orientohet edhe nga Athina. Tani janë mallrat e prodhimit atik, ata që mbizotërojnë në tregjet e Epirit. Prej këtej Athina si këmbim tërhiqte prodhime bujqësore e sidomos blegtorale, lëkura, lëndë druri etj., për të cilat ajo kishte gjithnjë nevojë. Në zhvillimin e tregtisë detare rol të veçantë luanin edhe portet detare në brigjet e Kaonisë, si Onkesmi, Himara, Butrinti etj.
Zgjerimi dhe intensifikimi i tregtisë çoi nga ana e vet në shtimin progresiv të prodhimit të mallrave, bëri të nevojshme lindjen dhe qarkullimin e monedhës autonome. Në fillim ishte Lidhja e Molosëve ajo që hedh e para në treg monedhën e vet (rreth viteve 400 p.e.sonë). Këto ishin monedha kryesisht prej bronzi, megjithëse pati në këtë kohë edhe prerje jetëshkurtër dhe të kufizuar monedhash prej argjendi. Më vonë filluan të presin monedha edhe qytete të veçanta dhe në fund të shek. IV edhe shteti federativ i epirotëve.

Mbretëria e Molosëve gjatë sundimit të Tharypës (423-385 p.e.sonë)
Në çerekun e fundit të shek. V p.e.sonë shtetin e molosëve e kryesonte Tharypa (423-385 p.e.sonë), i cili, sipas një lajmi të Tukididit, e trashëgoi fronin mbretëror të babait në një moshë të mitur duke pasur për një kohë si tutor Sabylintin, prijësin e atintanëve.
Tradita historike i atribuon këtij sundimtari një seri reformash të karakterit ekonomik, ushtarak dhe kulturor, të cilat çuan në zgjerimin dhe në forcimin e mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Në radhë të parë ato prekën formën e hershme të qeverisjes dhe legjislacionin e vjetër të vendit. Kuvendi i popullit si organ i trashëguar nga rendi i komunës primitive, mori tani përmbajtje të re. Në organet drejtuese të shtetit, rol të rëndësishëm fillon të luajë prostati, funksionari më i lartë i shtetit pas mbretit. Ky zgjidhej për çdo vit në Kuvendin e Popullit nga rrethet aristokratike, të cilat ushtronin fuqishëm autoritetin e tyre në kuvend. Duke qëndruar pranë mbretit, si mbrojtës i ligjeve të vendit, prostati në fakt e kufizonte shumë pushtetin mbretëror, dhe me këtë ai ruante të palëkundshme pozitat e aristokracisë në veprimtarinë politike të shtetit.
Kjo formë e kufizuar e pushtetit qendror nga aristokracia e tokës, si edhe ligjërimi i të drejtave të tjera të saj, i japin Mbretërisë Molose atributet e një shteti me mbeturina të theksuara të rendit fisnor.
Mbretëria Molose që në fillim të veprimtarisë së saj politike tërhoqi vëmendjen e shteteve fqinje të Mesdheut dhe sidomos të Athinës dhe të Spartës, të cilat sapo kishin nisur midis tyre konfliktin e armatosur për supremaci ekonomike dhe politike në Greqi. Në këtë konflikt historikisht të njohur si Lufta e Peloponezit dhe që, siç dihet, zgjati me ndërprerje të vogla plot 28 vjet (432-404 p.e.sonë) dhe pati pasoja të rënda për Greqinë, të dyja palët ndërluftuese bënë përpjekje që të siguronin përkrahjen e shtetit të ri të molosëve, meqë territori i tij zinte një pozicion mjaft të favorshëm strategjik me rrugën midis brigjeve veriperëndimore të Greqisë dhe të Maqedonisë e Thesalisë.
Në fillim ishte Sparta ajo që ushtroi ndikimin e saj mbi shtetin molos. Në vitin 429 p.e.sonë, molosët i ofrojnë asaj deri ndihmën ushtarake, duke dërguar kontingjente të konsiderueshme luftëtarësh për pushtimin e qytetit Stratos të Akarnanisë.
Mirëpo edhe pas kësaj fushate të pasuksesshme, e cila synonte të dobësonte ndikimin e Athinës në këtë zonë kufitare të Epirit, diplomacia athinjote nuk hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetin e molosëve. Ajo kishte shumë nevojë për përkrahjen e këtij shteti të ri energjik në qendër të Epirit. Përmes territorit të tij Athina mund të kontrollonte nga shpina maqedonët e paqëndrueshëm të Perdikës si dhe thesalët, me të cilët ajo sapo kishte krijuar lidhje miqësore pas kryengritjes së lynkestëve (433 p.e.sonë).
Nga ana tjetër, me këto marrëdhënie Athina synonte të kishte edhe përfitime ekonomike. Se sa rëndësi i jepte Athina lidhjeve me shtetin molos, këtë e tregon dhe fakti se ajo në këtë kohë merr përsipër edukimin e Tharipës së vogël në një nga shkollat e Athinës dhe e pret atë më vonë në Athinë me nderime të veçanta duke e regjistruar si qytetar nderi.
Për vendosjen e marrëdhënieve të mira me Athinën ishte i interesuar gjithashtu edhe vetë shteti i molosëve, i cili kërkonte të siguronte përkrahje për politikën e zgjerimit territorial që projektoi Tharypa, të cilën ai filloi ta realizonte në vitet e fundit të jetës së tij.
Këto marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe politike me Athinën i hapën rrugë depërtimit të ndikimit të qytetërimit helen, i cili u shfaq në strukturën organizative të shtetit, në ndërtimet, në përdorimin e gjuhës dhe të shkrimit grek në rrethet e aristokracisë dhe të administratës shtetërore, në trajtimin tipologjik dhe metrologjik të monedhave të para molose sipas prototipave të monedhës atike të fundit të shek.V dhe fillimit të shek. IV p.e.sonë. Ky ndikim do të shfaqet gjithashtu dhe në jetën kulturore e artistike, qendra e së cilës bëhen qytetet. Në Passaron, p.sh., mendohet të jetë ftuar dramaturgu i shquar grek Euripidi, për të vënë në skenë tragjedinë e tij “Andromaka”, ku lavdërohej origjina dinastike e mbretërve molosë. Kjo vepër ndikoi shumë në kultivimin e mitit gjenealogjik të molosëve, sipas të cilit zanafilla e tyre i referohet tani Molosit, biri i Neoptolemit të Akilit dhe i Andromakës, të vesë së Hektorit, që pas shkatërrimit të Trojës erdhën dhe u vendosën në Epir.
 
Lidhja Molose (çereku i parë i shek. IV p.e.sonë).
Struktura e saj organizative
Gjatë sundimit të Alketës, birit të Tharypës, shteti molos mori zhvillim të mëtejshëm. Nuk është përcaktuar me saktësi se në ç’kohë dhe në ç’rrethana e trashëgoi fronin. Dihet se në vitin 385 p.e.sonë ai gjendej i strehuar politik tek Dionizi, tirani i Sirakuzës. Në burimet historike nuk jepen as motivet që e shtynë Alketën të braktiste fronin. Ka mundësi që ky, duke dashur të vazhdonte politikën e aleancës me Athinën, në një kohë kur kjo kishte pësuar tashmë humbje ushtarake dhe diplomatike nga Sparta, të ketë ndeshur në kundërshtimin e partisë filospartane. Në këtë kohë kjo filloi të aktivizohej shumë, sidomos pas fitoreve të Agesilaut në Akarnani (389-388 p.e.sonë), që i hapën rrugën Spartës për të shtrirë ndikimin e vet jo vetëm në Greqinë Veriperëndimore, por edhe në Epir.
Dionizi që ishte interesuar dhe po vepronte aktivisht për të vendosur një kontroll efektiv në detin Adriatik dhe mbi rrugët që të çonin për në Epir, e mirëpriti Alketën dhe e ndihmoi atë që të rikthehej në fronin e humbur. Me këtë mënyrë tirani i Sirakuzës synonte të siguronte një aleat të ri, që do të përkrahte pikësynimet e tij politike dhe tregtare në brigjet e Ilirisë dhe të Epirit. Për këtë qëllim në vitin 385 p.e.sonë, Dionizi bëri një marrëveshje me Alketën për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin e shtetit të molosëve duke i siguruar një ndihmë efektive në kontingjente luftarake dhe armatime. Ky sulm i papritur i forcave të bashkuara iliro-sirakuzane, u shkaktoi molosëve rreth 15 000 të vrarë sipas Diodorit të Sicilisë. Përforcimet që u dërgoi Sparta molosëve nuk e ndryshuan gjendjen e tyre të vështirë. Siç duket, ajo nuk u angazhua aq shumë në këtë luftë, pasi nuk ishte e interesuar të hynte në konflikt me Dionizin. Kështu ky aksion i nxitur prej tiranit të Sirakuzës përfundoi me sukses dhe me rivendosjen e Alketës në krye të shtetit molos.
Pasi përforcoi pozitat brendapërbrenda mbretërisë, Alketa vazhdoi politikën e zgjerimit territorial të shtetit të tij të filluar që në kohën e Tharypës, rivendosi marrëdhëniet e ndërprera për pak kohë, me Athinën. Në vitin 377 ndihmoi aktivisht Lidhjen e dytë detare të Athinës, duke lehtësuar veprimet e saj luftarake kundër Spartës në pellgun e Jonit. Në vitin 372 p.e.sonë Alketa i dha mundësi një reparti prej 600 pelltastësh të Stesiklit, të kalonin nëpër territorin molos dhe të lidheshin në Korkyrë përmes bregut të Epirit.
Me politikën e tij ekspansioniste, Alketa arriti të shtrijë sovranitetin e vet mbi një territor të konsiderueshëm të Epirit. Sipas një mbishkrimi dekretor të viteve 370-368 p.e.sonë kufijtë e Mbretërisë Molose që trashëgoi në këtë kohë i biri i tij Neoptolemi, shtriheshin në lindje deri në Hestiotiden perëndimore, në verilindje deri në kufijtë e Orestides në luginën e sipërme të Haliakmonit dhe në veriperëndim përmes një rripi toke deri në kufijtë e Parauejes në rrjedhjen e mesme të Vjosës. Molosët dolën në det siç duket në zonën e Kestrinës, në veri të lumit Kalama (Thiamis). Nga perëndimi pas aneksimit të Dodonës në fund të shek. V p.e.sonë, molosët e shtrinë kontrollin e tyre deri tek lugina e sipërme e Aheronit.
Kjo shtrirje territoriale e Mbretërisë Molose në kohën e Alketës, duket se përputhet plotësisht me cilësimin që i bën këtij sundimtari Polidami i Fardales në një fjalim të transmetuar nga historiani e gjenerali grek Ksenofoni, kur e quan atë “sundimtar suprem të Epirit”.
Këto të dhëna burimore dhe epigrafike tregojnë se në kohën e këtij sundimtari dhe të pasardhësit të tij kishte avancuar mjaft procesi i bashkimit politik të popullsive të veçanta të Epirit, proces ky që çoi në krijimin e organizimit më të gjerë shtetëror që njihet me emrin Lidhja e Molosëve.
Duke gjykuar nga të dhënat mbishkrimore të kësaj periudhe, në këtë Lidhje përveç molosëve bënin pjesë edhe shumë popullsi të tjera epirote, si tripolitët, kelaithët, paialët, arktanët, genoait, ethenestët, onopernët, etj. Këto grupe të veçanta etnike merrnin pjesë në qeverisjen e kësaj lidhjeje përmes përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, të cilët në dekretet mbishkrimore quhen demiorgë ose synarhontë.
Një mënyrë e tillë qeverisjeje, i jepte këtij formacioni të ri shtetëror karakter federativ, por nën hegjemoninë e molosëve.
Lidhja Molose, e cila përfaqësonte etapën e parë në procesin e zgjerimit dhe të konsolidimit progresiv të shtetit federativ të Epirit, kishte një strukturë organizative të brendshme të përcaktuar qartë me institucione legjislative dhe ekzekutive. Në krye të Lidhjes së Molosëve qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve. Por pushteti i tij, ashtu siç e thekson Aristoteli, ishte i kufizuar. Mbreti kur merrte pushtetin në dorë, ishte i detyruar të bënte fli në altarin e hyut të luftës në Passaron dhe të betohej përpara përfaqësuesve të shtetasve të tij, se do të sundonte sipas ligjeve të vendit. Përfaqësuesit nga ana e tyre, i premtonin mbretit se do ta përkrahnin atë gjatë sundimit të tij. Ky betim tradicional midis mbretit dhe përfaqësuesve, ishte një formë e trashëguar nga rendi i vjetër fisnor, por që tani merr një përmbajtje të re duke siguruar me këtë ndikimin e aristokracisë në drejtimin e kësaj lidhjeje shtetërore.
Mbreti ishte komandant suprem i ushtrisë së Lidhjes Molose dhe gëzonte një pushtet të padiskutueshëm në kohë lufte. Pas mbretit funksionari më i lartë në Lidhjen Molose vinte Prostati, një magjistrat eponym që zgjidhej për çdo vit nga komunitetet e ndryshme etnike të bashkuara në këtë lidhje. Ai kryesonte kuvendin e popullit, e thirrte atë, drejtonte punët e tij, paraqiste propozimet për t’u miratuar etj.
Në mbishkrime së bashku me prostatin përmendet edhe sekretari, që zgjidhej për çdo vit zakonisht nga i njëjti fis, të cilit i përkiste dhe prostati. Kuvendi i popullit përbëhej, me sa duket, nga të gjithë burrat e aftë për luftë, qofshin këta molosë apo anëtarë të bashkësive të tjera që përfshiheshin në Lidhjen e Molosëve. Ky kuvend votonte vendime, të cilat akordonin të drejta qytetarie, proksenie dhe privilegje të tjera. Në këtë kuvend legjislativ mund të merrnin pjesë të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë të të gjitha komuniteteve etnike të përfshira në Lidhjen e Molosëve. Kuvendi mund të mblidhej disa herë në vit, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme. Vendi i mbledhjeve të tij ishte Passaroni, megjithëse ato mbaheshin edhe në qendra të tjera, si p.sh. në Dodonë etj.
Vendimet apo ligjet për të cilat votonte Kuvendi, përgatiteshin siç duket nga një institucion tjetër i veçantë, nga Këshilli. Ky ndoshta ishte ai senat për të cilin flet Justini duke ia atribuar krijimin e tij mbretit Tharypë.
Organ tjetër, i ndryshëm nga Këshilli, ishte dhe kolegji i përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme në Lidhjen e Molosëve, me anë të të cilëve ato merrnin pjesë në drejtimin e përbashkët të punëve të shtetit. Në krye të këtij kolegji, qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve dhe dy magjistratët e zgjedhur çdo vit, prostati dhe sekretari, të cilët mund të ishin molosë ose jo. I tërë ky organizim shtetëror i jepte Lidhjes Molose, që përfaqësonte njëkohësisht dhe shtetin më të fuqishëm në Epir deri në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë, formën e një shteti federativ monarkik.

Marrëdhëniet politike të Lidhjes me Maqedoninë
Pas viteve 60 të shek. IV p.e.sonë në politikën e jashtme të Lidhjes Molose vihen re ndryshime të dukshme, që çuan në zgjerimin territorial dhe në fuqizimin e mëtejshëm politik të saj.
Në këtë kohë në kufijtë verilindorë të Epirit filloi të mëkëmbet me shpejtësi shteti maqedon. Gjatë sundimit të Filipit II Maqedonia u shndërrua në një monarki të fuqishme të centralizuar, në një forcë kryesore politike dhe ushtarake në Ballkan.
Duke shfrytëzuar krizën e shteteve greke, Filipi pasi zgjeroi dhe konsolidoi shtetin e vet, nuk vonoi të ndërhynte edhe në çështjet e brendshme të tyre duke zhvilluar një politikë konsekuente hegjemoniste mbi to. Në këtë drejtim Epiri duhet të shërbente si një mbështetje për të shtrirë kontrollin maqedon në brigjet perëndimore të Greqisë, për këtë qëllim Filipi II i dha një rëndësi të veçantë vendosjes së një aleance të qëndrueshme me Lidhjen Molose. Për këtë aleancë ishte interesuar dhe vetë Lidhja, sa kohë që Maqedonia do t’i linte dorë të lirë për ta çuar më tej politikën e zgjerimit të mëtejshëm të kufijve të saj. Dhe jo rastësisht Arryba, i cili kryesonte në këtë kohë Lidhjen, shpejtoi të lidhte krushqi me Filipin II, duke i dhënë këtij të fundit në vitin 357 p.e.sonë mbesën e tij, Olymbinë për grua.
Midis viteve 360-344 p.e.sonë, Lidhja Molose shënon një zgjerim të mëtejshëm të territorit të saj nga verilindja duke arritur kufirin më të largët në këtë drejtim deri tek Parauejtë në pellgun e Përmetit, Timfejtë dhe Orestët në luginën e sipërme të Haliakmonit.
Por në vitin 344 p.e.sonë, Lidhja detyrohet të heqë dorë nga këto krahina, të cilat Filipi II ia kaloi Maqedonisë. Kur pak më vonë Athina nisi të përzihet në çështjet e brendshme të Epirit, duke rrezikuar pozitat e Maqedonisë në Epir, Filipi II sulmoi ushtarakisht Ambrakinë duke kaluar nëpër territorin shtetëror të Lidhjes. Pasi mposhti Ambrakinë dhe nënshtroi kolonitë helene të elejve në Kasopi, Buketin, Pandosinë dhe Eletren, zboi nga froni Arrybën, aleatin e lëkundur dhe të pabindur të Maqedonisë, i cili kërkoi strehim në Athinë. Në krye të Lidhjes Molose vuri kunatin e vet Aleksandrin 20-vjeçar, të mbiquajtur Molos, të cilit i dorëzoi dhe qytetet që sapo i kishte pushtuar. Për ta angazhuar edhe më shumë ndaj Maqedonisë, Filipi II i dha Aleksandrit për grua të bijën, Kleopatrën, dhe e përkrahu atë në politikën e zgjerimit territorial të shtetit molos. Gjatë sundimit të Aleksandrit (342-331 p.e.sonë), Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë e saj në drejtim të krahinave jugore dhe veriperëndimore të Epirit. Nën kontrollin e Lidhjes hynë tani jo vetëm kolonitë elease, por edhe tërë Kasopia fqinje, të cilat u bënë aleatë të saj (symnatios), duke gëzuar një farë autonomie dhe të drejtën që të prisnin monedhat e tyre.
Aleksandri arriti t’i imponojë pushtetin e tij dhe Koinonit të thesprotëve, deri atëhere i pavarur, megjithëse territorialisht në përfitim të Lidhjes Molose, e cila ushtronte mbi të presion të vazhdueshëm, për të dalë në det. Jashtë kontrollit të shtetit molos ende mbetej në këtë kohë Koinoni i kaonëve, që vazhdoi të ruante pavarësinë e tij. Zgjerimi territorial në drejtim të pjesës më të zhvilluar nga pikëpamja social-ekonomike të Epirit dhe në mënyrë të veçantë dalja e tij gjerësisht në det, e fuqizuan edhe më shumë ekonomikisht dhe politikisht shtetin molos, dhe hapën rrugë për një intensifikim të lidhjeve sidomos me brigjet perëndimore të Mesdheut.
Në vitin 334 p.e.sonë Tarenti kërkoi nga Aleksandri molos ndihmë ushtarake, meqenëse po rrezikohej pavarësia e qytetit dhe e aleatëve të tij nga lukanët. Aleksandrit do t’i jepej mundësia që të përhapte influencën e Epirit edhe në qytetet e tjera të Italisë së Jugut, për të cilën ishin të interesuara shtresat sunduese të vendit, që ai përfaqësonte dhe në mënyrë të posaçme ajo tregtare. Kjo u bë nxitje që Aleksandri të ndërhynte aktivisht në çështjet e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Pasi ia la sundimin e Mbretërisë Epirote gruas së vet sa kohë që ai do të mungonte, Aleksandri u nis për në Itali me forca të kufizuara, sipas Aristotelit me 15 anije ushtarake dhe mjaft anije tregtare. Me të zbritur në Itali, ai e zgjeroi bërthamën e ushtrisë së tij relativisht të vogël, me forca tarentine si edhe me mercenarë, me lukanë të dëbuar dhe me kontingjentet që i vunë në dispozicion qytetet e tjera greke të kërcënuara nga fiset italike.
Në fillim Aleksandri korri një sërë fitoresh kundër lukanëve dhe samnitëve, futi në dorë Heraklenë, koloninë e Tarentit, Sipontin e Apuljes etj., dhe për një kohë ai e konsideroi veten sundimtar të plotë mbi to. Nga kjo pozitë, ai bëri marrëveshje dhe me qytete të tjera, madje dhe me Romën. Nga vendet e kontrolluara prej tij dërgoi për në atdhe 300 familje të shquara si pengje. Më vonë lukanët dhe samnitët e morën veten dhe me forca të shumta të bashkuara, filluan të ushtrojnë përherë e më tepër presion mbi ushtrinë epirote dhe të aleatëve të saj numerikisht më të pakët, derisa në dimrin e vitit 331-330 p.e.sonë, pas një beteje të përgjakshme pranë Pandosisë, jo larg Kozencës, forcat e Aleksandrit u thyen keqas dhe ai mbeti i vrarë në këtë betejë.
Me rrjedhimet që patën këto ngjarje në Epir mbyllet dhe etapa e parë e zhvillimit historik të shtetit federativ epirot.


3. ALEANCA (SYMAHIA) EPIROTE

Formimi i shtetit të epirotëve dhe organizimi politik i tij
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ndodhën ndryshime të një rëndësie të veçantë në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Molosëve shndërrohet tani në një formë të re shtetërore të një karakteri gjithnjë federativ, si edhe më parë, por me një emërtim të ri kushtetues, të quajtur aleancë e epirotëve.
Ky shtet i epirotëve, siç rezulton nga të dhënat e ndryshme burimore të kohës, u formua nga bashkimi i shtetit të molosëve me aleatët (symahoi) e tij, me Kasopene dhe qytetet e Eleasë fqinje me të, si edhe me shtetin e thesprotëve.
Nuk njihen me saktësi motivet që çuan në konsolidimin juridik të këtij organizimi të ri shtetëror; po kështu ekzistojnë mendime të ndryshme rreth saktësimit të datës së kësaj ngjarjeje, duke e vendosur atë në kohën e Aleksandrit ose fill pas vdekjes së tij kur ishte regjente e shoqja e tij Kleopatra. Në qoftë se do të pranohet se organizimi i kësaj forme të re shtetërore u bë nga Aleksandri Molos, përpara se ai të fillonte fushatën luftarake në Itali, atëherë kjo duhet të ketë qenë rrjedhojë e fuqizimit të mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Por, nëse formimi i saj do të ketë ndodhur fill pas vdekjes së Aleksandrit, ky organizim duhet parë si rrjedhojë e dobësisë së autoritetit të sundimtarëve molosë. Megjithatë, është e sigurt, se rruga drejt kësaj zgjidhjeje të re në organizimin shtetëror të vendit qe hapur nga Aleksandri me politikën e federimit të territoreve të reja që i ishin atashuar Lidhjes Molose.
Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkike dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në të. Në kuadrin e kësaj federate çdo bashkësi e madhe apo e vogël etnike kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit, prostatin e tij. Bashkësitë merrnin pjesë në qeverisjen e shtetit epirot nëpërmjet kolegjit të përfaqësuesve (damiorgë) të tyre, që dilte nga çdo komunitet i veçantë etnik.
Institucionet drejtuese të këtij shteti nuk ndryshonin nga pikëpamja funksionale nga ato të Lidhjes Molose. Ndryshimi i emrave të tyre nga molos në epirot, nuk shprehin ende ndonjë diferencim real të institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim mund të thuhet se Lidhja e Molosëve vazhdon, zgjerohet, por pa u dobësuar, në një formë të re, në atë të shtetit epirot.
Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej gjithnjë nga familja mbretërore e molosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por tani si mbret i shtetit epirot. Si edhe më parë, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin “i molosëve” ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit epirot. Ai kishte për detyrë të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë, t’i drejtonte ato, të bëhej interpret midis mbretit dhe nënshtetasve në këmbimin e premtimeve reciproke në faltoren e Zeusit Arcios, në Passaron etj.
Eklesia e molosëve, ia lëshon vendin tani një asambleje të re më të gjerë ku merrnin pjesë popullsia e tërë shtetit epirot. Kjo asamble me funksione legjislative, që miratonte edhe dekretet shtetërore quhej Symahia e epirotëve.
Kjo federatë me karakter të theksuar politik-ushtarak merrej edhe me çështje të veçanta ekonomike dhe financiare që ishin në funksion të saj. Kështu p.sh. në bazë të një mbishkrimi dekretor të viteve 317-312 p.e.sonë, gjetur në Dodonë, nxirret përfundimi se të ardhurat doganore ishin caktuar të mblidheshin për llogari të kësaj aleance.
Me krijimin e kësaj kushtetute konfederale epirote, ndryshoi dhe sistemi i mëparshëm monetar. Monedhat e molosëve, të thesprotëve dhe të kasopasve, të cilat qarkullonin deri atëherë në Epir si monedha autonome, zëvendësohen tani me një prerje të përbashkët për të tërë Epirin, gjë që pasqyrohet qartë dhe në legjendën e tyre, “e epirotëve”. Nuk dihet me saktësi se ku qenë prerë këto monedha të Symahisë. Mund të mendohet të ketë qenë Dodona, ku më vonë do të provohet dhe ekzistenca e një punishteje monetare. Por kjo nuk përjashton mundësinë që ato të jenë prerë dhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh. në Pasaron.
Aleanca epirote, me gjithë ndryshimet që mund të ketë pësuar gjatë jetës së saj, historikisht vazhdoi të ekzistonte rreth një shekulli deri në vitet 334-233 p.e.sonë, kur u zëvendësua nga Lidhja Republikane Epirote.

Shteti i ri epirot në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë
Pas vdekjes së Aleksandrit molos, shteti i Epirit u gjet përpara vështirësive serioze, të shkaktuara nga grindjet e brendshme midis grupeve të ndryshme politike të shtresave sunduese, si edhe nga krijimi i situatave të jashtme të jo të favorshme, që çuan në prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë.
Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vu tani Olymbia. Kjo, fill pas vdekjes së vëllait, qe kthyer në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, me të cilin ishte në opozitë. Duke ardhur në Epir ajo zboi nga regjenca Kleopatrën (330-328 p.e.sonë) dhe filloi të sundojë shtetin epirot si tutore e të nipit të mitur, Neoptolemit II për një kohë dhe bashkë me Ajakidin të birin e Arrybës.
Në vitin 317 p.e.sonë, përpjekjet e Olymbisë për të marrë pushtetin në Maqedoni, u kurorëzuan me sukses, por vetëm për pak kohë, pasi qe e detyruar ta lëshojë atë nga presioni ushtarak që i bëri asaj Kasandri, i biri i Antipatrit. E ndjekur prej tij Olymbia u strehua në Pella, ku më kot priti ndihmën e Ajakidit, meqenëse një pjesë e madhe e ushtrisë së tij kundërshtoi vendimin për të hyrë në luftë me Maqedoninë. Kjo revoltë e ushtarëve, aktivizoi në prapavijë elementët promaqedonë, të cilët e detyruan këshillin e aleancës më në fund të dëbojë Ajakidin nga froni dhe të rivendosë lidhjet me Maqedoninë. Olymbia e lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe nga sulmet e pareshtura të armikut, u dorëzua më në fund dhe u vra nga kundërshtarët e saj. Kjo disfatë në frontin e luftës, i dha shkas një vale të tërbuar ndjekjesh kundër përkrahësve të Ajakidit. Opozita kërkoi të zhdukte edhe të birin e tij, Pirron dyvjeçar, por nuk arriti, pasi njerëzit e tij e dërguan fshehurazi tek mbreti ilir Glaukia, me të cilin Ajakidët kishin lidhje.
Për të shuar qëndresën antimaqedone në vend, Kasandri vendosi në Epir një regjim pushtimi. Ai e bëri këtë siç duket, me qëllim që të ishte i lirë në zbatimin e politikës së tij pushtuese në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Por ky presion i vazhdueshëm politik dhe shoqëror i Maqedonisë, shkaktoi një valë të papërmbajtur zemërimi midis popullsisë epirote, e cila u hodh në opozitë të hapur me shkelësit e të drejtave të saj. Këtë pakënaqësi e shfrytëzoi Ajakidi. Ky, pasi u kthye në atdhe në vitin 313 p.e.sonë, me ndihmën e përkrahësve të tij nga Etolia, mundi të organizojë me lehtësi ushtrinë epirote dhe sulmoi kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ndodhi në një kohë kur Maqedonia sapo kishte filluar luftën kundër etolëve dhe ilirëve. Megjithatë kjo fushatë e Ajakidit nuk pati sukses dhe vetë mbreti mbeti i vrarë në fushën e betejës.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi as më vonë, kur në krye të shtetit epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit. Ai bëri shumë përpjekje për t’u shkëputur nga Maqedonia, por pavarësisht nga sukseset e përkohshme, ai u detyrua më në fund të pranonte paqen me kundërshtarin në kushte të favorshme për këtë. Alketës II iu desh të ndryshonte dhe politikën e vet dhe të bënte aleancë me Maqedoninë. Ky veprim krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Ndërkaq, veprimet e tij arbitrare, shkaktuan zemërimin e popullsisë, që shpërtheu në një kryengritje hakmarrëse dhe që përfundoi me vrasjen e Alketës II dhe të bijve të tij.
Në vitin 307 p.e.sonë u duk sikur gjendja do të ndryshonte. Glaukia, duke mos e parë me sy të mirë fuqizimin e ndikimit maqedon në Epir, ndërhyri me forcë në punët e brendshme të tij dhe vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe bashkë me të edhe ndikimin e tij. Por ky nuk zgjati më shumë se 5 vjet, pasi Kasandri organizoi me njerëzit e vet shfronësimin e Pirros, në një kohë kur ai ende nuk kishte forcuar mirë pozitat e tij, dhe vendosi në fron Neoptolemin II. I ndodhur në këtë kohë jashtë Epirit, Pirroja u vu në shërbim të sundimtarëve helenistikë, Demetër Poliorketit dhe Ptolemeut të Egjiptit për disa vite me radhë. Në këto vende ai pati rast që të shohë e të mësojë shumë si nga jeta shoqërore, ashtu edhe nga arti luftarak i këtyre vendeve, ku dhe u dallua së tepërmi duke treguar shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në një varg betejash.
Në vitin 297 vdekja e Kasandrit të Maqedonisë dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj sundimit arbitrar të Neoptolemit II, e ndihmuan Pirron që të rikthehej në atdhe. Për këtë veprim ai qe përkrahur dhe nga Ptolemeu, i cili shpresonte të kishte në personin e Pirros një mbështetje efektive për planet e tij në Greqi. Pasi zbarkoi në brigjet e Epirit me forcat e veta ushtarake të sjella nga Egjipti dhe duke gjetur përkrahjen e popullit që, sipas Plutarkut, e priti duke e përshëndetur me mbiemrin “Shqiponjë”, Pirroja u vendos më në fund në fronin e Mbretërisë Epirote. Në fillim ai u përpoq të përforconte pozitat e tij në Epir, dhe këtë e arriti me durim, duke e ndarë për një kohë fronin me Neoptolemin II, i cili kishte ende përkrahës në qarqet sunduese. Kur ia arriti këtij qëllimi, dhe, pasi mori vesh se rreth tij po kurdisej një kurth nga përkrahësit e Neoptolemit, Pirroja e vrau këtë, dhe pas kësaj shpejtoi të përqendronte të tërë pushtetin mbretëror në duart e veta.


Epiri në kohën e sundimit të Pirros (297-272 p.e.sonë)
Në fillim të shek. III p.e.sonë, Epiri del nga kriza e vështirë dhe me pasoja të rënda politike që e kishte mbërthyer pas vdekjes së Aleksandrit Molos dhe vihet në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror dhe politiko-kulturor.
Nga një politikë e paqëndrueshme e brejtur nga kontradikta të brendshme dhe presione nga jashtë, shteti epirot kalon tani në një politikë energjike të pavarur, me një perspektivë të gjerë në fushën e forcimit të pushtetit shtetëror dhe të zgjerimit territorial të tij, që u realizuan me një shpejtësi dhe me një mënyrë të paparë deri atëherë. Gjatë sundimit të Pirros shteti epirot bëhet një fuqi imponuese e kohës me një pushtet të fortë mbretëror, me një potencial të madh ushtarak si dhe me një autoritet politik të shquar në botën mesdhetare të kësaj kohe.
Pirroja vendosi marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të asaj kohe dhe i forcoi lidhjet me martesa të shumta që bëri me bijat e sundimtarëve të tyre. Që kur ishte në oborrin e Ptolemeut I, Pirroja qe martuar me të bijën e tij Antigonën, më vonë pas vdekjes së saj, me Lanasen, të bijën e Agathoklit të Sirakuzës, prej së cilës mori si prikë dhe Korkyrën që ai kishte pushtuar dhe pastaj edhe me të bijat e sundimtarëve ilirë, Audoleonit të paionëve dhe të Bardhylit të Ri. Pirroja i kushtoi vëmendje të posaçme organizimit të ushtrisë, përpunimit të një strategjie efektive luftarake, për të cilat kishte njohuri të mëdha teorike, si dhe rritjes së aftësisë luftarake të ushtrisë. Ai favorizoi gjithashtu dhe përparimin ekonomik dhe kulturor të vendit që u pasqyrua në zhvillimin dhe në intensifikimin e mëtejshëm të urbanizimit të Epirit. U zhvillua një veprimtari e dendur ndërtuese në qytetet ekzistuese si në Dodonë, Ambraki apo në qytetet e tjera të reja epirote, midis të cilëve Berenike, Kasopi dhe Antigonea në Kaoni, të cilët mbajnë emra që kanë të bëjnë me siguri me kohën e sundimit të Pirros. Për një nivel të lartë të artit të ndërtimit në këtë kohë dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në Molosi, ku mendohet të ketë qenë dhe Fylakeja antike.
Pirroja projektoi një politikë të jashtme aktive ekspansioniste. Ai ndërhyri në çështjet e ndërlikuara të botës greko-maqedone dhe italike me mendimin që të krijonte një shtet të madh epirot, i cili do të përfshinte Ballkanin dhe përtej detit, Gadishullin Italik.
Së pari, Pirroja e drejtoi vëmendjen nga Maqedonia, ku pas vdekjes së Kasandrit kishin shpërthyer turbullira për trashëgimin e fronit. Këtë gjendje të vështirë të Maqedonisë e shfrytëzoi për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj si përkrahës i Aleksandrit, të birit të Kasandrit. Me këtë rast Pirroja i shkëputi Maqedonisë mjaft krahina që gjendeshin në atë kohë nën kontrollin e saj dhe pikërisht Tymfenë e Paraunenë epirote të pushtuara nga Filipi II, Amfilokinë, Akarnaninë dhe Ambrakinë, të cilën e bëri kryeqytet të mbretërisë së tij.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë nuk vazhduan shumë dhe u prishën në vitin 294 p.e.sonë, kur Demetër Poliorketi zhduku aleatin e tij Aleksandrin dhe mori në duar frenat e Mbretërisë Maqedone. Në këtë situatë Pirroja duke mos qenë më i sigurt në kufijtë lindorë të mbretërisë së tij, u vu në opozitë të hapur me sundimtarin e ri maqedon dhe aderoi në aleancën antimaqedone që u krijua pak më vonë në Greqi. Në vitin 289 p.e.sonë, Demetri duke dashur t’u imponohej kundërshtarëve të vet, pushtoi Etolinë dhe sulmoi Epirin, por Pirroja kundërveproi menjëherë. Pasi theu maqedonët në Etoli, duke u shkaktuar atyre humbje shumë të mëdha, i detyroi ata të tërhiqeshin dhe nga Epiri.
Kundër Demetrit të Maqedonisë filloi të veprojë pak më vonë koalicioni i sundimtarëve helenistikë: Ptolemeu i Egjiptit u nis me një flotë të madhe dhe ngriti kundër tij qytetet e Greqisë, kurse Lysimaku, sundimtar i Trakisë dhe i një pjese të Azisë së Vogël, hyri në Maqedoninë Veriore duke e shkretuar atë. Kjo gjendje vuri në lëvizje edhe Pirron, i cili e sulmoi Maqedoninë nga jugu. Ky iu drejtua qytetit Edisa, dhe e pushtoi atë pa hasur në ndonjë qëndresë të madhe, meqë forcat më të rëndësishme të ushtrisë së Demetrit ishin dislokuar në veri kundër Lysimakut. Pirroja ndërkaq përparonte pa ndonjë qëndresë nga ana e maqedonëve dhe arriti, madje, të shpallej mbret i tyre. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi qe detyruar t’i ndante zotërimet e tij në Maqedoni me Lysimakun, i cili pretendonte se kishte dhënë ndihmesë në sukseset e Pirros duke mbërthyer për një kohë forca të shumta të Demetrit në kufirin verior të Maqedonisë. Këto lëshime të Pirros mënjanuan konfliktin e mundshëm me Lysimakun, por nuk zhdukën kontradiktat midis tyre.
Në këtë kohë, zotërimet e shtetit epirot në Ballkan arritën zgjerimin e tyre më të madh. Pirroja sundonte tani jo vetëm mbi tërë Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të Thesalisë në lindje, mbi krahinat greke në jug të Epirit, ku bënin pjesë Ambrakia, Amfilokia e Akarnania. Në veri zotërimet e tij shtriheshin dhe mbi një pjesë të vogël të Ilirisë, si edhe mbi disa ishuj të Jonit ku bënte pjesë edhe Korkyra. Kjo hapësirë territoriale, megjithatë, nuk përbënte një organizim të qëndrueshëm politik rreth një bërthame të fuqishme qendrore, as edhe një komunitet territoresh dhe popullsish të bashkuara me interesa të përbashkëta, por një konglomerat popujsh me zhvillim jo të njëllojtë social, ekonomik dhe politik, të nënshtruar nga ushtria epirote në krye të së cilës qëndronte si komandant Pirroja. Kjo ishte arsyeja që këto zotërime, në rastin më të volitshëm, u shkëputën nga varësia e Epirit. Dhe ky rast u shfaq menjëherë pas shpartallimit të Demetrit në Azi. Lysimaku që e ndiente tani veten të lirë dhe kohën të përshtatshme për të aneksuar tërë Maqedoninë, u drejtua me forca të mëdha kundër Pirros dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga pushtimet në Maqedoni dhe në Thesali.
Ndërkaq në Italinë e Jugut u zhvilluan ngjarje, të cilat nuk lanë pa tërhequr vëmendjen e sundimtarit epirot, sidomos tani pas humbjes së Maqedonisë. Qytetet greke të Italisë së Jugut, me të cilat Epiri kishte vendosur me kohë lidhje tregtare, të dobësuara nga lufta e konkurrenca ndërmjet tyre, nuk qenë në gjendje të zhduknin kontradiktat e ashpra që karakterizonin marrëdhëniet midis tyre.
Këtë gjendje e shfrytëzoi me sukses Roma, e cila ndërhyri për t’i zgjidhur këto kontradikta në të mirën e vet. Por ky fakt ngjalli pakënaqësi tek Tarentinët, që hynë në konflikt të hapur me romakët. Duke mos e përballuar epërsinë e forcave romake, me të cilët u bashkuan si aleatë edhe lukanët, mesapët dhe tarentinët kërkuan ndihmën e Pirros.
Shtetit epirot iu dha për të dytën herë mundësia që të ndërhynte aktivisht në punët e brendshme të qyteteve të Italisë së Jugut. Qarqet sunduese të Epirit e mirëpritën këtë ftesë, duke shpresuar se lufta në Itali do t’u sillte përfitime të mëdha. Pirroja iu përgjigj me kënaqësi kësaj thirrjeje, duke menduar se kishte ardhur koha për të bërë hapin e rëndësishëm në formimin e një perandorie të madhe në perëndim.

Pirroja në Itali
Në vitin 280 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe të përbërë kryesisht nga kontingjente molosësh, thesprotësh dhe kaonësh (20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës, 2 000 varkëtarë e 500 hobetarë), Pirroja u nis për në Itali, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pasi arriti në Tarent ai mori menjëherë masa për ta vënë qytetin në pozita lufte; rekrutoi ushtarë nga popullsia qytetare dhe në krye të forcave të bashkuara i doli përpara ushtrisë romake që po përparonte në drejtim të qytetit. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën pranë Heraklesë. Këtu u zhvillua beteja e parë, në të cilën Pirroja korri një fitore të shkëlqyer, që ia ngriti lart autoritetin mbretit epirot në sy të aleatëve. Në anën e tij kaluan tani dhe fiset italike kundërshtare të Romës, si edhe pjesa më e madhe e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Fitorja e Heraklesë, megjithatë nuk e zgjidhi fatin e luftës. Në vitin 277 p.e.sonë, Roma grumbulloi forca të tjera të mëdha dhe e detyroi Pirron të hynte përsëri në luftë me të. Por në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme që u zhvillua pranë Askulit, Pirroja arriti t’i thyente për të dytën herë romakët. Ata nuk mundën t’i qëndronin manovrimit taktik luftarak të Pirros dhe aq më pak sulmit të tërbuar të elefantëve, të cilët sollën panik në ushtrinë romake. Pirroja fitoi edhe kësaj radhe, por kjo fitore i kushtoi atij humbje shumë të mëdha. Që atëherë fitore të tilla me humbje u bënë zakon të quhen fitore pirrike ose “fitore e Pirros”. Pavarësisht nga sukseset e para të shpejta dhe të bujshme të Pirros, gjendja e tij në Itali sa vinte e vështirësohej. Forcat epirote të ndodhura larg atdheut të tyre, vinin gjithnjë duke u pakësuar dhe duke u dobësuar, ndërsa Roma kishte ende rezerva të shumta materiale e njerëzore për të vazhduar luftën. Pirroja, megjithatë, nuk u tërhoq nga fushata e tij në Itali. Mirëpo, pa përfunduar ende paqen me romakët, ai u nis për në Sicili për t’i shkuar në ndihmë Sirakuzës, të cilën e kishin sulmuar kartagjenasit. Për të kontrolluar gjendjen në Itali, ai la vetëm disa garnizone.
Në vitin 276 p.e.sonë, forcat aleate epirote, greke dhe italike të udhëhequra nga Pirroja, i shpartalluan keqas pushtuesit e ishullit dhe i zbuan ata pothuaj nga tërë Sicilia. Kjo fitore e shpejtë dhe e shkëlqyer e rriti pushtetin politik dhe ushtarak të Pirros, saqë siciliasit e deklaruan atë prijës dhe mbret të tyre. Por Pirroja, si gjithnjë i papërmbajtur në aspiratat e tij të guximshme politike, filloi menjëherë të ushqejë mendimin për t’u hedhur në Afrikë edhe pse nuk e kishte të sigurt akoma gjendjen në Itali. I prerë në vendimin e tij, ai iu vu përgatitjes së flotës dhe organizimit të ushtrisë, pa menduar se ata kërkonin rezerva të mëdha njerëzore dhe financiare, të cilat siciliasit e lodhur nga luftërat dhe anarkia që kishte pllakosur vendin pas vdekjes së Agathoklit, nuk mund t’i siguronin. Nga ana tjetër, ndërhyrja arbitrare e Pirros në punët e brendshme të qyteteve të Sicilisë dhe shkelja nga ai e traditave të tyre demokratike, bëri që Pirroja të humbiste dita-ditës e më shumë besimin në ishull dhe të bëhej objekt sulmesh dhe komplotesh të rrezikshme për jetën e tij dhe fatin e ushtrisë epirote. Këtë situatë të brendshme plot turbullira dhe pasiguri, e shfrytëzoi menjëherë Kartagjena, e cila dërgoi ushtri të mëdha për ripushtimin e ishullit. Të përkrahur tani edhe nga qytetet opozitare, kartagjenasit arritën me lehtësi t’i shkaktonin humbje mbretit epirot. Në duart e tij mbeti vetëm Sirakuza, por edhe prej saj atij iu desh të hiqte dorë, meqenëse në këtë kohë romakët kishin rifilluar sulmet kundër aleatëve dhe garnizoneve të tij në Itali. Me t’u kthyer në Itali, Pirroja riorganizoi forcat e veta dhe të aleatëve të tij dhe u drejtua menjëherë kundër dy konsujve romakë, të cilët me legjionet e tyre po vepronin në drejtime të ndryshme. Në këtë situatë ai vendosi t’i thyejë ato veçmas, sa kohë që ende nuk ishin bashkuar. Sulmoi në befasi legjionin romak që gjendej pranë Beneventit. Këtu u zhvillua edhe beteja e tretë dhe e fundit për Pirron në Itali, ku pësoi disfatë të plotë. Pasi qe tërhequr me humbje të mëdha në Tarent, Pirroja provoi të kërkojë ndihma nga Antigon Gonata dhe Antiohu i Sirisë për ta vazhduar luftën kundër Romës, por më kot. I lodhur dhe pa pasur ndonjë shpresë për të realizuar i vetëm qëllimet e tij në Gadishullin Italik, ai u kthye në Epir me ushtrinë epirote që i kishte mbetur, duke lënë në Tarent vetëm të birin e tij Helenin.
Në luftën kundër Romës Pirroja angazhoi forca të mëdha epirote dhe aleate, që mbulonin mjaft mirë legjionet e kundërshtarit dhe manovroi me sukses për një kohë në operacionet luftarake, duke vënë në përdorim një sistem taktik luftimi nga më të përparuarit e kohës. Mirëpo ushtria që komandonte Pirroja, ndryshonte nga përbërja dhe fryma luftarake nga ajo e kundërshtarit. Ajo nuk e kishte kompaktësinë e ushtrisë romake të përbërë nga nënshtetasit e vet, por ishte një ushtri më tepër mercenarësh, të armatosur më së miri dhe të udhëhequr nga një strateg i talentuar, por që kishte hyrë në një aventurë ushtarake.
Pas dështimit të fushatës italike, Pirroja u përpoq të shfrytëzonte në favor të tij gjendjen e krijuar në Ballkan. Së pari, vendosi të shtinte në dorë Maqedoninë. Në vitin 274 p.e.sonë ai hyri në luftë me sundimtarin e saj Antigon Gonatën, i cili sa kohë që Pirroja luftonte në Itali, kishte arritur suksese në konsolidimin e pushtetit të tij qoftë në Maqedoni, qoftë dhe mbi një pjesë të Greqisë. Ai arriti të pushtojë një territor të gjerë të Maqedonisë. Antigonit i mbeti vetëm pjesa në lindje të lumit Vardar. Ishte e qartë se epirotët nuk mund të bëheshin zot të tërë Maqedonisë sa kohë që Antigoni mbante akoma në dorë Maqedoninë bregdetare dhe rrugët e komunikacionit detar. Në këto rrethana Pirroja vendosi ta luftonte kundërshtarin në Peloponez, i cili gjendej nën kontrollin e tij. Në vitin 272 p.e.sonë, pa siguruar ende mirë pozitat e tij në tokat e pushtuara të Maqedonisë, ai arriti në Lakoni. Këtu iu desh të përballonte presionin e forcave spartane dhe maqedone të bashkuara kundër rrezikut epirot. Pasi korri një sërë fitoresh të reja, Pirroja sulmoi më në fund Spartën dhe Argosin, me të cilat zhvilloi luftime të ashpra, por pa rezultate. Gjatë përleshjeve në rrugët e Argosit, Pirroja u plagos dhe ashtu siç ishte i dërrmuar, ra në duart e kundërshtarëve, të cilët e vranë. Ushtria epirote e mbetur pa prijës qe çorganizuar dhe më në fund u shpartallua.
Me luftërat e tij pushtuese në Ballkan, Itali dhe në Sicili, Pirroja e rriti shumë fuqinë politike të shtetit epirot dhe autoritetin e tij në botën mesdhetare. Gjatë sundimit të tij, Epiri arriti të bëhet një nga shtetet më të fuqishme të kohës helenistike.
Në këto luftëra Pirroja pati përkrahjen e plotë të aristokracisë e të skllavopronarëve epirotë, gjithnjë të etshëm për pushtime e lavdi, kurse si mbështetje kishte ushtrinë e vet të stërvitur mirë, të përbërë kryesisht nga fshatarë të lirë, të gatshëm për të luftuar, meqë lufta për ta ishte një mjet fitimi, burim plaçke dhe pasurie. Në këto suksese të veprimeve ushtarake ndikoi edhe situata e jashtme e favorshme për të, dhe pikërisht turbullirat e anarkia që krijoheshin herë pas here në shtetet fqinje nga rrethanat e ndryshme politike.
Këto suksese të shpejta luftarake, megjithëse jo të qëndrueshme, i duhen atribuar në një farë mase dhe vetë manovrimit taktik, të përsosur për atë kohë, të forcave ushtarake gjatë luftimit, që ishte kryesisht meritë e aftësive të shquara taktiko-luftarake të Pirros.
Fitoret e njëpasnjëshme dhe guximi i tij i provuar në beteja të shumta, e rritën së tepërmi autoritetin e Pirros në sy të bashkëluftëtarëve të vet dhe e forcuan aq shumë pushtetin e tij, sa që arriti të sundonte dhe të vepronte i lirë nga çdo kufizim kushtetues i aleancës epirote mbi territoret e pushtuara. Në këtë drejtim ai shkoi aq larg sa caktoi, siç duket, edhe fëmijët e tij si mbretër trashëgimtarë në Itali dhe në Sicili.
Në këto vende Pirroja preu, në kundërshtim me kushtetutën federative epirote, edhe monedha ari e argjendi personale me legjendë “Mbreti Pirro”; por ato, siç kuptohet nga mungesa e tyre në trevat e Epirit, nuk duhet të jenë lejuar të qarkullonin brenda territorit të Aleancës, ku vazhdonin të kishin vlerë vetëm prerjet tradicionale të Federatës së epirotëve.
Në qoftë se në territoret e pushtuara Pirroja sillej si monark i pakufizuar, brenda Aleancës ai mbetej ashtu si dhe më parë mbret i molosëve dhe udhëheqës me pushtet të kufizuar i Federatës epirote.
Pirroja qe një nga strategët më të mëdhenj të kohës helenistike. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë, se kush ishte tani strategu më i shquar, ai iu përgjigj: “Pirroja kur të arrijë moshën e pjekurisë”. Ndërsa më vonë Hanibali, një ndër komandantët më të përmendur të botës antike, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse vetes vendin e tretë. Pirroja qe njëkohësisht dhe teoricien i madh në artin ushtarak, por planet e tij të gjera nuk ishin gjithnjë të studiuara dhe kishin karakterin e aventurave ushtarake. Talenti i tij ushtarak nuk plotësohej me largpamjen e një politikani të matur dhe të pjekur. Synimet e tij ambicioze u bënë pa llogaritur mirë tendencat e zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe politik të shtetit të ri romak dhe potencialin ushtarak të tij, si dhe mundësitë e kufizuara materiale e njerëzore të Aleancës Epirote. Për këtë arsye dhe humbja përfundimtare e Pirros në këtë ndërmarrje të madhe përtej Adriatikut qe një përfundim i natyrshëm dhe i pashmangshëm.


Fundi i sistemit monarkik në Epir
Pas vdekjes së Pirros, Aleanca Epirote filloi gradualisht të humbiste fuqinë e saj të mëparshme politike dhe ushtarake. Me gjithë përpjekjet e bëra për të ruajtur zotërimet e mëparshme në Maqedoni, në Greqi dhe në Iliri, ajo qe e detyruar më në fund të tërhiqej prej tyre. Trashëgimtarit të Pirros, Aleksandrit, që në fillim iu imponua një luftë e rrezikshme nga mbreti i ilirëve Mytili, të cilën më vështirësi mundi ta përballonte. Kurse Demetri II, e detyroi atë të hiqte dorë jo vetëm nga Maqedonia, por për një kohë dhe nga vetë Epiri, mbi të cilin vendosi kontrollin e tij. Pasi qe rikthyer në atdhe me ndihmën e etolëve, Aleksandri u përpoq edhe një herë që të rimëkëmbte fuqinë e dikurshme të Aleancës Epirote por më kot, pasi ajo kishte marrë tatëpjetën.
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë, Mbretëria Epirote përjetoi periudhën e fundit të ekzistencës së saj, e mbërthyer në një krizë të ashpër, e cila rrëmbimthi e çoi deri në brerjen e themeleve të regjimit monarkik. Depërtimi gjithnjë e më i thellë i skllavopronarisë në fshatin epirot, po shkatërronte dhe po shpronësonte përherë e më shumë prodhuesit e vegjël të lirë fshatarë, që dikur përbënin masën kryesore dhe më energjike të ushtrisë federative epirote dhe çoi në dobësimin e fuqisë dhe të kompaktësisë ushtarake. Kjo krizë e brendshme u acarua dhe më tepër nga situatat e jashtme jo të favorshme për Aleancën Epirote. Përreth saj vepronin tani shtete të tilla të fuqishme, si Maqedonia, Lidhja Etole dhe Shteti ilir, të cilët kërkonin secili të fusnin nën kontrollin e vet Epirin, meqë ai zinte një pozitë kyçe në planet e politikës së tyre pushtuese. Në këto situata sundimtarët epirotë u treguan të paaftë të qeverisnin vendin. Aristokracia epirote, duke parë më në fund se ata nuk ishin më në gjendje të mbronin dhe të përkrahnin si dikur qëllimet e saj, e shfrytëzoi pakënaqësinë e popullit për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë regjimit të vjetëruar monarkik në Epir. Ajo e realizoi këtë me vrasjen në vitin 234/233 p.e.sonë të mbretëreshës Deidames, që ishte dhe sundimtarja e fundit prej dy shekujsh e dinastisë së Ajakidëve.

4. LIDHJA EPIROTE

Organizimi i Lidhjes Epirote dhe karakteri i saj
Kur kontradiktat e thella politike çuan në përmbysjen e regjimit monarkik në Epir, Aleanca Epirote që deri në atë kohë ekzistonte si një formë shtetërore federative nën hegjemoninë e mbretërve molosë, reformohet tani mbi një bazë të re republikane, pak a shumë sipas modelit të Lidhjes fqinje etole, duke u quajtur dhe Lidhja Epirote. Kjo ishte një lidhje politike që u siguronte të drejta të gjitha bashkësive të veçanta epirote që bënin pjesë në të dhe që ruanin, në kuadrin e kësaj federate, vetëqeverisjen e brendshme të tyre. Pra, edhe këtu si më parë mbetej parimi federativ i shtetit, por tani i bazuar mbi një konstitucion të ri, që nuk njihte më privilegje apo hegjemoni të ndonjërit prej anëtarëve të saj, siç ndodhte në Aleancën e mëparshme, ku kryesonte mbreti i molosëve. Në këtë aspekt Lidhja paraqitej si një formë më e lartë shtetërore, më kompakte dhe operative. Të gjithë anëtarët e saj kishin një shtetësi dhe njiheshin zyrtarisht me emrin e përbashkët epirotë. Lidhja, ashtu sikurse dhe aleanca epirote ruante të drejtën të merrte vendime në emër të të gjithë epirotëve, pavarësisht se kishte edhe bashkësi që qëndronin ende jashtë saj, siç ishin p.sh. kasopiasët dhe athamanët.
Organi më i lartë i Lidhjes ishte Kuvendi i Përgjithshëm me fuqi të mëdha këshillimore dhe vendimore, që nuk ishte i pranishëm, (të paktën nuk është provuar ende), në federatën e mëparshme monarkike. Këtu mund të merrnin pjesë të gjithë nënshtetasit e saj të lirë. Kuvendi zgjidhte magjistratët federativë dhe vendoste mbi çështje të karakterit politik, ushtarak, ekonomik e shoqëror. Kështu ai vendoste për luftë ose për paqe, për thirrjen e popullit nën armë, për aleanca me shtetet e tjera, për të zgjedhur dhe për të ftuar delegacione, për t’u dhënë të huajve të drejta qytetarie, pronësie etj. Ai ushtronte dhe funksionet e instancës më të lartë gjyqësore. Organi më i lartë ekzekutiv ishte Këshilli i Lidhjes, që përbëhej nga përfaqësues të zgjedhur të anëtarëve të saj. Në krye të këshillit qëndronte kolegji prej tre strategëve që duhet të përfaqësonin ndoshta të tri grupet më të mëdha etnike të Epirit: molosët, kaonët dhe thesprotët. Por mbi ta dominonte vetëm njëri, i ngarkuar me funksionin e komandantit ushtarak, funksion të cilin e ushtronte më parë mbreti i molosëve. Nëpunës të tjerë të Lidhjes ishin dhe sekretari i këshillit, hiparku, komandanti i kalorësisë etj.
Kryeqyteti i Lidhjes tani u bë Foinike, kryeqendra e Kaonisë. Këtu mblidhej zakonisht dhe Këshilli i Lidhjes, megjithëse të tilla mbledhje, siç duket, organizoheshin edhe në qytete të tjera të Epirit.

Zhvillimi ekonomik dhe politik i Epirit në kohën e Republikës (234/233 - 168 p.e.sonë)
Që në fillim të veprimtarisë së saj Lidhja u ndodh përpara vështirësive të mëdha të shkaktuara nga situata të brendshme dhe të jashtme jo të favorshme për të. Territorialisht ajo qe rrëgjuar afërsisht në kufijtë e shtetit epirot përpara sundimit të Pirros. Kështu nuk bënin më pjesë në të: Ambrakia, Kasopia dhe Athamania. Megjithatë, ajo mori një sërë masash për riorganizimin administrativ dhe ushtarak të vendit. Lidhja vuri dorë në sistemin e mëparshëm monetar të vendit. Të gjitha këto pasqyrojnë qartë ndryshimet që u bënë në organizimin e brendshëm politik dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Në periudhën e Republikës së Epirit u vu në qarkullim një masë e madhe monedhash, më e madhe se asnjëherë tjetër në Epir, prej bronzi dhe prej argjendi. Disa tipa të këtyre monedhave u përmbahen simboleve të vjetra të përdorura që më parë nga Lidhja Molose apo Aleanca Epirote, megjithëqë ishin në përshtatje edhe me një varg simbolesh të Aleksandrit dhe të Pirros të prera jashtë Epirit. Por, në monedhat e federatës republikane të Epirit shënohen për të parën herë edhe emrat e nëpunësve të lartë, që ka mundësi të lidhen dhe me strategët eponym të Lidhjes. Nuk dihet gjithashtu me saktësi se ku mund të jenë prerë këto monedha; supozohet të jenë prerë në Dodonë ndoshta dhe në Foinike, por nuk përjashtohet mundësia që një nga vendprerjet e tyre të ketë qenë dhe Antigonea, ku janë zbuluar tani së fundi monedha të pavulosura si dhe shufra bronzi për nxjerrjen e tyre. Përsa i përket zonës së qarkullimit të monedhave të Lidhjes Epirote, ato përhapjen më të madhe e kanë pasur brenda trevave të Epirit dhe sidomos në zonat veriore të tij. Pak prej tyre janë gjetur në Greqi e në Maqedoni, por kanë qarkulluar në sasira të konsiderueshme në qytetet dhe krahinat e Ilirisë së Jugut, sidomos në ato kufitare me Epirin. Kjo tregon se midis këtyre trevave fqinje në çerekun e fundit të shek. III dhe në fillim të shek. II p.e.sonë ekzistonin marrëdhënie të rregullta dhe intensive tregtare, që shprehen edhe në afërsitë stilistike dhe tipologjike të disa monedhave republikane epirote me ato të Amantisë, të Orikut, të Apolonisë etj.
Qytetet epirote, nga pikëpamja e sistemit të fortifikimit, urbanistikës, strukturës së ekonomisë dhe tipareve të kulturës ngjanin shumë me qytetet bashkëkohëse ilire; puna e skllevërve zinte një vend të rëndësishëm. Historiani grek Polibi duke përshkruar me hollësi pushtimin e Foinikes nga ilirët në vitin 228 p.e.sonë, thotë se sipas marrëveshjes së paqes, epirotët e lirë qenë liruar me anë shpërblimesh, ndërsa skllevërit e qytetit, ilirët i morën me vete së bashku me pasuritë e tjera, prej të cilave Teuta mbeti shumë e kënaqur.
Të dhëna të shumta për format klasike të skllavopronarisë në qytetet epirote të kohës helenistike, ofrojnë dhe materialet epigrafike të zbuluara kryesisht në Dodonë e në Butrot. Vetëm në hyrjen perëndimore të teatrit të Butrotit janë afishuar të skalitura në blloqet e gurëve, 29 akte lirimi. Sipas këtyre dekreteve shpallen të lirë rreth 400 skllevër, pjesa më e madhe e të cilëve vinte nga sferat e prodhimit, midis të cilëve gjysma ishin gra.
Në kohën e Republikës një rol të madh në jetën ekonomike dhe politike të vendit filluan të lozin qytetet e trevave veriore të Epirit. Foinike, sipas Polibit, dallohet në këtë kohë si qyteti më i fuqishëm dhe më i pasur i Epirit, ndërsa të dhënat arkeologjike të fituara në këto vitet e fundit në Antigone e paraqesin këtë qytet të madh, me një sistem të fuqishëm fortifikimi dhe me një planimetri shumë të rregullt urbanistike (sistemi hipodamik). Në këtë qytet funksiononin punishte të veçanta të specializuara në degë të ndryshme të zejtarisë dhe zhvillohej një veprimtari e gjerë tregtare, rrezja e shtrirjes të së cilës arrinte deri në brigjet e Mesdheut Lindor dhe Perëndimor.
Në politikën e jashtme, Lidhja Epirote që në fillim u tregua e paqëndrueshme dhe nuk kishte fuqi të mjaftueshme për të përballuar presionin diplomatik dhe ushtarak të shteteve fqinje dhe konkretisht të lidhjes etole në jug, të Maqedonisë në lindje, shtetit ilir në veri dhe atij romak në perëndim. E ndodhur në një pozitë tepër kyçe midis këtyre shteteve rivale, me një potencial të madh ekonomik dhe ushtarak, ajo u tërhoq më tepër pas politikës së aleancave dhe të qëndrimit asnjanës, që e çuan më vonë Epirin në humbjen e pavarësisë së tij të plotë ekonomike dhe politike.
Në fillim Lidhja Epirote pati marrëdhënie të mira me etolët. Në vitin 230 p.e.sonë, kur asaj iu imponua një luftë e rrezikshme nga ilirët, të cilët për një kohë e pushtuan dhe kryeqytetin Foinike, qenë pikërisht etolët ata që bashkë me akejtë e ndihmuan aleaten e tyre që të përballonte këtë provë të vështirë. Por kjo ngjarje e tronditi aq shumë Epirin sa bëri që Lidhja të ndryshonte menjëherë politikën e saj kundrejt etolëve, duke hyrë në aleancë me kundërshtarët e tyre, me shtetin ilir, të kryesuar nga Teuta dhe pak më vonë me atë maqedon, në krye të të cilit qëndronte Antigon Dosoni. Madje në vitet 219-217 p.e.sonë, epirotët e ndihmuan aktivisht pasardhësin e Dosonit, Filipin V kundër etolëve. Por këtë veprim ata e paguan shtrenjtë, pasi etolët duke kundërvepruar, hynë në Epir dhe shkretuan pjesë të tëra të tij duke mos kursyer as vetë Dodonën që ishte qendër e rëndësishme kulti. Edhe pas këtyre ngjarjeve Epiri e përkrahu Maqedoninë, madje edhe atëhere kur Roma hyri në luftë e vendosur për të zhdukur këta rivalë të fuqishëm të saj në Ballkan. Në vitin 205 p.e.sonë, Lidhja bëhet ndërmjetëse midis palëve ndërluftuese për vendosjen e një paqeje, që u nënshkrua në Foinike, për të cilën më tepër ishte e interesuar Maqedonia.
Në luftën e dytë maqedono-romake, Epiri u përpoq të ruante asnjanësinë midis Maqedonisë dhe Romës dhe të ndërmjetësonte rishtas në vitin 198 p.e.sonë për një paqe midis tyre, por kësaj radhe pa dobi, meqenëse kërkesat romake qenë të rënda për Filipin. Në këtë kohë tek një pjesë e epirotëve filluan të shfaqeshin tendencat e para për të përkrahur hapur Romën. Ndihma që u dha romakëve Karopsi, një prijës i kaonëve, për të thyer qëndresën e ushtrisë maqedone, e cila kishte zënë grykën e Vjosës midis maleve të Trebeshinit dhe Dhembelit, qe mjaft domethënëse në këtë drejtim dhe i kushtoi humbje të mëdha Filipit. Këto tendenca proromake u shfaqën më qartë, në prag të luftës së tretë maqedone. Të deleguar nga Roma erdhën në Epir dhe kërkuan nga Kuvendi i epirotëve, që ishte mbledhur në qytetin bregdetar Gitana (akoma i paidentifikuar), të përkrahte Romën në luftën e saj përfundimtare me Maqedoninë. Ky presion diplomatik i vuri në lëvizje përkrahësit e Romës në Epir. Mirëpo këta duke dashur t’i imponojnë këshillit të Lidhjes politikën e aleancës me Romën, ngjallën kundërshtimin e një pjese të anëtarëve të saj dhe në mënyrë të veçantë të molosëve, të cilët kërkonin të ruhej si dhe më parë politika e ekuilibrit midis palëve ndërluftuese, në sajë të së cilës Epiri kishte shpëtuar deri tani pa u dëmtuar. Më vonë këto kundërshtime dhe intriga të brendshme, çuan në dobësimin e unitetit të veprimit të Lidhjes. Në vitin 170 p.e.sonë molosët qenë hedhur më në fund definitivisht nga ana e Perseut, ndërsa kaonët e thesprotët u radhitën në luftë përkrah romakëve.
Në këto veprime arbitrare dhe të kundërta, Lidhja Epirote në fakt e humbi pavarësinë dhe funksionin drejtues të saj. Fatin e Epirit duhet ta vendoste tani lufta dhe rrjedhimet qenë katastrofike sidomos për krahinat që gjatë saj mbajtën qëndrim antiromak. Në vitin 169 p.e.sonë krahina të tëra të Epirit u shkretuan, rreth 70 qytete të tij u plaçkitën dhe u dogjën nga pushtuesit romakë, ndërsa 150 000 veta u kthyen në skllevër. Një numër i madh epirotësh të shquar u dërguan në Itali.
Pas vitit 168 p.e.sonë, vetëm disa krahina që përkrahën Romën në luftën e saj kundër Perseut ruajtën një farë autonomie formale; ato u riorganizuan në një Lidhje të re epirote, gjeografikisht të kufizuar, të quajtur sipas të dhënave epigrafike Lidhja e epirotëve përreth Foinikes, por që më vonë do të përmendet vetëm si Lidhja Epirote.
Qendra e jetës ekonomike dhe politike e kësaj Lidhjeje, qe përqendruar kryesisht në Foinike, por përveç Foinikes kishte edhe qendra të tjera të rëndësishme si Pandosia e Dodona, të cilat prenë në këtë kohë monedhat e tyre me legjendën e “Epirotëve”, por pa emra nëpunësish, siç ishin, p.sh. ato të prera nga Lidhja republikane para vitit 168 p.e.sonë. Lidhja Epirote përreth Foinikes u krijua si një njësi kinse autonome politike-administrative dhe ekonomike, por ndër rrethana pushtimi dhe nën kontrollin drejtpërdrejt të Romës, të cilin ajo e ushtronte përmes njerëzve të besueshëm në Epir. Kjo Lidhje e vazhdoi ekzistencën e saj, pavarësisht se politikisht nuk pati ndonjë rëndësi, deri në vitin 148 p.e.sonë, kur, bashkë dhe me pjesën tjetër të Epirit që kishte mbetur jashtë kësaj Lidhjeje, hyri më në fund në sferën e administrimit të provincës maqedone të porsakrijuar, ashtu sikurse dhe krahinat e tjera të Ilirisë të Jugut, në jug të lumit Mat.
 
EPIRI
(marre nga Revista Kombetare Shqiptare e Pavarur ILIRIA)


Epiri është toka klasike dhe vatra e një populli tepër të lashtë. Që në muzgun e kohërave, në gadishullin ballkanik endeshin pellazgët të mbuluar me një vel misteri. Mitologjia thotë se ata ishin "njerëzit e parë". Bile helenët, të cilët në mënyrë të padiskutueshme i konsideronin pellazgët më të vjetër se veten, për ta përdornin një epitet të pashlyeshëm "proselinoi" (parahansor), pra më të vjetër se vet Hëna. Kjo figur e skajshme është tepër elokuente për lashtësinë e popullit tonë.Fijet e misterit pellazg ndërthurren në kohëra,gjersa në histori përmenden ilirët.Si një popull kryesor,si një "Hauptvolk"- siç e pat quajtur një nga themeluesit e ilirologjisë L.G.Thunman,ilirët morën pjesë në proceset themelore shoqërore e kulturore,në ngjarjet kryesore politike që përshkruan botën antike të Mesdheut.

Qytetërimi ilir do të mbushte shtratin e historisë së ardhme. Kontrasti me Romën do t'i evidentonte ilirët si popull tribunal të lirisë. Për të nënshtruar trojet ilire Romës iu desh të harxhonte gati gjysmën e kohës me anë të së cilës krijoi tërë perandorinë e saj të përbotëshme.Sulmet shkatërrimtare të keltëve, gotëve, visigotëve krijuan pshtjellime të mëdha, por ilirët mbetën sërish në trojet e veta. Vërshimi shekullor i sllavëve qe i tmerrshëm, përsa i përket forcës asimiluese.
Procesi i romanizimit u kryqëzua me atë të sllavizmit, por gjuha dhe vet populli autokton i trevave historike rezistoi dhe e ruajti individualitetin etnik.Perandoria bizantine, Mbretëria bullgare e serbe qenë mbulesa politike të sipërme, nën të cilat shqiptarët jetonin,vepronin e i shkyenin. Këto mbulesa s'mund të konsideroheshin si qefin definitiv që mbështillnin një popull " kufomë".Shqiptarët në raport me ngjarjet dhe historinë nuk u diverguan e as humbën.Ata konservuan vetvetën si popull,por nuk u ngurtëzuan si një relike muzeore, po me anë të dinamizmit të tyre, bënë Metaforën e Pavdekshme të Rezistencës dhe mbijetesës.

Epiri
Me emrin Epir, në kohët e lashta quheshin krahinat në Jug të Ilirisë. Që shtriheshin prej lumit Vjosa e deri te krahinat veriore të Heladës së vjetë(1). Kufijtë e sipërm nuk duhet ti marrim si të prerë, pasiqë në kohët e ndryshme ata kanë lëvizur; kështu për shembull, në kohën e sundimit të Pirros ata janë zgjuar shumë më përtej territoreve të përmendura.

Disa nga gjeografët e shkrimtarët e kohës së lashtë quanin Epir edhe krahinat që ndodheshin në bregun e djathtë të Vjosës dhe i shtynin kufijtë e këtij shteti deri në Skraparin e Mallakastrën e sotme, duke përfshirë edhe qytetin e Apollonisë(2).
Nga ana tjetër disa fise kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Epirit quheshin nga shkrimtarët e vjetër herë epirotë dhe herë maqedonë(3).
Të gjitha mendimet e shfaqura për përkatësinë etnike të fiseve epirote nga dijetarët e ndryshëm janë mbështetur kryesisht në të dhënat e shkrimtarëve të vjetër, veçanërisht te Tukiditi dhe shumë pak në të dhënat arkeologjike. Mendimet kan qenë sa të ndryshme aq edhe kontradiktore. Prandaj nuk duhet të na befasoj fakti se të njejtat të dhëna, të përdorura nga disa për të mohuar origjinën helene të fiseve epirote, janë interpretuar nga të tjerët në një kuptim krejt të kundërt.
Tukiditi(4) me emrin "Epir" kuptonte tokat e Lokërve dhe të Akarnanisë, duke përfshirë kështu pothuajse gjysmën e bregut që shtrihej në veri të gjirit të Korintit.
Helaniku(5),"Apeiros" quante edhe Azinë e Vogël, ndërsa Tukiditi(6) dhe Isokrati(7) quanin kështu edhe një pjesë të mirë të Azisë. Straboni( thotë se:"Homeri me fjalën "Epir"nënkuptonte vendet përballë ishujve, duke përfshirë Leukaden".Më vonë banorët e Korkyrës dhe të ishujve përreth me emrin "Epeiros" quanin tokat përkundrej ishujve, që shtriheshin gjatë bregut të detit Jon,të banuar nga fiset kaone e thesprote.

Fjala Epir rrjedh nga fjala e greqishtes së vjetër Apeiros,që në dialektin dorik do të thotë "stere",ose "kontinent"(tokë)(9). Ajo ka pasur kuptime të ndryshme gjatë historisë së kësaj krahine.Kështu pra emri Epir në fillim ka pasur kuptim gjeografik e jo etnik.Me emrin "Epir", autorët e lashtë në fillim e kanë quajtur një territor të gjerë, i cili më vonë u ngushtua rreth krahinave përballë Korkyrës dhe ishujve përqark. Më pas,në shek.V-të p.e.sonë, ky emër përfshiu edhe të gjitha fiset e brendshme, duke u bërë një emër i përbashkët për krahinat, që formonin në këto brigje një tërësi gjeografike, etnike e politike.
Emri Epir,u përvetësua jo vetëm nga gjeografët, historianët e shkrimtarët antikë, por edhe nga vetë banorët, të cilët e përdorën këtë shpesh herë edhe në dokumentet e tyre të shkruara, në mbishkrime e monedha. Pra në gjuhën shqipe fjala Epir është sinonim i fjalës sipër, për të treguar banorët që jetonin në anën tjetër të bregut ku grekët shkonin për tregti ose që punonin me banorët e kësaj krahine.Emri Epir është përdorur në kohët e vjetra për të quajtur Toskërinë dhe Gegërinë ose më saktë Shqipërinë.
Dihet se me emrin Epir në kohën e Perandorisë së Lindjes u përgjithësua Shqipëria. Toskëria u quajt Epiri i Vjetër(10) dhe Gegëria u quajt Epiri i Ri(11).Disa dijetar,duke u nisur nga elemente të shkëputura kulture që janë përhapur më vonë në Epir dhe nga gjuha greke e monumenteve epigrafike të Epirit kanë shprehur mendimin se banorët e kësaj krahine ishin grek. Ky mendim është në kundërshtim me dëshmitë e historianëve dhe gjeografëve antikë dhe me rezultatet e studimeve të sotme gjuhësore dhe arkeologjike(12).Herodoti thotë se:"në kohën e tij në Epir ishte akoma i gjallë kujtimi i banorëve të dikurshëm pellazgë, të cilët kishin ardhur këtu nga Thesalia kufitare".
Kurse Straboni,duke u mbështetur te Efori, Hesiodi dhe Euripidi thotë se:"vendbanimi i hershëm i pellazgëve ishte Arkadia dhe që këtej këta shtegtuan në Epir, ashtu si në Thesali, Kretë, Lesbos dhe Troadë"(13).Në Epir jan gjetur me shumicë emra personash, fisesh dhe emra gjeografik me prejardhje ilire. Kështuqë p.sh.:- emra personash astidi,Anyla,Tarypi;- emra fisesh:Kaonët,Tesprotët,Pasaibët;- emra gjeografik:mali Tamar,mali Asnau,lumiThyam(14).
Edhe gjetjet arkeologjike, megjithëse të pakta, pajtohen me traditën e shkruar të lashtë dhe me të dhëna gjuhësore.Me përhapjen e kulturës dhe gjuhës greke, fytyra e Epirit të lashtë ndryshoi deri diku nga pikëpamja kulturore, por kjo nuk solli ndryshime të rëndësishme në përbërjen etnike të popullsisë.
Teopompi,- thotë Straboni(15) - përmend 14 fise epirote, por nga mbishkrimet ne njohim një numër më të madh. Dijetari anglez Hamond(16) na thotë se:" ...në Epir ka pasur rreth 60 fise, por vetëm disa nga këto mund të arrijnë një zhvillim të tillë, sa të zënë një vend në histori". Fiset kryesore të Epirit, që përmenden më shumë përë rëndësinë e tyre ishin: Tesprotët, Kaonët, Molosët, Atamanët, Anfilokët dhe Kasopët(17).Mendimin që fiset epirote nuk ishin helenë, e mbështeti në radh të parë, në faktin se shumë nga shkrimtarët antikë këto fise i quajnë me emrin e përgjithshëm "barbarë".
Pikërisht sipas kuptimit që i dhanë fjalës "barbarë", dijetarët u ndanë në dysh.Tukiditi bënë një dallim të qartë ndërmjet helenëve dhe fiseve kryesore epirote. Për t'u theksuar këtu është sidomos libri i II-të, ku flitet për pjesëmarrësit e veprimeve luftarake të vitit 429 p.e.sonë. Në këtë pjesë ai shkruan:"Me Knemin, prej helenëve ishin Ambrakasit, Anaktorasit, Lukadasit dhe njëmijë hoplitë të peloponezas që ai i kishte marrë me vete kur po vinte.

Nga barbarët ishin njëmijë Kaonë. Bashkë me Kaonët merrnin pjesë në ekspeditë edhe Tesprotët, Molosët, Atintanët, Pervejt dhe Orestët"(1 . Në këtë pjesë duket qartë se Ambrakionët, Parauejt dhe Orestët i konsideron barbarë, do me thënë popuj johelenë.Në një vend tjetër,Tukiditi i quante barbarë persianët, taulantët, ilirët, trakët dhe maqedonët(19). Po kështu barbarë i quajnë epirotët edhe Straboni(20), Skymni(21), Polibi(22), Livi(23), Plini(24),etj.Tukiditi me fjalën "barbar" nuk ka pasur për qëllim të tregoj popuj me nivel të ulët kulturor, në kuptim përçmues, por e ka përdorur këtë fjalë për të vënë në dukje ndryshimin gjuhësor ndërmjet epirotëve dhe helenëve. Këtë na e pohon vetë autori në një vend tjetër, kur flet për qytetin në Anfiloki: "Banorët e këtij qyteti, greqishten që flasin sot, e mësuan nga ambrakasit e ardhur, anfilokët e të tjerë janë "barbarë"(25).

Në qoftëse anfilokët do të ishin grekë, nuk kishte përse autori helen të theksonte se ata e mësuan greqishten nga ambrakasit, pasiqë nuk do të kishin nevojë të mësonin gjuhën që ishte e tyre. Kjo e detyroi autorin helen t'i quajë ata barbarë, ashtu si i quante të gjith popujt e tjerë që nuk ishin grek.Kundërargumenti se me fjalën "barbar"që ka përdorur, Tukiditi ka pasur me të vërtetë qëllim që të tregojë shkallën e nivelit kulturor të popujve, nuk është bindës. Helenët në përgjithësi,nga mesi i shekullit V-të p.e.sonë, nuk e mbanin veten më superiorë nga popujt e tjerë, si bie fjala persianët dhe egjyptjanët, të cilët ata i quanin "barbarë".Mund të përmendi edhe një të dhënë më të vonë, që pa dyshim është nxjerrë nga burime më të hershme. Ky është shënimi i Stefan Bizantinit(26), i cili i quan athamanët ilirë.Për kët tezë që i njeh epirotët për ilir flet edhe vet shtjellimi i ngjarjeve politike në Epir.

Epiri mbetet për një kohë të gjatë i përjashtuar nga komuniteti grek dhe në luftërat kundër persianëve, me përjashtim të ndonjë kolonije korintase, nuk mori pjesë asnjë fis nga Epiri. Kur Perikliu ftoi delegatët e Greqisë në konferencën panhelenike të Athinës, vetëm Ambrakia si koloni e Korintit u pranua nga qytetshtetet e Epirit(27).Straboni, plaku i vjetër i gjeografëve dhe i historianëve të Greqisë së Lashtë thotë se:"...populli i këtyre viseve ka patur një afërsi nga gjuha, morali dhe zakonet me popullsinë e maqedonisë dhe të ilirisë".(2 Ja edhe një shembull tjetër që grekët përdorën për ta bërë Epirin grek.
Duhet të vemi re se turqit kur bënë regjistrimin e popullsisë, e lanë qytetin Delvinë dhe Grebenë me të njejtin emër,kurse grekët Delvinën e quajtën Dhelvinon dhe Grebenën Grevenë.
Turqit edhe Vjenës i thanë Vjenë në trajtën autentike.Një kontribut të veçant për sqarimin e problemit të përkatësisë etnike ilire të fiseve epirote sjellin edhe gërmimet arkeologjike, që janë bërë në Shqipërinë e Jugut pikërisht në kodërvarret e Vodhinës, të Bodrishtës e Kakavisë në Dropullin e Sipërm, në Mashkullorë të rrethit të Gjirokastrës, në kalanë e Rripësit të rrethit të Sarandës dhe sidomos gërmimet në qytetin e lashtë të Jermës në rrethin e Gjirokastrës.Vend me rëndësi zënë gjetjet në kodërvarret e Dropullit të Sipërm(29). Duke studjuar mënyrën e ndërtimit të tumave dhe inventarin e materialeve të tyre, arrijmë në përfundim se ato nuk ndryshojnë as në format e jashtme e as në përmasat nga materialet e ngjajshme të krahinave të tjera të Shqipërisë. Enët prej balte (me dy vegje) të zbuluara në këto tuma, nga format e tyre janë të ngjajshme me ato të Vajzës(30) dhe të Matit(31).

Te këto enë duket se ndërtuesit e tumave të Dropullit kishin të njëjtën kulturë materiale me banorët e Vajzës, Matit dhe të krahinave të tjera ilire. Qysh në fillimin e mijëvjeçarit të parë p.e.sonë në bazë të dhënave më lart të cekura do të thotë se ka pasur një popullsi me origjinë ilire.Një rëndësi të dorës së parë kan edhe materialet arkeologjike të zbuluara në vendbanimet e fortifikuara ilire të Kaonisë.Mesapët e Italisë së Jugut,origjina e tyre ilire tashmë është pranuar,që u hodhën në brigjet e italisë në periudhën midis fundit të mijëvjeçarit të dytë e fillimit të mijëvjeçarit të parë p.e.sonë,sikurse tregon edhe emri i parë ,nuk janë gjë tjetër veçse kaonë(32).Me interes janë edhe rezultatet e gërmimeve të bëra në Butrint,në Finoç,në اukën e Ajtojt,në Kalivo të rrethit të Sarandës dhe gërmimet në Jermë(33).Këto gjetje dëshmojnë për një veprimtari prodhuese mjaft të gjerë.Vendin e par e zënë qeramika,veglat metalike të punës e materialet e ndërtimit.Më të rralla janë stolitë,armët e objektet artistike.
Të rëndomta janë kudo tjegullat e shtëpive.Në gërmime gjithashtu janë gjetur detaje arkitektonike,shtylla,etj.
Meriton të studjohet qeramika e zbuluar në territorin e banuar nga kaonët.Studimi i kësaj qeramike ndihmon të nxirren përfundime me vlerë rreth formimit dhe zhvillimit të kulturës ilire dhe gërshetimit të saj me kulturat fqinje.Një vështrim të veçant tani po i bëj qeramikës së zbuluar në qytetin e Jermës,në rrethin e Gjirokastrës.
Meqenëse këtu ajo është gjetur në një sasi më të madhe,në krahasim me qendrat e tjera dhe nga ana tjetër,shtresat kulturore këtu janë më të qarta se kudo tjetër(34).Megjithëse në gërmimet e kryera në Jermë,koha kur kjo krahinë ka përqafuar një seri elementesh kulturore nga krahinat fqinje helene,prapëseprapë edhe në qeramikë,në mënyrën e punimit të saj,në trajtën e trungut të enëve,në vegjet dhe në motivet e zbukurimit ruhen të gjitha traditat më të lashta ilire.Po përmendi këtu formën aq shumë të përsëritur të tasave,të cilët mund të krahasohen fare mirë me ato që janë zbuluar në vendbanimet ilire të Gajtanit(35) dhe të Rosunjës(36).Ilirët e kësaj qendre përdornin vegjet brinake në disa variante,ashtu si dhe në qendrat e tjera ilire(37) .Këto vegje i gjejmë të ngritura në mënyrë të theksuar në lartësi,ose shpesh herë edhe me një ngritje të vogël në formë t'hemthi.Në këto enë gjejmë motive me gërricje,me ngulitje,si zigzake,rombojke,vija paralele,gropëza,rrathë të vegjël me shirita në relief,etj.
Tiparet e kulturës ilire i shohim edhe në disa fibula dhe gjilpëra dyshe.

Në Finiq e Butrint janë zbuluar disa fibula të cilat arkeologët i kanë quajtur heshtorë.Fibula të ngjajshme me këto janë gjetur edhe në trevat e tjera ilire.Kështuqë formojnë një variantë karakteristike origjinale ilire,të cilin e ndeshim vetëm në pjesën perëndimore të Gadishullit ballkanik(3 .Dua të shqyrtoj një stoli tjetër,gjilpërat dyshe.Të tilla gjilpëra janë gjetur në gërmimet e Jermës dhe në ato të Ripësit.Njëra prej tyre,ajo që është gjetur në qytetin e Jermës,është e larë në ari.Gjilpëra të ngjajshme me këto janë zbuluar në kodërvarret e Matit,në qytezën e Gajtanit,në nekropolet e Durrësit e të Apolonisë.
Të gjitha variantet janë karakteristike për periudhën e parë të hekurit(39).Ato vazhdonin të prodhoheshin në Iliri edhe në periudhën e dytë të epokës së hekurit dhe janë konsideruar nga studjuesit si prodhim zejtar vendës(40).Fakti që gjilpërën dyshe e gjejmë të vulosur në një peshore të qytetit të Jermës,tregon se kjo stoli ka qenë shumë e përdorur tek ilirët.Një fush tjetër,që na ndihmon për një gjykim më të drejtë për problemin e përkatësis etnike të epirotëve është edhe onomastika.Këtë çështje,e ka trajtuar arkeologu shqiptar H.Ceka(41).Përmes faktesh të shumta,ai arrinë në përfundim se epirotët ishin të një etnosi me ilirët(42).
Në mbishkrimet e zbuluara në Dodonë(43),Nilsoni thotë se dalin rreth 50 emra me origjinë ilire(44).Kurse në mbishkrimet e zbuluara në teatrin e Butrintit janë rreth 40 emra ilirë(45).Si Admet (4 herë) ,Amynta (2 herë),Annia ,Apoita,Artemo,Artemoni (2 herë),Falakrion (4 herë),Nona,Genth dhe Falakr (6 herë)(46).Këtu po analizoj disa nga këta emra,që i ndeshim si në Epir ashtu edhe në Iliri.Emri Admet,që e kemi ndeshur 4 herë në mbishkrimet e Butrintit,më kujton emrin ilir Adamat,që e lexoj mbi monedhat e Shkodrës(47).
Monedha të prera aty kah mesi i shek.II-të p.e.sonë(4 ,si dhe në një gurë varri të zbuluar në Durrës(49).Të njëjtin emër njeriu e ndeshim edhe në krahinat lindore të Epirit,në Tesali e në Maqedoni dhe është lexuar në drahmat e Dyrrahut e mbi monumente sepulkrale të Apolonisë(50).
Emri Annia në trojet shqiptare gjendet në disa variante,si Annai,Annaius (si emër burri në Dyrrah), Anna në mbishkrimet e Dodonës dhe Anna në Dalmati.Si H.Krahe(51),ashtu edhe zbuluesit e tjerë të këtyre mbishkrimeve këtë emër e quajnë ilir.
Një emër tjetër shumë i përhapur në Iliri është edhe emri Genth i zbuluar në mbishkrimet e teatrit të Butrintit.Ky më kujton emrin e mbretit ilir të Adrianëve,Genth,të cilin e gjejmë në monedhën që e ka prerë ai vet(52).Këtë emër e gjejmë edhe në gurët e varreve dhe në monedhat e Dyrrahit(53).Dy emra të tjerë si Falakr dhe Falakrion,që kemi ndeshur 10 herë në mbishkrimet e Butrintit,H.Krahe(54),i përfshinte gjithashtu pa rezerv në emra ilirë.

Një grumbull emrash ilirë kemi edhe tek burimet antike.Nga emrat që na kumton Tukiditi,lidhur me prijësin e kaonëve,të tesprotëve,atiutanëve e parauejve,katër janë ilirë(55).Po të jetë e saktë se fiset epirote kishin origjinë helene (greke),atëherë pse krerët e mbretërit e tyre të mbanin emra ilirë.?!!!Nuk kanë të bëjnë aspak me gjuhën e vjetër greke as emrat e krahinave epirote Adania (sipas Hesyhit kështu quhej dikur Mollosia),Atamania,Anfilokia,Prosaibia,Tesprotia, banorët e së cilës (sipas dëshmisë së Stefan Bizantinit)(56),qenë thirrur edhe Aigestë.Të njejtin karakter kanë edhe emrat e lumenjve Aou,Aheron,Ahelou dhe Thyamis,prej të cilit e ka marrur sot emrin اamëria(57) dhe emrat e maleve Tomar,Asnau,Aeropus,etj. Dihet se,ashtu si të gjithë popujt e tjerë jogrekë të Ballkanit edhe ilirët kanë përdorur në mbishkrimet e monedhat e tyre gjithnjë shkronja të gjuhës greke e latine.
Në qoftëse sot mbi gjithë truallin e ilirëve ndeshim vetëm mbishkrime greke e latine,kjo nuk don të thotë se ilirët u halenizuan dhe më vonë u romanizuan.Nëqoftëse epirotët do të ishin grekë,si do të kishte arsye që shkrimtari helen,Straboni(5 ,të trajtojë një pjesë të epirotëve si bilingë,si popuj që flisnin dy gjuhë.Pa dyshim,Straboni ka pasur parasyshë që një nga këto gjuhë,që përdornin epirotët,ka qenë ilirishtja dhe gjuha tjetër ka qenë greqishtja,të cilën e përdornin në mbishkrime.Këta banorë,pra epirotët,nuk kanë pasur asnjë lidhje me grekët dhe prandaj prej tyre (grekëve)janë quajtur barbarë e bilingë,pra jogrek.Të gjitha këto tregojnë se popullsia që më parë është quajtur epirote,ka qenë ilire.

Gjeografi danez Malte Brun,autor i njërës nga veprat gjeografike më me autoritet të shek.XIX-të,që përfundoi së botuari pas vdekjes së tij,në analizën e vet mbi gjeografinë e Strabonit thotë:"Etolia dhe Akarnania konsideroheshin nga grekët gjysëm barbarë".Përsa i përket Epirit të gjithë autorët grekë të lashtësisë e përjashtojnë nga Greqia.Ai është përshkruar nga Straboni me Ilirinë dhe Maqedoninë.Fiset kryesore të tij ishin Kaonia, Thesprotia,Molosia.Straboni dhe Plutarku pohojnë se epirotët flasin një gjuhë të veçantë dhe kjo gjuhë është e njëjtë me atë maqedonase.Me sa duket,gjuha shqipe rrjedh prej saj(59).Edhe Pukëvili kur flet për Akarnaninë dhe Etolinë thekson se:"... këto vende,(në kohën e tij) quheshin Shqipëri dhe banorët e saj quheshin shqiptar"(60).Ch.Brouchneri,ky gjeograf i mbretit të Anglisë shkruan:"Shqipëria është një provincë e Turqisë Evropiane,që kufizohet në veri me Bosnjën dhe Dalmacinë,në jug me Livadhianë, në lindje me Thesalinë dhe Maqedoninë"(61).

Historiani Teodor Momsen në veprën e tij monumentale "Historia e Romës së Lashtë",i quan "... trimat epirotë, shqiptarë të lashtësisë"(62).Lajbnici ,filozofi më i madh i kohës së tij,i mbiquajturi Aristoteli i kohëve moderne,falë interesave të gjithanshme dhe kontributeve të mëdha që dha në fushat më të ndryshme të dijes.Por ne shqiptarët te Lajbnici shohim,ashtu si albanologu Erik Hemp,"...një dijetar të hershëm ,të vërtetë, të gjuhësisë shqipe"(63),udhërrëfyesin e studimeve në fushën e gjuhës sonë,që ndonëse punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë krahasimtare,me një intuitë të jashtëzakonshme, arriti i pari në një teori ilire të prejardhjes së gjuhës shqipe.Kontributi i Lajbnicit në këtë fushë përfshihet në tri letra që ai i ka dërguar bibliotecistit mbretëror të Berlinit,tanimë të njohur në botën shkencore si:" Letrat shqiptare të Lajbnicit"(64).
Në letrën e parë të datës 24 janar të vitit 1705 ,ai shprehte mendimin se;...gjuha e ilirëve të lashtë mund të ekzistonte diku në Epir"(65).Për epirotët dhe gjuhën e tyre me origjinë ilire,si Lajbnici shprehen edhe J.G.F.Herder(66), J.E.Tunman,i cili thotë:"Edhe në Epir banonin vetëm popuj jogrekë,të cilët flisnin maqedonisht,siç është e njëjtë ,me gjuhën ilire"(67). Por mendim të tillë kishinedheF.Bop(6 ,J.R.F.Ksilander(69,J.G.F.Han(7 0),J.F.Falmerajer(71),T.Mommsen(72), P.Kreçmer(73);ku thotë:"Për tërë grupin veriorë të këtyre fiseve ,që nga kufijtë e krahinës sëEpirit,qysh herët,të paktën që nga koha e Herodotit(74),është përdorur emri i përbashkët Ilirët,ose siç quheshin në kohët më të lashta,Hilirët"(75).Ky emër vjen mbase nga jugu,nga Illyrii proprie dicti (Plin.III-144.Male II-3) dhe u përhap më vonë nga grekët në të gjitha fiset engjajshme me ta,që njohën gjatë përparimit të tyre drejt veriut(76).

Ndërsa Hansjërg Frëmmer(77) në librin e tij "Ilirët",që ai e botoi në vitin 1988,thotë:"Ndarja më tresh e Ilirisë,ashtu si u bë pas fitores së romakëve mbi mbretin Gent,u pasqyrua dhe në ndarjen e provincave,të Dioklecian Konstantinit,Hinterlandi i Durrësit dhe Apolonisë që i përkiste për një kohë më të gjatë Romës,si Epirus nova (Epiri i Ri) ishte pjesë e dioqezës së Maqedonisë.Kurse territori tjetër i sundimit të mbretit Gent,rreth Shkodrës,si provinca Prevalitana,bënte pjesë në dioqezën e Dakisë.Të dyja këto pjesë të territorit të lashtë ilir në kohën e Augustit bënin pjesë në provincat e senatit dhe pasi u nda perandoria u përfshinë në pjesën greke"(7 . Grekët,në historinë e tyre marrin për bazë tregimin mitologjik të kohës së Deukalionit(79) dhe të Pirros(80).
Kjo legjendë fillimin e saj e ka së pari në Babiloninë e vjetër,si dhe në gjithë vendet e Lindjes së afërme.Në Përmbytjen e Botës.Deukalioni dhe Pirroja shpëtuan me anë të një barke;më vonë ata,kur dalin në tokë hedhin gurë.Ata që i hedhte Deukalioni bëheshin burra,ndërsa gurët që hidhte Pirroja shndërroheshin në gra.Sipas historianëve grekë prej këtyre gurëve rrjedhin grekët e sotëm.Kjo ngjarje ka ndodhur në Epir,prandaj,sipas tyre Epiri u përket grekëve.Jo vetëm kaq por edhe vendet e Epirit;Korça, Gjirokastra e deri në lumin Shkumbin.Pseudohistorianët grekë,thjeshtë për të përligjur pushtimet e Shqipërisë së Jugut prej kohësh e kan ngritur këtë problem në forma të ndryshme.Ja njëra nga ato;- Themeluesi i parë i qytetit të Argjirokastrës është i biri i Filkosit nga mbretërit e Greqisë.Trashëgimtaria e fundit e kësaj dinastie është princesha Argjiro Monoviza (Argjirua me një Gji),e cila gjatë vitit 1419 për të mos iu dorëzua pushtuesve osmanë u hodh nga kështjella.
Qysh atëherë kjo qytezë - kështjellë mori emrin e kësaj princeshe dhe u quajt Argjirokastra.Në fakt kjo "histori" është vetëm një përrallë,(legjendë),sepse nuk ka asnjë dokument që tëket ekzistuar njëfar princeshe me këtë emër.Por prej vet faktit që princesha Argjiro u hodh nga kalaja tregon se kalaja ka ekzistuar.Atëherë çfarë emër kishte kjo kështjellë?Në studimet historike,në relacione e kronika ngjarjesh,historianë dhe personalitete të ndryshme politikë e shoqëror të huaj kanë dhënë gjat shekujve,mendime,kanë cituar fakte e të dhëna që kanë të bëjnë me emërtimin e hershëm të qytezë - kështjellës së Gjirokastrës si dhe të jetës në këtë vend.Një mbështetje të pakundërshtueshme e gjejmë tek Emile Isambert(81),ku vihet në dukje se;Gaultier de Cleubry (ish anëtar i shkollës së Athinës),duke u mbështetur tek historiani i dëgjuar romak Tit Livi,në vitin 169 p.e.sonë,thekson:"Gjirokastrën e gjejmë me emrin Parrhicastra",që don të thotë:"Kështjella e Pirros".Grekët e quanin :"Pirru - haraks". Që në shqip don të thot :vija mbrojtëse e Pirros.Ndërsa Antigonea,qytet antik që ndodhet përballë Gjirokastrës është themeluar nga Pirrua,të cilit u vuri emrin e gruas së tij Antigonea.Ajo ishte njëra prej vajzave të Berenikës. Këtë e kishte me Filipin,para se të martohej me Ptolemeun(82). Pirrua ka qenë një mbret shumë i pasur.Sipas historianëve antikë Ambrakia (Arta e sotme),ka qenë kryeqyteti i Pirros.Ajo ishte e stolisur me 1015 shtatore(monumente),Plini sh.I,tregon se statujat e famshme të nëntë muzeve i grabitën romakët në Ambraki në kryeqytetin e Pirro Mollosit(83).Ajo veç statujave të shumta të saj,qe e pajisur edhe me dy teatro,ishte nga qytetet më të bukur të asaj kohe,por të gjitha këto u grabitën nga "gjeneralët" romakë gjatë vitit 186 para erës sonë.Pirrua i Epirit ishte i fisit Mollos(84) (ilirian),pra paraardhës i shqiptarëve. Plutarku në veprën e tij Vita (Jeta) e mbretit mollos Pirro,i cili gjithashtu dy herë për disa vjet mbajti edhe titullin e mbretit të Maqedonisë,njofton se ai në një betejë kundër Demetrios Poliorketës në vitin 287 p.e.sonë mbante një helmetë me një tufë pendlash (Federbusch) e me dy brirë cjapi dhe maqedonasit menjëherë kaluan në anën e tij.
Meqë e njohën si mbretin e tyre të drejtpërdrejt e të vërtetë.Në monedhat e Tarentit që u prenë nga ky qytet për Pirron gjatë fushatës së tij kundër Romës në vitet 280-275 p.e.sonë,dalin si shenja të mbretit Ajakid njëmajë shtize,vetëtima e Zeusit të Dodonës dhe helmeta me brirë.Një helmetë e tillë është simbol monedhash edhe i uzurpatorit Trifon,që,në vitin 142-139 p.e.sonë,në Siri,duke kujtuar prejardhjen e tij mbretërore maqedone u ngrit kundër selekuidëve.Mund të sillen edhe shembuj të tjerë për karakterin mbretëror të kësaj helmete me brirë,por këtu nuk është nevoja.Shekuj më vonë atë e mbajti Skënderbeu,sepse nga njëra anë ,ai si "Aleksandër Bej" donte të lidhej me traditën e maqedonasit të madh,që ende sot në Orient quhet "Dhul-Quarnein"(Dybrirësh)(85),e nga ana tjetër se ai e ndiente veten si epirot dhe pasardhës i Pirros."Në qoftë se kronikat nuk gënjejnë,ne quhemi epirotë,...paraardhësit tanë kanë bërë beteja të mëdha me romakët dhe gjejmë se ata,ut plurium,më shumë lavdi se sa turp kanë sjellë prej tyre..."Skënderbeu.
Shkruante në vitin 1460 në një letër që i dërgonte princit Ursini në Itali.Po për këtë biografi i tij Marin Barleti,me prejardhje nga Shkodra,në titullin e veprës së tij që doli në vitin 1508-1510 e quajti "Epirotarum princeps"(princ i epirotëve) dhe e bënë emrin e Skënderbeut të prejardhur nga Aleksandri i Madh,ndërkohë që botimi i përkthyer gjermanisht nga Johannes Pinicianus është titulluar "Princ i Epirotëve dhe i Shqipërisë" (Herzog zu Epiro und Albanien),duke e lidhur në këtë mënyrë të kaluarën e lashtë me të sotmen.Kështu shprehet në punimet e tij studjuesi i mirënjohur gjerman P.R.Franke(86).
Për periudhën e antikitetit të kësaj qyteze-kështjellë hedhin dritë të mjaftueshme edhe gërmimet arkeologjike.Gërmime që u kryen në kalanë e Gjirokastrës,në verën e vitit 1983.Gërmimet në teritorin e brendshëm të kalasë ishin të frytshme,sepse u përfitua një lëndë arkeologjike që i takon shekujve IV ose III p.e.sonë.Kjo riafirmon plotësisht emërtimin e hershëm të kësaj qyteze-kështjellë me emrin Pirrokastra,sepse pikërisht gjatë kësaj kohe ka jetuar mbreti Pirro.Si pasojë,kjo kohë e vonë e antikitetit shpjegon edhe faktin,që në këtë kështjellë nuk gjenë ndërtime muresh prej gurësh ciklopike ose pellazgjike.
Ky qytet nuk ka patur nevojë për gurë të tillë,përderisa në periferinë e tij gjenden me sasi të mëdha shtresash gurë radhorë të rezistueshëm,të sheshtë me dimensione të ndryshme trashësie,që rrallë gjenden në viset e tjera të Shqipërisë.Emile Isambert,duke u mbështetur tek historiani i vjetër romak Tit Livi në veprën e tij i kundërvihet dy herë anglezit Leek.I cili del me hamendje se:" Gjirokastra është Argia e dikurshme"(87).Sepse në fakt Argia ndodhet afër Ballshit.Aty rrjedh edhe një lum i vogël,i cili quhet Lumi i Argias e që derdhet në Vjosë.
Të njëjtin qëndrim si Emil Isambert mban edhe Dr.Milan Shufflaj(8 në veprën e tij "Serbët dhe Shqiptarët".Ai flet për gjurmët e familjes së dëgjuar të Arianitasve."Përmes mjaft dokumenteve del se kjo familje ka qëndruar në afërsi të fshatit të sotëm Aranitas,ku kalon edhe një lum i vogël i quajtur Argias"(89).Kjo gjendet edhe në greqisht e shkruar.
Te vepra e Emile Isambert,afirmohet edhe një herë se Gjirokastra është Pirrokastra e dikurshme,siç e shkruanin më vonë grekët.Në mesjetë Pyrrho-Castra e humb rëndësinë e saj.Historia e saj përzihet me pjesën tjetër të Epirit.Emërtimi i ri Gjirokastër u ndie nga fundi i shek.XIV.Dihet historikisht që pas vitit 1375 në këtë qendër banimi shtrihej principata e Gjin Bue Shpatës.Pas vitit 1385 sundimtari i saj ishte Gjin Zenebishi.
Duke u nisur nga tradita e njohur e pagëzimit të qytezave-kështjellë me emrat e sundimtarëve të dëgjuar,për nder të udhëheqësve të lartpërmendur,kjo qytezë-kështjellë u quajt me emrin Gjinokastër.U quajt kështu sepse të dy prijsat e saj mbanin emrin e pastër shqiptar Gjin.
Me fjalë të tjera u quajt;Qyteza-kështjellë e Gjinit(90).Me kalimin e kohës Gjinokastra u kthye në Gjiro-Kastra,si rrjedhim i veprimit të dukurisë gjuhësore të rotacizmit,që tingulli ( n ) shndërrohet në (r ).Vë në dukje emërtimin e hershëm grek Argjiro-Kastra,të huajtë që duan t'u japin nga një kuptim emrave të qyteteve Gjirokastrën e quajtën ;Chateau d'Argent ( Kështjellë e Argjentë) duke u nisur nga pamja që japin gurët e bardhë radhorë me të cilët është ndërtuar ky qytet.Aty jo vetëm muret,por edhe kulmet janë mbuluar me rrasa guri të holla dhe të bardha që ndrijnë natën si argjent nga hëna dhe ditën nga dielli.Me emrin Argjirokastra këtë qytet e quajnë vetëm të huajt(91).

Sikurse që u pa më lartë për të ashtuquajturën Princesha Argjiro-Monoviza,nuk ekziston asnjë dokument.ثshtë vetëm një legjendë.Ndërsa për Gjin Bue Shpatën dhe Gjin Zenebishin ka dokumente të mjaftueshme.Dinastia e Argjirës është vetëm manovër greke për të mbuluar pikësynimet e tyre grabitqare kundër kësaj krahine të stërlashtë shqiptare.Edison L.Clark(92) në veprën e tij,flet qartë për origjinën,gjuhën,shtrirjen e shqiptarëve.Ai thotë;"Shqiptarët,arnautët,siç i quajnë ata turqit,ose shqiptarët banorët e shkëmbinjëve,siç e quajnë ata veten banojnë në teritorin që përfshinë Epirin e Vjetër dhe vendin e ilirëve në Maqedoninë Perëndimore,duke u shtrirë nga Mali i Zi deri në gjrin e Artës (Ambrakisë)së Jugut"(93).

Ai vazhdon:"Epirotët e vjetër dallohen nga helenët ashtu si shqiptarët nga grekët e sotëm.Epirotët dhe Ilirët ishin fise fqinje,por të një gjaku,që flisnin dialekte të ndryshme të së njëjtës gjuhë"(94). Edison ,e çartësan dhe e bënë të ditur se Shqipëria shtrihej nga Tivari i sotëm e deri në Prevezë(95). Si shpjegohet që përfaqësuesit grekë në Kongresin e Berlinit nuk kërkuan të gjithë Epirin por këmbëngulën vetëm për Janinën dhe zonat përrethë?!!.Në një kohë që Greqia i kishte 40 vite që kishte themeluar shtetin e saj edhe me gjakun e djemëve më të mirë të Shqipërisë. Si ka mundësi që diplomacia greke,ti linte jashtë shtetit Grek tokat që kishte lindur mitologjinë.Nga ku shpjegoheshin perënditë.Si mbetën të kënaqur e të ngopur njëkohësisht me aq pak tokë,kur dihej pretendimi dhe oreksi i shovinizmit grek?!!!Këto e kanë shpjegimin e vet!.

Mendja e errët e shovinizmit grek kishte kohë që po projektonte skëterrën për fatin e epirotëve.Nuk kishte se si ti kërkonin qarqet shoviniste greke Abdyl Frashërit vetëm truallin e Epirit,por për të kapërcyer këtë pengesë të pakapërcyeshme,ata bëjnë një propozim anormal;Atë të bashkimit të gjithë Shqipërisë me mbretërinë greke.Ky propozim ishte i paramenduar me qëllim të caktuar.Përpara qarqeve politike shqiptare viheshin dy alternativa;ose të pranohet propozimi i palës greke,ose në të kundërtën,të mos krijohej aleanca,që ishte aq e nevojshme për shqiptarët në atë vorbull kontraditash.

Jo rastësisht Harillas Trikupi,ministër i jashtëm i Greqisë dhe përfaqësues i tërbuar i qarqeve shoviniste greke.Nën maskën e aleatit të popullit shqiptar për luftë kundër Turqisë.Në muajin korrik të vitit 1877 e dërgoi fshehurazi në Janinë,misionarin e tij Mavromatin për të hyrë në marrëveshje me përfaqësuesin shqiptarë Abdyl Frashërin.Për bashkimin e Shqipërisë me mbretërinë greke dhe për heqjen dorë të shqiptarëve nga Epiri.Sipas dy raporteve sekrete,njëri i datës 15 dhe tjetri i datës 19 korrik 1877,të shpallur në Athinë në revistën vjetore "Neos Kuvaras" të vitit 1962.Mavromati i raporton Harillas Trikupit:"Marrëveshjet tona me përfaqësuesin e shqiptarëve janë ndërprerë,meqenëse Abdyl Frashëri ngul këmbë për sovranitetin shqiptar dhe nuk pranon që Epiri t'i jepet mbretërisë greke,pasi është tokë autoktone shqiptare".(96) Më poshtë misionari Mavromatis në vazhdim të raportit të dytë shton:"ثshtë e nevojshme të zgjerohen edhe veprimet e llojit tjetër; - Të zbarkojmë një repart ushtarak në Himarë në qoftëse negociatat tona do të dështojnë. Dalja e ushtrisë sonë në Himarë do të shkaktojë në Epir konfuzion dhe tronditje.Duke bërë që batalionet e rregullta të ushtrisë turke të përbëra krejt prej shqiptarëve që ndodhen në Epir,do të dezertojnë për të kaluar drejt veriut(në drejtim të Himarës)për të mbrojtur vatrat e tyre dhe duke i shpërndarë shqiptarët në drejtim të veriut Epiri do të mbetet i lirë,pa shqiptarë të armatosur dhe si pasojë ne atëherë do ti kemi duart e lira për të vepruar aty dhe do tua heqim frikën që kanë njerëzit tanë në Epir".

(97)Në këtë raport misionari Mavromatis i shfaq keqardhje Harillas Trikupit që të krishterët e Epirit nuk pranuan kërkesën greke për të luftuar kundër atdheut të tyre dhe të bëhen vegël e shovinizmit grek.Që të siguronin përkrahjen e diplomacisë së Fuqive të Mëdha ndaj kërkesave të tyre,ata filluan një fushatë të shfrenuar në shtypin Evropian. Dhunuesit e Epirit, në mjaft gazeta evropiane kishin botuar artikujt e tyre si;L'Epire et la questiongrecque,Memoire sur l'Epire en general et particuelierement sur l'eparchie de Janina par unë Epirote,...!!Në këto rrethana përfaqësuesi i popullit shqiptar Abdyl Frashëri,i drejton redaksisë së gazetës "Moniteur Universale" të Parisit një artikull,i cili u botua në këtë gazetë në maj të vitit 1879;"Zoti redaktor.Artikullit të botuar në gazetën "Republika Franceze" nuk i dhamë asnjë përgjigjje,sepse njësjellje të tillë fare pak e pritnim prej një gazete që simpatizon luftën e kombësive.Franca qan gjithmonë humbjen e krahinave të saj.

Banorët e Alsasës dhe të Lorenës rënkojnë kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre.Përse një gazetë franceze i quan qesharak shqiptarët,të cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqësie të tillë.Nuk jemi savantë dhe as pretandojmë për të,për historinë e atdheut tonë e kemi studiuar dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër.Banorët e Epirit i quajnë Pellazgë.Herodoti,Tukiditi dhe Straboni dalin me konkluzione se ky vend nuk ka pjesë të Greqisë.Sipas Strabonit,Greqia nga Veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe gjirit të Ambrakisë.Pasi gjeografia e lashtë greke nuk u vjen në ndihmë grekëve të sotëm,po pyesim ata që kan mendime të kundërta,se cila pjesë e Epirit është greke?Ai që pranon argumentet e sillogëve grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket vetëm Shqipëria,por edhe Maqedonia,Thrakia,Rumania,Azia e Vogël,etj.Sipas vendeve të Greqisë së Madhe edhe Marseja e juaj i takon asaj!!!
Epiri ka 650 mijë banorë.Sa janë vallë grekë që ndodhen në të dhe ku banojnë?Në Korçë?Në Berat?Në Gjirokastër?Apo në اamëri?Ai që kalon nëpër këto vende takon vetëm epirotë shqiptarë,jo epirotë grekë.Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë për të ngijtur lakmitë e sillogëve grekë dhe lëvizjet artificiale të tyre!!!Sjellja e tanishme e Greqisë dëshmonë se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë.Por kjo (Rusia) i përkrah pretendimet e saj me anë të forcës,e cila për fat të mirë i mungon Greqisë.Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen,në fakt janë vetëm miq të zhurmës,evropa nuk do të kishte kurrë qetësi.Parimi i ngjashmërisë në gjuhë do ta shpinte Greqinë shumë larg por në radhë të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë nga grekët 200 mijë shqiptarë që banojnë në një lagje të veçuar të Athinës të quajtur PLAKث dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca.
Epiri është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptar,ashtu si e krijoi natyra dhe historia.Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogët shuma të majme,të cilat mund të përdoren në mënyrë më të arsyeshme.Ajo përpiqet të zgjasi një ngatërresë,e cila s'ka për të mashtruar asnjë evropian.Po të ngulë këmbë greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura,të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve,shqiptarët kanë vullnet të pa tundur që tëmbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe jan betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë toke dhe të vdesin për të po të jetë nevoja.Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkatdhetarëve tanë.Evropa nuk do të marrë përgjegjësinë e luftërave shkatërrimtare që do të inaugurohen për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia".(9 Mbas krizës lindore e deri në Luftën Ballkanike,qarqet shoviniste greke e përqëndruan gjithë vëmendjen e tyre në popullimin e shpejtë të trevave jugore të Epirit dhe kryesisht në drejtim të qytetit.Të ndryshëm nga xhakatarës sebo-malazez,që si edukatë speciale për të coptuar trojet shqiptare kishin zhdukjen fizike dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë autoktone.

Ekspertët e problemit Epirot u treguan më të "sjellshëm",në këtë fazë të parë.Për ata gjthçka duhej të realizohej brenda gjendjes normale,të jetës dhe komunikimit të vazhdueshëm reciprok.Pra gjithçka duhej të zgjidhej " pa dhunë",me programe,spastrime masive,asgjësim fizik,dëbim kolektiv nga toka,por me një popullim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë, me një menjanim të qetë ku befasia të lozte rolin primar,në reagimin e menjëhershëm të popullsisë shqiptare.Zëvendësimi i popullsisë autoktone shqiptare duhej të shihej jo vetëm nga Evropa,por,në radhë të parë,nga popullsia e "pakulturuar" e Epirit si një fat i "madh" për të hyrë në rrjedhën e qytetërimit.Në kuadrin e "miqësisë" së lashtë,shqiptarët nuk kishin pse t'i shikonin "vëllezërit e tyre të sinqertë" me frik e dyshim.Nga ana tjetër finokët grekë nuk do t'u linin raste shqiptarëve të dyshonin në "dashurinë"dhe "sinqeritetin"e tyre,se zbatonin pikë për pikë strategjinë e tyre të hollë,duke populluar fillimisht qytetet e pastaj zonat përreth.Në fillim ua kërkonte detyra të qëndronin si punues të tokës dhe më vonë të pretendonin si zotërues të patjetërsueshëm të saj.E rëndësishme ishte për ta që të kapnin pikat kyçe në administratën shtetërore të nesërmen kuptohej edhe nga qarqet politike greke që sundimi osman nuk do të zgjaste shumë edhe në Shqipëri. Shtrirja dhe zgjerimi i mëtejshëm i institucioneve fetare fanariote do t'i shërbente atyre për të bërë presion të gjithanshëm mbi popullsinë ortodokse të Epirit,për ta inkuadruar brenda strukturës shpirtërore të ortodoksizmit grek më lehtë.

Ata do të shfrytëzonon me një mjeshtëri të rrallë lidhjet tregtare midis dy trevave për ta bërë sa më të pranishme popullsinë greke në jetën e përditshme shqiptare. Të favorizuar nga formimi i shtetit të tyre dhe i vlerësuar nga Evropa e asaj kohe,ata do të përdornin të gjitha mjetet e propagandës për t'u fryrë burive pa rreshtur në dyertë e qarqeve evropiane mbi fatkeqësinë e Epirit që kishte ngelur brenda strukturës së kalbur otomane.Të palodhur për të zbatuarderi në një programin e tyre shovinist,qarqet vorio-epirote,tashmë,të lidhur edhe me ideatorët e "naçertanës"e të përkrahur nga mëma e tyre e përgjumur Rusi,prisnin edhe njëherë rastin e volitshëm për ta fshirë nga faqja e dheut Shqipërinë.Skemat ishin përgaditur me kohë.Rusia kërkonte shembjen e perandorisë së sëmurë osmane.Nga kjo shpërbërje Greqia dhe Serbia kishin pretendime të takoheshin në Shkumbin.
Prandaj edhe në ato kohë kaq të turbullta për Shqipërinë,ku ditë-lindja dhe ditë-vdekjae saj ishte kaq pranë.Asnjëra palë nga fuqitë ballkanike nuk e pranonin Shqipërinë si aleate të barabartë për të fituar gjënë më të shtrenjtë që kërkonë një popull,lirinë dhe pavarësinë e tij.Greqia si greqi edhe në këtë radhë jo vetëm që nuk do të pranonte aleancë me shqiptarët,por edhe do të bëhej më vonë një ndër bllokuesit kontinental për Qeverinë e sapoformuar të Vlorës.Askush nuk e vë në dyshim rolin famëkeq të Konferencës së Londrës më 1913-të ndaj pasojave tragjike që i solli Shqipërisë.
Por a do të coptohej në tri pjesë Shqipëria në qoftëse Greqia,qarqet politike të saj nuk do të ngrinin pretendimin e tyre teritorial ndaj trevës së اamërisë?!!!
Në këtë kohë,kur Shqipëria kishte fituar përfundimisht mëvetësinë e saj,shovinizmi grek,si gjithmonë i "urtë" dhe "dashamirës"ndaj popullit shqiptar.Në bazë të po atij skenari,me shumë pretendime,bëri hapin e saj gllabërues dhe tradhëtinë ndaj kombit shqiptar.Në këtë radhë pasojat e politikës "fine"greke ishin katastrofale.Gati gjysma e Epirit,treva e اamërisë iu shkëput në mënyrë më absurde Shqipërisë dhe iu dha greqisë.
Si mund të kenë Qeveritë e Shtetit Shqiptar iluzione ndaj politikës zyrtare greke në lidhje me Shqipërinë dhe trojet shqiptare,kur edhe sot në Shqipëri dhe Greqi funksionon,madje edhe është rritur në përmasa të pazakonta në luftënantishqiptare,"Komiteti shovinist i Vorio-Epirit"?!!!.
 

Attachments

  • Epirus- Mollossia map.jpg
    Epirus- Mollossia map.jpg
    74.9 KB · Shikime: 51
E vërteta historike mbi "Vorio-Epirin"!

E vërteta historike mbi "Vorio-Epirin"!

Arsim Spahiu
marre nga : Gazeta Shqip


Deri para nja tre dekadash, sipas disa historianëve filogrekë, nuk ka qenë e lehtë të vërtetohej karakteri etnik ilir i epirotëve. Arsyeja e kësaj vështirësie është e qartë: Bota e qytetëruar është e magjepsur nga qytetërimi i Greqisë së vjetër dhe, siç nënvizon historiani francez J.N.Corvisier, historiani i ndershëm "e di fare mirë sesa u detyrohemi grekëve". Mirëpo të magjepsurit dhe detyrimi implikojnë subjektivitet dhe predispozicion për të trajtuar grekët ndryshe nga popujt dhe vendet që kufizohen me Greqinë. اka është më tepër, C.Antonetti, pasi thekson se grekët e vjetër nuk e kanë marrë ndonjëherë mundimin të provonin se epirotët kanë qenë grekë, shpreh habinë pse historianët e sotëm marrin përsipër ta zgjidhin këtë problem. Mesa duket, asaj nuk i shkon ndërmend se botime progreke u shërbejnë interesave politike të Athinës, e cila ndoshta ëndërron ende që Epiri i Veriut t‘i aneksohet Greqisë. Kjo është arsyeja pse historianët grekë të ditëve tona e kanë bërë "Arkeologjinë… një ideologji nacionale" (G.Hourmouziadis, 1990, fq.726-727). Dhe ndonjë shqiptar apo grek ose, as shqiptar as grek, u mban ison historianëve të sotëm grekë e serbë, duke ngritur përsëri çështjen e Vorio-Epirit. Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit, disa historianë anglo-amerikanë, njësoj si historianët dhe gjuhëtarët austriakë e gjermanë të shekujve të mëparshëm, janë ngritur kundër mënyrës së trajtimit të problemit të Vorio-Epirit nga historianët grekë e të huaj, helenofilë.

Sidomos historianët amerikanë, më të avancuar sesa ata evropianë, të cilët përdorin mjete që nuk njihen ende si duhet në Evropë, tregohen më objektivë në këtë lëmë. Bibliografia që lidhet me karakterin etnik të epirotëve është zgjeruar këtu, duke u përzgjedhur shumë autorë modernë, ndër të cilët disa nuk janë integruar ende në bibliografinë e studimeve pellazgologjike, ilirologjike dhe albanologjike. Këtu do të paraqiten shkurtimisht vetëm elementet kryesore të njohurive, që disponohen sot, duke i renditur sipas të dhënave burimore: mitologjike, historike, arkeologjike dhe gjuhësore. Epiri (خ‰د€خµخ¹دپخ؟د‚) është krahina, e cila shtrihet nga Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë dhe në krahinën e Amfilokisë. Ambraksi, eponimi i Ambrakisë, është bir i Thesprotit, pra nip i Pellazgut (R. Bell, 1989, f. 15). Tradita greke njeh dy personazhe, të quajtur Amfilok. Të dy këta janë pellazgë/ilirë. "Amfilokasit nuk janë helenikë" (R. Bell, Ibid, f. 15). Pra, sipas R. Bell, as amfilokasit, të cilët kanë banuar në Jug të Epirit, nuk kanë qenë helenikë. Në Lindje, Epiri kufizohet me malin e Pindit (خ خ¯خ½خ´خ؟د‚). Pindi është bir i Makedonit, në traditën sipas së cilës Makedoni është bir i Lykaonit, birit të Pellazgut. Në bregdetin epirot përplasen valët e detit Jon (خ?د‰خ½). Joni është bir i një mbreti të ilirëve, Adrit, emrin e të cilit mban deti Adriatik (Sch. أ Apll. de Rh, Argonautiques, IV, 308 etj).

Sipas një tradite tjetër, Joni është bir i Dyrrhakut. Ai është vrarë aksidentalisht nga Herkuli dhe kufoma e tij është hedhur në detin që i mban emrin (App., Bell. Civ. II, 39). Kurse P. Cabanes (2001, f. 29) thotë se Joni është fisnik ilir. Mitologji. Epiri mban emrin e Epires, bijës së Ekionit (خˆد‡خ¯د‰خ½). Ky i fundit është njëri nga të pesë burrat, që dolën nga dhëmbët e dragoit, të cilët i mbolli Kadmi, ati i Ilirit. Ekioni mori për grua Agavenë, njërën nga bijat e Kadmit, pra motrën e Ilirit, heroit eponim të ilirëve (Apd., Bibl., III, 4, 1, 2; 5, 2; Hyg., Fab., 178 etj.). Fiset kryesore epirote janë kaonët, molosët dhe thesprotët. Kaonët. Heroi eponim i këtyre është Kaoni (خ§خ¬د‰خ½), biri i Priamit dhe i Hekubës, mbretit e mbretëreshës së dardanëve ilirë të Trojës (Serv., أ Virg., En., III, 297). Molosët mbajnë emrin e Molosit birit të Neoptolemit, pra stërnipit të Akilit (Për iliricitetin e Akilit, sh. Pellazgët dhe ilirët në Greqinë e vjetër). Thesprotët quhen kështu nga Thesproti (خ?خµد‚د€دپد‰د„دŒد‚), njëri prej të bijve të ilirit Lykaon. Këtu është e përshtatshme të përsëritet se iliri Lykaon është bir i Pellazgut, heroi eponim i pellazgëve (P. Grimal, 1951). Feja pellazge/ilire e epirotëve. Shumë historianë të ditëve tona, njësoj si autorët e vjetër grekë, pranojnë se kulti - nderimi fetar, që epirotët u bënin hyjnive - ka qenë pellazg. Herodoti (V, 10) thotë: "Janë ata (Hesiodi dhe Homeri) që, së pari, kanë hedhur bazat e studimit të racave të hyjnive, u kanë ndarë atyre funksionet e punët dhe kanë përshkruar pamjen e tyre".

Mirëpo Hesiodi dhe Homeri janë poetë; ata nuk kanë shpikur hyjni; Homeri nuk e përmend tempullin e Delfit; grekët e njohën mitologjinë dhe fenë pellazge ashtu siç ua kanë përshkruar ata poetë. Ja ç‘thuhet në Iliadë lidhur me pellazgjicitetin e orakullit të Dodonës: "Zeus, Zot i Dodonës dhe i pellazgëve, Zot i largët, që mbretëron në Dodonën e ashpër, në vendin ku banojnë sellojtë… ". C. de Simone (1990, f. 52) nënvizon faktin se bota mikenase nuk e njeh konsultimin orakullar të një peme të shenjtë. Ai pranon se gërmimet arkeologjike nuk dëshmojnë për "karakterin dhe/ose praninë mikenase në tempullin e Dodonës…". Kulti i Zeusit është instauruar shumë kohë para se të arrinin grekët në Greqi. Sipas M. Jost (1992, f. 36-39) rreth shekullit IV para e. sonë klientela e orakullit të Dodonës përbëhej kryesisht nga epirotët, korkyrasit dhe thesaliotët. Kurse athinasit në shekullit IV para e. sonë (pra kaq vonë) kanë bërë hapat e parë për të filluar një kult të Zeusit. Me këtë rast, Olimbia, e ëma e Lekës së Madh, denoncon aspektin subversiv të demarshit të athinasve, të cilët instaurojnë kultin e Zeusit, "duke cenuar traditën lokale (epirote)". Eshtë për t‘u habitur me faktin që athinasit e kanë instauruar kultin e Zeusit kaq vonë. اka është më tepër, ka ende historianë, që e konsiderojnë si greke këtë princeshë epirote grekofobe.

Të ishte grek panteoni grek, do të dihej etimologjia e hyjnive. Sa për karakterin etnik të panteonit të ashtuquajtur grek, mund të shihet libri i përmendur më lart. Në trojet e tempujve orakullarë të Greqisë arkeologët kanë kërkuar vendet ku është ushtruar kulti mikenas, i cili do t‘i ketë paraprirë qytetërimit grek të periudhës së hekurit. Por në vende të shenjta nuk janë gjetur gjurmë të ndonjë sektori fetar, apo arkiva të ndonjë tempulli grek. Pra, gjurmët e periudhës së hekurit nuk mund të pranohen si prova të natyrës fetare greke të gjurmëve të zbuluara në nivelet e poshtme të bronzit. Meqë nuk duhet të ketë boshllëk arkeologjik, mund të thuhet se, lidhur me problemin që shqyrtohet këtu, dokumentet arkeologjikë nuk japin asnjë dëshmi të ndonjë vazhdimësie të kultit grek në Greqi. Prandaj, orakujt më të vjetër të Zeusit gjenden në Epir, në malin e Pindit, në Maqedoni etj., pra kaq larg grekëve. Të ishte grek tempulli i Zeusit do të ishte instauruar së pari në Athinë dhe në Spartë. Tradita homerike. Homeri dëshmon për një gjeografi politike të ngushtë të Greqisë së vjetër, ku Epiri nuk figuron fare. Në "Katalogun e anijeve" Homeri kalon në rivistë të gjithë luftëtarët akeas, të mbledhur në fushën pranë Trojës, por nuk përmend epirotët. A. Giovannini mbron teorinë, sipas së cilës "Katalogu i anijeve" në këngën II të "Iliadës" (v. 484-760) përshkruan saktësisht gjeografinë e Greqisë së shekullit VII para erës sonë. Sipas Homerit, itinerari i katalogut përputhet çuditërisht me itinerarin që bëjnë theorët e Delfit, të ngarkuar për të lajmëruar shtetet greke për luftë.

Për habinë e ndonjë historiani, Katalogu përmend termin panhelenë ("Iliada", II, 530) për të gjithë grekët, pa përfshirë këtu epirotët. Arsyeja është e thjeshtë: si do ta shohim, Epiri është një krahinë e banuar nga "barbarë" ilirë, që nuk dëshirojnë të luftojnë kundër ilirëve të Trojës. Ida Thallon (1919, XXXIX) nënvizon faktin se lufta e Trojës bëhet midis dy grupeve etnike të ndryshme: grekëve dhe ilirëve. Autorët e vjetër. Shumë autorë të vjetër thonë se epirotët kanë qenë barbarë. Thukididi (I, 5) shënon se barbari banon në afërsi të Delfit, pra shumë larg Greqisë. Më poshtë ai shton se Greqia fillon në gjirin e Ambrakisë ose në Lokridë. Efori (Histori, 74) sqaron se Akarnania është vendi që kufizohet me etnitë epirote. Pseudo-Skylaksi (26-33-34), duke u kthyer nga Iliria në Greqi, si arrin në Ambraki, thotë: "Që këtu fillon Greqia…". Straboni (VII, 7, bën dallim midis barbarëve epirotë dhe grekëve. Ky gjeograf grek vë re një tjetër tipar të përbashkët etnik midis epirotëve, maqedonasve dhe ilirëve: klamidën (د‡خ»خ±خ¼دچد‚), "veshje kombëtare ilire". Ka dhe autorë të tjerë greko-romakë, që mund të përmendeshin këtu. Kjo provohet fare mirë pak më poshtë:

Autorët modernë

Sipas J. Wilkes (1992), po të bazohemi në burimet greke nuk mund të bëjmë asnjë dallim midis ilirëve dhe banorëve të vjetër të Epirit. C. S. Coon (1950) shpreh bindjen se stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm kanë zbritur në vendin e tyre nga viset e Bosnjës dhe të Danubit. Ai shton se, që nga lashtësia, Epiri dhe Shqipëria nuk janë banuar nga ndonjë racë tjetër. F. D‘Andria (1987, f. 35) është i mendimit se "Epiri, Iliria dhe bregdeti italik formojnë një rajon detar homogjen". Ai shpreh bindjen se, në shekullin V para e. sonë, "vendasit" e rrethinave të Orikumit (Epir), në marrëdhëniet tregtare me vendet përreth, janë "veçanërisht refraktarë ndaj shkëmbimeve me elementin grek". Në këtë mënyrë, autori na sqaron se banorët e Orikumit nuk kanë qenë grekë. Kurse N. G. L. Hammond vë në dukje kontrastin e madh, që bie në sy mes Epirit e Maqedonisë nga njëra anë dhe Greqisë nga ana tjetër. Ai pranon se, gjatë shekullit V p.e.s. në اepunë (Kurvelesh) dhe në Kucokrano (Pogon), si kudo në Iliri, praktikohej varrimi, ndërkohë që në Greqinë e Jugut njihej vetëm shkrumbimi. Ai shton se një praktikë tjetër jo greke në këto vende përbënte prania e armëve në varret e burrave. Në Trebenisht, në Vitsa dhe në Duruti janë zbuluar shumë maje ushtash, shpata dhe thika të lakuara, të ardhura nga veriu. Për më tepër, armë dhe zbukurime, të prodhuara sipas modeleve të ardhur nga veriu janë bërë kurban në Dodonë (N. G. L. Hammond, 1997, f. 57-58).

Arkeologjia

Qytetërimi i epokës së bronzit të hershëm në Epir përfaqësohet më së miri me kulturën ilire Maliq III. Këtë kulturë e gjejmë në Bënjë, Piskovë, Dukat etj. Disa zbukurime plastike të qeramikës tërheqin vëmendjen si një manifestim i valëve të dyndjeve të popullsisë nga brigjet e Danubit të Poshtëm drejt pjesës perëndimore dhe jugore të Ballkanit. Për këtë periudhë, në Epir dhe në Maqedoni kanë dalë në dritë maje ushtash prej sileksi të tipit kurghan. Tashmë është provuar se grekët nuk kanë qenë kurghanë. Tashmë është provuar në mënyrë të vetme se grekët nuk kanë kaluar nëpër Evropë për të arritur në Greqi dhe, gjithë çfarë është thënë deri tani nga historianët për "grekët dhe ilirët" (N. G. L. Hammond), u mbetet vetëm ilirëve (A. Sherratt, 1997). Bronzi i mesëm në Epir paraqet tipare specifike shkëmbimesh tregtare. K. Kilian (1984, f. 284-286) mendon se gjatë kësaj periudhe, "periferia e qytetërimit mikenas shtrihet deri në liqenin e Janinës". Ky autor thekson se "Shqipëria, qoftë për prodhimin e shpatave ose për përqindjen minimale të qeramikës mikenase, mbetet matanë kufirit", duke nënkuptuar kështu me një vend Shqipërinë dhe Epirin. Sidomos disa objekte metalike bëjnë aluzion për lidhjet e Shqipërisë dhe të Epirit me bregun tjetër Adriatik. Sa për armët, ky historian, në kundërshtim me historianët grekë, të cilët pretendojnë se në këtë periudhë, në tërë hapësirën gjeografike ilire, objektet metalike kanë gjoja ndikimin e qytetërimit mikenas, pyet: "Përse duhet që thika e zbuluar në Vajzë (Epir), si dhe ekzemplarët e Maliqit (Iliri), të Matit (Iliri) dhe të Dodonës (Epir) të jenë bërë përherë sipas një prototipi mikenas…?" (K. Kilian, 1975).

Përgjigjja e një pyetjeje

Në ish-Jugosllavi janë zbuluar karfica të shekullit XIII, që janë prodhuar shumë kohë më parë sesa të njëjtët tipa karficash, të gjetura në Greqi. Për këto karfica, A. Harding thotë se janë pa pikë dyshimi të frymëzuara nga viset veriore. Edhe "violine-bow fibulae", si dhe karfica në formë të harkut rrethor, të cilat janë dukur në Greqi për herë të parë në shekullit XII, janë njohur më parë në Ballkan dhe në Evropën Qendrore, çka mund të konsiderohet si evidencë e arritjes në Greqi të elementeve të reja të popullsisë. Po kështu, disa unaza ari dhe unaza të tjera, si dhe byzylykë me spirale, të cilat duken në Greqi nga fundi i periudhës mikenase, janë pa pikë dyshimi me prejardhje nga Evropa Qendrore. Sa për gjilpërat, të cilat duken në shekullin XII në Greqi, në Shqipëri dhe në Maqedoni, A. Harding shton se është pa dyshim e vërtetë se disa forma të tyre duken në këto vise disa shekuj më vonë sesa në Evropën Qendrore. Këta tipa të rinj të bëjnë të mendosh se grekët kanë kopjuar forma ekzotike, kurse format e tjera i kanë importuar (A. Harding, 1984, f. 134-142).

Në shekujt XIII-XII hyn në përdorim në Epir një tip sëpate me dy presa, e cila haset shpesh në Ilirinë e Jugut. Gjatë epokës së bronzit të vonë, Epiri bën pjesë në një bashkësi kulturore ballkanike, që përfshin Ilirinë, Thrakinë, Dakinë dhe Hungarinë. Shumë historianë, duke u mbështetur në praninë e qeramikës me hulliza, shprehin mendimin se këtu është fjala për një dyndje të ilirëve nga Luzaca (Lausitz). Gjatë këtyre shekujve thikat dhe hanxharët vazhdojnë të bëhen në Epir dhe në Maqedoni njësoj si në Veri të Ballkanit (R. Treuil, 1989, f. 166).

Nga fundi i shekullit XII duket në Ballkan për herë të parë qeramika e mbiquajtur "barbare". Kjo qeramikë e mbiquajtur edhe "devollite", e cila është zbuluar në Ilirinë e Jugut, në Epir dhe në Maqedoni, duket në brigjet jugore të Adriatikut dhe në bregun lindor të detit Jon. C. Soueref (1990, f. 33) thotë se "është interesante kur vërejmë se qeramika epirote/shqiptare dhe pastaj ajo itakase… paraprijnë qeramikën e Eubesë dhe atë të Korinthit të shekullit VIII para e. sonë. Armët "barbare", të zbuluara në Greqi, në shekullin XII, shtrojnë një problem të rëndësishëm. Deri para nja tre dhjetëvjeçarësh, të gjitha objektet arkeologjike, që zbuloheshin në Greqi, konsideroheshin sikur ishin greke. Mirëpo tani është provuar e kundërta. A. Harding nënvizon faktin se pjesa më e madhe e objekteve prej bronzi, të zbuluara në Mikenë, në Greqinë Jugore dhe në Kretë, janë objekte barbare. Sëpatat me një teh single-hole, të pranishme në Epir dhe në Shqipëri, nuk janë të tipit mikenas, sepse tashmë është pranuar se ato janë adriatike dhe se gjenden sidomos në të dyja brigjet e Adriatikut. Edhe tipi evropian i shpatës flange-hilted ka hyrë në Greqi nga veriu, rreth vitit 1200 dhe është adoptuar nga grekët plotësisht (A. Harding, 1984, f. 129-218). Këto shpata i kanë futur në Greqi mercenarë barbarë (H. W. Catling, 1961, f. 121). Të njëjtën gjë thotë C. Peroni: edhe kamat flange-hilted janë dukur në Greqi për herë të parë në shekullin XII. Këto kama, njësoj si shpatat e përmendura më lart, njihen në Fushat me Urna (Evropa Qendrore) shumë kohë para se të arrinin në Greqi.

Edhe disa lloje majesh të disa ushtave prej hekuri kanë hyrë në Greqi në sh. XII. Si thotë A. Harding (1984, f. 169), pjesa më e madhe e tyre janë distinctively albano-epirote. Këto objekte arkeologjike, që hyjnë vonë në Greqi, kanë qenë especially me shumicë në Bavierë, në Bohemë dhe në Moravi (E. ؤŒujanova-Jilkova, Prague, 1970). Për objektet arkeologjike, të përmendura më lart, është thënë deri tani se bëhet fjalë për një koine greko-jugosllave. Mirëpo tani shumë autorë provojnë se nuk janë objekte arkeologjike ballkanike (J. Bouzek, Prague, 1968). J. Bouzek shpreh bindjen se poçeria mikenase nuk njihet në të dyja anët e brigjeve të Adriatikut. Ai nënvizon se paralelet evropiane të mbërtheckave evropiane, të mbiquajtura "uncanonical pins", të cilat janë gjetur në Greqi, në protogjeometrik dhe në gjeometrik, tregojnë ngjashmëri gjenerike të ansamblit të gjilpërave të Fushave me Urna. Ai shton se përhapja e karficave ilire karakterizon pellgun Adriatik dhe se mbërtheckat e të dyja brigjeve të Adriatikut kanë një ngjashmëri të përgjithshme (J. Bouzek, 1997, f. 117).

Kultura e periudhës së hekurit, e cila në Epir fillon rreth shekullit XI, zhvillohet në vazhdim të një evolucioni të mëtejshëm dhe të ndikimeve të huaja. Edhe gjatë kësaj periudhe të tërheq vëmendjen vazhdimësia e riteve të varrimit dhe fakti që epirotët nuk kanë pësuar asnjë ndikim grek në ritet e varrimit. Të gjithë historianët vënë në dukje ngjashmërinë, që nekropolet tumulare, të zbuluara në Epir, kanë me nekropolet tumulare të Shqipërisë. Ata theksojnë se zakonet e varrimit të popullsisë epirote kanë ngjashmëri me zakonet e ilirëve, të cilët banojnë në luginat e lumenjve të Matit dhe Devollit. Arkeologët shqiptarë mbrojnë se qeramika "matt-painted" është përhapur në shekullin VIII para e. sonë nga Shqipëria e Jugut dhe ajo Juglindore drejt brigjeve etolo-akarnane… Pra, kujtesa kolektive pellazgo-iliro-shqiptare, feja epirote, historia e shkruar greke e jo greke dhe rezultatet e kërkimeve arkeologjike të tre dhjetëvjeçarëve të fundit japin elemente, që na lejojnë të shtrojmë krejt ndryshe problemin e iliricitetit të epirotëve. Këtu u strukturuan vetëm disa argumente mbi karakterin etnik ilir të epirotëve. Herës tjetër do të renditen argumente të tjera shumë të rëndësishme mbi përkatësinë e tyre etnike.

*Doktor në Histori i Universitetit të Franche-Comtأ©-së
 

Attachments

  • George Finlay, in 1861.jpg
    George Finlay, in 1861.jpg
    19.9 KB · Shikime: 11
Epiri është dhe do mbetet shqiptar. Abdyl Frashëri, Botuar me 1879

Shënim i "Lirisë". Me kënaqësi të madhe po botojmë këtu poshtë një letër me shumë rëndësi drejtuar redaksisë së gazetës MONITEUR UNIVERSEL, të Parisit. Botuar në atë gazetë në Maj 1879, nga patrioti i Rilindjes Shqiptare, Abdyl Frashëri).

Zotëri Redaktor!


Me habi pamë se gazeta e rëndësishme "Republique Française", e cila në polemikën e saj të zakonshme kurrë nuk devijon nga rregullat e modestisë, botoi disa pjesë të shkëputura nga Memorandumi i Lidhjes Shqiptare, dhe poshtëroi e bëri qesharake atdhetarët tanë. Atij artikulli nuk i dhamë asnjë përgjigje, por "Republique Française", duke u rikthyer prapë në çështjen në fjalë, u orvat të tallë dy të dërguarit e Lidhjes Shqiptare. Një sjellje të tillë fare nuk e pritnim prej një gazetave që simpatizonte luftën e kombësive. Franca qanë gjithmonë humbjen e krahinave të saj: banorët e Alsace e Lorraine rënkojnë kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre. Përse një gazetë franceze i gjen qesharakë shqiptarët, të cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqsie të tillë? Nuk jemi savantë dhe as pretendojmë për të, por historinë e atdheut tonë e kemi studjuar dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër.

Banorët e Epirit i quajnë "Pellazgë". Herodoti, Tucididi dhe Straboni dalin me konkluzionin se ky vend nuk ka qenë pjesë e Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia nga veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe Gjiut të Ambrakisë. Pasi gjeografia e lashtë greke nuk u vjen në ndihme grekërve të sotëm, po pyesim ata që kanë mendime të kundërta, se cila pjesë e Epirit është greke? Ai që pranon argumentet e sillogëve grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia, Thraka, Rumania, Azia e Vogël, sipas vendeve të Greqisë së Madhe, edhe Marseja e juaj!!! Epiri ka 650 mijë banorë. Sa janë vallë grekët që ndodhen në të dhe ku banojnë? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Apo në اamëri? Ai që kalon nëpër këto vende takon vetëm epirotë shqiptarë, jo epirotë grekë. Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë puro për të nginjur lakmitë e sillogëve grekë dhe lëvizjet artificiale të tyre… Sjellja e tanishme e Greqisë dëshmon se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë Cariste!!! Por kjo (Rusia) i përkrahë pretendimet e saj me anën e forcës, e cila për fat të mirë i mungon Greqisë. Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen!!! Që në fakt janë vetëm miq të zhurmës, Europa nuk do të kishte kurrë qetësi.

Parimi i ngjashmërisë në gjuhë do të shpiente Greqinë shumë larg, por në rradhë të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë nga grekët dyqind mijë shqiptarët që banojnë në një lagje të veçuar të Athinës të quajtur "Plakë", dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca. Epiri është dhe do të mbetet gjthëmonë shqiptar, ashtu si e krijoi natyra dhe historia. Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogjet shuma të majme, të cilat mund t'i përdorte në mënyrë më të arsyeshme. Ajo përpiqet t'i zgjasi një ngatërrese, e cila s'ka për të mashtruar asnjë europian. Po të ngulë këmbë Greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura, të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve, shqiptarët kanë nji vullnet të patundur që të mbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe janë betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë por të vdesin për të po të jetë nevoja. Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkë-atdhetarëve tanë. Europa do të marrë përsipër përgjegjsinë e luftërave shkatërrimtare që do të inauguronte për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia. Shpresojmë, zoti redaktor, se do ta botoni përgjigjen tonë, gjë për të cilën dhe ju falënderojmë qysh më parë.







Marre nga gazeta: TiranaObserver
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top