Shqipërisë i duhen shtetarë

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Bledar-Kurti-219x300.jpg


BLEDAR KURTI


Na ishte një herë një ari që kishte lindur në kafazin e një kopshti zoologjik. Gjatë gjithë jetës së tij, ariu kishte habitat të tij një kafaz pesë metra të gjerë e pesë metra të gjatë, që e llogariste me hapa: 10 hapa përpara e 10 hapa pas; 10 majtas e 10 djathtas. Një ditë vendosën ta lirojnë ariun, ndaj e çuan në pyll të jetonte i lirë në natyrë. Por, sapo e liruan, ndonëse nuk ishte më në kafaz, ariu nisi të bënte 10 hapa majtas e 10 djathtas, 10 hapa përpara e 10 hapa prapa. Ndonëse ishte i lirë fizikisht, ariu ishte ende skllav i kafazit që kishte në kokë.

Përpara 25 viteve kërkuam liri. Por ndonëse e fituam atë vazhduam me kafazet diktatoriale ende në mendjet tona. Ikën e erdhën qeveritë dhe partitë premtuan me të madhe filozofi dhe politika të reja, po ashtu si ariu vazhduan të njëjtin avaz me kafazet e së shkuarës që i privonin politikës, por mbi të gjitha popullit shqiptar, vizionin për të ardhmen.

Po sot, a është çliruar politika nga kafazet e së shkuarës? Absolutisht jo! Ajo vazhdon të ndryshojë ngjyra dhe zbukurime, por jo formën dhe esencën e vizionit të saj. Do të kthehet Enveri, nëse votoni të majtën, – na thoshte Saliu. Do të kthehet Saliu, nëse votoni të djathtën, – na thotë Rama. Ne po ndreqim të metat e Nanos, – qeveriste Saliu. Ne po nxjerrim vendin nga gërmadha që na la Saliu, – po qeveris Rama. Për 45 vjet shqiptarët panë me shpresë për nga e ardhmja, për 25 vitet e postkomunizmit kemi parë vetëm nga e shkuara. Po e ardhmja? Quo vadis Shqipëria?

Sa më i zhvilluar të jetë një shtet, aq më të përulur dhe emancipuar janë drejtuesit e tij. E kundërta ndodh me shtetet e varfra, pasi drejtuesit e tyre janë arrogantë, në dashuri me veten dhe sikurse gjendja ekonomike e vendit që drejtojnë, janë të varfër në mendime dhe ide. Dhe e gjitha kjo vjen nga kafazet e padukshme në mendjen e tyre.

Kohët e fundit, ose për të qenë më të saktë, që me instalimin e regjimit diktatorial në Shqipëri në vitin 1945, kemi dëgjuar shprehje si “fener ndriçues”, “lider në rajon”, “faktorë stabiliteti”, “vend pararojë” etj. Euforizma provinciale që fshehin një të vërtetë të hidhur. E vërteta është që, ndonëse gjeografikisht jemi në zemër të kontinentit më të emancipuar të botës, të rrethuar në Jug e Perëndim nga dy civilizimet antike më të mëdha të të gjitha kohërave, Shqipëria renditet ndër vendet më të varfra të Europës dhe shqiptarët, qofshin shtresë e ulët apo e mesme, janë në kufirin e mbijetesës. Në vitin 2016 shqiptarët nuk duan të mbijetojnë. Ata meritojnë të jetojnë.

Sot, vendi ynë ka një problem më të madh nga sa duket. Dhe ky problem kërkon shumë breza që të zgjidhet. Ky problem është fenomeni tragjik i vdekjes së shpresës. Kemi qenë gjithmonë të varfër, por kishim shpresë. Kemi rrëzuar diktatura me forcën e shpresës. U shpërndamë në mbarë botën me shpresën për t’u kthyer e ndërtuar Atdheun. Luftuam të vjetrën me shpresën për të renë. Por ja sot, i gjithë shteti drejtohet nga të rinjtë dhe vendi është tërësisht i pashpresë, sepse nuk ka mbetur më shpresë për të shpresuar. Dhe kjo është situata më tragjike për një komb. Sepse ka humbur tërësisht vështrimin nga e ardhmja.

Flluska sapuni të rritjes ekonomike, të mundësive të shumta të punësimit, të modernizimit të administratës, reformës avangardë në arsim, shëndetësisë falas, e reformave të reformave të reformave, pluskojnë në qiellin shqiptar dhe vetëm në botën imagjinare të pushtetit. Por, përtej fotove me fëmijë të gëzuar, të rinj të buzëqeshur, të moshuar që presin të vdesin të lumtur, peizazheve të edituara në photoshop dhe reklamave shumëngjyrëshe qeveritare në “Facebook”, jeta reale dhe jo virtuale e shqiptarëve është në kufijtë e mbijetesës. Dhe kjo nuk është një e vërtetë e panjohur edhe për vetë pushtetin, është një e vërtetë e padëshiruar, që qeveria është e paaftë ta ndryshojë.

Ndaj edhe e risolli Saliun (të padukshëm në vitin e parë të qeverisjes) në vëmendjen e opinionit publik, sepse personifikon problemin dhe të shkuarën, ndaj dhe nuk kemi dëgjuar kurrë në këto tri vite se si do të jetë ekonomia shqiptare në vitin 2030, si do të edukohen fëmijët tanë në vitin 2025 dhe si do të jetë jeta e një pensionisti si unë në vitin 2040? Nëse këto plane për vitet e së ardhmes e bëjnë qeverinë për të qeshur, pikërisht ky është problemi me vendet miope dhe mungesën e përgjegjësisë në qeverisje, sepse nuk arrijnë të shohin përtej hapit të tyre.

Kafazet e padukshme të provincializmit dhe stilit allashqiptar në politikëbërje e mbajnë në një rreth vicioz si qeverinë, ashtu edhe opozitën. Asnjëra prej tyre nuk luan rolin e saj, por bën atë të tjetrit. Të dyja palët kakarisin pa pushim, saqë shkëmbejnë pa dashur edhe kotecet.

Shqipëria ka nevojë për shtetarë, të cilët punojnë për brezat e ardhshëm dhe jo politikanë që mendojnë për zgjedhjet e ardhshme. Shqiptarët meritojnë të jetojnë si europianë, me shanse të njëjta për të ardhmen si bashkëmoshatarët e tyre në kontinentin e ideve dhe risisë dhe jo të turpërohen me oferta pune vetëm si kamerierë, kasapë, fasonë dhe call-center. Shqiptarët kanë nevojë imediate për ringjalljen e shpresës.

Sot, shoqëria civile pothuajse nuk ekziston, intelektualët vuajnë për bukën e gojës, shtresa e mesme është e turpëruar dhe jashtë çdo politike qeveritare, mjekët dhe mësuesit janë kategoritë e preferuara të eksperimenteve të vazhdueshme. Megjithatë, shqiptarët kanë ditur të shohin përtej kafazeve dhe kanë ditur ta prekin të ardhmen, sepse edhe në ditët më të vështira të tyre, nuk kanë pranuar kurrë të shuhen lehtësisht dhe pa asnjë përpjekje në terrin e natës.
g.shqip
 
Back
Top