Shqipëria koniciane

LeVoyageur

Once upon a time...
Nga Rudolf Marku



Pjesa koniciane e Shqipërisë nuk ka të bëjë me atë se sa cinik, mosbesues dhe mendje-skeptik je ti vetë. Ajo na shfaqet me kokëfortësi, në mënyrën më të pashmangshme madje dhe atëherë kur të pambrojtur dhe të papërgatitur, siç jemi nga udhëtimi dyditor, dhe ngase jemi të kapluar dhe nga ndjenja e nostalgjisë së mungesës për një kohë të gjatë në vendin tonë, i lejojmë vetes iluzionin se vetëm provincialët mendojnë se të gjitha të këqijat ndodhin veç në shtëpinë e tyre, se në fund të fundit vendi ynë europian nuk ka ndonjë ndryshim aq të madh nga vendet perëndimore nga vijmë, se vendi ynë në fund të fundit është vendi ynë, dhe se na duhet të mendojmë pozitivisht (që nuk do të thotë domosdoshmërisht- patrioti-kisht).

Kështu mendoja pasi kisha kaluar me makinë përmes Anglisë, Francës, Belgjikës, Holandës, Luksemburgut, Gjermanisë, Austrisë, Italisë, Kroacisë, dhe i afrohesha kufirit të Hanit të Hotit. Mes Kroacisë dhe Shqipërisë të duhet të kalosh përmes Malit të Zi dhe Mali i Zi është si një stërvitje e mirë, një nxehje sportive, po të duash, për t’u përgatitur për mbërritjen pa asnjë traumë në vendin tënd, një lloj ushtrimi serioz me parashutë që rënia të jetë sa më e butë…Në anën e postbllokut të Malit të Zi, polici a oficeri malazez ngul këmbë që të më detyrojë të flas një gjuhë që unë nuk e kuptoj, në gjuhën e tij. Zhvillohet një dialog absurd i denjë për komeditë e Joneskos a të Beketit: ai flet në gjuhën malazeze dhe unë në shqip, pastaj në anglisht, për të vazhduar në frëngjisht, rusisht dhe në italisht, dhe më se fundi prapë në shqip. Ai prapë, me një arrogancë që nuk më çudit, vazhdon në gjuhën e vet, derisa dikur dorëzohet dhe flet në një gjuhë që ai vetë beson se është anglisht. Megjithatë, më në fund merremi vesh. Madje me uron dhe rrugë të mbarë,duke më thërritur në emër! Nga këtu, i lehtësuar, kaloj me makinë një a dy metra më tej, dhe ndodhem në postbllokun e fundit, në atë shqiptar…Ah, më së fundi, them me vete i lehtësuar…Polici a oficeri i emigracionit shqiptar (në fakt nuk e kam të qartë emërimin e tij zyrtar-Oficer emigracioni? Doganier? Oficer kufiri?) më pret ftohtë dhe, me një ton shpërfillës, më kërkon dokumentet. Shpërfilljen e tij pjesa ime optimiste e interpreton si një korrektësi zyrtare, si pjesë e asaj që kohët e fundit quhet-të bëjmë dhe ne shtet!…Kështu duhet të jetë, i them vetes. Por ai, pas pak, pasi i hedh një sy dokumentacionit të makinës, më pyet, në shqip: Zotëri, nga vini? I them se në këto çaste vij nga Mali i Zi, por para ca çastesh të tjera vija nga Kroacia, Italia, Austria, Gjermania… dhe kthehem pas deri në pikën e nisjes, në Londër, nga South Kensingtoni. E pyes me kureshtje, pa cinizëm (isha betuar të mos bija në grackën e cinizmit a të mosbesimit konician) se a është e rëndësishme që ai ta dijë se nga vija unë. “Kemi një problem”, – më thotë serioz dhe me zërin e ftohtë të një zyrtari të vendosur që të kapë të gjithë shkelësit e kufirit, pa dallim krahine, feje dhe ideje…“Makina me të cilën udhëton ti, duhej të ishte në Shqipëri!”. E pyes se ç’do të thotë e gjitha kjo, sepse makina me të cilën udhëtoj është duke ardhur nga Anglia, se ajo, siç e tregojnë të gjitha dokumentacionet, është një makinë në pronësi timen, e siguruar, dhe se me këtë makinë kam kaluar, që ditën e djeshme, nëntë shtete europiane. Madje fakti që kjo makinë nuk paskësh qenë në Shqipëri, mund të provohet dhe me sy, me vështrim: unë po futem në Shqipëri pikërisht me këtë makinë! Polici, a oficeri, më thotë (besoj se duke parë në një kuti kompjuterike, të cilën unë vetë nuk e shoh që nga brendësia e makinës ku jam): Makina yte ka dalë nga Shqipëria në pikën e quajtur Muriqan me datën 12 Dhjetor të vitit 2012 dhe ka hyrë në Shqipëri më 15 korrik 2013. Pra, makina yte nuk duhej që të vinte nga jashtë shtetit, ajo është në Shqipëri!”…Këtë radhë, ndryshe nga absurditeti gjuhësor me oficerin e Malit të Zi, absurdi është i një natyre tjetër. I natyrës shqiptare. I them se herën e fundit që kam dalë nga Shqipëria me këtë makinë është Nëntori i vitit 2009. Kujtohem se dhe në Tetorin e vitit 2009, hera e fundit që pata ardhur në Shqipëri me po këtë makinë, oficeri a polici i kufirit të Qafë Thanës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë më pat thënë të kundërtën- Kjo makinë duhej të qe jashtë kufirit. Përse ndodhet brenda Shqipërisë?,, Dhe kur u përpoqa t’i provoja se kisha ardhur në Shqipëri me makinë nga Hani i Hotit veç dy ditë më parë, dhe tani po shkoja në Maqedoni i ftuar në një takim ballkanik të shkrimtarëve, ai ma pat kthyer– Po të dua unë, nuk të lejoj të kalosh!

I them policit a oficerit të Hanit të Hotit: -Më falni, por të dhënat që keni ju janë të gabuara! Nxjerr një bllok që të shkruaj saktësisht ato që më thotë oficeri. Pamja e bllokut të shënimeve dhe e një stilografi e trembin. -“Zotëri ,- më thotë, – unë po bëj detyren!…”. “Absolutisht-i them-kam respekt për mënyrën se si po e bëni detyren! Nuk kam asgjë personale. Pakënaqësinë e kam tek të dhënat që i keni gabim…”. Më sheh dhe pastaj, në konfidencë, më thotë: E di se ç’mund të ketë ndodhur? Në çastin kur kanë qenë duke futur të dhënat e tua e të makinës tënde në kompjuter, janë prerë dritat, dhe të dhënat janë ngatërruar…”. Më befasoi sqarimi i tij, semplicist, i qartë, pa asnjë iluzion. Një sqarim që më çarmatos. Befas kujtohem për kotësinë e iluzioneve të mia dhe filloj të qesh si i marrë. Jam dakord me ty, i them miqësisht, është thjesht ndërprerje elektriciteti…Ndërsa shoku im që është në makinë me mua, një tip i padurueshëm konician, më thotë se e gjitha kjo dhe ajo që më ka ndodhur në kufirin shqiptaro-maqedonas bëhej vetëm e vetëm sepse polici a oficeri kërkonte që t’i jepnim para në dorë që të mund të vazhdonim rrugën të patrazuar. Një mendim i ulët që nuk kisha se si të mos e shpërfillja me një përbuzje gati-gati patriotike!…

mapo
 
Back
Top