Shqipëri 1913-1914, ja dokumentet e pa njohura britanike

Kresha

A pretty face can never trick me
Nga Valentina Duka


Në këtë botim me dokumente, që po i paraqesim lexuesit me rastin e 100-vjetorit të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, përfshihen materiale të rëndësishme dokumentare, që, në pjesën më të madhe sillen në shqip për herë të parë. Ato janë marrë në Arkivin Kombëtar Britanik, si rezultat i një ekspedite kërkimore të ndërmarrë nga hartuesja e vëllimit, në vjeshtë të vitit 2011, me mbështetjen financiare të Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës. U desh një punë intensive për hulumtimin, kërkimin dhe studimin e një vëllimi të madh dokumentesh në fondet e Arkivit Kombëtar Britanik, që është një agjenci shtetërore, pjesë e Ministrisë së Drejtësisë së Britanisë së Madhe. Në të gjenden rreth 20 milionë dokumente qeveritare dhe publike, çka e bën atë një nga institucionet më të pasura të llojit të vet në botë. Gjatë kërkimit në këtë arkiv, puna jonë u planifikua dhe u organizua me një synim të qartë: të gjenim materiale dokumentare që lidhen posaçërisht me Shqipërinë e veçanërisht ato që kishin të bënin drejtpërdrejt me periudhën e shpalljes së Pavarësisë dhe të formimit të shtetit të ri shqiptar. E gjithë kjo punë hulumtuese dhe përzgjedhëse u bë me dëshirën e mirë për t’i sjellë këto dokumente në jubileun e madh të kësaj ngjarjeje, të shumëpritur në shekuj nga populli shqiptar. Mendojmë gjithashtu se prurja në shqip e këtyre dokumenteve ka shumë rëndësi për faktin se ato do të jenë një burim primar informacioni për studiuesit shqiptarë dhe sidomos për studentët e tri niveleve të studimit, që do të dëshirojnë të bëjnë studime për historinë e Shqipërisë të kësaj periudhe. Historianët, studiuesit, por edhe të gjithë ata që janë të pasionuar pas historisë do të gjejnë në morinë e këtyre dokumenteve një informacion të pasur dhe, në shumë raste, krejt të ri, i cili do të shërbejë në ridimensionimin e njohjes dhe të kuptimit të historisë së Shqipërisë. Për këtë qëllim, në varësi të kohës që pata në dispozicion, u orientova në fondin e materialeve dhe të dokumenteve arkivore të përgatitura nga Foreign Office (Ministria e Punëve të Jashtme) e Britanisë dhe, konkretisht, në serinë arkivore me referencë FO 421, e cila përmban dokumente origjinale konfidenciale, që lidhen me çështjet e Shqipërisë, të viteve 1913-1914. Këto dokumente ishin përzgjedhur dhe ishin printuar, në katër vëllime, nga punonjësit e këtij institucioni, pas vitit 1933, për nevojat utilitare të vetë Foreign Office. Sigurisht, u njoha një për një me to dhe i gjykova si shumë të rëndësishme dhe me shumë vlerë dhe, falë predispozicionit dhe gatishmërisë së drejtuesve të këtij institucioni prestigjioz britanik, mundëm t’i marrim ato për përdorim nga ana jonë. Kjo seri arkivore është pjesë e një fondi më të gjerë arkivor kushtuar vendeve të Europës Juglindore, i cili përmban gjithsej 332 vëllime, që mbulojnë vitet 1812-1947. Nga tërë këto vëllime, vetëm katër prej tyre i takojnë tërësisht Shqipërisë. Ato emërtohen “Korrespondencë e mëtejshme e lidhur me çështjet e Shqipërisë” dhe janë ndarë në këtë mënyrë:

Vëllimi i parë përmban dokumente që i takojnë periudhës tetor – dhjetor 1913;

Vëllimi i dytë mbulon periudhën janar – mars 1914;

Vëllimi i tretë mbulon periudhën prill – qershor 1914;

Vëllimi i katërt mbulon periudhën korrik – dhjetor 1914.

Të katër vëllimet janë përkthyer integralisht, duke ruajtur identitetin e tyre. Edhe në këtë botim dokumentet janë vendosur kronologjikisht, ashtu siç ndodhen në secilin vëllim në origjinal, por që, për lehtësi shfrytëzimi, po i botojmë, në dy vëllime. Përveç këtyre dokumenteve të periudhës tetor 1913 – dhjetor 1914, që ne mundëm të sigurojmë, ka edhe shumë syresh që lidhen me Shqipërinë dhe që u përkasin periudhave të tjera, por ato nuk gjenden të grupuara në vëllime më vete. Këto dokumente janë të integruara në vëllimet me tituj: “Korrespondenca të Europës Juglindore”. Duhet një përpjekje e re, një punë voluminoze dhe e gjatë pranë Arkivit Kombëtar Britanik, fillimisht për t’i gjetur dhe përzgjedhur dokumentet për Shqipërinë, që ndodhen në këto vëllime, të cilat pastaj duhen përkthyer dhe të përgatiten për botim. Nga pikëpamja e llojit të dokumentit materialet e gjetura në këtë fond arkivor dhe që po i sjellim këtu janë: korrespondenca, telegrame, letra, mesazhe, memorandume, nota, traktate diplomatike të plota a të selektuara, procesverbale mbledhjesh të Komisioneve Ndërkombëtare në Shqipëri, përshkrime ngjarjesh, protestash, thirrjesh, të prodhuara nga misionet diplomatike angleze, nga zyrtarë të lartë të Foreign Offisit ose të ministrive të tjera britanike, por edhe të personaliteteve e diplomatëve të vendeve të tjera, që kanë vepruar ose kanë pasur lidhje me çështjet e Shqipërisë në ngjarjet e viteve 1913-1914. Këto dokumente shprehin në mënyrë të kthjellët fenomenet politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore të shoqërisë shqiptare të kohës. Gjithashtu, në to gjen të ekspozuar në mënyrë të qartë interesat e Britanisë (si pjesëtare e grupit të Antantës) në raport me Shqipërinë, në veçanti, dhe me Ballkanin, në përgjithësi. Duhet nënvizuar fakti se rëndësia e këtyre dokumenteve nuk diktohet vetëm nga roli determinues që Britania e Madhe kishte në arenën ndërkombëtare në fillim të shekullit XX, por edhe nga mprehtësia e penës së diplomatëve britanikë, nga profesionalizmi i tyre i lartë, nga paanshmëria në përshkrimin e ngjarjeve, si dhe nga aftësia e tyre e spikatur për të kuptuar thelbin e fenomeneve politike, ekonomike, ushtarake etj., në vendet ku ata shërbenin.

Studimi i historianit serb Dusan T. Batakoviç, “Qeveria serbe dhe Esat Toptani” bazuar në dokumentet serbe, hedh dritë mbi raportet e panjohura mes Esat Pashë Toptanit dhe shtetit serb



Cilat ishin arsyet që Esat Toptani lëshoi territore në përfitim të Serbisë



Padyshim, një nga figurat qendrore të jetës e politikës shqiptare në vitet e trazuara kur u ngjiz shteti i pavarur shqiptar, Esat Pashë Toptani ka mbetur në kujtesën kolektive të shqiptarëve si sinonim i tradhtarit. Me gjithë ndonjë përpjekje të viteve të fundit për ta rehabilituar figurën e pashait, ai vazhdon të kujtohet si njeriu, që për hir të interesave të veta për pushtet, qe gati të shiste interesat e popullit e vendit të vet. Studimi i historianit serb Dusan T. Batakoviç, “Qeveria serbe dhe Esat Toptani”, duke u bazuar në dokumentet serbe, hedh dritë pikërisht mbi një sërë aspektesh të panjohura të raporteve mes Esat Pashë Toptanit dhe shtetit serb, duke plotësuar kësisoj përfytyrimin tonë për këtë njeri që pretendonte të bëhej mbret i shqiptarëve, por në fund përfundoi i varrosur mes ushtarëve serbë, në varrezat serbe të Parisit. “Esat Pasha zotëronte tiparin karakteristik mysliman të mosbesimit ndaj bashkatdhetarëve të një feje tjetër. Qëndrimi i fiseve shqiptare katolike të veriut, të cilat aspironin të ndaheshin nga Shqipëria, dhe orientimi prohelen i popullsisë shqiptare ortodokse në Epirin verior, ishin arsyet që e shtynë të pranonte rregullimin e kufirit në përfitim të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë: ai besonte se një Shqipëri më e vogël se ajo e përcaktuar në 1913-ën, duke qenë homogjene në fe, do të ishte një shtet shumë më i qëndrueshëm. Zhvillimi i rrethanave ndërkombëtare shtynë për një bashkëpunim më të afërt me Serbinë: territoret shqiptare ishin një objekt aspiratash dhe me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, edhe objekt kompensimi në kabinetet e fuqive të mëdha europiane”, – shkruan historiani serb, Dusan T. Batakoviç në librin e tij. Ky botim vjen në shqip nga Shtëpia botuese “IDK”. Botuesi Pirro Misha e ka një arsyetim përse në këtë 100-vjetor të Pavarësisë boton këtë studim të historianit serb, Batakoviç. “S’ka dyshim se arsyeja kryesore që na bëri të vendosnim të sillnim në shqip këtë libërth lidhet me informacionin aq të pasur që na sjell për një prej figurave, padyshim qendrore të historisë së asaj periudhe, por njëkohësisht dhe ndër më famëkeqet e historisë së re të Shqipërisë: atë të Esat Pashë Toptanit, që siç dihet historia në përgjithësi e ka damkosur si tradhtar, por megjithatë kohët e fundit ka pasur një sërë përpjekjesh që drejtpërsëdrejti apo indirekt janë përpjekur ta rehabilitojnë. Dhe së fundi, s’ka dyshim se nëpërmjet referencave të shumta që sjell, punimi i Dusan T. Batakoviçit përbën një kontribut për të gjithë ata studiues që një ditë do vendosin të thellohen në njohjen e asaj që gjendet në arkivat e bibliotekat e Serbisë për sa i takon historisë së Shqipërisë dhe marrëdhënieve serbo-shqiptare”, – shkruan botuesi Misha. Siç shpjegon dhe Batakoviç, Esat Pasha jo vetëm kishte një marrëveshje me serbët, por dhe financohej prej tyre. “Që në fillim të majit 1913, Esat Pasha informoi mbretin malazez për qëllimin e tij për t’u vetëshpallur Mbret i Shqipërisë, dhe për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me aleancën ballkanike. Ai tha se shqiptarët ua detyronin lirinë popujve të Ballkanit, dhe se ai do të vendoste me to, kufijtë e Shqipërisë, pa ndërmjetësimin e fuqive të tjera. Esat Pasha i tha diplomatit serb, Zivojin Balugdziç në një mbledhje në Durrës, se dëshironte një marrëveshje me Serbinë. Fillimisht hezituese, qeveria serbe pranoi, duke vlerësuar se Pashai kishte treguar qëndrimin e tij se ai vërtet dëshironte një marrëveshje me Serbinë, të cilën ai e njihte, duke cituar Balugdziç, si bërthamën për të bashkuar forcat ballkanike. Ishte vendimtare për qeverinë serbe që pak para sulmit bullgar, të neutralizonte përgatitjet në Shqipëri për sulme në territorin serb, veçanërisht në Kosovë, Metohi dhe Maqedoninë perëndimore. Rreth 20 000 burra ishin gati për luftë në territorin shqiptar, shumica refugjatë nga Serbia e Vjetër dhe Maqedonia, udhëheqësit e të cilëve, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini ishin bashkëpunëtorë të ngushtë të Ismail Qemalit… Aleanca ndërmjet qeverisë serbe dhe Esat Pashës nuk ishte përcaktuar në një traktat të posaçëm, megjithatë, Pashiçi urdhëroi që ndjekësit e tij të ndihmoheshin me para dhe armë. Për kryeministrin serb, Esat Pasha shërbente si kundërpeshë ndaj qarqeve të mëdha shqiptare rreth Ismail Qemalit. //mapo.al
 
Back
Top