“Shpirti” mban në burg 18 të proceduar për trafik droge


Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e sigurisë për 18 të ndaluarit në kuadër të një operacioni itali-shqiptar kundër trafikut të drogës, edhe pasi u njoh me pretendimet e të dyshuarave.​







Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të dielën të lërë të pandryshuar masat e sigurive për 18 të ndaluarit nga policia, prej 28 të procedurarve për trafik droge në kuadër të një hetimi antidrogë italo-shqiptar disavjeçar, rezultatet e të cilit u komunikuan nga SPAK gjatë një konference të përbashkët për shtyp me autoritetet e prokurorisë italiane të premten më 2 korrik.

Gjyqtarja Irena Gjoka tha se, pas shqyrtimit të provave dhe pretendimeve të avokatëve të të pandehurve gjatë seancës së komunimimit të masave të sigurisë, mbetet në fuqi “arresti në burg” për 14 prej të ndaluarve, konkretisht për Aleks Memaj, Aleksandër Neço, Mareglen Çaçi, Shkëlzen Kamberi, Klajdi Ademi, Erind Hysomenaj, Elton Kushi, Saimir Kurti, Malton Lleshi, Çezar Gjomeno, Ilir Gaba, Geri Zylyftari, Artan Zylyftari dhe Erlind Zylyftari. Për katër prej të ndaluarve, prokurorin e Vlorës Maksim Sota, shefin e antitrafiqeve Ilirjan Balla dhe Artur Krasniqin e Luan Zylyftarin, u la në fuqi masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

SPAK njoftoi të premten arrestimin e disa zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarë të policisë, si dhe një prokuror të Vlorës e dhjetëra të dyshuar të tjerë në përfundim të një hetimi shumëvjeçar të autoriteteve shqiptare dhe italiane, të koduar me emrin “Operacioni Shpirti”. Gjithashtu, u njoftua se u ndaluan edhe dy oficerë policie, të cilët, në kohën kur është kryer trafikimi i lëndës narkotike në vitin 2016, bënin pjesë në grupin e shoqërimit të ish-Ministrit të Brendshëm, që në atë kohë ishte Saimir Tahiri, edhe pse ky i fundit nuk u përmend me emër nga SPAK. Tahiri u gjykua për trafik ndërkombëtar droge por u gjet i pafajshëm në shkallë të parë për këtë vepër penale dhe u dënua për “shpërdorim detyre”. Çështja e tij është në proces rigjykimi. Tahiri është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.
Ky operacion lidhet me valën e kultivimit dhe trafikimit masiv të kanabisit në Shqipëri para zgjedhjeve të vitit 2017 dhe hedh dritë për kriminalizimin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në nivelet e saj më të larta në atë kohë.

Gjatë konferencës për shtyp prokurorët thanë se katër grupet kriminale të goditura merreshin jo vetëm me trafik marihuane por edhe me trafik heroine e kokaine.
Sipas prokurorit Vladimir Mara të SPAK, operacioni shumëvjeçar ka identifikuar shumë episode të trafikut të drogës ndërsa të premten u kryen sekuestrime preventive të katër kompanive dhe 11 pronave të paluajtshme në Vlorë, Kavajë e Tiranë. Mes pronave të paluajtshme, tha Mara, përfshihen restorante, hotele dhe troje ndërtimi.
Në vitet 2016 dhe 2017, Shqipëria njohu një lulëzim masiv të prodhimit të kanabisit në të gjithë territorin e vendit, një fenomen që u shoqërua nga akuzat e opozitës kundër qeverisë për kriminalizim të përgjithshëm si pjesë e strategjisë për fitoren elektorale të vitit 2017.
Prokurori italian Federico Cafiero de Raho, deklaroi se hetimi u mundësua nga një grup hetimor i përbashkët shqiptaro-italian dhe falënderoi për bashkëpunimin.
Mes të procedurarve është edhe prokurori i Vlorës Maksim Sota, ish-kandidat për prokuror në SPAK, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

reporter.al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top