Shpërthen Majko: Zgjedhje dhe referendum në një ditë

Guest2

Antarë i Respektuar
Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka reaguar ashpër sa u përket debateve për reformën në drejtësi. Përmes një statusi të gjatë në faqen zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Majko sfidon jo vetëm opozitën, por kërkon edhe sakrificë nga qeveria socialiste, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme së bashku me referendumin. Sipas tij, është me vend që thirrjes së demokratëve për zgjedhje të parakohshme në rast se nuk pranohen vendet e rezervuara, socialistët të mos i thonë jo, për t’u treguar ndërkombëtarëve seriozitetin e shumicës për reformën në drejtësi, dhe jo për interesa politike të qeverisjes. “Sot (dje), lexova në media se opozita kërkon që nëse nuk i plotësohet kërkesa e saj për pikën 88 të Komisionit të Venecias, ajo do ta kërkojë këtë tek votuesit në zgjedhje të reja. Jam dakord me arsyetimin e fundit. Shpresoj të jetë i fundit dhe të mos nxisë diskutime të mëtejshme qesharake. Opinioni im personal është që le të shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. T’i bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes. Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lëmë peng vendin arsyetimeve të një opozite që di vetëm çfarë nuk do. Nëse demokratët janë gati, t’i ftojmë së bashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë”- shprehet Majko. Në vijim, ish-kryeministri thekson se populli shqiptar nuk është “dele”, por sipas tij, ai flet edhe kur hesht. “Delet nuk meritojnë referendum! Shpresoj të kuptohet se çfarë vjen kur populli ynë vendos ta refuzojë trajtimin si ‘dele’! Nuk ka gjë më të guximshme në politikë se të bësh ‘gjënë e gabuar’ për arsyen e duhur dhe interesat e vendit! Kjo punë do burrëri! Për atë që beson se është, sigurisht. Të tjerat janë fjalë”- thekson Majko. Lidhur me referendumin, deputeti socialist i kujton opozitës që mbajtja e tij kërkon të miratohet nga Kuvendi me 94 vota. Por demokratët nuk kërkojnë as referendum, vijon Majko, pasi ata kërkojnë një marrëveshje politike lidhur me rekomandimin 88 të opinionit të Komisionit të Venecias për reformën. “اfarë është kjo lodër fëmijësh me pikën 88 të Komisionit të Venecias që po kthen në budalla një opinion të tërë publik të vendit?! Kjo qenka arsyeja pse vendi ynë, Shqipëria, të shpallet shtet i dështuar dhe të bllokohet në ‘karantinë’ për vite, pa hapur negociatat me Bashkimin Europian?! Kemi kërkuar referendum që publiku të vendosë mbi diferencat që partitë politike kanë për reformën në drejtësi! Për ta realizuar referendumin duhet që ai të miratohet me 94 vota në Kuvend… Oponentët e Partisë Socialiste nuk pranojnë referendum! Duan “marrëveshje politike” mbi një “pikë 88” që nuk ka kuptim ashtu si e shpjegojnë ata”- nënvizon Majko. Gjithashtu, ai ironizon ata politikanë të cilët thonë se pjesëmarrja e ekspertëve të huaj në Veting shkel sovranitetin e Shqipërisë, duke kujtuar Gjykatën e Strasburgut dhe NATO-n. “Në Kuvend, të enjten e fundit, opozita doli në Kuvend me një Kërkesë, tjetër, të padëgjuar në asnjë deklaratë të mëparshme, në tavolinat e punës së reformës apo në gjithë dokumentet me shkrim që kanë depozituar për këtë çështje… Tani opozita dëshiron që verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë sonë për pasuritë që kanë, për aftësitë profesionale dhe lidhjet e mundshme me botën e krimit (Veting-u) të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët (për një periudhë të përkohshme tranzitore) (!) Shpjegimi i cili jepet nga opozitarët për këtë kusht të ri të fundit është ‘se preket sovraniteti i vendit'(!) Këta që dje deklaruan kur Shqipëria u pranua në NATO se ‘Kjo është një mrekulli e lirisë’… thonë sot këtë?! Kjo është njëlloj si të thuash se në Shqipëri nuk duhet të vijnë trupa të huaja të NATO-s apo që hapësira jonë ajrore të mos ruhet nga avionët e Aleancës sepse “preket sovraniteti” i vendit(!)… A shkelin sovranitetin e Shqipërisë vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Pyetje si këto ka mjaft për të kuptuar ‘shqipërimin” e kësaj që ndodh'”- shprehet deputeti i PS-së. Në reagimin e tij, anëtari socialist në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi thotë se PS-ja kurrë nuk e ka refuzuar shumicën e cilësuar. “Ndjesën më të thellë dhe siç thotë fjala e vjetër ‘e hëngshim turpin me bukë’ nëse Partia Socialiste e ka bërë këtë! Por a e ka bërë?! Përgjigjja është njërrokëshe: Jo!”- shkruan Pandeli Majko.
Shqip.
 
Back
Top