Shkodër-Velipojë, mungon sinjalistika

  • Hapësi i temës Hapësi i temës E3
  • Start date Start date

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Ndërsa nga dita në ditë rritet fluksi i pushuesve, në rrugën që të çon drejt plazhit të Velipojës, sinjalistika e nevojshme mungon pothuaj tërësisht. Një fakt të tillë e ka pohuar vetë Nikollë Marku kryetari i Komunës Velipojë, i cili i bën apel Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, që të marrin masa për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi.
Ndonëse në 33 kilometrat e rrugës Shkodër-Velipojë, pjesa më e madhe e saj është ndërtuar e re, janë bërë dy ura të reja, janë bërë zgjerime në disa pjesë të këtij aksi, mungesa e tabelave e bën qarkullimin e mjeteve shqetësues dhe të rrezikshëm në këtë aks. Jo vetëm kaq, por rruga Shkodër-Velipojë shërben si rrugë kalimi dhe për qindra bagëtitë e fshatrave që janë në dy anët e saj. Gjatë sezonit të kaluar, në këtë aks janë shënuar aksidente të shumta. Sipas statistikave të bëra publike një vit më parë, në këtë segment rrugor, çdo 48 orë është shënuar një aksident. Vetëm tre ditë më parë tre të rinj humbën jetën në këtë aks rrugor Nisur nga ky realitet, kryekomunari i Velipojës, Nikollë Marku bën thirrje publike drejtuar të gjitha strukturave dhe kryesisht Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
"Pjesë të rrezikshme të rrugës që lidh Shkodrën me Velipojën, janë pa sinjalistikën e nevojshme. Janë dy ura apo kthesa që nuk kanë asnjë shenjë dalluese. Duhet të merren masa, pasi tashmë fluksi i lëvizjes së makinave sapo vjen dhe shtohet. Aq më shumë që ky aks është i tejmbushur me makina që vijnë nga Kosova apo me emigrantë, të cilët nuk e njohin mirë rrugën", shprehet Marku. Sipas tij, pjesa e rrugës që i përket Komunës së Velipojës është plotësuar me tabela. "Ne si komunë jemi munduar që zonat më problematike t'i plotësojmë me tabela, ndonëse nuk kemi pasur fonde të mjaftueshme. Ndërkohë që pjesa më e madhe e kësaj rruge që paraqet probleme nuk është pjesë e komunës", sqaron kreu i komunës. Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Velipojës thotë se problem paraqet pasiguria e aksit rrugor nga Harku i Berdicës deri tek Ura e Gjolulit, pasi aty përveç fluksit të madh të makinave kalojnë dhe bagëti e karroca, që e vështirësojnë qarkullimin dhe bëhen burim aksidentesh.
Sektori i Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Shkodrës e konsideron si problem shqetësues lëvizjen e kafshëve në rrugën Shkodër-Velipojë. Sipas efektivëve të tij, ky shqetësim i madh mund të zgjidhet shumë lehtë. "Paralel me rrugën nacionale ka qenë dhe një tjetër për kalimin e kafshëve, e cila funksionon në disa pjesë. Me pak financim kjo rrugë mund të hapet dhe kështu mund të evitojmë kalimin e kafshëve e karrocave", pohojnë përfaqësues të këtij sektori.

Korçë, 12 viktima në 7 muaj
KORاE - Shifra tragjike në aksidente janë shënuar dhe në qarkun e Korçës. Duke iu referuar të dhënave statistikore të vetë Policisë së Qarkullimit Rrugor në këtë qark mësohet se gjatë 7 mujorit të parë të këtij viti kanë ndodhur 40 aksidente të rënda, në të cilat kanë gjetur vdekjen 12 persona, 15 të tjerë janë plagosur rëndë dhe dhjetëra të tjerë kanë pësuar plagë të lehta. Këta tregues nga kjo polici janë deklaruar si më të suksesshme se ato të së njëjtës periudhë të vitit 2008. Po gjatë muajit korrik kurba e aksidenteve automobilistike është rritur ndjeshëm. Janë shënuar pesë viktima, ndërkohë që ka pasur edhe të plagosur rëndë. Nga drejtues të Policisë së Qarkullimit Rrugor shpesh deklarohet se aksidentet më të rënda, shpesh edhe me pasojë vdekje të drejtuesve dhe pasagjerëve bëhen nga emigrantët kur vijnë me pushime. Për të parandaluar aksidentet automobilistike shërbimi i qarkullimit rrugor në qarkun e Korçës ka rritur shërbimet dhe masat penalizuese. Prej disa ditësh funksionojnë postblloqe dhe shërbime të shumta të Policisë Rrugore në hyrjet e daljet e qyteteve të qarkut dhe në afërsi të doganave. Punonjësit e policisë këshillojnë veçanërisht emigrantët dhe turistët e huaj për të qarkulluar me shpejtësi brenda normave të lejuara. Njëherësh bëhet kontroll i befasishëm për shpejtësinë e lëvizjes së mjeteve dhe për ata, që udhëtojnë me shpejtësi të madhe janë vendosur masa administrative dhe gjoba.
*panorama*
 
Back
Top