“Shkencëtarët” shqiptarë, dixhitalizojnë kartelën mjekësore

Love

βeℓℓe â๓e
  • * Me Endritin, Arditin dhe Jonidin. Djemtë e Politeknikut të Tiranës që fituan kupën e “Microsoftit” me dixhitalizimin e Kartelës Mjekësore.
    * Në korrik, pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar në Moskë
timthumb.php


-Nëse do të shohim pak me vëmendje, edhe në këtë Shqipëri të vogël mund të gjejmë gjeni të teknologjisë. Madje, aq të talentuar sa të na përfaqësojnë në përballjet botërore kur bëhet fjalë për projekte të tilla. Një javë më parë, në Tiranë, u zhvillua një konkurs nga gjiganti i teknologjisë “Microsoft”. Në të ishin të ftuar të gjithë ata që janë të dhënë pas informatikës dhe kanë një ide në këtë fushë. Mes shumë të rinjve, tre djemtë zunë vendin e parë duke fituar edhe kupën e “Microsoft”-it në Shqipëri. Histori të tilla suksesi kanë pak a shumë këtë zanafillë. Idetë nuk lindin në laboratore të madha, por në mënyrë spontane të ngacmuara nga ndodhi reale. Kështu ka ndodhur me Endritin dhe dy shokët e tij.

Pasi kishin vendosur që do të merrnin pjesë në këtë konkurs, tre muaj bluanin në mendje idenë që do të paraqisnin, dhe asgjë nuk i bindtte. Kur në një kafene shohin e dëgjojnë një lajm: “Një fëmijë vdes gjatë një operacioni në sy. Shkak: alergjia nga narkoza”. Kaq u desh për të vendosur se projekti me të cilin ata do të përfaqësoheshin në konkurs do të kishte të bënte me dixhitalizimin e kartelës mjekësore. Një kartelë e aksesueshme nga mjekët në rastin e emergjencës. Në një moment të caktuar, mjekut i duhet të marrë një vendim që mund të jetë fatal: të përdorë numrin e kartës së identitetit të pacientit. Ai mund ta përdorë, pasi pacienti ndoshta nuk është në gjendje të thotë as emrin dhe aty i dalin të dhënat jetike. Akoma më mirë është përdorimi i një pajisjeje që lexon kartën. “Ekziston një strukturë ku mund të ruhen të dhënat e pacientëve në mënyrë të vazhdueshme, të saktë, të sigurt dhe që lejon akses në rastin konkret nga kudo. Ne e mbuluam edhe modulin e sigurisë në këtë projekt, jo kushdo mund të arrijë gjithçka”,-sqaron Ali.

Endriti na shpjegon se u desh kohë që së bashku më shokët e tij të informoheshin për mënyrën sesi funksionojnë strukturat shëndetësore në vendin tonë. Po Endriti nuk është vetëm. Në bisedë na shoqërojnë edhe Ardit Mero dhe Jonid Bendo. Arditi, po ashtu student në master për inxhinieri elektronike, tregon më tej për projektin dhe dixhitalizimin e kartelave mjekësore sepse “Deri tani ka ndodhur në Shqipëri, por ka ndodhur me letra. Pacienti duhet të shkojë tek mjeku me një rekomandim në dorë. Ne po e dixhitalizojmë duke krijuar pak më shumë lirshmëri”,- shprehet ai.

Rruga që i çoi djemtë deri në fitimin e kupës nuk ishte e lehtë. U përkushtuan për muaj të tërë deri në përfundimin e plotë të punës së nisur. Jonidi i cili është edhe më i madhi i grupit (një vit dhe i vetmi me flokë), tregon se gjatë punës ka marrë disa kartela të gatshme që praktikohen sot në vendin tonë. “Janë rreth shtatë modele. Secila ka karakteristikat, specifikat dhe mangësitë e veta. Me to krijuam një strukturë informatike të aftë për të mbajtur praktikisht të dhënat e kartelave në Shqipëri. Pas dixhitalizimit, problemi tjetër i rëndësishëm është përdorimi. Ka disa mënyra ku mund të përdoret, por më e rëndësishmja që ne kapëm, ishte rasti i urgjencave”, e mbyll shpjegimin e tij 24-vjeçari. I çuditshëm është fakti që kemi folur me tre djem të fiksuar pas teknologjisë dhe asnjë prej tyre nuk kishte lënë telefonin mbi tavolinë e për më tepër të shikonte dhe të ndërhynte në një moment.

Duket sikur njerëzit e teknologjisë e ndajnë kohën kur janë me të (teknologjinë) dhe kur duhet të shkëputen prej saj. Për sa i përket vlerësimit që bëri “Microsoft”, ai ndahej në 3 pjesë: 35 pikë ideja, 25 përdorimi i teknologjisë dhe 20 pikë prezantimi. Ideja ishte e vlefshme. Temat në përgjithësi preknin grupe të ndryshme shoqërore dhe përballë shëndetit, jemi të gjithë të barabartë. Ndërsa për sa u përket pjesëve të teknologjisë, ato ishin ndër të fundit. Do të thotë që për realizimin e këtij projekti, është përdorur teknologjia më e fundit në përdorim. Duke u nisur që nga pjesët e serverëve të aftë për të përballuar ngarkesë të lartë, që ofrojnë besueshmëri dhe le të themi, që sistemi është gjithmonë online.

Kjo pasi tema ishte shumë e ndjeshme, kurse të dhënat duhet të ishin gjithmonë dhe kudo online. E gjithë kjo punë disa mujore i bëri studentët e informatikës në Tiranë të mbajnë në dorë kupën e qelqtë të “Microsoftit”. Ata premtojnë se nuk do e ndalojnë këtu punën me teknologjinë dhe projektet që kanë. Në shtëpi kanë më shumë se një kompjuter, ndërsa kur dalin prej saj, një Lap-Top me parametra të mirë. Edhe pse nuk e kanë përfunduar ende ciklin shkollor, janë të punësuar në kompani të ndryshme që kanë për bazë informatikën. Kurioziteti ynë është për hakerimin dhe thyerjen e faqeve të ndryshme. Por ata nuk janë për këtë pjesë të informatikës. “Ne jemi për mbrojtjen”, tregon Arditi dhe jo për thyerjen e faqeve. Këtë e bëjnë adoleshentët. Në verën e këtij viti, të tre personazhet tanë do të udhëtojnë drejt Moskës, për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të “Microsoftit”. Janë shumë të lumtur për këtë pjesëmarrje. Edhe pse ende nuk kanë nisur nga puna e përfaqësimit, tregojnë se, mund të përfaqësohen më të njëjtën punë, por të përmirësuar

72 orë pa lëvizur

Nëse ke përballë tre djem që njohin mirë botën kompjuterike, nuk mund të mos marrësh nga ata, ndodhi apo ngjarje përsa i përket eksperiencës në këtë fushë. Për herë të parë kanë prekur një kompjuter të vërtetë qysh fëmijë. Por, për asnjërin nuk ka qenë dashuri me shikim të parë. Madje Endriti, djali nga Delvina, tregon se ka dashur që të bëhej piktor. Më vonë, kjo dëshirë u zbeh dhe peshorja anoi nga informatika e mistershme. Bota e shifrave e intrigonte më tepër dhe për këtë arsye lënda e tij më e dashur është matematika. Një nga qëndrimet e tij më të gjata përpara kompjuterit ka qenë gjatë përfundimit të një programi. 72 orë pa lëvizur! Ky është qëndrimi më i gjatë për Endritin përpara një ekrani. Ai nuk e këshillon për ata që punojnë më kompjuter, por vetë thotë se nuk e shmang dot afrinë me teknologjinë.

Imagine Kupe

Konkursi botëror më i rëndësishëm për studentët, Kupa “Imagine” është një mënyrë që “Microsoft” inkurajon të rinjtë që të përdorin imagjinatën, pasionin dhe krijimtarinë për të sjellë risi teknologjike, të cilat mund të sjellin ndryshim në botën e sotme. Në vitin e saj të dhjetë, Kupa “Imagine” është bërë një ngjarje globale. Ky konkurrim është një mundësi për profesionistët e rinj në vend, që të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e nivelit te tyre dhe aftësitë e tyre teknike të vlerësohen në nivelet e industrisë dhe nga akademikët. Krahas konkursit kombëtar, ekipet mund të aplikojnë edhe për të marrë pjesë në finalen botërore në Moskë, Rusi korrik 2013.
shekulli
 
Back
Top