“Shitet ose jepet me qira”

! - !

Once upon a time...
Durrësi është kthyer në një dëshmi të qartë, jo vetëm të shfryrjes së flluskës së pasurive të paluajtshme, por edhe të masakrës dhe zhvlerësimit, që i është bërë bregdetit, që dikur ishte një copëz parajsë me rërë të praruar dhe kurorë të gjelbër pishash. Në pak vjet, çmimet kanë rënë me 30-40%…

“Shitet”, “Shitet ose jepet me qira”, “Okazion, shitet me ulje 20%”, “Apartament me hipotekë i mobiluar”, “Nxitoni, ulje e madhe çmimesh deri në shtator”. Njoftimet për shitje apartamentesh në bregdetin e Durrësit dhe të Golemit janë të pafundme, si në vijën e parë pranë detit, ashtu dhe në anën tjetër të rrugës, teksa çmimet kanë shënuar rënie të ndjeshme në krahasim me më se 10 vjet më parë, kur u bë në “modë” të kishe një shtëpi të dytë në bregdet.

Por, sot, pas 10 vitesh të gjithë po nxitojnë të shesin, ndërsa pallatet e reja, që për çudi vazhdojnë e mbijnë nga hiçi, e kanë shtuar shumë ofertën. Por ata që duan të blejnë tashmë janë shumë të paktë. Durrësi është kthyer në një dëshmi të qartë, jo vetëm të shfryrjes së flluskës së pasurive të paluajtshme, por edhe të masakrës që i është bërë bregdetit, që dikur ishte një copëz parajsë me rërë të praruar dhe kurorë të gjelbër pishash.

Pa infrastrukturë, pa gjelbërim, me pallatet që janë ngjitur me njëri-tjetrin jashtë çdo standardi, zona nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait (pas saj ka më shumë hapësira të gjelbra dhe zona vilash) po shkon me shpejtësi drejt zhvlerësimit dhe degradimit.

Vetëm për 15 mijë euro mund të blesh një apartament 50 metra katrorë në krahun përtej rrugës, në një pallat në rrëzë të kodrës në zonën e Shkallnurit, me një çmim prej 300 euro për metër katror. “Dikur i kam shitur me 500 euro/m2”, thotë ndërtuesi. اmimet kanë rënë fare, thotë ai. Kur e pyesim nëse ka shitje, të përgjigjet “Po të kishim kërkesë, nuk do të kishte këto çmime”.

Në pallatin 100 metra më tutje, ndërtuesi i Kristi Konstruksion nuk lëshon pe. Ai nuk i shet më lirë se 450 euro për metër katror, me gjithë zbritjen prej 20% që në reklamë e ka shënuar si një okazion. “Pallati është me hipotekë e ashensor”, thotë ai. Kur i thua që 100 metra më tutje e gjen me 300 euro për metër katror të përgjigjet: “Mua vetëm kosto më shkon 350 euro për metër katror, interesohuni mirë se pallati tjetër mos nuk ka hipotekë”.

Ndërtimi i rrugës kryesore disa vite më parë, e ndau si me thikë zonën përtej shinave të trenit, pikërisht në momentin që këto pallate sapo kishin filluar të ndërtoheshin. Pamundësia e daljes në det, pas ndërtimit të rrugës së bllokuar në të dyja anët dhe me pak dalje në det përmes mbikalimeve me shkallë, e shoqëruar me mungesën e hapësirave para pallateve, i zhvlerësoi me shpejtësi këto investime, që pak vite më parë arrinin të shisnin apartamente edhe me 500-600 euro për metër katror.

Nuk janë vetëm ndërtuesit përtej rrugës, që duan të heqin qafe apartamente që u kanë mbetur në derë. Individë të shumtë, në anën e bregdetit, kanë nxjerrë tabelat, “Shitet, ose jepet me qira”. Nuk bëhet fjalë që ata të dalin me fitim nga investimi. Ata përpiqen që të paktën të mos dalin me humbje, ose ajo të jetë shumë e vogël.

Një apartament nga ana e detit, me pamje nga rruga, 57 metra katrorë, afër Shkëmbit të Kavajës, pronari thotë se e shet për 25 mijë euro, apo me rreth 440 euro për metër katror. “Na ka vajtur më shumë”, thotë pronari, e kemi blerë 30 mijë euro. Kur e pyet pse po e shet, ai thotë se nuk e përdor më. Për sa kohë që nuk e ka shitur, në muajt e verës e jep me qira 2000 lekë në natë.

Sa më afër detit të jetë apartamenti, aq më të lartë tentojnë ta vënë çmimin ata që duan të shesin. Një apartament 50 metra katrorë mbi lokal Pampas, ngjitur me Hotel Dolce Vita, shitet 40 mijë euro, me një çmim prej 800 euro për metër katror. Pronari është i vendosur dhe nuk e shet nën çmimin që e ka blerë, edhe pse ti ngul këmbë që vlera e apartamenteve ka rënë dhe nuk është më shumë se 700 euro, një apartament përballë me detin.

Një pallat pranë Shkëmbit të Kavajës, me pamje nga deti, ka apartamente të shumta në shitje dhe një lokal të madh poshtë. Ndërtuesi thotë se çmimet e apartamenteve fillojnë nga 500 euro, në 700 euro për metër katror për hyrjet përballë me detin, ndërsa lokali ka një vlerë prej 2500 euro për metër katror.

Pallati monstër në mes të plazhit
I hodhi themelet e stërmëdha rreth 10 vjet më parë dhe çdo vit pallati monstër, i ndërtuar në rërë në mes të Golemit, shtonte kat pas kati. Për të arritur në ditët e sotme, ku ai është kthyer në objektin më të shëmtuar gjigant të bregdetit, me rreth 25 kate, ndërsa zona e plazhit përreth është pothuajse jashtë funksioni, teksa hija e tij bie gjatë gjithë ditës mbi zonën e çadrave, ku rëra është zëvendësuar me pluhurin e çimentos.

Askush nuk preferon të blejë në pallatin monstër. Grilat janë të ulura në mes të verës, ndërsa në mbrëmje mund të shohësh ndonjë dritë tek-tuk. Të vetmet që shfrytëzohen janë disa kate që përdoren si hotel. Një pallat që jo vetëm nuk i ka sjellë asnjë vlerë bregdetit, por përkundrazi është kthyer në kryesimbolin e manisë shkatërruese të tranzicionit.

Pallati ka disa njoftime për apartamente që shiten. Kur e marrim në telefon, zotëruesi i apartamentit thotë se çmimi është 650 euro për metër katror dhe acarohet kur i thua që ai pallat nuk vlen aq. Ndoshta kujtojnë kohët e “lumtura”, kur i sapondërtuar, çmimi për apartamentet me pamje nga deti ishte 950 euro për metër katror.

اmimet në bregdet kanë rënë me 30-40%
Shumëkush nxitoi të blinte një shtëpi në bregdetin e Durrësit rreth 10 vjet më parë. Për sa kohë që nuk kishin filluar ndërtimet masive, ky ishte një investim që justifikohej. Afërsia nga Tirana (nga ishin blerësit kryesorë) mundësonte shfrytëzimin e apartamentit edhe në fundjavë përgjatë gjithë vitit.

Por, shumë shpejt, shtëpia në bregdet filloi të kthehej në një sport të vështirë. اdo vit, ndërtesat rreth e rrotull mbinin si kërpudha pas shiut, shumëkush që dikur shihte detin e pishat, nisi të shihte vetëm beton, njësoj si në qytet, uji shpesh mungonte, ose ai i pusit nuk ishte i përshtatshëm, ndërsa një erë mbytëse vinte nga kanalizimet me puseta, që gërryenin tokën.

Ndërkohë alternativa të tjera filluan të bëheshin më interesante, si shtëpitë në periferitë e Tiranës, apo në jug, ndërsa shumëkush nxitoi të nxirrte shtëpinë në shitje. E ndërkohë, ndërtimet vazhdonin pa fre.
Rritja e ofertës, ndërsa kërkesa sa vinte e zvogëlohej, çoi në një rënie të çmimeve me 30-40% vitet e fundit.

Pak vite më parë, një apartament në vijën e parë të detit e gjeje me 900-950 euro për metër katror. Tani, një hyrje me pamje nga deti e gjen maksimumi 700 euro metri katror. Në zonën e detit, hyrjet janë me 400-500 euro për metër katror, ndërsa matanë rrugës kanë zbritur deri në 300 euro për metër katror.

Banesat e pazëna e boshe, kryeson Golemi
Sipas të dhënave të Censusit të fundit të INSTAT, në bregdetin e Durrësit e Kavajës, një pjesë e konsiderueshme e banesave janë të boshatisura.

Raporti i numrit të banesave të pazëna ndaj numrit të banesave gjithsej në përqindje në Golem është 88%, më i larti në Republikë, nga 21.6% që është mesatarja e vendit. (Banesat e pazëna përfshijnë banesat boshe dhe ato për qëllime dytësore ose sezonale).

Një numër të lartë të banesave boshe ka dhe në Rashbull e Kryevidh (zona bregdetare pranë Golemit), me përkatësisht 54% dhe 32.3%.

Modeli i zhvillimit të turizmit nuk ka ndikuar as në rritjen e punësimit në zonat bregdetare, të mbingarkuara me ndërtime. Po sipas Censusit të INSTAT, norma e papunësisë në Golem është 26%, në Rashbull 36%. Më e ulët është papunësia në Synej, një zonë ku turizmi është më elitar, ku arrin rreth 14%.

Nga viti i fundit, kur është bërë Censusi, rezulton që 22% e apartamenteve janë të pabanuara, një rritje e konsiderueshme duke marrë në konsideratë se në Censusin e vitit 2001, ky raport ishte 11.3% e tregut.
Nga të dhënat e fundit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, rezulton se stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 9 mijë.

Sipas Arben Dervishit, sekretari i SHNSH, banesat e pashitura ndodhen kryesisht në bregdetin e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Ndërsa, për kryeqytetin, në zona periferike si Kashar, Linzë etj., i pyetur për arsyet se pse kanë mbetur të pashitura, ai përgjigjet se bëhet fjalë për apartamente pa dokumentacionin e rregullt dhe në zona pa infrastrukturën e duhur.

Hakmarrja e natyrës
Dikur ishte një nga perlat e fshehura të Mesdheut me një bregdet të pafund ranor dhe kurorë të praruar pishash. Sot, zonës bregdetare nga Kavaja në Durrës, i ka mbetur fare pak nga shkëlqimi i dikurshëm. Në vetëm 25 vjet, ndërtimet pa fre, depozitimi i mbeturinave inerte në det dhe pushtimi i sipërfaqeve detare, shfrytëzimi pa kriter i shtretërve të lumenjve, shpyllëzimi i bimësisë bregdetare, kanë krijuar jo vetëm një pamje aspak të këndshme, por kanë prishur ekuilibrat natyrorë. Dhe kjo është e dukshme në zonën që fillon nga plazhi i Qerretit, deri te Mak Albania (në këtë hapësirë janë ndërtuar fshatra elitarë) e më poshtë.

Fotot që shihni janë marrë në plazhin e Qerretit. Tokën e ka gllabëruar deti dhe ka mbetur fare pak rërë ku pushuesit mund të vendosin çadrat.
Pritat me gurë të vendosura pingul me detin çdo 100 metra ia kanë prishur funksionin normal bregdetit.

Erozioni që nisi pranë Kavajës po gllabëron dalëngadalë gjithë bregdetin. Pritat këtë vit kanë arritur deri pranë Golemit dhe me këto ritme duket se brenda një dekade, i gjithë bregdeti deri në Durrës mund të bjerë pre e kësaj “hakmarrjeje” të natyrës ndaj dorës shkatërrimtare të njeriut.
Ekspertët kanë shpjeguar se mënyrat se si janë vendosur pritat nuk e zgjidhin problemin, por vetëm e zhvendosin atë te fqinji.

Një barrierë individuale mund të ndërpresë erozionin në pjesën ku është një hotel apo fshat turistik, por ndikon negativisht në krahun tjetër, gjë që faktikisht po ndodh prej disa vitesh. Sipas tyre, pritat duhet të ishin bërë të studiuara dhe paralel me bregun, jo pingul siç janë aktualisht.

Ndonëse këto prita janë konsideruar si ndërtime pa leje nga vendorët, përgjegjësia ka kaluar sa nga një institucion te tjetri, ndërsa kanë munguar masat e koordinuara për t’u mbrojtur nga kjo hakmarrje e heshtur e natyrës./MONITOR
 
Titulli: “Shitet ose jepet me qira”

Eshte bere me te ardh keq , duke pare cfrare sherbimesh ofron jugu ose vendet e tjera ne vend .
Pa nje plan urbanistik te mirefillt nuk do ja dalim te rimekembemi si durres :(
 
Titulli: “Shitet ose jepet me qira”

Haha kur kosovaret te mos e dhjesin me detin do ngrihen prap cmimet po he.
 
Titulli: “Shitet ose jepet me qira”

Tere andej nje histori eshte per aq kohe sa nuk ka nje cmim te vendosur fiks.
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top