Sherri, përplasje me armë në mes të Lezhës

Cyber_Spartacus

Homo Homini Lupus
Dy të dënuar për plagosje janë përleshur me njëri-tjetrin. Policia arreston autorët dhe ndihmësit e tyre

Një përplasje me armë ka ndodhur në qytetin e Lezhës, ndërkohë që policia ka mundur të prangosë të dyshuarit e këtij konflikti. Burimet policore të Lezhës bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, të dy ditëve më parë, kur Aleks Deda dhe Saimir Ndoja kanë tentuar të vrasin njëri-tjetrin, duke u qëlluar me armë dhe duke terrorizuar banorët. Pas përplasjes me armë ndërmjet Dedës dhe Ndojës, forca të shumta të policisë, në sajë të operacionit të koduar "Goditja përfundimtare", morën të gjitha masat, duke organizuar punën në grupe për kapjen e autorëve përgjegjës të kësaj ngjarjeje. Pas një pune operative, forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Lezhës, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorëve përgjegjës për këtë vepër penale. "Gjatë operacionit u arrestua Aleks Deda, 31 vjeç, i dënuar më parë për plagosje me armë zjarri dhe Saimir Ndoja, 24 vjeç, i dënuar më parë në Itali, për vrasje të mbetur në tentativë", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Lezhës. Gjithashtu, uniformat blu shpjeguan se, gjatë operacionit u arrestua edhe Bledar Deda, 18 vjeç, i cili në momentin e ngjarjes është munduar të fshehë provat në vendin e ngjarjes bashkë me shtetasin Indrit Kolgjokaj, i cili do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Policia tha se konflikti mes dy personave ka ardhur pas një debati të ashpër dhe në ato momente, ata kanë nxjerrë pistoletat, duke u qëlluar me njëri-tjetrin. Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por shumë prej banorëve janë tmerruar nga kjo ngjarje e rëndë.

Gazeta Shqip
 
Back
Top