Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Serbia e Bosnja bllokojnë eksportet kosovare

  • Nga METi
  • Start date Start date
  • - Lajme nga Kosova dhe trevat shqiptare
Biznesmenët kosovarë thonë se për shkak të bllokimit të eksportit të mallrave në Serbi dhe Bosnjë, bizneset e tyre po shënojnë humbje.

Të dy këto vende po pengojnë hyrjen e prodhimeve kosovare në territorin e tyre, për shkak të mosnjohjes së vulave të Kosovës.

Problemet me eksportin e mallrave nga Kosova në Serbi dhe Bosnjë janë paraqitur këtë muaj, pas kalimit të plotë të përgjegjësive në fushën e doganave nga Misioni i OKB-së të institucionet vendore, kur edhe ka filluar zëvendësimi i vulave të UNMIK-ut me ato të Kosovës.

Bashkim Osmani, prodhues i lëngjeve, është njëri nga afaristët kosovarë që është goditur nga kjo masë që kanë ndërmarrë autoritetet e Beogradit dhe të Sarajevës.

"Prej 3 dhjetorit nuk kemi mundur të transportojmë tranzit për Serbi dhe ne e kemi orientuar prodhimin tonë nga Mali i Zi, me qëllim që t'i dërgojmë në Bosnjë, por kur i kemi dërguar atje, as Bosnja nuk ka pranuar ndërrimin e vulës së UNMIK-ut me atë të Kosovës."

"Ne i kemi njoftuar autoritetet tona, na kanë premtuar se do të bëjnë çmos, por nëse kështu vazhdon, ne me siguri do ta humbim tregun atje", tha zoti Osmani.

Ai sqaron se tregu i prodhimeve të tij në Serbi ka qenë më i vogël dhe i orientuar kryesisht në Luginën e Preshevës dhe në Novi Pazar, përderisa ai në Bosnjë ka qenë më i madh.

Humbjet që i janë shkaktuar biznesit të tij për shkak të pamundësisë së eksportit në këto dy vende, vetëm këtë muaj, siç thotë ai sillen në rreth 150 mijë euro.

Paralajmërime për masat të njëjta

Ndërkohë qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës.

Këshilltari i Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Behxhet Haliti thotë se po shqyrtohen mundësitë e bllokimit të importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja.

"Ministria e Ekonomisë dhe Financave pas shqetësimeve të prodhuesve kosovarë për ato pak produkte që eksportohen për territorin e Bosnjës dhe Serbisë, ka zhvilluar takime edhe me komunitetin e biznesit, me qëllim që të shqyrtojë mundësinë për marrjen e masave reciproke.

Pra po shikohet mundësia e ndërprerjes së importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja", tha zoti Haliti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, eksporti i prodhimeve serbe në Kosovë arrin në 300 milionë euro në vit, ndërsa eksporti i mallrave kosovare në Serbi është më pak se 10 përqind e kësaj shume.

Në rast se Kosova bllokon importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja, humbësit më të mëdhenj do të jenë afaristët e këtyre dy vendeve, thonë zyrtarë të ministrisë dhe ekspertë të ekonomisë.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, kanë pohuar se mbështesin Qeverinë e Kosovës, nëse merr vendim që të mbyllë kufirin për produktet e Serbisë.

Këshillitari i Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Behxhet Haliti thotë se institucionet e Kosovës do t'i njoftojnë autoritetet e Serbisë dhe Bosnjës për masat e mundshme të tyre ndaj dy shteteve fqinje dhe do të presin reagimin e Beogradit dhe Sarajevës.

"Ne shpresojmë se në të ardhmën e afërt këto vështirësi do të tejkalohen, mirëpo nuk diskutohet çështja që të kthehen formati i vulave dhe shkresave të UNMIK-ut, siç kanë qenë më parë", u shpreh zoti Haliti.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Shpend Ahmeti thotë se masat që kanë ndërmarrë Serbia dhe Bosnja për të penguar tregun e prodhuesve kosovarë do të shkaktojë probleme afatgjata në Kosovë.

"Kemi një numër të vogël të kompanive që eksportojnë mallra nga Kosova, mirëpo kjo shkakton probleme të mëdha për ekonominë kosovare. Pengimi i tregut të këtyre kompanive në Serbi dhe Bosnjë është problematike dhe do të shkakojë probleme afatgjata."

"Mos të flasim për investitorë, të cilët nëse janë të interesuar të vijnë në Kosovë, ata interesohen për të shitur poashtu në rajon dhe në qoftë se kjo u pamundësohet posaçërisht në dy tregje të mëdhaja si Serbia dhe Bosnja, do të jetë problematike për ekonominë kosovare", tha zoti Ahmeti.

Sipas tij, aplikimi i masave reciproke nga ana e Kosovës ndaj këtyre dy vendeve, do të ishte një hap i duhur, sepse me këtë Serbia dhe Bosnja do të humbisnin shumë më shumë se sa Kosova.

Por zoti Ahmeti dyshon se kjo masë do të mund të aplikohet.

"Besoj se po t'i bllokonim sot, Serbia dhe Bosnja do të ankoheshin të nesërmen në Sekretariatin e CEFTثS në Bruksel nën preteksin se Kosova po sillet kundër marrëveshjes, nën pretekstin se ato nuk e kanë nënshkruar atë marrëveshje me Kosovën, por me UNMIK-un dhe se ato do t'i lejojnë prodhimet kosovare nëse ato përmbajnë vulën e UNMIK-ut", thekson eksperti i ekonomisë, Shpend Ahmeti.

Për të dalë nga situata e krijuar, ai mendon se institucionet e Kosovës mund të bëjnë ankesë në CEFTA për bllokadën që i ka bërë Serbia dhe Bosnja apo të kërkojë nga shtetet evropiane që të ushtrojnë presion ndaj këtyre dy vendeve.
 

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back