eGo0sTyle
System Engineer
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë në punimet e Samitit të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore (SEECP), që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi.Kreu i shtetit shqiptar u ndal në fjalën e tij në dy aspekte të veçanta. Së pari, në bashkëpunimin mes vendeve të rajonit si dhe për Kosovën, ku kryetarja e shtetit, Jahjaga, nuk ishte ftuar të merrte pjesë. Serbia do të marrë Presidencën e radhës të kësaj organizate dhe kreu i shtetit shqiptar theksoi se skenarët e ndarjes janë të papranueshëm. “Shqipëria e inkurajon këtë dialog dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje, që aspirojnë, ashtu si edhe ne, integrimin euroatlantik. Shqipëria vlerëson se çdo ide apo teori tjetër që e sheh të ardhmen e Kosovës apo të ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin”, u shpreh Presidenti Topi. Me propozim dhe insistim të Presidentit Topi, ne deklaratën përmbyllëse të Samitit u shtua një paragraf impenjues për Kosovën, tepër e rëndësishme për të ardhmen e pozicionimit të Kosovës në rajon. Presidenti Topi vuri në dukje dhe ecurinë pozitive të disa prej reformave kryesore integruese në vendin tonë. Ai u shpreh se “ne ndeshemi me vështirësi që lidhen me aftësinë e aktorëve politikë për një sjellje më bashkëpunuese dhe europiane në çështje të debatit dhe interesit politik të ditës, por, gjithsesi, kemi një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe axhenda politike europiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla. Shqipëria beson tek integrimi i përbashkët europian, ndaj edhe po jep e do të japë edhe në të ardhmen kontributin e saj aktiv në funksion të këtij synimi”. Kreu i shtetit shqiptar zhvilloi edhe takime të zgjeruara me Presidentin e Kroacisë dhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë. Presidenti Topi shprehu interesimin për të mundësuar krijimin e hapësirave më të gjera për bashkëpunimin e zhvillimin e shpejtë të dy vendeve tona në interesin e përbashkët të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian, duke e vënë theksin sidomos në bashkëpunimin ekonomik.
Takimet
Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje edhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve ekonomike-tregtare mes Turqisë e Shqipërisë gjatë takimit që pati me ministrin e jashtëm turk. Presidenti Topi u shpreh se bashkëpunimi dhe niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona mund të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera të rajonit. Ministri i Jashtëm turk, Dautoglu, ndau të njëjtën pikëpamje me Presidentin Topi lidhur me përfshirjen dhe pjesëmarrjen e shtetit më të ri dhe shumetnik ballkanik, Kosovës, në forumet dhe nismat e përbashkëta rajonale.
Panorama.