Sa na kushtoi Pavaresia

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Kur ka kaluar gati një muaj e gjysmë nga fundi i kremtimeve të pavarësisë, ajo që mbetet e pasqaruar për publikun është transparenca e festimeve dhe nëse vërtetë i kanë marrë paratë e festave të gjithë subjektet dhe individët. Dhe tjetra: a mundën t’ia vlenin 5 milion Eurot, që pretendohen zyrtarisht se u shpenzuan për këto festime, për të treguar imazhin e Shqipërisë në 100-vjetor apo ishin thjesht një dekor i madh për të mbuluar kaosin dhe keqorganizimin shtetëror?! Për fat të keq, për mungesë transparence, gjërat për shumë kohë do mbeten në hije dhe zërat e shpenzimeve do mbeten në tym, për lloj-lloj aludimesh

Miliona e miliona Lek të shpërndara. Fatura. Fonde për aktivitete. Zëra të humbur. Apele. Ndihma. Një shifër e afërt, e cila citon Ministrinë e Kulturës flet për 500 milionë Lek dhe 39 milionë Lek, të cilat iu akorduan Bashkisë së Vlorës për festimet e Pavarësisë. Burimet zyrtare referojnë 5 milion Euro shpenzuar në total dhe 100 milion Lek, të shpenzuara vetëm në Vlorë për ditën e madhe. E megjithatë, sot e kësaj dite, është e vështirë të bësh transparencën e kësaj mega-feste. Ajo përfundoi shumë kaotike, falë një çorganizimi total, ‘të organizuar’ prej qeveritarëve dhe përfunduar te zyrtarët e ulët, që tani s’kanë as fuqi e as tagër të justifikojnë paratë e shpenzuara, të cilat për shkak të mungesës së transparencës, pothuaj i ngatërrojnë të gjithë.

“Janë shpenzuar rreth 500 milionë Lek të reja për festimet nga Dikasteri ynë, kurse qeveria ka akorduar edhe 39 milion Lek për përfundimin e Sheshit të Flamurit, Muzeun e Pavarësisë në Vlorë, atë etnografik etj.,”, ka thënë për “JAVA”, ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçi, dikasteri i të cilit ishte edhe organizatori kryesor i aktiviteteve me rastin e jubileut shekullor të shtetit shqiptar.

Zyrtarët

Në fakt, shifra e cila u bë e para zyrtare ishte ajo që u akordua zyrtarisht për dekorin. Ishin 300 milion Lek dhe u kryen gati një muaj afër festimeve në formën e një shtese fondi për Ministrinë e Kulturës. Shumë afër në kohë, katër VKM më 16 tetor vendosnin për një fond prej 7.281.540 Lekësh për autorët e monumentit; 6.493.200 Lek për Baletin e grupit të Angjelin Prelocaj; 2.500.000 Lekë për spotin dhe një e fundit për konkurset me vleftë 15.670.300 dhe 3.812.800 Lekësh. 300 milionëshi, i cili ishte referimi i parë kryesor i aktiviteteve, në një farë mënyre kthjelloi njerëzit se përfshirja e strukturave të shtetit shqiptare do ishte zhgënjyes.

Në kujtesë ishte ende festa që u kthye në propagandë fushate për heqjen e vizave, ku qeveria shqiptare akordoi një buxhet prej rreth 700 mijë eurosh për dekorin, në të cilin përfshiheshin publicitetet, festat në shesh, edhe ato në ambiente zyrtare. Duke u kthyer në realitet, këqyrur ecuritë dhe konfuzionin e zyrtarëve të ndryshëm me kundërthëniet e tyre, kjo s’përbënte ndonjë problem “të madh” për publikun! Për të gjithë nuk ishte harruar fakti se: komiteti i parë ndërministror për festën e pavarësisë (institucionit, që më 2012 duhet të ishte organ ekzekutiv që t’i kishte vënë para punët), u mblodh thjesht në fillim të verës, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, ndërsa buxheti i shpenzimeve nuk u detajua asnjëherë.

Dhe, paradoksi ishte se deri 10 ditë nga kulmimet festive, nuk ekzistonte qoftë edhe një zë i qartë financiar për shpenzimet në total. Ashtu si edhe do merrej me mënd vlera 300 milionë Lekë, akorduar Ministrisë së Kulturës u tejkalua, por hamendësimet ishin krijuar. Gjendja ishte katastrofale dhe jo më kot, ato ditë ministri i kulturës do përpiqej të grishte biznesin, duke i kujtuar se, “meqenëse këto ngjarje kulturore, do të kenë një mbulim të plotë mediatik dhe do të ndiqen nga një audiencë e gjerë mbarëshqiptare, mund të ishte një rast i favorshëm për ngritjen e mëtejshme të reputacionit dhe publicitetit për biznesin tuaj”. Zhytja në krizë e Shqipërisë do të vërehej në paragrafin e fundit të letrës-apel të tij, ku ai shprehej më shkoqur se: “një përgjigje sa më e shpejtë e juaja, do të ishte shumë e vlefshme”.

Anipse, në ‘bazë’, situata ishte stresuese. Bashkia e Vlorës, ku binte pesha simbolike e fetës, do të referonte publikisht se i kishin hequr fondet, me një shifër që rrotullohej te 87 milion Lekshi “duke na lënë në një vështirësi të madhe ekonomike për mbylljen përfundimtare të këtyre dy projekteve, të cilat nuk janë projekte me qëllime elektorale për janë investime me rastin e 100-vjetorit”, apelonin zyrtarët e saj. Kuptohet apeli i tyre mbeti në eter. Kryeministri Berisha me hoka, sajesa çasti dhe anekdota mundohej të fshinte realitetin e krizës duke vazhduar në vetë-rrëfimin e zakonshëm se Shqipëria ishte modeli i suksesit dhe rritjes ekonomike në gadishull dhe më gjerë akoma.

Skamnorët, patriotët dhe festa

Këtë realitet ndiqnin nga paretet e lokaleve të shtrenjtë, të varfrit e shumtë që ato ditë pllakosën në kryeqytet për të qenë prezent në ditën e 28 Nëntorit 2012 në rreshtin e parë të bollëkut hipotetik. Një kontingjent i tërë të pastrehësh, punonjësish të lirë ****i, skamnorësh pa identitet, ato ditë luftën më të madhe e kishin për të zënë vendin ngjitur Tortës, që përgatitej në eksteriorin e Pallatit të Kulturës. Me ato që kishin dëgjuar, torta do të ishte e madhe, saqë do kishin mundësi të merrnin, të mbanin me vete dhe madje ta ruanin dhe për disa ditë...! Por ëndrrat e të varfrave nuk zgjasin shumë, ndërsa i gjithë kontingjenti, që i ngjante pak atyre skamnorëve të Hygoit tek “Katadrelja”, u kthye në dekorin më të madh të kësaj gjendje.

Për vetë ekonomistët, shifrat e përpikta të kësaj feste mungojnë, madje edhe për detajet më të parëndësishme. Konfuzionin e shtojnë edhe më shumë nëpunësit e niveleve të ulëta, që t’i fshehin shifrat ose më së shumti s’të përgjigjen fare. Në buxhetin e shtetit nga këqyrja e kujdesshme s’ka pasur zë të specifikuar për pavarësinë sepse me atë ngut dhe urdhra që i mbivendoseshin njëra-tjetrës, dukej hapur mungesa e organizimit. Vetë fondet që u lëvruan, u morën nga ai i rezervës, që tregon se gjithçka iu la improvizimit. Kaosin dhe humbjen e vëmendjes apo interesit të publikut e shtuan më shumë ngjarjet e dy muajve të fundit, kur Qeveria e z. Berisha akordonte beftazi fonde për aktivitete. Kështu përurime monumentesh, konferenca, aktivitete të ndryshme, ishin të shpeshta në media. Për fat, festa gjeneroi shumë para për tregtarët. Më së shumti ata në qytetet e Tiranës dhe Vlorës dhe kuptohet tregtarëve të mençëm kinezë, që na sollën me kilogram të tërë flamujt e shpërfytyruar me shqiponjën shndërruar në simbolet ekzotike aziatike . Të mjafta për ta veshur me të kuqe Shqipërinë dhe për t’i mbushur plot ngazëllim shqiptarët e ardhur nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe ta ndërronin pezmin e gjatë të tregtarëve në buzëqeshje.

Madje, ata vlonjat, në tri ditët e festave të nëntorit, referuan se kanë pasur xhiro sa për gjashtë muaj punë në ditët normale. Dhe, kishte një arsye. Referuar të dhënave nga Bashkia e Vlorës, prej nënkryetarit Ilir Banushi flitej mesatarisht për 800 mijë persona dhe 200 mijë automjete nga gjithë trevat shqiptarfolëse dhe vende të ndryshme të botës, që kishin bujtur në qytet. Pushteti qendror kish larë duart si Pilati me 39 milionë Lekët akorduar nga buxheti me të cilat mbaroi “Sheshi i Flamurit”, u rregullua Shtëpia e Pavarësisë dhe Muzeu Etnografik. Vetë, Bashkia e Tiranës, nga ana tjetrë, luajti një rol të madh në fondet e saj për dekorimin e qytetit dhe simbolikën kombëtare, që e shtriu pothuaj në të gjithë cepat e Tiranës me një shifër të shpenzuar, që llogaritet sipas medias në rreth 1 miliard lekë.

Shpenzimet e tjera

E ndryshe nga qytetet e tjera, shpenzimet e të cilave ishin pothuaj aspak për tu marrë në konsideratë, Bashkia e Tiranës për efekte spektakulare sajoi një tortë gjigande, brenda kolonatës së Operas me sipërfaqe 550 metra katrorë dhe me peshë 18 tonë (rezistoi disa javë si më e madhja e realizuar në botë). Ajo mendohet se kapi një kosto prej 130 milionë Lekësh, kurse ceremonia e prerjes së të cilës na futi në të gjithë emisionet botërore të lajmeve teksa në vend të ndahej në më shumë se 120 mijë porcione, ajo përfundoi në një harbim dhe orgji panginje. Një pjesë luanore të buxhetit të shtetit e rrëmbeu Monumenti i ri i Pavarësisë, i cili vendosur te parku “Rinia” përbën një nga zgjidhjet më të këqija që i janë bërë në kryeqytet veprave monumentale urbane. Kostoja e kësaj strukture llogaritet afërsisht rreth 60 milionë Lekë, shtuar me kuotën prej 7.281.540 Lekësh, e cila shkoi si shpenzim honorari për arkitektët. Në një farë mënyre u vendos aq pa takt, saqë u duk se e pati simbolikën shumë më të vogël sesa mozaiku i Flamurit Kombëtar, që u realizua me gurë natyralë dhe me një ndër dizenjot e hershme (stemën e Muzakajve), bërë nga vetë njerëzit. Mozaiku ishte i gjatë 2012 mm, ishte i punuar me 2012 gurë dhe përkujtonte vitin e shpalljes së Pavarësisë 1912-2012. Ai ishte 1200 mm i lartë dhe përmbante simbolikën e 1200 muajve, të cilët përbëjnë shekullin e pavarësisë. Nga ana tjetër, koncertet bajate patën dhe ato shpenzime marramendëse, që i shtoheshin Fee-të e transmetimeve televizive, të cilat revista ekonomike “Monitor” i llogariti në 3 milionë euro.

“Në tenderin e shpallur kohë më parë nga Ministria e Turizmit, oferta e konkursit që u shpall për realizimin e tri koncerteve që u zhvilluan në datën 28 Nëntor në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë ishte rreth 122 milionë lekë, nga të cilat rreth 49 milionë lekë (pa TVSH) për koncertin në Pallatin e Kongreseve, rreth 10 milionë lekë për atë në sheshin ‘Skënderbej’ dhe rreth 62 milionë lekë për koncertin në sheshin ‘Nënë Tereza’, shkruhet po aty. Fatura 1 milion dollarë, sipas akuzës së opozitës ishte për një ofertë të ndarë në tri lote. Loti i parë kish të bënte me Koncertin në “Pallatin e Kongreseve” me 49 500 000 Lekë pa TVSH, afërsisht 450 mijë USD. Loti i dytë kish të bënte me Koncertin në Sheshin “Skënderbej” me 10 280 000 Lek pa TVSH, kurse Loti i Tretë kish të bënte me Koncertin në Sheshin “Nënë Tereza” me 62 500 000 lekë pa TVSH. E gjitha të duket disi e tepruar kur mendon se këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, emër i madh i spektaklit ndërkombëtar, këndoi falas, në një shprehje të lirë dashurie për popullin e saj në këtë 100-vjetor.

Ministria e Kulturës dhe e Turizmit, shuma që dha për hapësirat televizive ishte rreth 200 milionë Lekë. Ndërkohë, që një hapësirë e mirë fitese shkoi edhe për kompanitë e shërbimeve prodhuese “outdoor”, të cilat prodhuan sipërfaqet patriotike me një hapësirë prej rreth 16.400 metra katrorë, ku përfshihet këtu edhe flamurin gjigant i varur në faqen kryesore të Hotel “Tiranës”, i cili me një përllogaritje të përafërt besohet se ka kushtuar rreth 131.000 euro. Por, nuk binin më poshtë shpenzimet prej spoteve publicitare që kishin në qendër logon e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe që nisën të transmetoheshin herët. Janë referuar se janë prodhuar tre spote publicitare, për t’i bërë jehonë kësaj ngjarjes, ku spoti kryesor, i cili titullohej “Shqipëri të qofsha falë! 100 vjet Shqipëri e pavarur”, kuptohet se ishte ai që u realizua me kosto më të lartë (në total rreth 6 milionë lekë, përfshi këtu shpenzimet për ideimin, realizimin dhe prodhimin).

Spoti përcolli frymën kombëtare me rastin e 100-vjetorit, por edhe promovimin e imazhit të Shqipërisë personalizuar me figurën e personazhit të njohur artistik Robert Ndrenika. Kurse spoti tjetër ishte ai i realizuar me tematikë “100 vjet histori drejt Pavarësisë”, kostoja e të cilit mësohet se u llogarit në rreth 400.000 Lekë, referuar “Monitor”. Me një regji të dobët, ai përcillte një këqyrje blic të historisë 100-vjeçare të shtetit, duke u ndalur në periudhat kryesore që kanë vulosur këtë shekull. Dhe, këtyre i shtohej dhe një tjetër spot publicitar, por më i dobët edhe ai me motive patriotike.

Një shifër tjetër, që e kemi të tërthortë për atë që kanë shpenzuar bizneset shqiptare (referuar ekspertëve të marketingut në media), biznesi preferoi kryesisht të shfrytëzojë buxhetet e reklamimit, që kishin të planifikuara edhe më parë në televizione. Në media është referuar se shpenzimet “ekstra” sipas ekspertëve mund të llogariten në rreth 50.000 Euro. Në to ishin shpenzimet e vogla të bizneseve duke krijuar mënyra të ndryshme për të uruar në këtë përvjetor jubilar. Jo më kot, sipërfaqet që u mbuluan nga flamuri kombëtar dhe logoja e 100-vjetorit ishin kudo me hapësira të mëdha.

Shpenzimet “e vogla” dhe akuzat

Kina na e solli më të afërt simbolin e identitetit shqiptar, sepse ishte e pranishme më shumë se kurrë më parë me kilogramët e flamujve, që na përcollën. Pas viteve të socializmit, falë miqve historikë, ky ishte rasti i parë që Shqipëria i mbushi ballkonet dhe sipërfaqet me flamurët me shkabën e zezë. Llogariten në 750 metra katrorë hapësirat e tilla, të cilat vazhdojnë ende sot e kësaj dite, ku ka hapësira të tëra mbuluar me flamurin kombëtar dhe logot, si hapësira te Kuvendi Popullor, te Hoteli i madh 15 katësh dhe vende të tjera. Por edhe kjo linte për të dëshiruar. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, do deklaronte se qeveria harxhonte me lehtësinë më të madhe 920 mijë dollarë vetëm për të kremtuar liberalizimin e vizave. “Vetëm për dy-tri ditë, Sali Berisha, dhe qeveria e tij ka shpenzuar plot 920 mijë dollarë. I mbani ato tabelat nëpër semaforët e Tiranës që tregonin kryeqytetet e Europës? Po fishekzjarrët, po atë ahengun e madh në sheshin ‘Nënë Tereza’?

Pikërisht për to ka shpenzuar plot 920 mijë dollarë. Siç e tregon edhe dokumenti ku për organizimin e eventit janë shpenzuar 92 milionë lekë të reja”, teksa bëri publike dhe shumën e harxhuar nga qeveria për këtë festë. Kori i kritikëve gjeti dhe një argument tjetër pse u shmang Vlora nga protokolli zyrtar. Sipas analistëve të opozitës, fakti lidhej me kundërshtimin historik, që qyteti i ka bërë Berishës të gjithë kohën, por edhe për arsyen se do ishin milionat e dollarëve, që hidhen pa tender për të favorizuar shumë biznese dhe xhepa të padukshëm.

Ndërsa, këto akuza bëheshin në mënyra patetike, të vetëm do ishin aktivistët e Aleancës Kuq e Zi që ka protestuar ato ditë përpara Ministrisë së Kulturës, duke kërkuar transparencë për shpenzimet e festimeve. “Nuk ka transparencë për shpenzimet e 100-Vjetorit, ndërkohë që Berisha po përpiqet të mbulojë dështimin në mosmarrjen e statusit kandidat me spektakle të shtrenjta dhe fryrje mediatike. Turp kombëtar mospërfshirja e artistëve shqiptarë në përgatitjet e festimeve! Berisha, lideri i vetëm që ka ndarë shqiptarët sipas bindjeve politike edhe në art”. Por, logjika ka dy anë në Shqipëri. Paratë, ashtu si do apelonte ministri, duheshin që të justifikohej: ekspozita e shpatës dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit, “Meshari” i Gjon Buzukut, ekspozita e artit pamor apo artefakteve historike, festivalet e filmit, botime librash, por edhe dekorimin e qytetit të Tiranës etj, etj.

...
Të gjitha u bënë, por në fund treguan se shpenzimet kaotike dhe porositë e fshehta s’mund të jepnin dot imazhin e një festë të fisme. Dhe, jo vetëm për paratë e hedhura keq, por edhe për varfërinë krijuese dhe mungesën e një regjizure të mirëfilli mirëorganizimi shteti, akuzë që shqiptarët e mbartin me vete në këto 100 vjet pa fund, si Sizifi. Për fat, shpirti i popullit e kaloi këtë handikap të drejtuesve të vet me patosin e vet ... duke mos e çarë kokën për faturat e frikshme dhe milionat e akorduara për gjëra që ka gjasa se pak do mbahen mënd. Ben Andoni, Revista Java
 
Back
Top