Rugova dhe demaçi, këta vëllezër siamez

RUGOVA DHE DEMAاI, KثTA VثLLEZثR SIAMEZ

dema-768x579.jpg


Nga Fadil LEPAJA

Afër njëri tjetrit, vetëm disa metra larg, sot pushojnë të qetë, në tokën e Kosovës, dy vigan të cilët për shkak të dilemave historike për rrugën që duhet ndjekur populli ynë, kishin shprehur shpeshherë edhe mospajtime publike mes vete. Kjo kishte prodhuar pastaj emocione të fuqishme ndër aktivistët dhe qytetarët me pasoja serioze, nganjëherë deri edhe konfrontime politike.

Mospajtimet, publikisht, kryesisht i kishte shprehur Adem Demaçi, sepse Rugova kishte preferuar gjithnjë të mos polemizoj dhe të ndjek një rrugë të veten, pa komentuar shumë, përpos konferencave të rregullta të premten ku ai shprehej për rrugën që duhej ndjekur.

Dikush do të më shaj edhe për renditjen. Do të thonë si Rugova përpara Demaçit, e dikush mbase edhe do të e pëlqej këtë. Sido që ta marrësh, angazhimi i tyre intelektual dhe politik, për të artikuluar, orientuar dhe udhëhequr popullin solli rezultatet që i kemi sot. Pas tyre ishte rreshtuar një armatë e tërë intelektualësh, veprimtarësh, pa dyshim atdhetarësh të vërtetë, të cilët jo gjithnjë mendonin njëjtë, por mendonin më të mirën për Kosovën dhe për veten.

Kosova ende nuk është ashtu si e kanë ëndërruar, por gjithsesi është më mirë se kurrë më parë, dhe më afër vizionit të këtyre dy burrave të mëdhenj të kombit. Për arsye të përfitimeve politike dhe për interesa të huaja, ende ka përpjekje për të vazhduar polemikën mes tyre, madje edhe për të mbajtur njëlloj në mos konflikti atëherë gjithsesi njëfar “lufte të ftohtë” në mes të ashtuquajturës vijë të luftës dhe lëvizjes paqësore. Kjo, pa dyshim paraqet agjendë serbe, dhe bëhet për të penguar përmbushjen e asaj për çka luftuan edhe njëri edhe tjetri.

Këndezëve politik, lokal e nacional, do të u tingëlloi pak a shumë si një blasfemi, por ata përfundimisht nuk ishin personalitete të përmasave lokale dhe nuk mund të maten me arshinin e tyre, pra edhe nuk duhet shqetësuar për garën primitive se cili ishte më i madh, apo cili ishte më meritor, garë kjo që ende zhvillohet nëpër kafene lokale, por edhe nëpër media nacionale me mendësinë e njëjtë.

Ne, sot, kur ata nuk janë më në mes nesh, duhet parë kontributin e madh dhe të përbashkët të këtyre burrave të cilët pavarësisht fjalëve të rënda në çaste të dilemave të mëdha historike, prapë se prapë bashkë e sollën rrotën e madhe të fatit kolektiv të popullit tonë. Të vihet në pikëpyetje angazhimi i tyre i sinqertë për lirinë, është çmenduri dhe hipokrizi e llojit të vet.

Në vitin 1990, përmes kanaleve konspirative, një grup i të burgosurve politik nga burgu i Zenicës, në Bosnjë dhe Hercegovinë, i kishim dërguar një letër Ibrahim Rugovës, asokohe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aty shprehnim përkrahjen tonë të plotë dhe e trimëronim të artikulonte edhe më qartë synimet politike dhe kombëtare të kësaj lëvizjeje gjithë popullore, e çlirimtare, e cila po nxirrte në sipërfaqe tërë energjinë dhe vullnetin e shqiptarëve të Kosovës për liri.

Nga konferenca e rregullta për shtyp, të premten, nga selia e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Rugova ishte përgjigjur krejtësisht sinqertë dhe modest, si dinte të ishte vetëm ai. Pasi i kishte përshëndetur, të burgosurit politik shqiptarë në burgun e Zenicës, ai na siguronte se po punon shumë seriozisht, lidhur me rekomandimet nga letra e jonë. Këtë përgjigje ne lexuam në gazetën kryesore boshnjake, asokohe dhe me gëzim të madh, këtë lëvizje demokratike po e njihnim si vazhdim të punës tonë dhe shumë gjeneratave para nesh.

Mund të burgoseshin aktivistë dhe pjesëtarë të organizatave konspirative, patriotike, por nuk mund të burgosej një popull i tërë dhe kjo lëvizje popullore e demokratike që po lindte prej inteligjencës shqiptare, po e vërtetonte këtë. Vetë organizimi shtetëror dhe politik i shqiptarëve, asokohe ishte produkt i leximit të mençur të përvojës historike të shqiptarëve gjatë shekujve, nga ana e Ibrahim Rugovës dhe bashkëpunëtorëve, dhe aplikim i kësaj përvoje, të jetës paralele me pushtuesin, të kombinuar me rezistencën paqësore aktive, me theks në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, paraqet kontributin e tij madhor dhe njëherësh formulën për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare të Kosovës, të cilën deri atëherë, lëvizja jonë konspirative nuk po arrinte ta gjente dhe as të e bënte, as përkundër sakrificave të mëdha.

Demaçi duke e parë energjinë të cilën e kishte nxjerrë në sipërfaqe kjo lëvizje, do të bëhej pjesë e sajë, në formën më origjinale, duke qenë korrektuesi i saj, kur ajo kishte momentet e sajë të lodhjes apo mungesës së kurajës.

Fjala e Ibrahim Rugovës në pritjen që Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, që i organizoi Adem Demaçit pas daljes së tij nga burgu, tregon për këtë respekt dhe dashuri të thellë, njerëzore, intelektuale të z. Rugova për gjithë ata mijëra e mijëra njerëz që ishin burgosur, për të njëjtat ideale sikurse edhe ato të lëvizjes së re demokratike. Loja e vazhdueshme e pushtuesve serb asokohe, e besa edhe sot, ishte të luaj në këtë letër të përçarjes dhe armiqësimit, të qytetarëve të Kosovës, duke futur idenë e hakmarrjes për të kaluarën, dhe duke futur frikën për të ardhmen në rast se kjo apo ajo vijë, që vazhdonin të mbaheshin artificialisht, do të fitonte.

Rugova, e kishte kuptuar, ashtu si do ta kuptonte edhe Demaçi, se pa përkrahjen ndërkombëtare, shqiptarët nuk kanë fuqi edhe për një kohë të gjatë të çlirohen nga aleanca historike ruso-serbe. Pa bashkimin e brendshëm, i cili po qonte sinjale të fuqishme drejt botës, nuk do të kishte rezultatet që i solli kjo lëvizje në të cilën u bashkuan të gjithë që e donin lirinë e Kosovës.

Pra, Rugova dhe Demaçi, janë vëllezërit sijamez të luftës tonë për çlirim, të cilët nuk arrinin të ndaheshin as kur kjo bëhej e dhimbshme për shkak të lëvizjeve në drejtime të ndryshme.

Gjeneratat e reja, e kanë kuptuar këtë dhe janë indiferent ndaj thirrjeve për luftë të brendshme dhe hakmarrje që trumpetojnë këndezët politik, mbi plehun e tyre të vogël. Edhe një kohë do të ketë nga ata që do të përkulur para njërës pllakë varri, duke parë shtrembër tjetrën, por e gjithë kjo do të mbetet vetëm refleks individual ndërkohë që dilemat historike që i ngritën Rugova dhe Demaçi tashmë po përmbyllen, ngadalë por sigurt, dhe jo gjithnjë pa dhembje.


(gazeta-Shqip.com)
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top