Kresha
A pretty face can never trick me
Trupat e shumë shqiptarëve të zhdukur nga lufta e Kosovës dyshohet së në mënyrë të organizuar janë bartur për në Serbi. Atje disa kanë përfunduar në varreza masive, por ka shumë që kanë përfunduar edhe në shkritore bakri.
Ekipi i gazetës “Tribuna” ka qëndruar në Serbi për të marrë rrëfimin rrëqethës të dëshmitarit Ivan Pajic që ka parë me sytë e tij zbrazjen e trupave të civilëve shqiptarë nga kamionët frigoriferë në shkritoren e Borit.
Tregimi për trupat e civilëve shqiptarë që janë bartur në Serbi nuk është i panjohur. Një kamion me trupa qe gjetur në liqenin Drina dhe një hetim ka ndodhur. Dëshmitarë për bartjen e trupave nga Kosova ka pasur, por asnjëherë nuk është gjetur asnjë dëshmitar që tregon për destinacionin në Serbi të këtyre trupave.
30-vjeçari Ivan Pajic dhe babai i tij Drago Pajic, pretendojnë se dinë për misterin që ka mbajtur peng dhjetëra familje kosovare dhe që do të zbulojë një nga krimet më monstruoze me përmasa gjenocidale.
Ata me dëshminë e tyre, tregojnë për fatin e së paku një kamion frigorifer trupat e të cilit janë zbrazur te shkritorja e Borit.
Dyshimet se trupat u dogjën në shkritoren e Borit kanë ekzistuar edhe më herët, por hetuesit nuk patën gjetur asnjë dëshmi konkrete që do të ndihmonte në vërtetimin e dyshimit. Pronari i kompanisë që merret me prodhime të mishit “Agrocentar” në Bor, Ivan Pajic, del të jetë dëshmitari që ka parë zbrazjen e kufomave nga një kamion frigorifer në shkritoren që gjendet përballë kompanisë së tij.
Duke rrëfyer, djali që në kohën e luftës i ka pasur hiq më shumë se 16 vjet, thotë se po lirohet nga barra që atë dhe të atin Drago Pajic i ka munduar për të gjitha këto vite të pasluftës, barrë që ende u sjell kërcënime të ish-komandantëve të MUP-it dhe zyrtarëve tjerë të lartë të shtetit serb.
Rrëfimi i tij, pos që hedh dritë mbi gjurmët e krimit monstruoz, tregon edhe se si Serbia, vendi për të cilin BE-ja gjatë kësaj do të vendosë të nisë dialogun për ta anëtarësuar në union, vazhdon të kërcënojë çdo person që mund të dijë diçka mbi krimin në të cilin ka qenë e përfshirë e gjithë struktura shtetërore e Serbisë, dhe si i tillë ka qenë krim gjenocidal. Rrëfimi dëshmon se edhe
Prokuroria serbe për Krime Lufte që udhëhiqet nga Bruno Vekaric ka fshehur këtë dëshmi.
“Kam qenë me babën te firma jonë që gjendet përballë shkritores së Borit. Ka ndodhur pak javë pak nisjes së luftës (bombardimeve v.j.). Herët në mëngjes më babën e kemi parë një kamion frigorifer që ka parkuar para shkritores”, thotë Ivani.
Lidhja e kamionëve frigoriferë me punën e tyre të produkteve të mishit i kishte bërë kureshtarë që të vëzhgonin.
“Kur e kanë hapur derën e frigoriferit, ka pasur aq shumë trupa brenda sa kanë nisë të bien në tokë. Ende më kujtohet fytyra e një vajze të vogël që ra nga frigoriferi pasi u hap dera”, tregon Ivani ngjarjen që thotë se e ka parë bashkë me babanë e tij.
Ekipi i gazetës Tribuna ka qëndruar në Serbi ku ka marrë këtë rrëfim si dhe ka hulumtuar tregimin për kamionët frigoriferë që gjatë kohës së luftës kanë bartur qindra kufoma të civilëve shqiptarë për në Serbi.
Kërcënimet për të heshtur dhe burgosja e babait
Prej vitit 2010 Ivani dhe babi i tij kanë kontaktuar me Prokurorinë Speciale për Krime të Luftës që funksionon në Beograd. Pas disa vitesh heshtjeje ata kishin vendosur që të jenë në dispozicion edhe të Prokurorisë për krime Lufte në Serbi për të zbardhur të vërtetën e asaj që kanë parë, por sipas Ivanit, krejt çka kanë marrë nga kjo prokurori është përçmimi.
“Menjëherë kanë nisur kërcënimet. Mua personalisht më kanë kërcënuar se kanë me më hedh në ajër. Kërcënimet vijnë prej komandantëve të MUP-it që janë në Bor. Disa ende punojnë në MUP, disa të tjerë janë të pensionuar por janë ende të fuqishëm”, ka thënë Pajic.
Prej atëherë thotë se i ka duruar kërcënimet. “Arsyeja pse unë kam vendosur të flas është sepse kanë nevojë për ndihmë. Pas tërë kësaj situate në kemi pasur presion shumë të madh, që ka ardhur nga njerëzit të cilët kanë qenë të përfshirë në këto krime, bëhet fjalë për Qaslla Golubovic, i cili sot ndodhet në pension dhe endet lirshëm në qytetin e Borit”, rrëfen Ivani.
“Babai im është njeri shumë i ndershëm. Ndërsa ai tash ndodhet në burg - atë e kanë arrestuar. Këtë e kanë bërë në mënyrën më të poshtër duke ia montuar atij kinse po përgatit vrasjen e Zoran Milicit, një bashkëpunëtor i policisë, ndërsa unë mund të garantoj se ai as nuk e njeh këtë person. Mua më kanë thirrur edhe nga Ministria e Brendshme e Serbisë, por unë nuk u besoj atyre. Unë dua që autoritetet ndërkombëtare në Kosovë të marrin shpejt masa dhe të bëjnë diçka në drejtim”, ka thënë Ivani. Ai kërkon nga secili autoritet ndërkombëtar i drejtësisë që të kontaktojë me babin e tij, pasi që, siç thotë Ivani, ka frikë se i ati do të zhduket.
“Në frigoriferin që po flasim nuk ka pasur ushtarë shqiptarë, aty ka pasur gra dhe fëmijë shqiptarë të vrarë. Unë me sy të mi kam parë fëmijë në momentin kur janë hapur dyert e atij frigoriferi. Siç dihet ai kamion me frigorifer është mjaft i madh dhe ka qenë i tëri i mbushur me trupa njerëzish dhe shumë prej tyre kanë rënë në tokë kur janë hapur dyert. Kjo ka ndodhur në shkritoren në Bor, aty ku shkrihet bakri. Aty është shkatërruar gjithçka, të gjithë trupat janë djegur. Këtë vend ende e ruajnë por mund të ju them se nuk ka ndryshuar asgjë që nga viti 1999. Flas haptas ato kanë qenë veprime të mëdha kriminale ata njerëz sot shëtisin lirshëm, ndërsa babai im gjendet në burg”, rrëfen Ivani. Në dëshminë e tij për gazetën Tribuna ai rrëfen edhe për dilemat që ka pasur nëse do të duhej që tregimin ta thoshte në Kosovë, Serbi apo edhe në Sarajevë, vend që e kishte vlerësuar si më neutral.
“Unë kam biseduar me njeriun që punon në zyrën e Tribunalit të Hagës në Beograd, i cili quhet Dragan Jeniq ,dhe është nga fshati im Veliko Krivelja. Ai po ashtu punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Më ka lutur gjatë gjithë kohës që të mos takohem me ju. Kam shumë thirrje nga ai. ثshtë mashtrues shumë i madh dhe nuk i besoj atij”, thotë Pajic.
Ka edhe të varrosur
Ivan dhe babai i tij Drago nuk kanë parë vetëm një kamion frigorifer. Sipas tij, i ati Drago krejt pasluftën e ka kaluar duke u mundur të zbulojë të implikuarit në këto krime, derisa ky si i ri ka bërë një punë tjetër. Pas ngjarjes me frigoriferin te shkritorja e Borit, Ivan thotë se ka përcjellë çdo kamion frigorifer që ka lëvizur gjatë luftës në qytetin e tij dhe ka zbuluar dëshmi rrëqethëse për tetë prej tyre.
“Unë kam qenë adhurues i motorëve dhe në atë kohë kam lëvizur nëpër vende të ndryshime por sidomos në ato malore, si në rastin e Petrovosellos. Pata dëgjuar që aty po ndodh diçka dhe kam shkuar për ta parë. Në këtë vend i kam përcjellë tetë kamionë. Ka mundur me qenë i njëjti kamion, por unë e kam parë tetë herë. Aty sillnin trupa të civilëve. Njëherë njëri prej kamionëve ka qenë me trupa të ushtarëve. Të gjithë janë të varrosur aty dhe unë e di saktësisht edhe sot ku është ai vend.
Jam i bindur se po të hapet ai vend, aty do të gjenden trupa. ثshtë vend shumë i fshehtë në mal dhe ne banorët e asaj ane e quajmë vend i shkretë”, shpjegon Ivani.
Ai kërkon nga autoritetet ndërkombëtare për krime lufte që ta kontaktojnë në mënyrë që t`i shpjerë te hapësira e shkretë në malet e Petrovosellës.
“Njëherë kur u soll një kamion, unë kam qenë në një pozitë të mirë ku kam parë gjithçka. Kam pasur kapelë në kokë dhe ushtarët në atë kohë nuk kanë mundur të më identifikojnë. Nga aty unë jam larguar nga bora për në Tuzëll dhe jam kthyer sërish një vjet pas përfundimit të luftës. Ata kanë dyshuar se dikush mund t’i ketë parë në momentin që po transportonin trupat. Unë, siç e thashë, kam qenë me motor dhe kam pasur të vendosur kapelë dhe nuk kanë mundur të më verifikojnë. Shumë ndërkombëtarë po thonë se kanë qenë dhe e kanë hapur vendin në Petrovosellë, por unë ju them se ai vendi që unë po flas nuk është hapur asnjëherë”, thotë Ivan Pajic. //mesazhi