Titulli: Rezistenca e baktereve ndaj antibiotikëve, gjithnjë e më e madhe
Rezistenca ndaj antibiotikëve - problem global i shëndetit publik
Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) bashkë më autoritetet shëndetësore të të gjitha vendeve evropiane, ka iniciuar nismën ‘Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikë’, që shënohet çdo vit me datën 18 nëntor. Për këtë vit, kjo nismë u fokusua në rolin e mjekëve të kujdesit parësor për promovimin e përdorimit të drejtë të antibiotikëve dhe për informimin e pacientëve lidhur me rezistencën antibiotike.
Sot sëmundjet ngjitëse përbëjnë problem global, duke zënë vendin e dytë të shkaktarëve të vdekjes. Prej 12 milionë vdekjesh në vit, që shkaktohen nga sëmundjet ngjitëse, 95% shfaqen në vendet e pazhvilluara, në të cilat politikat e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve nuk ekzistojnë fare, nuk zbatohen deri në fund ose nuk kanë mbështetje të mjaftueshme financiare.
Rezistenca ndaj antibiotikëve është problem serioz i shëndetit publik në Evropë dhe kudo në botë, duke shënuar dyfishim në nivelin global gjatë 5 viteve të fundit. اdo vit në Bashkimin Evropian(BE) vdesin afër 25.000 njerëz nga infeksionet e shkaktuara me baktere rezistente ndaj antibiotikëve. Kostoja vjetore e shpenzimeve të shkaktuara nga rezistenca në BE shkon deri në 1.5 miliard euro.
Rezistenca antibiotike ndikon në rritjen e sëmundshmërisë, vdekshmërisë, zgjatjen e qëndrimit të pacientëve në spital dhe rritjen e kostos së mjekimit. Madje, në SHBA rezistenca antimikrobike është përcaktuar edhe si kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit.
Antibiotikët dhe rezistenca
Antibiotikët janë substanca që shkatërrojnë ose pengojnë rritjen e baktereve. Ato i përkasin një grupi të gjerë të komponimeve antimikrobike që përdoren për mjekimin dhe parandalimin e infeksioneve tek njerëzit, kafshët e nganjëherë edhe tek bimët.
Fillimi i përdorimit të antibiotikëve në praktikën mjekësore në vitet ‘40 të shekullit të kaluar pati shënuar revolucion në luftën kundër sëmundjeve ngjitëse. Mirëpo, sot 70 vite më vonë efektshmëria e përdorimit të tyre është rrezikuar seriozisht nga shfaqja e rezistencës ndaj antibiotikëve.
Rezistenca ndaj antibiotikëve është aftësia e mikrobeve për t’i përballuar veprimit të antibiotikëve. Bakteret rezistente, përkundër terapisë me antibiotikë mbijetojnë duke vazhduar shumëzimin dhe duke zgjatur sëmundjen, e cila mund të përfundojë me vdekje.
Në mjekimin e infeksioneve me baktere rezistente mjekët detyrohen të përzgjedhin antibiotikë të tjerë alternativë, të cilët janë shumë më të shtrenjtë dhe kanë më tepër efekte anësore. Në anën tjetër, industria farmaceutike ka ngelur prapa në zbulimin e antibiotikëve të rinj duke theksuar edhe më shumë gamën e rezistencës së baktereve.
Shkaqet e rezistencës
Rezistenca ndaj antibiotikëve është një fenomen natyror që ndodh nga ndryshimet në gjenet e baktereve. Mirëpo, rritja e përdorimit të antibiotikëve dhe përdorimi i paarsyeshëm i tyre janë dy faktorët kyç që përshpejtojnë shfaqjen dhe përhapjen e rezistencës.
Faktorët e tjerë që e plotësojnë mozaikun e problematikës së rezistencës janë: marrja e antibiotikëve pa recetë të mjekut, mungesa e resurseve të kontrollit të infeksioneve në spitale dhe komunitet, rritja e popullatës me moshë të shtyrë, udhëtimet masive të njerëzve dhe shpërdorimi i antibiotikëve në sektorin e veterinarisë.
Bakteret rezistente mund të shkaktojnë një rang të gjerë të infeksioneve: infeksione të traktit urinar, pezmatim të mushkërive, infeksione të lëkurës, barkqitje, infeksione të sistemit të qarkullimit të gjakut etj. Një problem shtesë që konsiderohet si binjak me rezistencën janë edhe infeksionet spitalore të shkaktuara nga bakteret rezistente.
Evropa dhe Kosova
Të dhënat e sistemit të mbikëqyrjes së rezistencës në Evropë (EARSS) flasin për një gradient të rezistencës në rrafshin Veri-Juglindje, me ç’rast shkalla më e ulët e rezistencës vërehet në shtetet e Skandinavisë, të Baltikut dhe Holandë (1-10%), kurse shkalla më e lartë është në Ballkan, Itali, Spanjë e Portugali (30-50%). Ka disa shkaqe që sqarojnë këtë laryshi të shkallës së rezistencës në Evropë, si: shkalla e përdorimit të antibiotikëve, cilësia e shërbimeve spitalore, përqindja e imunizimit dhe faktorët socialë.
Në Evropë, kujdesi parësor prin me 80-90% të antibiotikëve të përshkruar. Në shumicën e rasteve ky përshkrim është i panevojshëm, por ato jepen si rrjedhojë e presionit nga pacientët ose nga mospërcaktimi i saktë i diagnozës së sëmundjes. Studimet e kryera në disa vende të Evropës kanë dëshmuar se ulja e përshkrimit të antibiotikëve në kujdesin parësor ka rezultuar në uljen e shkallës së rezistencës antibiotike.
Prandaj, shtrohet nevoja specifike për promovimin e përdorimit racional të antibiotikëve me pacientët e kujdesit parësor. Kontributi i mjekëve të kujdesit parësor për promovimin e vetëdijesimit për antibiotikë ka vlerë të veçantë, pasi që këshillat e tyre mund të ndikojnë, më shumë se çdo gjë tjetër në perceptimin dhe qëndrimin e pacientëve për sëmundjen e tyre dhe nevojën për antibiotikë. Bashkimi Evropian i ka ftuar vendet anëtare që rezistencën antimikrobike dhe infeksionet spitalore t’i vënë si prioritet për politikat shëndetësore.
Rezistenca ndaj antimikrobikëve është problem edhe për shëndetësinë kosovare me shifrat e rezistencës që janë ndër më të lartat në Evropë. Mikroorganizmat tregues të rezistencës janë dyfish më të lartë sesa mesatarja evropiane për pothuajse të gjithë antibiotikët e përdorur në praktikën klinike dhe ambulantore.
Në dy dekadat e fundit antibiotikët blihen në barnatoret tona pa recetë të mjekut. Mbikëqyrja laboratorike e rezistencës ndaj antibiotikëve në vendin tonë ende nuk është standardizuar plotësisht. Faktor tjetër ndikues është edhe mungesa e strategjisë dhe e planit veprues për rezistencën ndaj antibiotikëve, e cila pritet të fillojë së shpejti.
Masat e parandalimit dhe të kontrollit
* Rritja e vetëdijesimit për problemin e rezistencës antimikrobike;
* Masat administrative nga ekzekutivi i vendit në nivel të restriksioneve të përdorimit të antibiotikëve dhe hartimit të strategjisë shtetërore;
* Përmirësimi dhe zgjerimi i sistemeve të mbikëqyrjes së rezistencës antimikrobike dhe i konsumit të antibiotikëve në spital dhe komunitet;
* Fuqizimi i masave të kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve;
* Hulumtimet shkencore dhe edukimi i vazhdueshëm i mjekëve në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor.
Këshillat kryesore për parandalimin e rezistencës ndaj antibiotikëve:
* Mos merrni antibiotikë pa përshkrim nga mjeku;
* Antibiotikët NUK kanë kurrfarë dobie nëse keni ftohje(flamë) apo grip;
* Nëse keni nevojë për antibiotikë, atëherë përdorni ato me përgjegjësi;
* Përmbajuni këshillës së mjekut Tuaj për orarin dhe mënyrën e përdorimit të antibiotikëve;
* Mos i përdorni antibiotikët që kanë mbetur nga përdorimi i mëhershëm;
* Pyeteni mjekun apo farmacistin për mënyrën e hedhjes së antibiotikëve të mbetur.
Përdorimi i drejtë i antibiotikëve e ndal rezistencën e baktereve.
Tث RUAJMЁ VEPRIMIN EFEKTIV Tث ANTIBIOTIKثVE!
/
Telegrafi/